Tag: Avokati i popullit

  • Avokati i Popullit kërkon nga Sindikatat të reflektojnë për grevat: Fëmijëve po ju cenohet e drejta për arsim

    Avokati i Popullit, u ka bërë thirrje Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës që të reflektojnë dhe të dalin nga situata e krijuar në lidhje me grevën.

    Avokati i Popullit përmes një komunikate thotë se ditëve të fundit ka mbajtur takime të ndara me përfaqësuesit e Sindikatave dhe të Qeverisë në përpjekje për të dalë nga situata e krijuar.

    “Avokati i Popullit me qëllim të përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, duke marr shkas nga situata e krijuar për shkak të grevës të organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës – BSPK, thërret palët të reflektojnë dhe të gjejnë zgjidhje për të dal nga kjo situatë.Avokati i Popullit, ditëve të fundit ka mbajtur takime të ndara me përfaqësues të Sindikatave dhe të Qeverisë në përpjekje për të ndihmuar në daljen nga kjo situatë. Përkundër përpjekjeve të bëra nga ana e tij si ndërmjetësues, fatkeqësisht nuk është arritur një marrëveshje në mes palëve. Palët nuk kanë gjetur një konsensus duke mbajtur qëndrimin e njëjtë kur vjen në pyetje lartësia financiare e pakos mbështetëse”, thuhet në njoftim.

    Tutje u theksua se, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka rikujtuar palët se çdo qëndrim apo veprim, në qendër të çdo prioriteti duhet ta ketë interesin më të mirë të fëmijës dhe të drejtën e fëmijëve për edukim dhe arsimim, si e drejtë e garantuar me Kushtetutë.

    “Parimi i interesit më të mirë për fëmijët duhet ta udhëheqë secilin prej nesh në kuadër të përmbushjes së detyrimeve dhe të përgjegjësive që kemi.Gjithashtu ai rikujton përgjegjësinë kushtetuese e ligjore të qeverisë dhe detyrimin pozitiv që ka shteti për respektimin e së drejtës për arsimim dhe respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut, siç janë të përcaktuara në Kushtetutë”, thuhet tutje.

    Në anën tjetër, Avokati i Popullit rithekson rëndësinë që ka respektimi i së drejtës për organizim sindikal dhe i së drejtës për veprime sindikale, mirëpo në situatën e krijuar, çdo orë e humbur e mësimit ka pasoja të pandreqshme për fëmijët dhe vazhdimi në mospjesëmarrje në mësim është i dëmshëm në shumë aspekte.

    “Çdo orë mësimi për fëmijët është i rëndësishëm për përgatitjen e tyre për jetë dhe ngritjen e potencialit të tyre për një të ardhme më të mirë.Në fund, për diskutimet dhe çështjet e ngritura në mes palëve, Avokati i Popullit iu ka dërguar palëve, që të japin përgjigje. Avokati Popullit, sot ka pranuar përgjigje nga qeveria me qëndrimin se janë të gatshëm të bisedojnë për çështjet e prekura nga Avokati ndërsa janë në pritje të përgjigjes nga sindikatat”.

    Avokati i Popullit edhe publikisht u bën thirrje palëve të reflektojnë, të gjejnë një zgjidhje për të dal nga kjo situatë, ashtu që fëmijëve t’ju mundësohet gëzimi i së drejtës për arsimim.

    “Avokati i Popullit konstaton se në situatën e krijuar e drejta për arsim si e drejtë kushtetuese nuk është duke u respektuar, se fëmijëve po ju cenohet kjo e drejtë dhe janë duke u privuar nga e drejta për edukim dhe arsimim, e kjo do të ketë pasoja të rënda për fëmijët dhe për vendin”, thuhet në komunikatë.

  • Avokati i Popullit ia refuzon kërkesën e Valdete Dakës

    Avokati i Popullit ia ka refuzuar kërkesën ish-kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për ta dërguar çështjen e shkarkimit të saj nga presidentja Vjosa Osmani, në Gjykatën Kushtetuese.

    Në arsyetimin e Avokatit të Popullit thuhet se çështja e ngritur nga ish-kryetarja e KQZ-së paraqet një çështje ligjore dhe se në këto rrethana do të duhej të vlerësohej ligjshmëria e vendimit të Presidentes dhe se kjo çështje nuk mund të jetë objekt i vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese.

    Më tutje në arsyetimin e Avokatit të Popullit ka gjetur se Daka, nuk ka ofruar dëshmi se ka shteruar, apo që së paku ka përdorur mjetet juridike kundër vendimit të Presidentes

    Njoftimi i plotë:

    Prishtinë, më 18 nëntor 2021 – Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, më 18 nëntor 2021, ka nxjerrë Vendimin A. nr. 625/2021 të refuzojë kërkesën e paraqitur nga znj. Valdete Daka. Ky vendim komunikohet publikisht për shkak të interesimit të madh të mediave dhe pyetjeve që Avokati i Popullit ka pranuar lidhur me kërkesën e znj Daka.

    Avokati i Popullit vëren se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, neni 84, paragrafi 26, e përcakton kompetencën e Presidentes për të emëruar Kryetarin e KQZ-së, ndërsa e njëjta mbetet e heshtur sa i përket shkarkimit apo edhe ndërprerjes së mandatit të tij/saj. Çështja e ndërprerjes së mandatit dhe emërimit të anëtarëve të KQZ-së, duke përfshirë këtu edhe Kryetarin e KQZ-së përcaktohet me Ligjin nr.03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (neni 61, paragrafi 5) mbi të cilin, në mes tjerash, bazohet Vendimi nr.42/2021, i datës 14 qershor 2021 i Presidentes së Republikës së Kosovës. Së këndejmi, Avokati i Popullit ka vlerësuar se çështja e ngritur nga znj. Daka paraqet një çështje ligjore dhe se në këto rrethana do të duhej të vlerësohej ligjshmëria e Vendimit të Presidentes, e që kjo nuk mund të jetë objekt i vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese.

    Në anën tjetër, Avokati i Popullit ka gjetur se znj. Daka, nuk ka ofruar dëshmi se ka shteruar, apo që së paku ka përdorur mjetet juridike kundër Vendimit të Presidentes. Avokati i Popullit është bazuar në praktikën e Gjykatës Kushtetuese (Aktvendimi për Papranueshmëri në Rastin Nr. KI142/13, i datës 18 nëntor 2013, parashtrues Fadil Maloku, lidhur me Kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Nr.686-2013, të 6 shtatorit 2013), sipas të cilës gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë mjetet efektive juridike, të cilat duhet të shterohen para se çështja të ngritët në Gjykatën Kushtetuese.

    Për më tepër, Ligji për Avokatin e Popullit, neni 22, paragrafi 1, nën-paragrafi 4 përcakton se Avokati i Popullit refuzon kërkesat kur të gjitha mjetet juridike të rregullta dhe të jashtëzakonshme nuk janë shteruar. Në rastin konkret znj. Daka nuk i ka shfrytëzuar mjetet juridike, prandaj Avokati i Popullit ka vendosur që kërkesa të refuzohet, pa paragjykuar nëse Vendimi i Presidentes për ndërprerjen e mandatit të saj është i drejtë dhe në pajtim me ligjin.