Tag: Kosovë

  • Ngjarjet kryesore për sot në Kosovë

    Ngjarjet kryesore për sot në Kosovë

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përkatësisht Akademia diplomatike në bashkëpunim me Fondacionin “Friedrich Ebert” organizon hapjen e edicionit të dhjetë të Shkollës diplomatike. Marrin pjesë kryeministri Albin Kurti dhe shefja e diplomacisë Donika Gërvalla. (Hotel “Dukagjini” Pejë, ora 09:30)

    Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) publikojnë raportin “Transparenca në përcaktimin e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë”. (INDEP, rruga “Fehmi Agani” numër 50 A/4, prapa “Che Bar Caffe”, Prishtinë, ora 10:00)


    Hapet Panairi bujqësor dhe energjisë së ripërtërirë, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës. (Prishtina Mall, ora 11:00)Mbahet takim mes Sindikatës së Minatorëve të Kosovës, Sindikatës së Minatorëve të SHBA-së, Sindikatës së Minatorëve të Australisë dhe Sindikatës së Minatorëve të Shqipërisë. (Hotel “Theranda” Prizren, ora 11:00)

    Mbahet edicioni i dytë i Simpoziumit ndërkombëtar “Filozofema” me temë “Filozofia e teknologjisë tani” dhe “Arti në kontekstin bashkëkohor”. (Fakulteti Filozofik, salla 127, Prishtinë, ora 11:00)

    Ministri i Kulturës Hajrulla Çeku dhe homologu i tij bullgar Nayden Todorov nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëprodhimit në kinematografi Kosovë-Bullgari. (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ora 12:15)

    Vazhdon procesi gjyqësor në rastin Thaçi dhe të tjerët. (Hagë, ora 13:00-16:30)

    Hapet “Kampi pyjor 2024”. Merr pjesë ministri i Bujqësisë, Faton Peci.  (Novobërdë, ora 14:00)

    HANDIKOS mban konferencën përmbyllëse me temë ‘’Avancimi i politikave për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë’’. (Qendra e Resurseve të HANDIKOS Veternik, Prishtinë, ora 14:00)

    Promovohet libri “Hyrje në Psikolinguistikë” i autorit Rrahman Paçarizi. (Libraria “Dukagjini”, sheshi “Nëna Terezë” Prishtinë, ora 18:00) 

  • Macron merr letër nga 81 organizata të shoqërisë: Jepni fund izolimit të qytetarëve të Kosovës

    81 organizata të shoqërisë civile në Kosovë, i janë drejtuar sot përmes një letre presidentit të Francës, Emmanuel Macron lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

    Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se procesi i liberalizimit është ndalur në Këshillin e Bashkimit Evropian si institucioni më i lartë i BE-së dhe i fundit i cili duhet ta aprovojë propozimin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën.

    “Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon dhe ndër të vetmit në Evropë qytetarët e të cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen”, thuhet në njoftimin për media nga organizatat e shoqërisë civile.

    Përmes letrës dërguar presidentit Macron, shoqëria civile ka kërkuar nga lidershipi i tij dhe të Francës që në prag të Konferencës për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në qershor në Paris, të fusin në agjendë dhe të aprovojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

    Ndër të tjera në këtë letër organizatat e shoqërisë civile rikujtojnë që dialogu për liberalizimin e vizave për Kosovën ka hyrë në vitin e 10-të të tij dhe ka zgjatur më shumë sesa procesi i liberalizimit të vizave i të gjitha vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.

    “Duke e vlerësuar lëvizjen e lirë si të drejtë themelore të njeriut nga mungesa e të cilës më së shumti vuajnë qytetarët e zakonshëm, përmes kësaj letre, organizatat e shoqërisë civile të Kosovës, i bëjnë thirrje Presidentit Macron që gjatë Presidencës Franceze të BE-së ta çojë zgjerimin evropian në një epokë të re, duke i dhënë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës dhe duke hapur bisedimet e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si një moment ringjallje për perspektivën e rajonit drejt BE-së”, thuhet në letrën e tyre.

    Letrën e plotë të organizatave të shoqërisë civile drejtuar presidentit Macron mund ta lexoni më poshtë:

    I nderuar President Macron,

    Dëshirojmë t’ju përgëzojmë për rizgjedhjen! Fitorja juaj vjen në një moment të rëndësishëm për Francën, Evropën dhe botën. Megjithëse në muajt dhe vitet e ardhshme ju do të jeni me të drejtë të preokupuar me shqetësimet dhe mirëqenien e popullit francez, sytë e botës janë kthyer sërish drejt Francës për ta udhëhequr botën në këto kohë të vështira.

    Dialogu për liberalizimin e vizave për Kosovën ka hyrë në vitin e 10-të të tij. Si i tillë, ky proces ka zgjatur më shumë sesa procesi i liberalizimit të vizave i TË GJITHA vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku, shumëzuar me dy. Ose për ta thënë ndryshe, i gjithë procesi i aderimit për Kroacinë, që nga statusi i kandidatit e deri tek anëtarësimi i plotë, zgjati më pak sesa procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

    Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, që nga fillimi, u krijua për të qenë i vështirë. Fillimisht, lutja e Kosovës për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave u refuzua ashpër. Ne, qytetarët e Kosovës, i vështronim me dëshpërim qytetarët e vendeve tjera të rajonit duke e gëzuar të drejtën e tyre për të lëvizur lirshëm nëpër BE. Dhe kur më në fund erdhi momenti në vitin 2012 për të filluar procesin e liberalizimit të vizave, Kosovës iu dorëzua një udhërrëfyes i cili përmbante dy herë më shumë kritere sesa për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Përkundër kësaj, Kosova përgjatë gjashtë viteve të ardhshme i përmbushi të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Kjo gjë u konfirmua zyrtarisht në korrik të vitit 2018, dhe më pas u rikonfirmua përsëri disa herë nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Thirrjet e vazhdueshme drejtuar Këshillit të BE-së për t’i dhënë fund izolimit të Kosovës kanë qenë pa rezultat.

    Tregimi për venitjen e premtimit për liberalizim të vizave nga BE-ja është përcjellë me lulëzimin demokratik të Kosovës. Vitin e kaluar Kosova rikonfirmoi pjekurinë e saj demokratike me zgjedhje shembullore dhe tranzicion të lehtë të pushtetit. Që atëherë, Kosova ka bërë përparim të qëndrueshëm në të gjitha frontet. Përpjekjet e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë vënë në dukje nga Transparency International. Në raportin e saj të fundit, Kosova ka bërë përmirësimin më të madh vjetor në histori. Ngjashëm, Kosova ka bërë përmirësimin më të madh vjetor në histori dhe është renditur më lartë se asnjëherë sa i përket cilësisë së demokracisë së saj, sipas raportit të fundit të Freedom House. Në këtë aspekt, nuk ishte befasi kur disa ditë më parë Reporerët pa kufinj publikuan renditjen më të lartë të Kosovës në dhjetë vitet e fundit. Me pak fjalë, vendi ynë sot është më i lirë e më demokratik se kurrë më parë. Dhe kjo është pjesërisht arsyeja pse Kosova shënoi vitin e kaluar numrin e dytë më të ulët të azilkërkuesve në BE nga të gjitha vendet e rajonit, sipas Eurostat.

    Kosova është vend i vogël, por përkundër vogëlsisë gjeografike, u rreshtua përkrah dhe mbështeti përpjekjet e Aleatëve për paqe globale. Vitin e kaluar Kosova strehoi më shumë se 1300 të evakuuar afganë duke treguar kësisoj jo vetëm solidaritet me refugjatët, por edhe përkushtimin tonë të vërtetë dhe afatgjatë ndaj NATO-s. Kosova është në harmoni të plotë me politikën e jashtme të BE-së në aspektin e sanksioneve kundër Rusisë dhe ka treguar gatishmërinë e saj për të akomoduar 5000 refugjatë ukrainas, ndërkohë që veç ka filluar të akomodojë gazetarë ukrainas. Shoqëria civile e Kosovës vazhdon të promovojë vlerat e BE-së në baza ditore dhe e konsideron perspektivën e BE-së si rrugën e vetme për ndërtimin e një shoqërie demokratike. E njëjta gjë vlen edhe për qytetarët e Kosovës, pasi BE-ja ende gëzon mbështetje pothuajse absolute në mesin e popullsisë së Kosovës, me afër 94% mbështetje. Ky është tregues i qartë i përkushtimit për integrimin, standardet dhe vlerat e BE-së nga të gjitha segmentet e shoqërisë kosovare.

    Përderisa institucionet e Kosovës vazhdojnë të përballen me sfida të rëndësishme sociale, ekonomike dhe politike, ne shoqëria civile vazhdojmë ta mbajmë qeverinë tonë përgjegjëse. Ne presim që institucionet shtetërore të shumëfishojnë përpjekjet e tyre në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, për të na fuqizuar në aspektin e shfrytëzimit të perspektivës së BE-së si kornizë e besueshme që do të nxiste avancimin e reformave në vazhdim, ne kemi nevojë për një Bashkim Evropian të besueshëm që respekton premtimet e veta.

    Lëvizja e lirë e njerëzve paraqet të drejtë themelore të njeriut dhe promovon zhvillimin socio-ekonomik. Këtë izolim në mënyrë joproporcionale e vuajnë qytetarët e thjeshtë, të rinjtë e të rejat dhe studentët, aktivistët e shoqërisë civile, komuniteti i biznesit, si dhe ata që kanë nevojë për trajtim mjekësor në vendet e BE-së. Vazhdimi i izolimit vetëm se do të nxisë qytetarët e zakonshëm që të gjejnë rrugë alternative për të udhëtuar për arsye legjitime, e ato rrugë janë shpesh të paligjshme, të kushtueshme dhe të rrezikshme.

    Meqë Komisionit Evropian i është kërkuar të përgatisë opinione formale për gatishmërinë e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë për të filluar procesin e anëtarësimit në BE, Këshilli i BE-së pritet të diskutojë aplikimin e tyre në takimin e muajit qershor. Ne, sinqerisht i mirëpresim këto përpjekje! Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje BE-së të njohë rëndësinë e Ballkanit Perëndimor si pjesë kyçe e arkitekturës evropiane të sigurisë, duke pasur parasysh përpjekjet e Rusisë për të minuar konsolidimin e vazhdueshëm të progresit demokratik dhe integrimin euroatlantik të rajonit. Dhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe hapja e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të jetë pikënisja e këtij diskutimi.

    Në këtë këndvështrim, ne i bëjmë thirrje Presidencës Franceze të Këshillit të BE-së të përforcojë ndikimin afatgjatë të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Sharl de Gol ka thënë: “Franca nuk mund të jetë Francë pa madhështi”. Nuk ka pasur ndonjëherë kohë më të përshtatshme për ta treguar këtë madhështi. Prandaj, i bëjmë thirrje Francës që ta çojë zgjerimin evropian në një epokë të re, duke i dhënë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës dhe duke hapur bisedimet e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne presim me padurim Konferencën e Parisit për Ballkanin Perëndimor i cili mbahet në qershor dhe shpresojmë se i njëjti mund të jetë moment ringjallje për perspektivën e rajonit drejt BE-së. /Telegrafi/

  • Kosovarët blejnë vaj me shumicë, nis zbrazja e rafteve nëpër markete

    Kosovarët blejnë vaj me shumicë, nis zbrazja e rafteve nëpër markete

    Pas rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, kosovarët kanë filluar të krijojnë panik. Ata po bëjnë blerje me shumicë.


    Në disa markete të Kosovës tashmë ka filluar me të madhe blerja e vajit.

    Për një kohë të shkurtër, raftet janë pothuajse të zbrazur.

  • Rekord i zi në Kosovë, çmimi i derivateve sonte shkon deri në 1.60 centë

    Rekord i zi në Kosovë, çmimi i derivateve sonte shkon deri në 1.60 centë

    Shtrenjtimi i derivateve nuk do të ndalet në Kosovë. Çmimi i naftës dhe benzinës është duke u rritur për çdo ditë nga 8 deri në 10 centë.


    Rritje do të këtë edhe gjatë natës së sontme.

    Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani në një deklarim për IndeksOnline ka treguar se rritja e çmimi të derivateve do të ndodh edhe sonte. .

    “Aktualisht çmimi i derivateve është dikund rreth 1.50, deri në 1.51 centë. Mirëpo, trendi i rritjes është duke vazhduar ende, dhe pritet që rritja te shkoj deri në 8 apo 10 cent. Nga kjo del se deri sonte në mesnatë çmimi për një litër naftë arrin në 1.50 centë, ose në 1.60 centë”.

    Ai ka pranuar se këto çmime janë shumë të shtrenjta për qytetarët e Kosovës, por sipas tij, çmimet nuk varen nga ta por nga Berza ndërkombëtare.

    “ Këto çmime janë shumë të larta. Por, ta keni parasysh se kjo po ndodh në të gjithë botë. Ne nuk jemi duke i rritur çmimet, ato po rriten si shkak i luftës në Ukrainë.”

  • Gjermania ia njeh Kosovës patentë shoferët

    Bundesrati sapo votoi me shumicë votash pro nënshkrimit të marrëveshjes së njohjes së patentë shoferëve të Kosovës.

    Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka shkruar në Facebook, se në Bundesrat mori 69 votat që bënë të mundshëm këtë.

  • Fluks i madh i qytetarëve në Brezovicë, policia del me njoftim për gjendjen aktuale

    Policia e Kosovës në rajonin e Ferizajt ka njoftuar të gjithë qytetarët të cilët frekuentojnë qendrën e skijimit në Brezovicë, që aktualisht nuk ka vende për parking të automjeteve.

    “Për shkak të fluksit të madh të qytetarëve dhe automjeteve të shumta në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, i njoftojmë qytetarët se tani për tani nuk ka vende për parking, të gjitha vendet e rezervuara për parking të automjeteve janë të mbushura tek Qendra e Skijimit, andaj automjetet do të ndalohen tek laura në hyrje të Parkut Nacional deri në momentin kur lirohet vendi i parkimit”, thuhet në njoftim.


    Më tej bëhet e ditur se patrullat e policisë do të jenë tek udhëkryqi i rrugës që qon në qendrën e skijimit në Brezovicë dhe tek laura ku fillon Parku Nacional do të mbikëqyrin rrjedhën e komunikacionit dhe do të mbajnë në kontakt nga afër shoferët e automjeteve që në momentin kur lirohet vend parkingu tek Qendra e Skijimit do tu mundësohet lëvizja e tyre .

    “Kjo bëhet me qëllim që mos të shkaktohen pengesa dhe bllokim të kësaj rruge.

    Lusim shoferët e automjeteve që të respektojnë udhëzimet e policisë dhe mos të ndalojnë dhe parkojnë automjetet e tyre në më mënyrë të parregullt”, thuhet në njoftim.

  • ALARMANTE: Një viktimë dhe afer 3000 raste të reja me COVID -19 brenda 24 orëve

    20 Janar 2022: Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon:

    – Në 24 orët e fundit janë dhënë 4.731 doza të vaksinës kundër COVID-19.

    – Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.732.948 doza të vaksinës.

    – Deri më sot 799.114 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

    – Deri më sot janë dhënë 43.760 doza përforëcuese dhe 2.199 doza të treta të vaksines kundër COVID-19.

    – Nga 10.833 testime, 2.708 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.

    – Gjatë 24 orëve të fundit, është shënuar 1 rast i vdekjes.

    – Sot janë shëruar 202 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 159.573.

    – Në total numri i rasteve aktive është 9.771.

  • “Dorëzohen” serbët: Vështirë se në të ardhmen mund të ketë zgjedhje të Serbisë në Kosovë

    Pas çdo aksioni apo veprimi të Qeverisë së Kosovës që ka të bëjë me veriun apo serbët, Lista Serbe del me kërcënimin “vetëm edhe një herë lë të ndodhë”. Kështu ishte edhe pasi nuk u lejua mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, vlerëson Milica Andriq-Rakiq nga Iniciativa e Re Shoqërore.

    “Qysh tash po i themi Prishtinës, se më 3 prill do të mbahen zgjedhjet presidenciale të Serbisë kudo ka serbë në Kosovë. Nëse nuk lejohemi, do të vendosim reciprocitet”, kërcënoi ministri në Qeverinë e Kosovës dhe lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq.

    Këtë kërcënim të Rakiqit, Andriq-Rakiq e quan bosh dhe thotë se kështu tha edhe pas aksionit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në lidhje me targat dhe më pas për luftimin e korrupsionit e kontrabandës.

    “Lista serbe ka pasur kërcënime të ngjashme edhe në të kaluarën dhe nëse kërcënimi i fundit do të realizohej për daljen nga institucionet, sot ne nuk do t’i kishim institucionet e Kosovës në zonat serbe në Kosovë. Meqë kjo nuk ka ndodhur as në të gjitha situatat e mëparshme kur Lista Serbe kërcënonte me masa të caktuara, edhe tani sinqerisht mendoj se është e vështirë që kjo, vënia e reciprocitetit, të realizohet”, tha Andriq-Rakiq për portalin “Kossev”.

    Sipas saj, pas ndalesës për mbajtjen e referendumit të Serbisë në Kosovë, ka shumë mundësi që më të mos lejohet kurrfarë votimi i organizuar nga shteti serb në Kosovë, as zgjedhjet presidenciale që janë më 3 prill.

    “Ka shumë pak mundësi që zgjedhje e Serbisë të mbahen ndonjëherë në territorin e Kosovës. Deri në këtë referendum, Serbia i referohej praktikës ekzistuese dhe marrëveshjes që kishte me OSBE-në për mbledhjen e votave. Serbia në fakt ka vendosur një praktikë të re, një mënyrë tjetër të organizimit të serbëve. Nuk është aspak ideale që njerëzit të udhëtojnë dy orë e gjysmë për të ushtruar të drejtën e votës”, u shpreh Andriq-Rakiq.

  • Eurodeputetët miratojnë raportin: Këshilli i BE-së t’i liberalizojë vizat për Kosovën pa vonesa

    Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar mbrëmë raportin për adresimin e krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën që BE-ja të përshpejtojë procesin e integrimit. Në raport deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar liberalizim të vizave për Kosovën nga Këshilli i BE-së pasi sipas tyre izolimi shton aktivitetet kriminale.

    Ky raport është miratuar me 531 vota për, 48 kundër dhe 117 abstenime.

    Raporti, i miratuar të mërkurën në mbrëmje me 531 vota pro, 48 kundër dhe 117 abstenime, thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendet e origjinës, destinacionit dhe tranzitit për trafikimin e qenieve njerëzore dhe ato shërbejnë si një korridor tranziti për migrantët dhe refugjatët dhe si një vend për pastrim parash dhe trafik armësh. Megjithatë, eurodeputetët theksojnë se lufta kundër krimit të organizuar dhe integrimi në BE janë procese reciproke përforcuese, duke i kërkuar BE-së të përshpejtojë procesin e integrimit. Në këtë kontekst, pasi izolimi inkurajon aktivitetet kriminale, eurodeputetët gjithashtu i bëjnë thirrje Këshillit që të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në raport.

    Sipas raportit popujt e Ballkanit janë të ekspozuar ndaj korrupsionit dhe mungesës së punësimit.

    “Faktorët kryesorë që i bëjnë shoqëritë e Ballkanit Perëndimor të ekspozuara, thotë raporti, janë mungesa e mundësive të punësimit, korrupsioni, dezinformimi, elementët e kapjes së shtetit, pabarazia dhe ndërhyrja e huaj nga regjimet jodemokratike si Rusia dhe Kina”, thuhet në komunikatën për media të Komisionit për Punë të Jashtme të PE-së.

  • Tri dridhje toke në Kosovë në orët e hershme të së hënës

    Tri dridhje toke në Kosovë në orët e hershme të së hënës

    Në Kosovë raportohet se kanë ndodhur tri tërmete të vogla në orët e hershme të së hënës.

    Sipas “B92”, që është bazuar në Institutit Sizmologjik të Serbisë, në rajonin e Shtimes është regjistruar rreth orës 4:08 një tërmet i shkallës 2.7 ballë Rihter, ndërsa në të njëjtën pjesë në ora 3:20 ishte regjistruar një tërmet 2.1 ballë Rihter.

    Në Shtërpcë në ora 2:20 u raportua për një tërmet 2.4 ballë Rihter.

    Po të dielën rreth orës 18:58 është regjistruar një tërmet 2.4 ballë Rihter në Suharekë.