Category: SHËNDETËSI

  • Kirurgët në QKUK bëjnë mrekulli: Hiqet plumbi nga mushkëria e 28 vjeçarit

    Kirurgët në QKUK bëjnë mrekulli: Hiqet plumbi nga mushkëria e 28 vjeçarit

    Një ndërhyrje e suksesshme kirurgjikale është realizuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në kuadër të Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ku një pacient 28-vjeçar është trajtuar me sukses pas një dëmtimi të rëndë që kishte pësuar muaj më parë.

    Sipas njoftimit, bëhet fjalë për një pacient mashkull, i cili prej rreth 10 muajsh mbante një plumb të mbetur në lobin e poshtëm të mushkërisë së majtë.

    “Falë përkushtimit dhe profesionalizmit të ekipit mjekësor, trupi i huaj është larguar përmes një ndërhyrjeje moderne dhe minimale invazive. Operacioni është kryer duke përdorur metodën bashkëkohore VATS-Uniportal, e cila mundëson ndërhyrje pa hapje të madhe kirurgjikale, duke reduktuar rrezikun e komplikimeve dhe duke përshpejtuar ndjeshëm procesin e rikuperimit”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

    Sipas mjekëve, ndërhyrja ka rezultuar plotësisht e suksesshme, duke ruajtur funksionin e mushkërisë dhe duke shmangur çdo ndërlikim të mundshëm.

    “Aktualisht, pacienti ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdon rikuperimin pas operacionit”, thuhet tutje në njoftim.

    Ky rast konsiderohet një tjetër dëshmi e avancimit të shërbimeve shëndetësore në vend dhe e përkushtimit të stafit mjekësor për të aplikuar teknikat më moderne në trajtimin e pacientëve.

  • Përmirësohen shërbimet për pacientët me zemër në QKUK, Kurti, Vitia në përurimin e Kardiologjisë!

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, morën pjesë në përurimin e transformimit të Klinikës së Kardiologjisë në QKUK.

    Ky investim synon përmirësimin e kushteve për trajtimin e pacientëve me sëmundje të zemrës, duke rritur kapacitetet dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

    Përfaqësuesit institucionalë theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në avancimin e sektorit të shëndetësisë në vend.

     

  • Martesa mund të ulë rrezikun për kancer, sugjeron studimi

    Martesa mund të ulë rrezikun për kancer, sugjeron studimi

    Martesa ka ekzistuar për mijëra vite dhe dikur ishte pothuajse universale, sipas profesorit Andrew J. Cherlin. Por sot, numri i martesave është në rënie dhe kjo mund të nënkuptojë se disa njerëz po humbasin një përfitim të mundshëm për shëndetin, ka shkruar CNN.

    “Është sikur jemi ndarë në dy shoqëri të ndryshme”, ka thënë Cherlin, profesor në Johns Hopkins University, duke iu referuar avantazheve që mund të sjellë martesa.

    Një studim i publikuar në revistën “Cancer Research Communications” sugjeron se martesa mund të lidhet me rrezik më të ulët për kancer, duke shtuar prova të reja që e lidhin atë me rezultate më të mira shëndetësore.

    Sipas të dhënave, burrat që nuk janë martuar kurrë, kanë 68 për qind më shumë gjasa të preken nga kanceri krahasuar me ata që kanë qenë të martuar (përfshirë të divorcuarit dhe ata që kanë mbetur të ve). Për gratë që nuk janë martuar kurrë, rreziku është edhe më i lartë, deri në 83 për qind.

    “Kur bëhet fjalë për kancerin, vendosja e unazës mund të ofrojë më shumë mbrojtje për gratë. Kjo është befasuese”, ka thënë Brad Wilcox nga University of Virginia.

    Në përgjithësi, studimet kanë treguar se burrat përfitojnë më shumë nga martesa në marrëdhënie heteroseksuale. Por ky studim sugjeron të kundërtën.

    Autorët e studimit thonë se kjo ka disa shpjegime. Për disa lloje kanceri, si ai i mitrës dhe i vezoreve, lidhja mund të ketë të bëjë me faktorë biologjikë dhe riprodhues. Gratë që nuk kanë lindur kurrë kanë rrezik më të lartë për këto sëmundje.

    Sipas Paulo S. Pinheiro nga University of Miami Health System, te të moshuarit lidhja mes martesës dhe rrezikut më të ulët për kancer bëhet edhe më e fortë me kalimin e kohës.

    “Efekti i martesës duket se grumbullohet me kalimin e viteve”, ka thënë Pinheiro.

    Kur të dhënat u analizuan sipas racës dhe përkatësisë etnike, u vu re se burrat me ngjyrë përfitonin më shumë nga martesa. Jarrod A. Carrol nga Kaiser Permanente e shpjegon këtë me rolin e grave.

    “Ato ofrojnë mbështetje dhe e inkurajojnë burrin që të kërkojë trajtim dhe kontroll më herët. Fakti që gruaja shpesh është qendra e mbështetjes për të gjithë familjen tregon sa shumë ajo investon në kujdesin për partnerin”, ka thënë ai.

    Pse martesa lidhet me përfitime shëndetësore?

    Sipas Cherlin, një pyetje thelbësore mbetet: a i bën martesa njerëzit më të shëndetshëm, apo njerëzit më të shëndetshëm kanë më shumë gjasa të martohen?

    Martesa zakonisht sjell disa avantazhe, si qasja më e lehtë në kujdes shëndetësor dhe mbështetje sociale. Gjithashtu, personat e martuar kanë më pak gjasa të përfshihen në sjellje të rrezikshme, si duhanpirja, alkooli apo marrëdhënie të pasigurta, faktorë që lidhen me disa lloje kanceri.

    “Nëse je i pamartuar dhe më i izoluar, ke më pak gjasa të bësh kontrolle ose të angazhohesh në parandalim”, ka thënë Pinheiro.

    Megjithatë, jo të gjithë bien dakord.

    Joan DelFattore argumenton se përfitimet e martesës shpesh lidhen me mënyrën si sistemi e favorizon atë, jo domosdoshmërisht me vetë martesën.

    “Shpesh njerëzit nisen nga ideja ‘Martesa: e mirë. Pa martesë: e keqe’ dhe i interpretojnë të dhënat në mënyra që nuk kanë kuptim”, ka thënë ajo.

    Ky paragjykim, sipas saj, çon në përfundime “shumë të thjeshtuara”.

    Përvoja e një pacienteje beqare

    DelFattore, e diagnostikuar me kancer në fazë të avancuar 15 vjet më parë, ka treguar se si një grua e pamartuar nuk mori të njëjtin trajtim si pacientët e martuar.

    “Mjeku ishte plotësisht i bindur se si grua beqare… unë nuk mund të kisha mbështetjen e nevojshme për të përballuar trajtimin agresiv. U përpoqa t’i tregoja për kushërinjtë dhe miqtë që më mbështesnin, por ai më ndërpreu. Nuk arrita as ta përfundoja fjalinë”, ka thënë ajo.

    Sipas saj, këto paragjykime ndikojnë në trajtimin që marrin pacientët beqarë.

    “Ekziston ideja se ka një ndarje të fortë mes të qenit i martuar dhe të qenit vetëm”, ka thënë ajo.

    Çka duhet bërë më tej?

    Studiuesit theksojnë se duhet më shumë punë për të mbështetur personat e pamartuar, jo thjesht për të inkurajuar martesën.

    Pinheiro sugjeron që mjekët duhet të kalojnë më shumë kohë me pacientët që nuk kanë mbështetje të drejtpërdrejtë në shtëpi.

    Ndërkohë, DelFattore ka theksuar se rrjetet sociale, miqtë, familja, fqinjët, mund të jenë po aq të rëndësishme sa një partner.

    “Edhe një fqinj mund të të ndihmojë të lahesh. Kujdesi i afërt nuk është i kufizuar vetëm te bashkëshorti. Mbështetja jashtë martesës mund të jetë po aq efektive”, ka thënë ajo.

  • Përzgjedhja e mjekut familjar do të bëhet e detyrueshme, thotë zv/ministri i Shëndetësisë

    Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, ka theksuar se përzgjedhja e mjekut familjar do të bëhet e detyrueshme me fillimin e zbatimit të sigurimeve shëndetësore, duke e cilësuar këtë si një hap kyç në reformën e sistemit shëndetësor në Kosovë.

    Berisha theksoi se kjo ditë shërben si moment reflektimi dhe angazhimi për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e ndërgjegjësimit qytetar.

    “Dita Botërore e Shëndetit thekson edhe fuqinë e bashkëpunimit shkencor, ngritjen e vetëdijes për shëndetin dhe në kuadër të planetit ne duhet të kemi kujdes edhe shëndetin e njerëzve edhe të kafshëve edhe të bimëve”, deklaroi Berisha në RTK.

    Ai shtoi se mesazhi kryesor i këtij viti është që vendimet në shëndetësi të bazohen në shkencë.

    “Motoja e këtij viti është së bashku për shëndetin qëndrojmë me shkencën, që çdo gjë që ndërmerret nga profesionistët shëndetësorë duhet të jetë e dëshmuar në shkencë për një veprim të mëtutjeshëm të kujdesit për shëndetin e qytetarit në përgjithësi”, u shpreh ai.

    Një nga çështjet kyçe të reformës, sipas Berishës, mbetet përzgjedhja e mjekut familjar, e cila lidhet drejtpërdrejt me implementimin e sigurimeve shëndetësore.

    “Do të vij një moment ku Ministria e Shëndetësisë do të ketë një afat, ku secili pacient do ta ketë patjetër përzgjedhjen e mjekut, përndryshe se merr shërbimin sepse do të digjitalizohet ajo pjesë e komunikimit. Pra, përzgjedhja e mjekut do të jetë më patjetër, pasi në momentin që futet në implementim Sigurimi i Detyrueshëm Shëndetësor, barra financiare e pacientit që nuk e ka zgjedhur mjekun familjar bie në xhepin e tij”, tha ai.

    Ai paralajmëroi gjithashtu avancim në dixhitalizimin e sistemit shëndetësor.

    “Unë jam shumë optimist që pjesa e kujdesit parësor shëndetësor në plotëni do të kryhet si dixhitalizim brenda verës së këtij vitit dhe kjo temë do të jetë e mbyllur. D të ketë me siguri një garë prej mjekëve që deri në 2 mijë banorë ta përzgjedhin, sepse do të ketë edhe nxitje prej Ministrisë së Shëndetësisë, që ata që e kryejnë do të kenë edhe financim shtesë për këtë punë”, deklaroi Berisha.

    Zëvendësministri pranoi se sistemi shëndetësor ka sfida, por theksoi se ka pasur progres të dukshëm në vitet e fundit, sidomos në aspektin financiar dhe furnizimin me barna.

    Ai tha se në të kaluarën buxheti për paga në SHSKUK ka qenë rreth 40 milionë euro.

    “Sot e kemi më shumë se dyfishin vetëm për paga në shërbimin spitalor të Kosovës. Furnizimi me produktet medikamentoze, në shërbim të trajtimit të shëndetit të pacienteve me protokollet më të reja, ka raste që e tejkalojmë edhe regjionin në aspektin e kujdesit të shëndetit publik. Mos të harrojmë që është viti i tretë që ne më nuk e dëgjojmë më furnizimin e insulinës si problem dhe me produktet e sëmundjeve të rralla”, tha ai.

    Megjithatë, ai bëri thirrje për përmirësim të komunikimit dhe empatisë nga ana e stafit shëndetësor.

    “Prej mjekëve, infermierëve, të gjithë ata që punojnë në sektorin shëndetësor… ta theksojnë atë empati në raport me pacientin edhe komunikim sa më real dhe sa më të shëndoshë, sa më të sinqertë”, u shpreh Berisha.

    Sa i përket sigurimeve shëndetësore dhe paralajmërimeve se duhet pesë vjet kohë për zbatim të këtij ligji, ai theksoi se procesi kërkon kohë dhe zbatim gradual, por se nuk mund të jepet një afat.

    Sipas tij nëse Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm Shëndetësor kalon në lexim të parë dhe të dytë në Kuvend gjatë këtij muaji, atëherë vendoset data kur fillon zbatimi.

    “Gjithçka fillon me pakon bazë të shërbimeve, por nuk ka një afat sepse është një proces dinamik i cili mund të ndryshojë gjatë rrugës”, tha Berisha.

  • Përfitimet nga çaji kamomil

    Kamomili është një barishte që përdoret qysh nga periudha romake.

    Sa i përket çajit, kamomili është vlerësuar për shkak se është e pasur me flavanoide, të cilat janë antioksidantë me përfitime të shumta shëndetësore.

    Ngërçet e stomakut

    Çaji i kamomilit ka efekt anti-inflamator dhe antispazmodik, që ndikon në lehtësimin e dhembjeve në barkun tuaj. E pini në mëngjes si dhe në mbrëmje për rezultatet më të mira.

    Rrudhat

    Radikalët e lirë mund të bëjnë që lëkura juaj të duket më e vjetëruar. Pirja e çajit të kamomilit mund të largojë këto toksine, duke ju bërë që të riktheni shkëlqimin rinor.

    Diabeti

    Edhe pse nuk mund të trajtojë diabetin, ky çaj mund të kontrollojë simptomat si dhe të parandalojë shfaqjen e sëmundjes. Këtë e arrin përmes rregullimit të nivelit të glukozës në trup.

    Imuniteti

    Çaji i kamomilit përbën një ambient armiqësor për bakteret, andaj është një mënyrë e mirë për largimin e baktereve nga organizmi. Kjo ndihmon në forcimin e sistemit imunitar, sidomos kur jeni të ftohur apo keni ethe.

  • Shkencëtarët zbulojnë vaksinën që ‘zgjon’ sistemin imunitar kundër tumoreve

    Shkencëtarët në Universitetin e Floridës kanë krijuar një vaksinë eksperimentale mRNA që mund të aktivizojë sistemin imunitar për të luftuar një gamë të gjerë tumoresh, duke hapur perspektiva për një trajtim potencialisht universal kundër kancerit, raportoi “ScienceDaily”.

    Ndryshe nga qasjet tradicionale, kjo vaksinë nuk synon një proteinë specifike të tumorit.

    Ajo vepron duke “zgjuar” sistemin imunitar në mënyrë të përgjithshme, duke e bërë atë të reagojë ndaj kancerit njësoj si ndaj një infeksioni viral.

    Sipas studiuesve, kjo qasje i bën qelizat kancerogjene më të dukshme për mbrojtjen natyrore të trupit, duke rritur aftësinë e tij për t’i identifikuar dhe shkatërruar ato në mënyrë më efikase.

    Rezultatet nga studimet paraklinike – të kryera në modele eksperimentale – janë inkurajuese: vaksina arriti të ngadalësojë rritjen e tumoreve, të rrisë efektivitetin e imunoterapisë dhe, në disa raste, të ndihmojë në zhdukjen e tumoreve rezistente ndaj trajtimit.

    Një nga elementët më premtues të këtij zbulimi është fakti se vaksina nuk ka nevojë të personalizohet për çdo pacient apo për çdo lloj tumori.

    Kjo sugjeron mundësinë e një vaksine “të vetme”, e cila mund të aplikohet gjerësisht.

    “Ky është një zbulim i papritur dhe shumë emocionues, pasi edhe një vaksinë që nuk synon një tumor specifik mund të shkaktojë një përgjigje të fortë kundër kancerit”, u shpreh Elias Sayour, një nga drejtuesit e studimit.

    Aktualisht, vaksina ndodhet në fazat e hershme të zhvillimit.

    Testimet tek njerëzit kanë nisur për të vlerësuar sigurinë, efektivitetin dhe potencialin për përdorim klinik.

    Nëse këto rezultate konfirmohen, kjo qasje mund të shënojë një ndryshim rrënjësor në trajtimin e kancerit, duke ofruar një alternativë të re ndaj metodave tradicionale si kirurgjia, kimioterapia dhe radioterapia.

     

  • Si ndikon natyra në psikikën e njeriut dhe pse na bën të ndihemi më mirë

    Si ndikon natyra në psikikën e njeriut dhe pse na bën të ndihemi më mirë

    Si ndikon natyra në gjendjen psikike të njeriut?

    Në një botë gjithnjë e më të zhurmshme dhe të mbushur me stres, shumë njerëz po kërkojnë mënyra për të përmirësuar mirëqenien e tyre mendore. Një nga mënyrat më të thjeshta dhe më efektive është kontakti me natyrën. Studime të shumta në fushën e Psikologji tregojnë se qëndrimi në ambiente natyrore ka ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e gjendjes psikike të njeriut.

    Redukton stresin dhe ankthin

    Kalimi i kohës në natyrë, si ecjet në park, male apo pranë ujit, ndihmon në uljen e nivelit të stresit dhe ankthit. Zhurma e qytetit, trafiku dhe rutina e përditshme shpesh lodhin mendjen, ndërsa ambientet natyrore krijojnë një ndjenjë qetësie dhe relaksi.

    Përmirëson humorin dhe energjinë

    Drita natyrale e diellit dhe ajri i pastër ndikojnë pozitivisht në humor. Shumë njerëz raportojnë se ndihen më të qetë, më të lumtur dhe më energjikë pasi kalojnë kohë në natyrë, edhe nëse bëhet fjalë për një shëtitje të shkurtër.

    Ndihmon përqendrimin dhe kreativitetin

    Kontaktet me natyrën mund të rrisin përqendrimin dhe kreativitetin. Personat që kalojnë më shumë kohë në ambiente të gjelbra shpesh kanë më shumë qartësi mendore dhe ide të reja.

    Forcon shëndetin mendor

    Natyra luan rol të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit mendor. Aktivitetet si ecja, vrapi apo thjesht ulja në një park mund të ndihmojnë në përmirësimin e mirëqenies psikologjike dhe në uljen e lodhjes mendore.

    Një terapi natyrale për të gjithë

    Në fund, natyra mund të konsiderohet një “terapi natyrale” që është e disponueshme për të gjithë. Edhe disa minuta në ditë në një ambient të gjelbër mund të bëjnë ndryshim të madh në mënyrën se si ndihemi.

    Në një kohë kur teknologjia dhe ritmi i shpejtë i jetës na largojnë nga ambientet natyrore, rikthimi tek natyra mund të jetë një nga mënyrat më të mira për të ruajtur balancën emocionale dhe mendore.

  • Gjellë me miell misri – një vakt i shëndetshëm dhe tradicional

    Gjellë me miell misri – një vakt i shëndetshëm dhe tradicional

    Gjellë me miell misri – një vakt i shëndetshëm dhe tradicional

    Gjella me miell misri është një nga ushqimet më të vjetra dhe më të dashura të kuzhinës shqiptare. E njohur në shumë zona edhe si kaçamak apo polentë, kjo pjatë e thjeshtë përgatitet me përbërës bazë, por është shumë ushqyese dhe e shëndetshme.

    Mielli i misrit është i pasur me karbohidrate të shëndetshme që i japin trupit energji, ndërsa përmban edhe fibra, vitamina të grupit B dhe minerale të rëndësishme. Për këtë arsye, gjella me miell misri konsiderohet një vakt i mirë si për mëngjes, ashtu edhe për drekë ose darkë.

    Përgatitja e saj është e thjeshtë. Zakonisht uji ose qumështi vlohet në një tenxhere, më pas shtohet mielli i misrit duke u përzier vazhdimisht derisa të trashet. Në shumë zona i shtohet edhe gjalpë, djathë, kos apo ajkë, duke i dhënë një shije edhe më të pasur.

    Përveç shijes së mirë, kjo gjellë ka edhe përfitime për shëndetin. Ajo tretet lehtë, nuk përmban gluten (nëse është miell misri i pastër) dhe është një alternativë e mirë për ata që kërkojnë ushqime natyrale dhe tradicionale.

    Edhe sot, pavarësisht shumëllojshmërisë së ushqimeve moderne, gjella me miell misri mbetet një simbol i kuzhinës së thjeshtë, të shëndetshme dhe plot shije që trashëgohet brez pas brezi. 🌽

  • A e pini kafenë e mëngjesit me stomakun bosh? Mjekët paralajmërojnë për pasoja potencialisht serioze!

    A e pini kafenë e mëngjesit me stomakun bosh? Mjekët paralajmërojnë për pasoja potencialisht serioze!

    Rituali i pirjes së filxhanit të parë të kafesë në mëngjes është i shenjtë për shumë njerëz – një moment paqeje përpara se të fillojë nxitimi dhe nxitimi i ditës. Kjo pije e ngrohtë është bërë sinonim global i zgjimit dhe një rritjeje të energjisë.

    Edhe pse duket si një zakon i padëmshëm, gastroenterologët dhe studimet shkencore paralajmërojnë se një praktikë e tillë mund të ketë një sërë pasojash negative për shëndetin tuaj.

    Kafeja është një pije natyrale acidike që stimulon prodhimin e acidit në stomak. Kur e pini para mëngjesit, ky acid klorhidrik nuk ka ushqim për ta zbërthyer, kështu që në vend të kësaj mund të irritojë drejtpërdrejt rreshtimin e ndjeshëm të stomakut tuaj. Efektet mund të ndihen pothuajse menjëherë në formën e urthit të pakëndshëm, ndjesisë së djegies ose edhe të përzierave. Kafeina i përkeqëson gjërat duke relaksuar sfinkterin e poshtëm ezofageal, unazën e muskujve që parandalon acidin e stomakut të rrjedhë përsëri lart në ezofag.

    Në planin afatgjatë, acarimi i vazhdueshëm i mukozës mund të çojë në inflamacion, i njohur si gastrit.

    Përveç sistemit tretës, kafeja me stomak bosh ndikon drejtpërdrejt në sistemin tonë hormonal. Aktori kryesor në këtë histori është kortizoli, i njohur më mirë si hormoni i stresit. Trupi ynë prodhon natyrshëm më shumë kortizol në orët pas zgjimit për të na zgjuar dhe për të na përgatitur për ditën. Megjithatë, kafeina vepron si një stimulues shtesë për sekretimin e tij.

    Kur pini kafe në mëngjes, kur nivelet e kortizolit janë tashmë në kulmin e tyre, kjo ju stimulon tepër. Kjo mund të shkaktojë ndjenja nervozizmi, ankthi, rrahje të shpejta të zemrës dhe madje edhe dridhje.

    Një nga efektet më pak të njohura të kafesë së mëngjesit para vakteve është ndikimi i saj në rregullimin e sheqerit në gjak. Studimet kanë treguar se pirja e kafesë së zezë me stomak bosh, veçanërisht pas një gjumi të keq natën, mund ta ulë ndjeshëm aftësinë e trupit për të menaxhuar në mënyrë efektive glukozën. Kur më në fund hani mëngjes pas një kafeje të tillë, nivelet e sheqerit në gjak mund të rriten ndjeshëm më shumë se zakonisht.

    Gastroenterologët këshillojnë të ndiqni një rregull të thjeshtë: së pari ushqimi, pastaj kafeja. Një mëngjes i ekuilibruar i pasur me proteina, fibra dhe yndyrna të shëndetshme, siç janë vezët, bollguri ose kosi grek, do të krijojë një shtresë mbrojtëse në mukozën e stomakut dhe do të ngadalësojë përthithjen e kafeinës.

    Është gjithashtu e dobishme të filloni ditën me një gotë ujë për të rehidratuar trupin tuaj pas një nate jashtë.

    Koha optimale për kafenë tuaj të parë, sipas ekspertëve, është midis orës 9:30 dhe 11:30 të mëngjesit, kur nivelet natyrale të kortizolit fillojnë të bien dhe trupi juaj ka nevojë vërtet për një nxitje.

  • Dy klinika në QKUK lirojnë nga tarifa tre euro përcjellësit e pacientëve

    Pacientët në Klinikën e Pediatrisë dhe Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve nga sot janë të liruara nga tarifa prej tre eurove për natë gjatë qëndrimit në klinikat e QKUK-së.

    Kjo është bërë e ditur nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

    Po ashtu është bërë e ditur se nga kjo tarifë përjashtohen gjithashtu përcjellësit e pacientëve të Klinikës së Onkologjisë dhe të gjitha klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje.

    Postimi i plotë:

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës njofton se, në përputhje me Udhëzimin Administrativ (UA) në fuqi, përcjellësit e pacientëve në Klinikën e Pediatrisë dhe në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve janë të liruar nga tarifa 3 (tre) euro për natë gjatë qëndrimit në klinikat e QKUK-së.

    Nga kjo tarifë përjashtohen gjithashtu përcjellësit e pacientëve të Klinikës së Onkologjisë dhe të gjitha klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht nëse pacientët janë të shtruar në klinika të tjera brenda QKUK-së.

    Po ashtu, nga pagesa përjashtohen të gjithë përcjellësit e pacientëve nën moshën 18 vjeç, si dhe pacientët me sëmundje kronike.

    Sqarojmë se në Klinikën e Pediatrisë dhe në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, përcjellësit nuk kanë paguar asnjëherë tarifën prej 3 (tre) euro për natë.