Tag: banka

  • Kosovarët shënojnë rekord në kursime, 5.89 miliardë euro në banka

    Kosovarët shënojnë rekord në kursime, 5.89 miliardë euro në banka

    Shuma e kursimeve që qytetarët e Kosovës kanë në banka ka arritur në vlerën prej 5.89 miliardë euro.

    Këtë e ka bërë të ditur Banka Qendrore e Kosovës pikërisht të martën në Ditën Botërore të Kursimeve.

    Kjo vlerë konsiderohet më e larta që është shënuar deri më tani

    “Depozitat e klientëve në shtator 2023 kanë shënuar rritje për rreth 14.63 milionë euro krahasuar me muajin paraprak.

    Vlera e depozitave në shtator 2023 arriti vlerën 5.89 miliardë euro”.

    Rreth 25% e kursimeve janë me afat.

    “Ekonomitë familjare dominojnë me rreth 66.5% të totalit të depozitave (apo rreth 3.88 miliardë euro).

    Vlera e depozitave të reja në muajin shtator ishte 87.02 milionë euro”.

  • Raiffeisen e NLB marrin vendim për zhvatjen e qytetareve, shtrenjtojnë çmimet

    Raiffeisen e NLB marrin vendim për zhvatjen e qytetareve, shtrenjtojnë çmimet

    Bankat në Kosovë aplikojnë tarifa për klientët edhe për tërheqjen e parave. Çmimi varion nga ajo nëse tërheqja bëhet në sportelet e bankave, që janë dukshëm tarifa më të larta, në bankomatët brenda degëve apo në bankomatët që janë në pika të ndryshme të qyteteve.

    Buletini Ekonomik ka hulumtuar çmimoret e gjashtë bankave më të mëdha që operojnë në Kosovë. Në përditësimin më të ri të çmimoreve të këtyre bankave, shihet se dy banka në Kosovë kanë shtrenjtuar çmimin e shërbimit të tërheqjes së parave nga bankomatët (ATM).

    Këto dy banka janë Raiffeisen Bank dhe NLB banka, përcjell Buletini Ekonomik.

    Nga një çmim prej 20 centësh sa ka qenë tarifa për tërheqje të të hollave deri në 1 mijë euro në bankomatët brenda degës së bankës vitin e kaluar, Banka Raiffeisen tani aplikon një tarifë prej 50 centëve për të njëjtin shërbim.

    Po e njëjta tarifë, tani e tutje aplikohet edhe për tërheqjet e të hollave nga bankomatët jashtë lokacioneve të bankës në fjalë, që vitin e kaluar ishte vetëm 30 centë. Ndërkohë, për tërheqjen e mjeteve për shumat mbi 1 mijë euro, tarifa shkon në 1 euro për transaksion në këtë bankë.

    Për rastet e tërheqjeve të mjeteve në sportelet e kësaj banke, klientët e Raiffeisen duhet të paguajnë 2 euro e 50 centë për shumat deri në 100 mijë euro. Kurse për deponimin e mjeteve nëpër ATM-të e bankës Raiffeisen, aplikohet tarifë prej 50 centëve deri në shumën e 1 mijë eurove, dhe 1 euro mbi shumat prej 1 mijë eurove.

    Banka tjetër, e cila ka shtrenjtuar shërbimin për tërheqje të parave nga bankomatët e saj është NLB-ja.

    Vitin e kaluar, ky shërbim në këtë bankë për tërheqjet nëpër ATM-të brenda degës, ishte 10 cent, kurse jashtë degës – 15 cent, për kartelat debitore. Ndërsa tani, NLB-ja ka shtrenjtuar vetëm shërbimin për tërheqjet e mjeteve nga bankomatët jashtë lokacioneve të bankës. Kështu, nga çmimi prej 15 centësh vitin e kaluar, tani tërheqja e parave në bankomatët jashtë degës së bankës NLB, i detyrohet një tarife prej 30 centëve.

    Kurse, për tërheqjen e parave në ATM të NLB grupit, klientët duhet të paguajnë tarifën prej 1 eurosh.

    E tërheqja në ATM-të e bankave tjera (brenda dhe jashtë shtetit) është 3 euro për klientët e kësaj banke.

    Ndërkohë, për çdo tërheqje nga 5 euro deri në 1 mijë euro në sportelet e kësaj banke, çdo person fizik duhet të paguajë tarifën prej dy eurove. Përjashtim këtu bëjnë pensionistët, studentët, llogaritë për jetimë dhe ata me asistencë sociale, që këtë shërbim e marrin pa provizion.

    Tutje, Banka Kombëtare Tregtare (BKT) në Kosovë, shërbimin për tërheqje të mjeteve nga bankomatët e saj, si brenda degës ashtu edhe jashtë lokacioneve të bankës, e ka pa pagesë. Por, për tërheqjet e të hollave nga bankomatët e bankave të tjera dhe atyre jashtë Kosovës, klientëve të kësaj banke iu duhet të paguajnë tani nga 3 euro minimumi, nga dy euro sa ka qenë vitin e kaluar kjo tarifë. Limiti ditor për tërheqje të mjeteve nga bankomatët e kësaj banke, është 1 mijë euro.

    Edhe banka TEB këtë shërbim e ka falas, ndërsa për tërheqjen e mjeteve në sportele të bankës kalkulon një tarifë prej 1 euro deri në 2 për shumat deri në 10 mijë euro. E për tërheqjen e parave të gatshme në bankomatët e bankave të tjera brenda Kosovës dhe jashtë saj, TEB-i merr 2.0% të vlerës së mjeteve apo minimumi 2 euro për transaksion.

    Limiti maksimal ditor për tërheqje të parave të gatshme në ATM-të e TEB bankës në Kosovë me Debit Kartelë, është 2 mijë euro. Kurse, deponimi i parave në ATM-të e kësaj banke, është pa pagesë.

    Tek banka Procredit, tërheqja dhe deponimi i parave në bankomatet e saj me kartelë debiti, hyn në pakon bazike prej 5 eurove në muaj, ku përfshihen shërbimet për komisionin mujor.

    Kurse, tërheqja në bankomate të bankave tjera në Kosovë dhe jashtë Kosovës (pas tërheqjes së pestë brenda muajit), është 2.25% të shumës ose minimumi 3 euro.

    Gjithashtu edhe Banka Ekonomike e ka pa pagesë shërbimin për tërheqjen e parave në bankomatët që janë në objektet e bankës, derisa për tërheqjet në bankomatët jashtë objekteve të saj, aplikon tarifë prej 15 centëve. Ndërsa, për tërheqjen e parave në bankomatët e bankave tjera në Kosovë dhe jashtë Kosovës, merret 2% e shumës apo minimumi 3 euro.

    Limiti ditor i transaksioneve në bankomatët e Bankës Ekonomike, është 500 euro.

  • Rrjeti i Shitësve me Pakicë: Tarifat e larta bankare pengesë për bizneset, Bordi i BQK-së të trajtojë me prioritet kërkesat e komunitetit

    Rrjeti i Shitësve me Pakicë: Tarifat e larta bankare pengesë për bizneset, Bordi i BQK-së të trajtojë me prioritet kërkesat e komunitetit

    Rrjeti i Shitësve me Pakicë me anë të njoftimi ka reaguar lidhur me tarifat e larta bankare, të cilat sipas tyre janë pengesë për punën e bizneseve.

    Sipas tyre, këtë problematik duhet ta trajtoj Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

    “Në Kosovë vazhdohet të ketë pengesa esenciale në transaksionet e pagesave me kartë si rezultat i tarifave të larta të përcaktuara nga bankat komerciale ndaj bizneseve të tregtisë me pakicë. Në këtë drejtim, Rrjeti i Shitësve me Pakicë konsideron se operimi i Bankës Qendrore të Kosovës, si institucioni kryesor për garantimin e funksionimit të sistemit financiar, me një Bord ende të pakompletuar dhe në pamundësi vendimmarrjeje për një periudhë të gjatë, ka cenuar zbatimin e një sërë procesesh të rëndësishme për ekonominë e vendit”, thuhet në reagimin e Rrjetit të Shitësve me Pakicë.

    Ky rrjet, thotë se kostot e larta me të cilat ballafaqohen bizneset për transaksione përmes kartelave bankare, po minojnë komunitetin për të inkurajuar kryerjen e pagesave përmes këtij shërbimi.

    “Ne vlerësojmë se përafrimi i vazhdueshëm i kornizës rregullative të BQK-së me aktet rregullative të BE-së sidomos në drejtim të sistemit të pagesave është themelor në aspekt të zhvillimit të sistemit financiar duke pasur në fokus sektorin privat, dhe se në këtë drejtim zhvillimet kanë qenë të mangëta. Vlen të ceket që pagesat me kartelë padyshim që rrisin volumin e shitjeve, kursejnë para dhe kohë, ofrojnë siguri, rrjedhimisht janë mënyrë komode dhe tërheqëse edhe për klientin pavarësisht llojit të kartelës. Megjithatë, kostot e larta me të cilat ballafaqohen bizneset për transaksione përmes kartelave bankare, në mungesë të një rregulloreje e cila vendos kriteret dhe përcakton kushtet për bankat komerciale, ashtu siç është e rregulluar në vendet e Bashkimit Evropian, minojnë në mënyrë të vazhdueshme çdo përpjekje të BQK-së dhe bizneseve për të inkurajuar transaksionet përmes kartelave bankare”, vijon reagimi.

    Në fund, Rrjeti i Shitësve me Pakicë shprehet se pret nga Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës të trajtojë kërkesat e komunitetit e biznesit dhe “të shpreh gatishmërinë për të ndihmuar në çfarëdo lloj procesi me qëllim zhvillimin e mëtutjeshëm të sistemit financiar në vend”.