Tag: AstraZeneca

  • Pas Albin Kurtit, një tjetër politikan shqiptar merr vaksinën kundër COVID-19

    Pas Albin Kurtit, një tjetër politikan shqiptar merr vaksinën kundër COVID-19

    Sot, zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq mori vaksinën kundër COVID-19, AstraZeneca.

    Abazoviq tha se ai u vaksinua në mënyrë që të inkurajojë vaksinimin masiv në Mal të Zi.

    Ai tha se të gjithë duhet të vaksinohen dhe se kjo është mënyra e vetme për të ruajtur shëndetin dhe ekonominë.

    “Shpresoj që bota ta mposht virusin COVID-19”, tha Abazoviq.

    Abazoviq tha se “nëse 23 milion britanikë mund të vaksinohen, kështu mund t’ia bëjmë edhe ne”, si dhe se duhet t’i përkulemi punonjësve shëndetësorë.

  • Çfarë duhet të dini për vaksinën AstraZeneca, e cila vjen sot në Kosovë?

    Çfarë duhet të dini për vaksinën AstraZeneca, e cila vjen sot në Kosovë?


    Në total, Kosova do të furnizohet me 100 mijë e 800 doza të vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë britanike, AstraZeneca, që e ka zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksordit.

    Kontingjenti i parë me vaksina, në Kosovë arrin në mbrëmjen e 28 marsit dhe është në kuadër të vaksinave që Kosova do të marrë falas nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

    Në fundin e vitit të kaluar, Mbretëria e Bashkuar u bë shteti i parë që miratoi për përdorim vaksinën e AstraZenecas, e cila jepet përmes dy dozave.

    Deri më tani, kjo vaksinë është miratuar për përdorim në mbi 70 shtete në mbarë botën, përfshirë edhe nga rregullatori evropian i barnave.

    Po ashtu, OBSH-ja ka rekomanduar përdorimin e kësaj vaksine.

    Efikasiteti

    Vaksina e AstraZenecas përmban virus të dobësuar, që përdoret për krijimin e vaksinave për grip të zakonshëm.

    Ky virus ka për qëllim që të japë udhëzime për krijimin e proteinave, që do të ndihmojë sistemin imunitar të luftojë dhe parandalojë infektimin nga koronavirusi.

    Që prej se AstraZeneca njoftoi për zhvillimin e vaksinës së saj kundër koronavirusit, ka variuar edhe efikasiteti i saj kundër sëmundjes COVID-19.

    Por, sipas një studimi të fundit të kryer në Shtetet e Bashkuara, ku kanë marrë pjesë 32,449 vullnetarë, vaksina ishte 79 për qind efektive në parandalimin e simptomave të sëmundjes COVID-19.

    Ndërkaq, sipas këtij studimi, të kryer nga një panel i pavarur, kjo vaksinë ishte 100 për qind efektive ndaj sëmundjes së rëndë të COVID-19 dhe raste të hospitalizimit.

    Kjo vaksinë administrohet te personat mbi 18 vjeç.

    Dy dozat e vaksinës së AstraZenecas jepen ndërmjet katër dhe 12 javësh.

    Sipas disa studimeve, sa më e gjatë të jetë periudha ndërmjet dozës së parë dhe të dytë, aq më i lartë mund të jetë imuniteti që krijon vaksina.

    Për shkak të çmimit të lirë, vaksina e AstraZenecas është bërë e qasshme për shumë shtete në botë. Çmimi për këtë vaksinë varion nga 3 deri në 15 dollarë.

    Mpiksja e gjakut

    Në fillim të marsit të këtij viti, disa shtete pezulluan përdorimin e vaksinës së AstraZenecas, për shkak të efekteve anësore të kësaj vaksine, përkatësisht disa persona kanë pasur mpiksje të gjakut, pas pranimit të vaksinës.

    Por, më 18 mars, Agjencia Evropiane e Barnave tha se përdorimi i vaksinës së AstraZenecas është i sigurt, pavarësisht raportimeve për mpiksje gjaku, raporton Rel.

    Sipas rregullatorit evropian, përfitimet e kësaj vaksine tejkalojnë rreziqet.

    Mbi 65 vjeç

    Në studimet klinike të kryera për zhvillimin e vaksinës së AstraZenecas, kanë qenë të përfshirë shumë pak personat mbi 65 vjeç.

    Pavarësisht kësaj, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar që kjo vaksinë t’u jepet kësaj grupmoshe, duke thënë se efikasiteti i vaksinës në këtë grupmoshë është i gjerë.

    “Vlerësime më të sakta për efikasitetin për këtë grupmoshë pritet së shpejti, si nga provat që po zhvillohen, por edhe nga studimet mbi efikasitetin që po bëjnë shtetet që po e përdorin këtë vaksinë. Përgjigjet imunitare që janë shkaktuar nga vaksina te personat e moshuar, janë të dokumentuara mirë dhe janë të ngjashme si te grupmoshat e tjera. Kjo sugjeron që ka shumë gjasa që vaksina të jetë efektive edhe te personat e moshuar.

    Të dhënat e provave thonë se vaksina është e sigurt për këtë grupmoshë”, thuhet në vlerësimin e OBSH-së, të publikuar në shkurt të këtij viti.

    Variantet më ngjitëse të COVID-19Aktualisht janë dy variante të reja të koronavirusit, që besohet se janë më ngjitës: ai i zbuluar fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe ai në Afrikë të Jugut.

    Sipas vlerësimeve të OBSH-së, vaksina e AstraZenecas, ka shfaqur më pak efikasitet ndaj këtyre varianteve. Për variantin e Mbretërisë së Bashkuar, OBSH-ja ka thënë se nga rezultatet paraprake, del se vaksina e AstraZenecas shoqërohet me ulje të prodhimit të antitrupave.

    Ndërkaq, për variantin e Afrikës së Jugut, kjo vaksinë është më pak efektive ndaj sëmundjes së moderuar dhe të butë si dhe ka pasur më pak prodhim të antitrupave.

    Për dallim nga vaksinat e kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna, që kërkojnë të ruhen në temperatura ultra të ulëta, vaksina e AstraZenecas mund të ruhet në frigoriferë normal në temperaturë prej 2 deri në 8 gradë Celsius.

  • Në të gjitha dokumentet e lëshuara nga Agjencioni Suedez i Taksave do të figurojë vetëm emri i Kosovës

    Në të gjitha dokumentet e lëshuara nga Agjencioni Suedez i Taksave do të figurojë vetëm emri i Kosovës

    Ambasada e Republikës së Kosovës në Suedi ka njoftuar se tash e tutje në dokumentet e lëshuara nga Agjensioni Suedez i Taksave – Skatteverket, do të figurojë vetëm emri i Kosovës, kështu duke hiqur atë të Serbisë, raporton Zeri.info.

    “Kemi nderin dhe kënaqësinë të ndajmë me ju lajmin e mirë dhe të shumëpritur lidhur me problematikën e kahmotshme të dokumenteve të lëshuara nga Agjensioni Suedez i Taksave – Skatteverket, e cila përmes kanaleve diplomatike, u zgjidh me një epilog pozitiv. Me të filluar detyrën e saj në Suedi, Ambasadorja Geci Sherifi është njoftuar për shqetësimin e shumë qytetarëve që në dokumentet personale si certifikata të lindjes, martesore e të tjera, të lëshuara nga Skatteverket, krahas Kosovës, ju është shënuar edhe Serbia. Kësaj çështjeje ajo i ka dhënë prioritet dhe me një përkushtim serioz, Ambasada ka filluar trajtimin e saj në mënyrë konsistente. Pas një sërë diskutimesh tejet konstruktive me Ministrinë e Jashtme të Suedisë, çështja në fjalë është trajtuar nga Skatteverket dhe është zgjidhur me sukses”, thuhet në njoftimin e kësaj Ambasade.

    Tash e tutje, në dokumentet tuaja do të figurojë vetëm shteti i Kosovës meqë:

    • Agjencia Suedeze e Taksave ka ndryshuar politikën e saj dhe nuk do të regjistrojë më shtetasit kosovarë si shtetas serbë në Regjistrin Suedez të Popullsisë,

    • Kur një individ lëviz në Suedi nga Kosova, Agjencia e Taksave do të regjistrojë shtetësinë bazuar në pasaportën e individit ose dokumenteve nga Agjencia e Migracionit, për shembull uppehållstillståndkort

    • Individët që janë të regjistruar si shtetas kosovarë dhe serbë mund të kërkojnë heqjen e regjistrimit të shtetësisë serbe. Agjencia e Taksave do të vërtetojë kërkesën bazuar në dokumentet e paraqitura nga individi, informacionin në dispozicion kur individi ka ardhur në Suedi dhe rrethana të tjera të ndërlidhura me rastin përkatës.