Tag: David L. Phillips

  • Phillips: Derisa Serbia të tregojë vullnet, Kurti të mos shkojë në dialog veç për hatër

    Phillips: Derisa Serbia të tregojë vullnet, Kurti të mos shkojë në dialog veç për hatër

    Qasja e re e kryeministrit të ri të Kosovës Albin Kurti në tavolinën e bisedimeve me presidentin serb Aleksandar Vuçiq po shihet si e duhura dhe e nevojshmja për Kosovën nga analisti amerikan, David Phillips.

    Megjithë këtë ndryshim të rrjedhës së negociatave nga pala kosovare, Phillips nuk sheh marrëveshje që përfundimisht iu jep zgjidhje konflikteve mes kosovarëve dhe serbëve në një të ardhme të afërt. Por, për mossuksesin e tentativave për pajtim, ai gjen fajtore Serbinë dhe personalisht presidentin Vuçiq.

    Në një intervistë për portalin Klankosova.tv, profesori Phillips thotë se Kosova s’ka nevojë të nënshkruajë një marrëveshje që është në dëm të saj vetëm për hatrin e dialogut.

    “Siç ka treguar Kurti, Kosova ka problemet urgjente: vendet e punës, drejtësia dhe pandemia COVID-19. Kosova tashmë është vend i pavarur dhe nuk ka nevojë që të negociohet statusi i saj. Detajet për një njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të adresohen. Derisa Serbia të tregojë vullnetin e mirë, kryeministri Kurti duhet të tregohet i kujdesshëm që të mos marrë pjesë në bisedime thjesht për hir të dialogut”.

    Për procesin njëdekadësh të dialogut, Phillips, i cili është edhe drejtor në Institutin e Paqes në Universitetin e Columbias në New York, pajtohet se bisedat janë më të mira sesa konfrontimet, por se atyre iu duhen ca rezultate.

    Për të arritur deri aty, analisti amerikan thotë se duhet të përfshihet më direkt shteti i tij, SHBA, duke emëruar një emisar presidencial që do të plotësojë emisarin europian, Lajçak, në përpjekjet e tij.

    Dhe involvimi i SHBA-së s’duhet të jetë vetëm emërimi i një emisari, por të ketë edhe njëfarë roli ndëshkues bashkë me BE-në për palën që nuk zbaton marrëveshje dhe pengon progresin në rrugën drejt gjetjes së paqes.

    “Një marrëveshje përfundimtare mund të ndodhë vetëm kur Vuçiq të kuptojë çmimin që do të paguajë për pengesat. Duhet të ketë një kosto për Vuçiqin personalisht nëse ai vazhdon të mohojë realitetin dhe të pengojë progresin”.

    INTERVISTA E PLOTË:

    Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po rifillon. Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ky proces s’është vazhdimësi i atij që ishte deri tash.

    A mendoni se Kosova duhet të ndryshojë rrënjësisht qasjen në dialogun me Serbinë?

    David Phillips: Dialogu ka vazhduar për një dekadë. Të bisedosh është më mirë sesa të konfrontohesh, por bisedimet kanë nevojë për ca rezultate. Ka qenë në rregull fokusi në targat, diplomat, prefiksi, etj dhe BE-ja duhet të rishikojë detajisht implementimin e 33 marrëveshjeve ekzistuese. Sidoqoftë, qëllimet e negociatave kurrë s’u caktuan. Palët duhet të pajtohet që pavarësia dhe sovraniteti janë qëllime të negociatave. Ka ardhur koha që duhet fokusuar në çështje thelbësore dhe jo në ndërmarrjen e masave për ndërtimin e besimit.

    Cili duhet të jetë pozicioni i Kosovës në tavolinën e bisedimeve?

    David Phillips: Siç ka treguar Kurti, Kosova ka problemet urgjente: vendet e punës, drejtësia dhe pandemia COVID-19. Kosova tashmë është vend i pavarur dhe nuk ka nevojë që të negociohet statusi i saj. Detajet për një njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të adresohen. Por, derisa Serbia të tregojë vullnetin e mirë, kryeministri Kurti duhet të tregohet i kujdesshëm që të mos marrë pjesë në bisedime thjesht për hir të dialogut. Kjo s’do të thotë bojkotim i bisedimeve, të cilat do të përdoren nga Serbia për të diskredituar Kosovën”.

    Në takimin e parë njoftues që pati me presidentin Vucic, Kurti shkoi me katër propozime të reja. Si i patë ato?

    David Phillips: Personat e zhdukur: Informacioni dhe gjetja e mbetjeve mortore janë thelbësore për të vazhduar përpara. Marrja e përgjegjësisë dhe kompensimi gjithashtu janë të nevojshme. Kryerësit e krimeve nuk kanë vend në tryezën e negociatave. Veljko Odaloviq dhe Zoran Andjelkoviq duhet të jenë në gjyq për dyshimet për krime e jo në takimet e Brukselit.

    Tregtia: Bashkëpunimi ekonomik krijon bazën për ndërtimin e paqes dhe pajtimin për një periudhë afatgjate. Për të optimizuar përfitimet pozitive, marrëveshjet tregtare dhe zhvillimet në infrastrukturë nuk mund të jenë të njëanshme. Të dyja palët duhet të përfitojnë në mënyrë substanciale.

    Pakti për paqe: Një marrëveshje zyrtare do të jepte një shenjë të qartë se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes negociatave dhe jo konflikteve të dhunshme.

    Reciprociteti: Serbia duhet të mbrojë dhe promovojë të drejtat e pakicës së saj shqiptare barabartë me dispozitat për të drejtat e pakicave që ekzistojnë në Kushtetutën e Kosovës dhe parimet e Ahtisaarit. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është i tepërt dhe nuk duhet të jetë fokusi i negociatave. Nevojitet një mekanizëm institucional për të monitoruar dhe zbatuar marrëveshjet e të drejtave për serbët e Kosovës, si dhe shqiptarët në Serbi.

    Kurti para eurodeputetëve ka thënë se mungojnë autorët e dokumenteve që do të sillnin ide për një zgjidhje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se BE duhet të ofrojë një zgjidhje konkrete për palët?

    David Phillips: Serbia nuk do të njohë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës nëse nuk i bëhet presion. Në vend të negociatave të pafundme që nuk të çojnë askund, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të përcaktojnë detajet e një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare, më pas t’ia paraqesin atë të dyja palëve. Bashkëpunimi do të shpërblehet dhe pengesat do të ndëshkohen.

    Cili duhet të jetë roli i SHBA-së në këtë proces të rinisur?

    David Phillips: Bashkëpunimi transatlantik do të rrisë perspektivat për sukses. Për të përmirësuar arkitekturën e negociatave, SHBA duhet të përmirësojë diplomacinë e saj duke caktuar një të Dërguar të Posaçëm Presidencial për të plotësuar punën e Miroslav Lajçak. Pa angazhim më të fuqishëm të SHBA-së, s’ka gjasa që negociatat do të arrijnë diçka.

    Sipas qëndrimeve të bëra publike edhe Kurti edhe Vuçiq kanë qëndrime shumë të kundërta. A mendoni se marrëveshja që do të sillte pajtimin përfundimtar mes kosovarëve dhe serbëve është afër?

    David Phillips: Një marrëveshje përfundimtare mund të ndodhë vetëm kur Vuçiq do të kuptojë çmimin që do të paguajë për pengesat. Përtej kapitullit 35, i cili kushtëzon pranimin e Serbisë në BE me marrëdhëniet për fqinjësi të mirë, duhet të ketë një kosto për Vuçiqin personalisht nëse ai vazhdon të mohojë realitetin dhe të pengojë progresin. Ka dyshime se ai dhe vëllai i tij kanë pasuri të konsiderueshme të marra në mënyrë të pandershme nga bankat e huaja. Këto asete duhet t’i ngrihen derisa Vuçiq të pranojë të bashkëpunojë”.

  • Eksperti amerikan: Kurti ka ende gjasa që të bëhet kryeministër, VV-ja mund të bëjë koalicion me këtë parti pas zgjedhjeve

    Eksperti amerikan: Kurti ka ende gjasa që të bëhet kryeministër, VV-ja mund të bëjë koalicion me këtë parti pas zgjedhjeve

    David L. Phillips


    Phillips: Kufizimet mbi pjesëmarrjen e Kurtit në qeveri përfundimisht do të hiqen së shpejti

    David L. Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në New York, ka folur për zhvillimet politike në Kosovë.

    Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se edhe nëse nuk do t’i lejohet kandidimi për kryeministër në zgjedhjet e 14 shkurtit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, do të bëjë politikën në Kosovë për shumë vite të ardhshme.
    Sipas ekspertit amerikan, Kurtit mund t’i hiqen së shpejti kufizimet dhe ai do të mund të bëhet kryeministër, nëse shumica e ligjvënësve e duan atë në këtë rol.

    “Nëse z. Kurti nuk lejohet të kandidojë, ai do të formojë politikën e Kosovës në një mënyrë kuptimplotë përgjatë shumë viteve të ardhshme. Kufizimet afatshkurtra mbi pjesëmarrjen e z. Kurti në qeveri përfundimisht do të hiqen – ndoshta së shpejti – dhe ai do të marrë zyrtarisht përgjegjësi. Z. Kurti mund të bëhet ende kryeministër nëse shumica e ligjvënësve e duan atë në këtë rol”, ka thënë për “Bota sot” David L. Phillips.

    Ai ka thënë më tej se nëse Vetëvendosje nuk arrin shumicën në zgjedhje, mund të bëjë koalicion me AAK-në, por një gjë e tillë mund ta prish marrëveshjen e VV-së me Vjosa Osmanin.
    “Pluralizmi politik është thelbësor për demokracinë. Ka personalitete të tjera të forta, të tilla si Ramush Haradinaj, të cilët janë të rëndësishëm për debatin politik dhe ndërtimin e konsensusit. Nëse VV nuk ka vota të mjaftueshme, VV-ja mund të hyjë në koalicion me AAK-në që do të prishte koalicionin midis VV-së dhe zonjës Osmani”, është shprehur Phillips.

    Eksperti amerikan e quan të drejtë vendimin për ndalimin e personave që janë të dënuar ose nën hetime, për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në politikë.
    Sipas tij, zyrtarët e PDK-së duhet të pastrojnë emrat e tyre, duke demonstruar përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit para votuesve në Kosovë.

    “Kriminelët dhe ata që janë nën hetim janë mënjanuar me të drejtë nga pjesëmarrja e drejtpërdrejt në politikën e Kosovës. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ata nuk mund të ndikojnë në ngjarje ose të veprojnë përmes përfaqësuesve. Personalitetet e PDK-së mund të rishikohen në të ardhmen duke pastruar emrat e tyre dhe duke demonstruar përkushtimin e tyre për sundimin e ligjit para votuesve në Kosovë”, ka thënë Phillips për “Bota sot”./BS