Tag: Gjykimi

  • Sot dëgjohen dëshmitarët e parë në Hagë ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Sot dëgjohen dëshmitarët e parë në Hagë ndaj Thaçit dhe të tjerëve

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, do të vazhdojë të martën në Hagë.

    Sot nis procesi i paraqitjes së provave nga Zyra e Prokurorisë Speciale, përkatësisht dëgjimi i dëshmitarëve.

    Seanca gjyqësore pritet të fillojë në orën 09:00, sipas njoftimit të Gjykatës Speciale.

    Seanca pritet të transmetohet rreth 45 minuta me vonesë për publikun.

    Seanca të tilla pritet të ketë më 11, 12, 13, 17, 18, 19 dhe 20 prill.

    Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Të hënën e kaluar 3 prill ka nisur gjykimi.

  • Gjyqtarja nga Peja për vjedhje të viçave kishte shqiptuar 6 vite burgim, për dhunimin e 15 vjeçares vetëm 8 muaj

    Florije Zatriqi, gjyqtarja nga Peja e cila e ka dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim një akt të dhunimit seksual ndaj një të miture 15 vjeçare, pak vite më parë e kishte dënuar me 6 vite burgim një akt të vjedhjes së 3 viçave dhe një kali.

    Këtë vendim e kishte marrë në gusht të vitit 2018 dhe katër të akuzuarit i kishte dënuar me nga 1 vit e gjysmë burgim.

    Ata e kishin pranuar në gjykatë se në një stallë i kishin vjedhur 3 viça, të cilët më pas i kishin ngarkuar në veturë. Sipas prokurorisë të njëjtit e kishin vjedhur edhe një kalë të cilin e kishin bartur me rimorkio.

    Kaq e ashpër gjykatësja nuk ishte edhe me aktin e dhunimit të 15 vjeçares në Gjakovë, pasi për një vepër të dënueshme nga 5 deri në 20 vite burgim i ka shqiptuar vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim për dhunuesin.

    Përpos dënimit, të pazakontë këtë vendim e bën edhe fakti se si gjyqtarja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit për dhunimin e 15 vjeçares, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se “viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime”.

    Ngjarja për të cilën u shqiptua ky dënim, sipas aktakuzës, kishte ndodhur në janar të vitit 2012.

    Aktakuza përshkruan se e mitura 15-vjeçare në atë kohë ishte duke dalë nga spitali kur edhe ishte kërcënuar me thikë e më pas ishte marrë nga i akuzuari P. K. së bashku me një person të mitur, të cilët më pas e kishin dërguar atë në një shtëpi të pabanuar.

    Sipas Prokurorisë, pasi viktima ishte dërguar në atë shtëpi, i mituri e kishte thirrur në telefon edhe një të mitur tjetër dhe aty gjatë tërë natës të tre e kishin dhunuar 15-vjeçaren.

    E mitura kishte arritur të ikte nga ajo shtëpi në mëngjes dhe menjëherë e kishte raportuar rastin në Polici.

    Ky rast ishte gjykuar edhe më herët mirëpo dënimin e shqiptuar me dy vite e kishte prishur Gjykata e Apelit pasi e kishte vlerësuar si të vogël dhe të paarsyetuar.

    Për këto veprime në seancën e datës 12 korrik të këtij viti, i akuzuari P. K. e kishte pranuar fajësinë.

    Pas publikimit të vendimit pati reagime nga udhëheqësit e sistemit të drejtësisë.

    Përmes një komunikate publike kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, kërkoi ndërmarrjen e masave kundër gjyqtares Zatriqi.

    Të njëjtën kërkesë e parashtroi edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kundër prokurores së rastit.

    Pa reaguar nuk mbeti as ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila deklaroi se vendime të tilla nuk i përkrahin viktimat.