Tag: Kosova

  • Qeveria e Kosovës miraton një sërë vendimesh në mbledhjen e radhës

    Qeveria e Kosovës miraton një sërë vendimesh në mbledhjen e radhës

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e rregullt, ku ka miratuar disa vendime të rëndësishme që prekin fusha të ndryshme, nga administrata publike dhe ekonomia, deri te shëndetësia dhe projektet infrastrukturore.

    Ndër vendimet kryesore janë themelimi i mekanizmave për zbatimin e mbështetjes së Bashkimi Evropian për reforma dhe rritje ekonomike, marrëveshja për bashkëpunim juridik me Belgjikë, si dhe ndarja e mjeteve për specializantët në shëndetësi dhe Fondin e Ekselencës.

    Gjithashtu, qeveria ka aprovuar projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe vendime për shpronësime në interes publik, duke synuar zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

  • Vdes një 29-vjeçar pas aksidentit ndërmjet një kamioni dhe motoçiklete në Prizren

    Vdes një 29-vjeçar pas aksidentit ndërmjet një kamioni dhe motoçiklete në Prizren

    Një 29 vjeçar, me iniciale E.A, ka humbur jetën sot si pasojë e një aksidenti që ndodhi në Prizren, konkretisht në rrugën “Transiti i vjetër”.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e këtij qyteti, Shaqir Bytyqi.

    “Sot, më datë 19.03.2026, rreth orës 12:10, në rrugën “Transiti i vjetër”, në Prizren është raportuar një aksident trafiku në mes të një motoçiklete, një kamioni dhe një veture. Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se drejtuesi i motoçikletës, duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, fillimisht ka goditur lehtë veturën, ndërsa më pas është përplasur nga prapa në kamion”.

     

  • Rama: Shqipëria qëndron pranë Kosovës nëse do të përdoren armët

    Rama: Shqipëria qëndron pranë Kosovës nëse do të përdoren armët

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se vendi amë do të qëndrojë në mbrojtje të Kosovës nëse shteren opsionet diplomatike dhe fillojnë të përdoren armët.

    Rama në një intervistë për ATV-në ka thënë se ai lutet që opsioni i përdorimit të armëve të mos vijë në shprehje, por që, sipas tij, nëse ndodh padyshim se Shqipëria do të qëndrojë me Kosovën.

    Si të gatuani një tortë në formë zemre për Ditën e të DashuruarveKur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjakDështoi për shkak të rrymës, si arriti skuadra rumune të marrë miratimin e FIFA-s për t…Si ta mbijetoni Ditën e të dashuruarve nëse jeni pa partner: Në vend që të ankoheni për…Specialja kërkon të kontakohet urgjentisht Ministria e Drejtësisë lidhur me financimin …
    “As nuk diskutohet se Shqipëria ka qëndruar, qëndron dhe do të qëndrojë pranë Kosovës në çdo rast nevoje edhe nëse, mos e dhëntë Zoti, gjërat shkojnë në pikën ku në mes nuk është më fjala, por armët”.

    Por, Rama thotë se liderët në Kosovë por edhe Shqipëri duhet të mendojnë për të ardhmen që vendet tona të bëhen më të respektueshme në rrafshin ndërkombëtarë.

    “Duhet të vendosim vendet tona në një realitet ku aleatët tanë kanë respekt për ne”.

    Kosova dhe Serbia përplasen në Këshillin e Sigurimit, Rama: Seancë pa kuptim, mungesa e koordinimit me ndërkombëtarët zbeh pozitat e
    I pyetur nëse Kosova sulmohet si do të reagojë Shqipëria, Rama është përgjigjur, se Kosova nuk është vetëm.

    “Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe nuk është një entitet gjeografik që ka lidhje speciale me Kosovën dhe çdo sulm mbi Kosovën është sulm mbi Shqipërinë, por nga ana tjetër Kosova nuk është vetëm dhe ka aleatë strategjikë pa të cilët nuk mund të ekzistonte si shtet. Për këtë arsye duhet të mendojmë për peshën e aleatëve të Kosovës”, ka deklaruar tutje Rama./Telegrafi

  • Anëtarët e Kongresit: SHBA duhet të mbështesë Ballkanin Perëndimor, përballë ndikimit të Rusisë, Kinës

    Anëtarët e Kongresit: SHBA duhet të mbështesë Ballkanin Perëndimor, përballë ndikimit të Rusisë, Kinës

    Anëtarë të Kongresit dhe zyrtarë të lartë amerikanë, si edhe anëtarë parlamentesh të vendeve evropiane dhe Ballkanit Perëndimor, shprehën të mërkurën shqetësimin për ndikimin keqdashës të Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor.

    Ata folën për këtë temë në një forum në Kongresin amerikan.

    Pjesëmarrësit thanë se Rusia dhe Kina po përpiqen të rrisin ndikimin e tyre përmes ndërhyrjeve politike dhe dezinformimit në rastin e Moskës, si edhe kryesisht përmes investimeve ekonomike dhe infrastrukturore në rastin e Pekinit.

    Ata theksuan nevojën e forcimit të koordinimit mes SHBA-së dhe aleatëve të tyre me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ata gjithashtu folën për nevojën e integrimit të rajonit.

    Anëtari republikan i Kongresit, Pete Sessions një nga bashkëdrejtuesit dhe organizatorët e diskutimit i tha Zërit të Amerikës se Rusia ka vite që përpiqet për destabilizimin e Ballkanit, dhe se është e qartë se ajo përdor dezinformatat dhe forcë kur do që të realizojë synimet e saj.

    “Destabilizimi i Ballkanit (nga Moska) është diçka që secili prej vendeve atje e sheh dhe ata e shohin që jo vetëm po ndodh, por se ka përpjekje e qëllimshme për të minuar këto vende”, tha ai.

    Zoti Sessions thotë se Shtetet e Bashkuara dhe organizma perëndimore duhet t’i mbështesin stabilitetin e rajonit.

    “BE-ja, NATO dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të bashkuara dhe të thonë me forcë se ‘ne i mbështesim këto vende dhe do të qëndrojmë së bashku me to’. Kjo është ajo që u duhet këtyre vendeve: Që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të qëndrojnë me forcë në krah të tyre”, tha ai.

    Kolegu i tij, anëtari republikan i Kongresit Robert B. Aderholt shprehu shqetësimin se fushata e Rusisë dhe Kinës për ndikim po rritet dhe për këtë arsye…“… vendet e Ballkanit sot më shumë se kurrë janë jetike për partneritetin me Shtetet e Bashkuara dhe duhet të ketë një qëndrim të unifikuar kundër ndikimeve negative”, tha ai.

    Ish-Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Fatmir Mediu i cili organizoi takimin së bashku me anëtarët e Kongresit Sessions dhe Aderholt, tha se është e dukshme që siguria është çështja kryesore në botë sot.

    “Duket qartësisht se ka një lëvizje të Rusisë por edhe të Kinës, ndoshta dhe Iranit për të krijuar probleme në rajonin e Ballkanit, për të pasur një pikë tjetër konflikti dhe për të zhvendosur vëmendjen nga Ukraina”, tha ai për Zërin e Amerikës.

    Zoti Mediu shton se vetë vendet e Ballkanit që janë pjesëtare të NATO-s, duhet të ndërmarrin masa për të krijuar mekanizma parandaluese politike dhe ushtarake në rajonin e Ballkanit.“… Duhet të diskutojmë së bashku se cilat janë këto shqetësime dhe cilat janë zgjidhjet për Ballkanin Perëndimor. Po ta shikojmë se si veprojnë këto forca siç janë Rusia dhe Kina, e para është se ata përpiqen që të ndezin konflikte të reja, e dyta krijojnë një lloj status-quoje përsa i takon situatës, problemeve të pazgjidhura, të pengojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe të zgjerojnë influencën e tyre gjeoekonomike dhe gjeopolitike”.

    Naz Durakoglu, ndihmës Sekretare e Shtetit për çështjet legjislative theksoi se Shtetet e Bashkuara janë tepër të shqetësuara për ndikimin e Kinës dhe Rusisë në rajon, e para përmes infrastrukturës dhe e dyta përmes gazit dhe dezinformimit, dhe fokusi i tyre është kundër NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara.“Ne përdorim ndihmën e huaj për të ndihmuar në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe me njëri-tjetrin”, tha ajo.

    Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e reformave, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të demokracisë.Analisti i çështjeve të Ballkanit Edward Joseph, tha për Zërin e Amerikës se u kujtoi anëtarëve të Kongresit dhe zyrtarëve amerikanë se sa i rëndësishëm është Ballkani…

    “Ky rajon është është pjesë e strategjisë së Putinit. Ai dëshiron të ndajë Evropën nga Shtetet e Bashkuara dhe dëshiron të ndajë Evropën brenda vetes dhe Ballkani është një rrugë kryesore për ta bërë një gjë të tillë”, tha ai.Zoti Joseph theksoi se për Moskën, ndikimi në rajonin e Ballkanit bëhet me një kosto të ulët por pasoja të mëdha dhe tha se Rusia ka ndihmën e Serbisë në përpjekjet e saj. Por ai tha se kartat janë në duart e Perëndimit për drejtimin e rajonit.

    “Ne i mbajmë kartat, Perëndimi, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, këto të NATO-s.

    Është ndryshe nga Ukraina. Rusia është shumë larg për të sjellë forca tokësore. Anëtarët e NATO-s rrethojnë Ballkanin. Të gjitha vendet e rajonit, përveç Serbisë, duan t’i bashkohen NATO-s”, tha ai.

    Në një kujtesë për situatën gjeopolitike ku është bota sot dhe të sfidave me të cilat përballet, përfaqësuesi i Ukrainës në këtë forum, deputeti Alex Goncharenko bëri thirrje për vazhdimin e ndihmës ndaj vendit të tij, në një kohë debatesh në Kapitol, ku procesi për miratimin e ndihmës së mëtejshme për luftën kundër Rusisë, ka ngecur./Voa

  • “Në Ballkan ekziston vetëm një shtet që shkakton ngatërresa – ajo është Serbia”

    “Në Ballkan ekziston vetëm një shtet që shkakton ngatërresa – ajo është Serbia”

    Historiani zviceran dhe profesori në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, ka kritikuar BE-në për mungesë presioni ndaj Serbisë, e cila, sipas tij, vazhdon të mbetet faktor negativ dhe destruktiv. Sipas Schmitt kryeministri Albin Kurti dallon nga paraardhësit e tij ndaj të cilëve BE mund të ushtronte lehtë presion ngase ishin të diskredituar nga aktivitetet me gjasë kriminale.

    Në një intervistë dhënë gazetares Adelheid Wölfl të gazetës austriake “Der Standard”, historiani i njohur Oliver Jens Schmitt ka akuzuar Serbinë për eskalim të situatës në Kosovë. Schmitt theksoi se kriza në veri të Kosovës nuk mund të shihet jashtë kontekstit të sulmit rus në Ukrainë. Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse ka premtuar përkrahje të plotë për Serbinë, pra ndërlidhja e të dyja krizave është bërë nga vetë Rusia. Me këtë prapavijë Serbia është duke ndërtuar kulisën e kërcënimit. Schmitt nenvizoi se po shihet qartë që presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk ka ndryshuar kurrë, ai mbetet çfarë ka qenë: ministër i propagandës i Sllobodan Millosheviqit. Vuçiq, sipas Schmitt, po e përdor gjuhën e dikurshme duke e quajtur “llum terrorist” kryeministrin kosovar, i cili si lider studentor ka qenë në burgjet serbe.

    Në pyetjen se a po synon Vuçiqi me manovrat e tij ndarjen e Kosovës dhe grabitjen e veriut, historiani Schmitt u përgjigj: “Ai (Vuçiq) e ka zgjeruar fushën manovruese. Por pjesë të rëndësishme të elitës serbe nuk janë të gatshme të heqin dorë nga Kosova në tërësi, ndonëse nuk shpjegojnë se si do te mund ta qeverisnin vendin kundër vullnetit të shumicës së popullsisë. Nuk është e sigurt nëse Vuçiqi e sheh si kërkesë maksimale marrjen e veriut. Ndarja – e cila nga pikëmapja perëndimore duhet të hidhet poshtë – për Vuçiqin nuk do të ishte fundi i historisë. Disa vëzhgues mendojnë se me aneksimin e disa pjesë të Ukrainës do të kënaqeshin pretendimet ruse. Por në aspektin afatgjatë Putini nuk do të rrinte i qetë nëse do të merrte 20 për qind të Ukrainës – dhe Vuçiq nuk do të ishte i kënaqur përfundimisht nëse do të merrte veriun e Kosovës”.

    Schmitt kritikoi Bashkimin Europian për mirëkuptimin maksimal ndaj Serbisë duke theksuar se ky vend është faktor i rëndësishëm. “Kjo është e vërtetë. Por Serbia është para së gjithash faktor negativ dhe destruktiv. Shkaku i problemit është qeveria serbe, kjo duhet të thuhet qartë”.

    Në konstatimin e gazetës së qeveria e Albin Kurtit javëve të fundit vazhdimisht është detyruar të lëshojë pe, pasi këtë e kanë kërkuar SHBA-të dhe BE, Oliver Schmitt u përgjigj: “Kurti ka ardhur në pushtet përmes zgjedhjeve demokratike. Kurti është zgjedhur edhe për shkak se dëshironte të arrinte një pavarësi më të madhe nga shtetet perëndimore. Ky është qëndrim legjitim duke pasur parasysh se ndaj paraardhësve të tij Perëndimi lehtë mund të bënte presion për shkak të komprometimit të tyre me gjasë kriminal. Shtetet perëndimore nuk duhet të kenë interes ta dobësojnë qeverinë Kurti, aq më tepër që Kosova, në krahasim me Serbinë, është demokraci funksionale. BE dhe SHBA duhet ta kenë po ashtu parasysh se kërkesat e tyre ndaj qeverisë kosovare mund të nxisin strukturat paralele serbe dhe potencialisht mund ta destabilizojnë Kosovën”.

    Schmitt deklaroi se në Ballakan ekziston vetëm një shtet që shkakton ngatërresa: ajo është Serbia. “Do të ishte e rëndësishme që edhe popullsisë serbe t’i bëhet e qartë se kjo nuk tolerohet më”, tha Schmitt. Ai kërkoi që BE ta vë Serbinë para zgjedhjes: të heq dorë nga loja e dyfishtë mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës dhe të vendosë për apo kundër integrimit në BE. “Fundja Serbia nuk mund ta ndryshojë gjeografinë: ajo është e rrethuar me shtete të BE-së dhe NATO-s. BE nuk e ka shfrytëzuar deri më tani fuqinë e saj dhe nuk i ka bërë presion Serbisë”.

  • Parlamenti Evropian e voton rezolutën për Kosovën të prezentuar nga Von Cramon

    Parlamenti Evropian e ka miratuar sot rezolutën për Kosovën të prezentuar nga raportuesja e PE-së, Viola von Cramon.

    Ky dokument u votua pa asnjë kundërshtim në asnjë amandament. Nga 637 eurodeputetë, 469 nga ata ishin për, 96 kundër dhe 72 abstenuan.

    Raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, ka dhënë detaje nga raporti, duke theksuar nevojën për liberalizim të vizave për Kosovën, si dhe procesin e saj të dialogut me Serbinë.

    Në këtë raport, ajo flet për solidarizimin e Kosovës me Ukrainën, sundimin e ligjit, kërkesën për zbatimin e vendimit të Kushtetueses për Manastirin e Deçanit, liberalizimin e vizave dhe dialogun me Serbinë.

    E një temë, e cila natyrshëm nuk u la pa u përmendur është edhe liberalizimi i vizave.

    Gjermanja shprehu nevojën që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt për Kosovën.

    “Parlamenti Evropian dhe unë personalisht e kam ripërsëritur vazhdimisht nevojën e dhënies së menjëhershme të liberalizimit të vizave, i cili ka kohë që është vonuar, pavarësisht se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret. Të gjithë qytetarët e Kosovës meritojnë të jetojnë në një vend që gëzon respekt të plotë ndërkombëtar dhe perspektivë të qartë integruese evropiane!””, ka deklaruar von Cramon.

    “Një element thelbësor i rrugës së integrimit në BE është dialogu i udhëhequr nga BE midis Kosovës dhe Serbisë. I dërguari special i BE-së, Miroslav Lajcak, ka mbështetjen tonë të plotë dhe ekziston një unitet unik transatlantik. Megjithatë, pa marrëveshje ligjërisht të detyrueshme të normalizimit, pranimi nuk do të ndodhë”.

  • Nuk ndalet ‘vajtimi’ i Serbisë pas aplikimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Vulin në cilësin e priftit, jep këshilla se si duhet të veprojë Beogradi

    “Nëse Prishtina bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, Serbia duhet të shpallë neutralitet politik, ashtu siç e ka shpallur edhe ushtrinë. Nëse nuk mund të zgjedhim armiqtë tanë, le të zgjedhim së paku miqtë tanë”, ka thënë Aleksandar Vulin, duke komentuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

    “Çfarë mendojnë realisht shtetet anëtare të Bashkimit Evropian për Serbinë, do të tregohet me votën e tyre për kërkesën e Prishtinës për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës. Nuk duhet të presim edhe 20 vjet për të ditur nëse BE-ja e dëshiron Serbinë në anëtarësimin e saj, mjafton të votojmë pro apo të votojmë kundër pranimit të territorit në organizatën e përbërë nga shtetet. Deri më tani kemi mësuar se nënshkrimi i Bashkimit Evropian vlen aq sa edhe marrëveshja e Brukselit, por tani është rasti të shohim se sa vlen fjala e Shteteve të Bashkuara”, tha Vulin.

    Sipas tij, vetë njoftimi se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës tashmë është shkelje e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe “Prishtina ose do të ndëshkohet dhe ndalohet, ose do të tregohet se çdo gënjeshtër është e lejuar kundër Serbisë dhe se serbët nuk kanë as të drejta e as drejtësi”.

    Kosova të enjten ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

    Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës. Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

    Nëpërmjet një video-adresimi, ministrja Gërvalla, ka konfirmuar se ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke thënë se shpreson për një përgjigje pozitive.

    “Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Paralementare dhe Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë ajo.

    Ndërkohë, edhe Daniel Holtgen, zëdhënës i Këshillit të Evropës, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, e ka konfirmuar se kanë pranuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

    “Aplikimi është pranuar dhe do të dërgohet te Komiteti Ministror në linjë me statutin e Këshillit të Evropës”, thuhet në përgjigjen e Holtgenit, i cili nuk dha detaje të tjera në lidhje me procedurat e mëtutjeshme të shqyrtimit të aplikimit.

  • RTK: Një shtet i fuqishëm i BE-së do t’i bëj ftesë Kosovës për aplikim në Këshillin e Evropës

    Një shtet i fuqishëm evropian, emër i njohur për RTK-në, pritet t`i bëjë ftesë Kosovës për aplikim për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

    Kryeministri Kurti ka paralajmëruar se kjo mund të ndodhë shpejt, përderisa anëtarët e komisionit për integrime evropiane thonë se kjo mund bëhet brenda këtij muaji.

    Republika e Kosovës shumë shpejt pritet të marrë ftesë për aplikim në Këshillin Evropës. Ftesa do të bëhet nga një shtet i anëtar i BE-së. Ndërsa me 20 maj është paraparë të mbahet takimi i ministrave të jashtëm të BE-së në Torino të Italisë.

    Edhe kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar një aplikim të shpejtë pa përmendur data. Po ashtu edhe anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme kanë paralajmëruar që aplikimi i Kosovës në këtë mekanizëm mund të bëhet brenda këtij muaji.

    “Edini që në fund të majit është koha do të mbahet takimi komiteti të ministrave dhe aty do të bëhet miratimi i aplikimeve që shkojën miratimi i vendimeve një ndërt to mundet me qenë edhe aplikimi i Kosovës, kjo do të thotë që gjatë javës së ardhmes duhet të aplikojë Kosova për anëtarësim ne KE..”, tha Ariana Musliu Shoshi, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme nga PDK

    “Si Kosovë por edhe si qeveri edhe parlamentin i Kosovë, grupi parlamentar edhe kuvendi, duhet të kërkojmë në vazhdimësi që të bëjmë kërkesa të tilla sepse është e palogjikshme që të rrimë në një vend sepse s’na konvenon kjo, ne edhe si deputet kërkojmë që Kosova të drejta e veta sepse është e orientuar drejtë dhe orientimi i saj është properëndimor. ne e dini që padrejtësisht nuk e kemi edhe liberalizimin e vizave, tha Time Kadrijaj anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme nga AAK.

    Kryetarja e Komisionit për Integrim Evropian nga LDK Rrezarta Krasniqi ka thënë se marrë parasysh rrethanat e reja gjeopolitike në rajon, pas invazionit ushtarak rus në Ukrainë, disa procese si në rastin konkret ky i anëtarësimit të vendit në Këshillin e Evropës mund të ndodhin në një afat të përshpejtuar.

  • A rrezikohet Kosova nga shpërthimi i centralit bërthamor? Kjo distanca nga centralit më i afërt

    Drejtori i Agjencisë për Siguri Bërthamore, Beqir Mezelxhiu, ka thënë se Kosova është vetëm 300 kilometra larg centralit më të afërt bërthamor që gjendet në Bullgari.

    I ftuar në Desku të KTV-së, Mezelxhiu ka thënë se në rast se ndodhë ndonjë incident i shpërthimit bërthamor në këtë central, Kosova hynë në kategorinë e tretë të emergjencave.

    “Ne sa i përket centraleve bërthamore, distancën më të vogël e kemi me Bullgarinë, që është vetëm 300 km larg centralit të parë bërthamor. Nëse ndodh incidenti atje jemi në kategorinë e tretë të emergjencave, pak më larg e kemi Slloveninë që është rreth 400 km. Është shumë me rëndësi që në këto raste të ketë një koordinim mes shteteve fqinje pasi që potencialisht mund të jetë një incident multinacional edhe në raste të tilla, një prej atyre hapave preventivë që merret në konsideratë është jodi, sidomos te fëmijët. Sepse në këto raste përdoret një qasje e shkallëzuar”, ka thënë ai.

    Sipas Mezelxhiut, në rast se ndodhë një incident i tillë, popullata duhet të lajmërohet në mënyrë që të merren masa, si mbyllja në shtëpia, sigurimi i ujit të pijshëm dhe edhe transferimi i popullatës në rast se është i nevojshëm.

    Gjëja e parë që preket në këto raste është mjedisi edhe në qoftë se ka shi në atë valë, depozitimi është më i madh. Në ato raste merren masa që popullata paraprakisht, para se të vijë ndikimi në vend, ligjërisht është e obliguar të njoftohet popullata për rrezikun që po afrohet, ku hyn aspekti i mbylljes nëpër shtëpia, aspekti i ujit të pijshëm, ku njerëzit duhet të sigurojnë atë dhe mund të vijë edhe deri te transferimi i popullatës në një vend më të sigurt.

  • KFOR: Jemi të gatshëm të miratojmë çdo masë të nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt

    KFOR-i dhe EULEX-i, sot kanë zhvilluar stërvitje të përbashkëta “Joint Venture 22”, në kuadër të bashkëpunimit ekzistues në fushën e sigurisë në Kosovë.

    KFOR-i ka njoftuar se stërvitja u krye në modalitetin e tavolinës, me inskenime të shpeshta të informacionit të ri të krijuar për të testuar aspektet më delikate të krizave dhe menaxhimit të konflikteve në një mjedis të përbashkët operacional.

    “Qëllimi i stërvitjes, i zhvilluar nën drejtimin e zëvendëskomandantit të KFOR-it, gjeneral brigade Luca Piperni, ishte të kontrollohej niveli i gatishmërisë në menaxhimin e emergjencave në mënyrë të koordinuar ndërmjet organizatave ndërkombëtare të sigurisë si KFOR-i dhe EULEX-i”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

    KFOR-i thotë se i është i gatshëm të miratojë çdo masë të nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

    “Misioni i NATO-KFOR-it është të kontribuojë për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në të gjithë Kosovën, siç është mandatuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

    Në prani të çdo lloj paralajmërimi që mund të ndikojë në situatën e sigurisë, KFOR-i është i gatshëm të miratojë çdo masë të nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, për të mirën e njerëzve që jetojnë në Kosovë”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.