Tag: 28 Nëntori

  • Princ Leka II: Të forcojmë unitetin kombëtar kundër akuzave ndaj drejtuesve të UÇK-së

    Princ Leka II: Të forcojmë unitetin kombëtar kundër akuzave ndaj drejtuesve të UÇK-së

    Princi Leka II, ka uruar të gjithë shqiptarët 28 Nëntorin, duke bërë thirrje për unitet të brendshëm kombëtar, në një kohë ku po akuzohen drejtuesit e UÇK-së.

    Duke uruar të gjithë kombin shqiptar me rastin e festës së 28 Nëntorit, Princ Leka II, ka thënë se gjuha e bukur shqipe është ajo që i bashkon të gjitha trevat shqiptare e që na obligon të jemi më të përgjegjshëm e ta duam edhe më shumë Atdheun tonë.

    Ndërsa në një urim të gjatë ai ka bërë për thirrje që të forcojmë unitetin e brendshëm kombëtar kundër akuzave ndaj drejtuesve të UÇK-s, të ndihemi krenarë për heronjtë e asaj lufte.

    “Tashmë më tepër se kurrë na duhet të forcojmë unitetin e brendshëm kombëtar kundër akuzave ndaj drejtuesve të UÇK-s, të ndihemi krenarë për heronjtë e asaj lufte, shumë prej të cilëve për turp e fat të keq kanë mbetur për bukën e gojës, të vlerësojmë sakrificat e atyre që u përballën deri në vetmohim për ti dhënë Kosovës lirinë!

    Ndërkohë duhet ti kujtojmë Gjykatës Speciale se në bankën e të akuzuarve duhet të jenë ata që me të vërtetë planifikuan dhe ekzekutuan gjenocid dhe krime makabre ndaj shqiptarëve autoktonë”, është shprehur ndër të tjera Princë Leka II.

    Urimi i plotë i Princ Leka II:

    Të dashur motra dhe vëllezër, Gëzuar 28 Nëntorin, ditën që ne festojmë lirinë dhe pavarësinë tonë si një komb i qytetëruar, me dëshirën, sytë dhe mendjen të drejtuar nga Perëndimi. Bashkë me festën e flamurit nuk mund të mos përmend 22 Nëntorin, përvjetorin e Kongresit të Manastirit. Është gjuha e bukur dhe e ëmbël shqipe ajo që i bashkon të gjitha trevat shqiptare e që na obligon të jemi më të përgjegjshëm e ta duam edhe më shumë Atdheun tonë.
    Si çdo 28 Nëntor, shkruaj një mesazh i cili pasqyron realitetet dhe sfidat me të cilat jemi përballur gjatë vitit. Por ndërsa po ju drejtohem edhe këtë herë, keqardhja rëndohet akoma më shumë, pasi vit pas viti ballafaqohemi me të njëjtat sfida dhe probleme, të cilat me vështirësi gjejnë zgjidhje apo në shumë raste thellohen më tepër. Kuptohet se kjo ndjeshmëri është më e dukshme edhe prej rolit tim si prind i ri që jeton në Shqipërinë tonë. Pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, varfërisë së thellë, krizës së vazhdueshme shëndetësore të covid-19 dhe konflikteve të vazhdueshme gërryese politike, është e vështirë të jesh entuziast! Por e keqja duhet të sfidohet dhe nuk duhet ti dorëzohemi, të paktën për brezat e ardhshëm të cilët do e jetojnë atdheun tonë të bukur, Shqipërinë. Shqiptarët, ashtu si në ditë gëzimi si kjo e sotmja, duhet të jenë bashkë e në krah të njëri tjetrit përballë çdo situate, ashtu siç ishin etërit tanë që themeluan shtetin. Ne e treguam këtë dashuri për njëri tjetrin pas tërmetit te para një viti. Uroj që ky solidaritet të na shoqërojë kurdoherë! Sot, fatkeqësisht të gjendur para një situate të rëndë pandemie, më lejoni t’ju shpreh ngushëllimet tona të ndjera familjeve të atyre që humbën jetën.
    Njëkohësisht lutem dhe ju kujtoj se është tepër i rëndësishëm respektimi serioz i këshillave profesionale të ekspertëve përkatës, duke lënë mënjanë debatin dhe tendencën për protagonizëm në këtë situatë. Për më tepër duke njohur sfidat dhe vështirësitë e sistemit tonë shëndetësor, pa mohuar aspak punën dhe përpjekjet profesionale, vetmohuese dhe të vazhdueshme të mjekëve, infermierëve dhe të gjithë personelit mjekësor që qëndrojnë në ballë të kësaj lufte. Ata janë heronj dhe duhen trajtuar me respekt e mirënjohje nga të gjithë ne! Kërkojmë nga qeveritë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, si edhe çdo institucion apo organizëm tjetër, që pa hezitimin më të vogël të vendosin gjithë potencialet e veta në ndihmë të sistemit shëndetësor, për sigurinë e jetës si gjëja më e shenjtë dhe e pakthyeshme. Në mbështetje të interesit kombëtar, forcimi i bashkëpunimit dhe mbështetja reciproke Shqipëri-Kosovë-Maqedoni e Veriut-Mali i Zi, duhet të anashkalojë mosmarrëveshjet e brendshme dhe çdo interes të ngushtë. Në këtë drejtim jam i lumtur të përmend përforcimin e vendimmarrjes shqiptare pas zgjedhjeve në Maqedoni, Preshevë dhe Tuz, ku shqiptarët kanë treguar maturi dhe unitet.

    Tashmë më tepër se kurrë na duhet të forcojmë unitetin e brendshëm kombëtar kundër akuzave ndaj drejtuesve të UÇK-s, të ndihemi krenarë për heronjtë e asaj lufte, shumë prej të cilëve për turp e fat të keq kanë mbetur për bukën e gojës, të vlerësojmë sakrificat e atyre që u përballën deri në vetëmohim për ti dhënë Kosovës lirinë! Ndërkohë duhet ti kujtojmë Gjykatës Speciale se në bankën e të akuzuarve duhet të jenë ata që me të vërtetë planifikuan dhe ekzekutuan genocid dhe krime makabre ndaj shqiptarëve autoktonë! Ne duhet të mos rreshtim së kërkuari drejtësi ndaj genocidit të bërë nga pushtuesi serb, qeveria e Millosheviqit e bashkëpunëtorët e tij, duke denoncuar fuqishëm aktet e tyre kriminale, sepse vetëm kështu do të nderohen viktimat dhe do të përcjellim paqe për shumë familje shqiptare që kanë përjetuar llahtare dhe kanë humbur njerëzit e tyre më të shtrenjtë. Midis tyre, absolutisht dua të përmend e përkujtoj motrat dhe nënat tona në Kosovë që përjetuan dhunime për të cilat nuk ka patur kurrë kërkesë falje. Ata që edhe sot krekosen në arenën politike dhe me cinizëm flasin për vlera humane, u imponohen kancelarive perëndimore të papenduar e të pagjykuar për bashkëpjesëmarrje në atë ndërmarrje të vërtetë kriminale. Bashkëpunimi dhe dakortësia mes palëve në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe krizave të ndryshme në vend, duhet të jetë në funksion të përshpejtimit të antarësimit të Shqipërisë dhe Kosovës në BE konform rekomandimeve të kancelarive perëndimore Euro-Atlantike duke respektuar çdo marrëveshje. Propozimi i “Minishengenit ballkanik” nuk duhet pranuar si një alternative e përkohshme përpara anëtarësimit tonë në BE, ndërkohë që ende nuk kemi ndërtuar një vizion të qartë ekonomik për një partneritet Europian dhe kur fenomeni i albanofobisë është ende një element tepër i rrezikshëm kundër shqiptarëve, një problem gjeopolitik, që ka të bëjë me stabilitetin në rajon. Ndërkohë na duhet të forcojmë komunikimin e brendshëm kombëtar, krijimin e platformave të qarta komplementare ekonomike në radhë të parë, por edhe si një mundësi më shumë për Ballkanin Perëndimor. Shqiptarët nuk e meritojnë këtë tranzicion të gjatë, të mundimshëm dhe këtë mungesë institucionesh kryesore në vend, gjë që ka sjellë pështjellime në funksionimin e shtetit ligjor duke krijuar probleme të mprehta që në jo pak raste kanë cenuar kushtetutën. Zhvillimi i zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të drejta e pa manipulime, do të jenë baza e një frymëmarrjeje të re drejt BE-së për vendin tonë. Procesi i vetingut duhet të mbështetet me çdo kusht, por duke përzgjedhur gjyqtarë të kualifikuar e që mbajnë përgjegjësi për vendimet e tyre. I njëjti parim duhet ndjekur edhe për politikanët, për tu shkëputur njëherë e për gjithmonë nga kultura e deritanishme e korrupsionit e cila ka gërryer sistemin tonë dhe nuk e lejon shoqërinë të ngrejë kokë. Kjo ndihet në plagën e rëndë të vërejtur veçanërisht vitet e fundit, ku mijëra familje, të rinj e të reja, po detyrohen të lënë Atdheun e tyre për një jetë më dinjitoze drejt vendeve të Europës Perëndimore. Vëllezër e motra, edhe njëherë ju uroj Gëzuar Ditën e Shqipërisë, e me zemër ju përshëndes duke ju uruar mbi të gjitha shëndet dhe mbarësi për ju dhe familjet tuaja. I juaji, Leka II.

  • Për herë të parë në Mal të Zi shqiptarët festuan me flamur kombëtar

    Për herë të parë në Mal të Zi shqiptarët festuan me flamur kombëtar

    Në Malin e Zi sivjet për herë të parë shqiptarët kanë arritur të festojnë 28 nëntorin me flamurin kombëtar.

    Për shënimin e kësaj date në nderim të kombit dhe identitetit, trojet shqiptare në Malin e Zi si asnjëherë frymuan shqip pasi këtë vit për herë të parë 28 nëntori u prit me arritje të rëndësishme, atë të shprehjes së lirë të identitetit kombëtar, arritje kjo e cila vjen pas përpjekjeve disa vjeçare të faktorit politik shqiptar në Mal të Zi.

    “Me ndryshimin e ligjit për simbolet kombëtare ne kemi të drejtën e përdorimit të lirë të simboleve tona, flamurit, himnit dhe stemës”, tha Faik Nika, kryetar i KKSH’së në Malin e Zi.
    Edhe në këtë vend për shkak të pandemisë festa u shënua pa ceremoni dhe organizime tradicionale.

  • “A ka Gjykatë Speciale për këta që po na i ofendojnë heronjtë me përmendore 50 centë”

    “A ka Gjykatë Speciale për këta që po na i ofendojnë heronjtë me përmendore 50 centë”

    Ehat Miftaraj nga KDI ka ironizuar lidhur me shtatoret e përuruara në Prizren të heronjve kombëtarë, Adem Jasharit dhe Skendërbeut.

    “A ka mandat Gjykata Speciale me i ndjek penalisht këta që po na ofendojnë heronjtë kombëtar me këto përmendoret gjithçka 50 centë?”, ka shkruar ai në profilin e tij, përcjell Gazeta Express.

    Lidhur me këto shtatore, talljet nuk janë ndalur nëpër rrjetet sociale. Analisti politik Imer Mushkolaj ka reaguar ndaj kësaj ‘vepre arti’. Mushkolaj ka thënë se komandanti Adem Jashari nuk meriton këso lloj karikature.

    Në përurimin e shtatores morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Anton Çuni dhe nipi i komandantit, njëherit edhe kryetar i Skenderajt, Bekim Jashari.

  • Edhe ‘Ura e Bosforit’ në Stamboll ndriçohet kuq e zi

    Edhe ‘Ura e Bosforit’ në Stamboll ndriçohet kuq e zi

    Ura e famshme e Bosforit në Stamboll që lidh Turqinë Europiane dhe atë Aziatike është veshur me ngjyrat kuq e zi mbrëmjen e sotme.

    Ky është një urim i veçantë për Shqipërinë me rastin e 108-vjetorit të Pavarësisë.

    Ngjyrat kuq e zi do të qëndrojnë deri nesër në mëngjes në një ndër urat më të famshme në botë.

    Më herët edhe ndërtesa më e lartë në botë Burj Khalifa është ndriçuar kuqezi për nder të Ditës së Flamurit.

  • Bebe Rexha dhe shqiptarët në Amerikë dhurojnë spektakël, pushtojnë rrugën me makina dhe flamuj kuqezi

    Bebe Rexha dhe shqiptarët në Amerikë dhurojnë spektakël, pushtojnë rrugën me makina dhe flamuj kuqezi

    Vetëm pak orë më parë, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha ka marrë pjesë në një marshim të shqiptarëve në Amerikë, ku një varg makinash kanë qarkulluar me flamujt shqiptarë duke i rënë fort borisë.

    Rruga është pushtuar nga shqiptarët dhe asgjë nuk shihet përveç entuzuazmit të tyre dhe ngjyrave të kuqe.

    Këngëtarja Bebe Rexha, ka postuar videot në instagramin e saj personal dhe duket se është duke e shijuar performancën e shqiptarëve në maksimum.

    Ky manifestim kaq i veçantë vjen sot, më 28 Nëntor, ditën kur Shqipëria feston 108 vite shtet.

  • Madhështore: Ndërtesa më e lartë në botë, Burj Khalifa, “mbulohet” me flamurin kuq e zi

    Madhështore: Ndërtesa më e lartë në botë, Burj Khalifa, “mbulohet” me flamurin kuq e zi

    Ndërtesa më e lartë në botë, Burj Khalifa në Dubai, është ndriçuar krejtësisht me flamurin kuq e zi për nder të festës së 28 Nëntorit që e festojnë krejt shqiptarët kudo në botë.

    Këtë e ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi, i cili ka thënë se Dubai sonte është zbukuruar më shumë se kurrë.

    “Sonte Dubai u zbukurua më shumë se kurrë. Në ndërtesën më të madhe në botë (Burj Kalifa) u ekspozua flamuri kuq e zi. Urime Dita e Flamurit”, ka shkruar ai në Facebook ku edhe ka postuar fotografitë ku shihet Burj Khalifa “e mbuluar” me flamurin kombëtar.