Tag: Liberalizimi i vizave

  • Hyn në fuqi rregullorja për liberalizimin e vizave

    Hyn në fuqi rregullorja për liberalizimin e vizave

    Ka hyrë sot në fuqi Rregullorja e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.

    Zbatimi i rregullores së BE-së, e cila parasheh heqjen e vizave për kosovarët, ka filluar sot në të gjithë Zonën Schengen.

    Sipas Demush Shashës, drejtor i Institutit EPIK, autoritetet kufitare të Bashkimit Evropian do të fillojnë nga sot përgatitjet e nevojshme për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë në Zonën Schengen nga 1 janari i vitit 2024.

    “Nga sot fillon zbatimi i Rregullores së BE-së 2023/850. Me fjalë të tjera nga sot liberalizimi i vizave për Kosovën është ligj i aplikueshëm në të gjithë zonën Shengen”, ka thënë Shasha.

    “Ndonëse praktikisht qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm drejt zonës Shengen nga 1 janari, nga sot autoritetet kufitare të BE-së fillojnë përgatitjet e nevojshme për të siguruar se nga 1 janari legjislacioni respektiv do të zbatohet në të gjitha pikë kalimet kufitare të zonës Shengen”.

  • Bëhet e ditur ora se kur do të diskutohet për liberalizimin e vizave për Kosovën

    Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë sot në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian. Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë.

    Në Këshill do të nisë diskutimi për të parë se a ka mbështetje nga shtetet anëtare dhe se a mund të lëvizet përpara.

    Telegrafi ka mësuar se diskutimi për liberalizimin e vizave në këtë takim do të nis rreth orës 14:00-14:30, dhe se i njëjti do të jetë i mbyllur.

    Lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave ka folur të mërkurën edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

    Kurti është shprehur optimist për çështjen e liberalizimit të vizave dhe ka thënë se qeveria e tij e ka përmirësuar imazhin e Kosovës.

    Ky është raporti i parë që përfshin periudhën e plotë 1-vjeçare te qeverisjes sonë. Vendi ynë ka shënuar progres në shume fusha gjatë vitit që shkoi pavarësisht krizave. Raporti e përgëzoi Kosovën për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë politike”, tha Kurti.

  • Liberalizimi i vizave – Janë edhe 8 procedura që duhet ndjekur pas takimit të sotëm

    Grupi punues i Këshillit Evropian është duke mbajtur takimin, ku në rend dite do të jetë edhe çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën.

    Në Këshill do të nisë diskutimi për të parë se a ka mbështetje nga shtetet anëtare dhe se a mund të lëvizet përpara.

    Diskutimi për liberalizimin e vizave në këtë takim do të nis rreth orës 14:00-14:30, dhe se i njëjti do të jetë i mbyllur.

    Komisioni Evropian ditë më parë u ka dërguar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian një dokument ku rithekson se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

    Por cilat janë hapat që duhet ndjekur në rast se sot ka ljam pozitiv për liberalizmin e vizave.

    Eksperti i kësaj fushe Taulant Kryeziu ka shpjeguar  procedurat që duhet ndjekur institucionet e Bashkimit Evropian deri te vendimi final që shtetasit e Kosovës të mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen.

    Shpjegimi i procedurave nga Kryeziu:

    1. Këshilli: Miratimi i pozicionit negociues në Këshill

    2. KE/PE/KBE/: Pajtim në mes të Këshillit dhe PE, Trialogue (Trialogjet janë takime joformale trepalëshe për propozimet legjislative midis përfaqësuesve të Parlamentit, Këshillit dhe Komisionit. Qëllimi i tyre është të arrijnë një marrëveshje të përkohshme për një tekst të pranueshëm për të dy ,Këshillin dhe Parlamentin)

    3. Parlamenti Evropian: Votimi në Seancë Plenare të Parlamentit Evropian( në lexim te parë me shumicë te thjesht,ne lexim të dytë me shumicë absolute)

    4. Këshilli: Miratimi nga Ambasadorët COREPER II

    5. Këshilli : Miratimi nga Këshilli i Ministrave me shumicë te kualifikuar apo ajo që quhet shumicë e dyfishtë 55% te vendeve anëtare, që përfaqëson të paktën 65% te popullsisë se BE-së

    6. Ceremonia e nënshkrimit

    7. Publikimi në Gazetën Zyrtare të BE-së

    8. Hyrja në fuqi

  • Takimi i 13 tetorit/ Procedurat për liberalizimin e vizave përfundojnë në fund të vitit

    Njohësi i politikës së jashtme, Shqiprim Pula shprehet optimist për liberalizimin e vizave të Kosovës.

    Në një prononcim për GazetaBlic, Pula thotë se rol të veçantë në këtë çështje kanë ambasadorët e përhershëm të Unionit Evropian, të cilët do të bëjnë vlerësimin e të gjithë raportit në terësi.

    “Grupi punues i cili ka marrë në shqyrtim rekomandimin e Komisionit Evropian sot dhe nesër, natyrisht që do të bëjë vlerësimin dhe rekomandimin tek Këshilli.Rol të veçantë, kanë edhe ambasadorët e përhershëm të unionit të cilët do të bëjnë vlerësimin e të gjithë raportit në terësi dhe natyrisht ai do të kërkojë edhe qëndrimin politik të vendeve anëtare për sa i takon kësaj teme”, thotë Pula.

    Sipas Pulës, nëse gjatë takimit të 13 dhe 14 tetori çdo gjë shkon siç duhet atëherë të gjitha procedurat për liberalizimin e vizave do të zgjasin jo më shumë se deri në fund të vitit

    “Nëse çdo gjë përcillet, ashtu siç edhe ne e presim dhe të marrë konfirmimin për sa i takon vendimmarrjes pozitive, atëherë deri në fund vit duhet të shtjerren të gjitha procedurat e kërkuara, ku përfshihet publikimi në gazetën zyrtare dhe të vendoset data e hyrjes në fuqi dhe pastaj përfundimisht qytetarët e Kosovës të lëvizin drejt zonave Schengen”, tha Pula.

    Kujtojmë se, ish-zëvendësministri i Integrimeve, Taulant Kryeziu, ka treguar sot për tetë hapat deri në liberalizimin e vizave.

    Grupi Punues i Këshillit Evropian do të flas për këtë çështje më 12 dhe 13 tetor.

    Por liberalizmi i vizave deri në publikimin në gazetën zyrtare kalon në një mori fazash. Kryeziu i ka treguar ato.

    1. Këshilli: Miratimi i pozicionit negociues në Këshill

    null

    2. KE/PE/KBE/: Pajtim në mes të Këshillit dhe PE, Trialogue (Trialogjet janë takime joformale trepalëshe për propozimet legjislative midis përfaqësuesve të Parlamentit, Këshillit dhe Komisionit. Qëllimi i tyre është të arrijnë një marrëveshje të përkohshme për një tekst të pranueshëm për të dy ,Këshillin dhe Parlamentin)

    3. Parlamenti Evropian: Votimi në Seancë Plenare të Parlamentit Evropian( në lexim te parë me shumicë te thjesht,ne lexim të dytë me shumicë absolute)

    4. Këshilli: Miratimi nga Ambasadorët COREPER II

    5. Këshilli : Miratimi nga Këshilli i Ministrave me shumicë te kualifikuar apo ajo që quhet shumicë e dyfishtë 55% te vendeve anëtare, që përfaqëson të paktën 65% te popullsisë se BE-së

    6. Ceremonia e nënshkrimit7. Publikimi në Gazetën Zyrtare të BE-së

    8. Hyrja në fuqi.

  • Macron merr letër nga 81 organizata të shoqërisë: Jepni fund izolimit të qytetarëve të Kosovës

    81 organizata të shoqërisë civile në Kosovë, i janë drejtuar sot përmes një letre presidentit të Francës, Emmanuel Macron lidhur me procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

    Përmes një komunikate për media është bërë e ditur se procesi i liberalizimit është ndalur në Këshillin e Bashkimit Evropian si institucioni më i lartë i BE-së dhe i fundit i cili duhet ta aprovojë propozimin e Komisionit Evropian për liberalizim të vizave për Kosovën.

    “Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon dhe ndër të vetmit në Evropë qytetarët e të cilës nuk mund të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen”, thuhet në njoftimin për media nga organizatat e shoqërisë civile.

    Përmes letrës dërguar presidentit Macron, shoqëria civile ka kërkuar nga lidershipi i tij dhe të Francës që në prag të Konferencës për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në qershor në Paris, të fusin në agjendë dhe të aprovojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

    Ndër të tjera në këtë letër organizatat e shoqërisë civile rikujtojnë që dialogu për liberalizimin e vizave për Kosovën ka hyrë në vitin e 10-të të tij dhe ka zgjatur më shumë sesa procesi i liberalizimit të vizave i të gjitha vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.

    “Duke e vlerësuar lëvizjen e lirë si të drejtë themelore të njeriut nga mungesa e të cilës më së shumti vuajnë qytetarët e zakonshëm, përmes kësaj letre, organizatat e shoqërisë civile të Kosovës, i bëjnë thirrje Presidentit Macron që gjatë Presidencës Franceze të BE-së ta çojë zgjerimin evropian në një epokë të re, duke i dhënë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës dhe duke hapur bisedimet e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si një moment ringjallje për perspektivën e rajonit drejt BE-së”, thuhet në letrën e tyre.

    Letrën e plotë të organizatave të shoqërisë civile drejtuar presidentit Macron mund ta lexoni më poshtë:

    I nderuar President Macron,

    Dëshirojmë t’ju përgëzojmë për rizgjedhjen! Fitorja juaj vjen në një moment të rëndësishëm për Francën, Evropën dhe botën. Megjithëse në muajt dhe vitet e ardhshme ju do të jeni me të drejtë të preokupuar me shqetësimet dhe mirëqenien e popullit francez, sytë e botës janë kthyer sërish drejt Francës për ta udhëhequr botën në këto kohë të vështira.

    Dialogu për liberalizimin e vizave për Kosovën ka hyrë në vitin e 10-të të tij. Si i tillë, ky proces ka zgjatur më shumë sesa procesi i liberalizimit të vizave i TË GJITHA vendeve të Ballkanit Perëndimor së bashku, shumëzuar me dy. Ose për ta thënë ndryshe, i gjithë procesi i aderimit për Kroacinë, që nga statusi i kandidatit e deri tek anëtarësimi i plotë, zgjati më pak sesa procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën.

    Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, që nga fillimi, u krijua për të qenë i vështirë. Fillimisht, lutja e Kosovës për nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave u refuzua ashpër. Ne, qytetarët e Kosovës, i vështronim me dëshpërim qytetarët e vendeve tjera të rajonit duke e gëzuar të drejtën e tyre për të lëvizur lirshëm nëpër BE. Dhe kur më në fund erdhi momenti në vitin 2012 për të filluar procesin e liberalizimit të vizave, Kosovës iu dorëzua një udhërrëfyes i cili përmbante dy herë më shumë kritere sesa për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Përkundër kësaj, Kosova përgjatë gjashtë viteve të ardhshme i përmbushi të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Kjo gjë u konfirmua zyrtarisht në korrik të vitit 2018, dhe më pas u rikonfirmua përsëri disa herë nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Thirrjet e vazhdueshme drejtuar Këshillit të BE-së për t’i dhënë fund izolimit të Kosovës kanë qenë pa rezultat.

    Tregimi për venitjen e premtimit për liberalizim të vizave nga BE-ja është përcjellë me lulëzimin demokratik të Kosovës. Vitin e kaluar Kosova rikonfirmoi pjekurinë e saj demokratike me zgjedhje shembullore dhe tranzicion të lehtë të pushtetit. Që atëherë, Kosova ka bërë përparim të qëndrueshëm në të gjitha frontet. Përpjekjet e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë vënë në dukje nga Transparency International. Në raportin e saj të fundit, Kosova ka bërë përmirësimin më të madh vjetor në histori. Ngjashëm, Kosova ka bërë përmirësimin më të madh vjetor në histori dhe është renditur më lartë se asnjëherë sa i përket cilësisë së demokracisë së saj, sipas raportit të fundit të Freedom House. Në këtë aspekt, nuk ishte befasi kur disa ditë më parë Reporerët pa kufinj publikuan renditjen më të lartë të Kosovës në dhjetë vitet e fundit. Me pak fjalë, vendi ynë sot është më i lirë e më demokratik se kurrë më parë. Dhe kjo është pjesërisht arsyeja pse Kosova shënoi vitin e kaluar numrin e dytë më të ulët të azilkërkuesve në BE nga të gjitha vendet e rajonit, sipas Eurostat.

    Kosova është vend i vogël, por përkundër vogëlsisë gjeografike, u rreshtua përkrah dhe mbështeti përpjekjet e Aleatëve për paqe globale. Vitin e kaluar Kosova strehoi më shumë se 1300 të evakuuar afganë duke treguar kësisoj jo vetëm solidaritet me refugjatët, por edhe përkushtimin tonë të vërtetë dhe afatgjatë ndaj NATO-s. Kosova është në harmoni të plotë me politikën e jashtme të BE-së në aspektin e sanksioneve kundër Rusisë dhe ka treguar gatishmërinë e saj për të akomoduar 5000 refugjatë ukrainas, ndërkohë që veç ka filluar të akomodojë gazetarë ukrainas. Shoqëria civile e Kosovës vazhdon të promovojë vlerat e BE-së në baza ditore dhe e konsideron perspektivën e BE-së si rrugën e vetme për ndërtimin e një shoqërie demokratike. E njëjta gjë vlen edhe për qytetarët e Kosovës, pasi BE-ja ende gëzon mbështetje pothuajse absolute në mesin e popullsisë së Kosovës, me afër 94% mbështetje. Ky është tregues i qartë i përkushtimit për integrimin, standardet dhe vlerat e BE-së nga të gjitha segmentet e shoqërisë kosovare.

    Përderisa institucionet e Kosovës vazhdojnë të përballen me sfida të rëndësishme sociale, ekonomike dhe politike, ne shoqëria civile vazhdojmë ta mbajmë qeverinë tonë përgjegjëse. Ne presim që institucionet shtetërore të shumëfishojnë përpjekjet e tyre në rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Megjithatë, për të na fuqizuar në aspektin e shfrytëzimit të perspektivës së BE-së si kornizë e besueshme që do të nxiste avancimin e reformave në vazhdim, ne kemi nevojë për një Bashkim Evropian të besueshëm që respekton premtimet e veta.

    Lëvizja e lirë e njerëzve paraqet të drejtë themelore të njeriut dhe promovon zhvillimin socio-ekonomik. Këtë izolim në mënyrë joproporcionale e vuajnë qytetarët e thjeshtë, të rinjtë e të rejat dhe studentët, aktivistët e shoqërisë civile, komuniteti i biznesit, si dhe ata që kanë nevojë për trajtim mjekësor në vendet e BE-së. Vazhdimi i izolimit vetëm se do të nxisë qytetarët e zakonshëm që të gjejnë rrugë alternative për të udhëtuar për arsye legjitime, e ato rrugë janë shpesh të paligjshme, të kushtueshme dhe të rrezikshme.

    Meqë Komisionit Evropian i është kërkuar të përgatisë opinione formale për gatishmërinë e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë për të filluar procesin e anëtarësimit në BE, Këshilli i BE-së pritet të diskutojë aplikimin e tyre në takimin e muajit qershor. Ne, sinqerisht i mirëpresim këto përpjekje! Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje BE-së të njohë rëndësinë e Ballkanit Perëndimor si pjesë kyçe e arkitekturës evropiane të sigurisë, duke pasur parasysh përpjekjet e Rusisë për të minuar konsolidimin e vazhdueshëm të progresit demokratik dhe integrimin euroatlantik të rajonit. Dhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe hapja e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të jetë pikënisja e këtij diskutimi.

    Në këtë këndvështrim, ne i bëjmë thirrje Presidencës Franceze të Këshillit të BE-së të përforcojë ndikimin afatgjatë të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor. Sharl de Gol ka thënë: “Franca nuk mund të jetë Francë pa madhështi”. Nuk ka pasur ndonjëherë kohë më të përshtatshme për ta treguar këtë madhështi. Prandaj, i bëjmë thirrje Francës që ta çojë zgjerimin evropian në një epokë të re, duke i dhënë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës dhe duke hapur bisedimet e anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne presim me padurim Konferencën e Parisit për Ballkanin Perëndimor i cili mbahet në qershor dhe shpresojmë se i njëjti mund të jetë moment ringjallje për perspektivën e rajonit drejt BE-së. /Telegrafi/

  • Liberalizmi i vizave për Kosovën, 10 vjet nga hapja e shampanjës – izolimi vazhdon

    Një dekadë është bërë nga fillimi i negociatave për liberalizimin e vizave ndërmjet Kosovës e Komisionit Evropian, e kosovarët vazhdojnë të mbesin jashtë zonës shengen. Përderisa pushteti aktual fajësojnë ish-kryeministrat e kaluar për dështimin, opozita e konsiderojnë si të politizuar procesin, e njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare si padrejtësi për Kosovën.

    Kur Komisioni Evropian kishte propozuar Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian që Kosovës t’i hiqeshin vizat në Kosovë ishin hapur shampanjat.

    Një dekadë më vonë Kosovarët ende nuk mund të lëvizin lirshëm në Evropë.

    Tërë këtë proces ish-zëvendësministri i Jashtëm Ibrahim Gashi e sheh të tej zgjatur dhe të padrejtë.

    “Kur flasim për 4-5 vitet e fundit është proces i tej zgjatur që në disa raste i kemi kontribuar edhe vet me disa vendime politike. Por dihet se vende të caktuara të BE-së e kanë frenuar këtë proces”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ibrahim Gashi.

    Në anën tjetër Agon Batusha nga Lëvizja Vetëvendosje fajin për mosliberalizimin e vizave ua lë qeverive të kaluara.

    “Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën para 10 viteve kishte filluar me hapa të shpejtë, por që u devalvu nga deklaratat e ish-kryeministrave apo ish-ministrave që kanë dhënë deklarata të paqena për qytetarët e Kosovës”, deklaroi Agon Batusha.

    Deputeti i AAK-së Pal Lekaj thotë se çështja e liberalizimit të vizave është kthyer në çështje politike.

    “Mendoj se procesi më shumë lidhet me çështjet politike përfshirë dialogun. Vizat i kanë si adut për dialogun dhe ta kushtëzojnë Kosovën”, deklaroi Lekaj.

    Kosova është vendi i vetëm në Evropa që nuk ka liberalizim të vizave. Shqipërisë e Bosnjës i janë dashur nga tre vjet për liberalizim të vizave, derisa Malit të Zi e Maqedonisë e Serbisë nga dy vjet.

    Franca e cila kryeson presidencën e BE-së për gjashtë muajt e parë të këtij viti, nuk ka dhënë shumë shpresë se mund të ketë lëvizje në atë drejtim që Kosovës t’i jepen vizat.

  • Eurodeputetët miratojnë raportin: Këshilli i BE-së t’i liberalizojë vizat për Kosovën pa vonesa

    Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar mbrëmë raportin për adresimin e krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor dhe nevojën që BE-ja të përshpejtojë procesin e integrimit. Në raport deputetët e Parlamentit Evropian kanë kërkuar liberalizim të vizave për Kosovën nga Këshilli i BE-së pasi sipas tyre izolimi shton aktivitetet kriminale.

    Ky raport është miratuar me 531 vota për, 48 kundër dhe 117 abstenime.

    Raporti, i miratuar të mërkurën në mbrëmje me 531 vota pro, 48 kundër dhe 117 abstenime, thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendet e origjinës, destinacionit dhe tranzitit për trafikimin e qenieve njerëzore dhe ato shërbejnë si një korridor tranziti për migrantët dhe refugjatët dhe si një vend për pastrim parash dhe trafik armësh. Megjithatë, eurodeputetët theksojnë se lufta kundër krimit të organizuar dhe integrimi në BE janë procese reciproke përforcuese, duke i kërkuar BE-së të përshpejtojë procesin e integrimit. Në këtë kontekst, pasi izolimi inkurajon aktivitetet kriminale, eurodeputetët gjithashtu i bëjnë thirrje Këshillit që të miratojë liberalizimin e vizave për Kosovën pa vonesa të mëtejshme”, thuhet në raport.

    Sipas raportit popujt e Ballkanit janë të ekspozuar ndaj korrupsionit dhe mungesës së punësimit.

    “Faktorët kryesorë që i bëjnë shoqëritë e Ballkanit Perëndimor të ekspozuara, thotë raporti, janë mungesa e mundësive të punësimit, korrupsioni, dezinformimi, elementët e kapjes së shtetit, pabarazia dhe ndërhyrja e huaj nga regjimet jodemokratike si Rusia dhe Kina”, thuhet në komunikatën për media të Komisionit për Punë të Jashtme të PE-së.

  • Parlamenti Evropian me shumicë dërrmuese mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën

    Parlamenti Evropian me shumicë dërrmuese mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën

    Parlamenti Evropian me shumicë dërrmuese kanë mbështetu liberalizimit të vizave për Kosovën.

    Raportuesja për Kosovën në këtë institucion, Viola Von Cramon ka bërë të ditur se liberalizimin e vizave për Kosovën e kanë mbështetur 472 eurodeputetë.

    “Në votimin plenar për raportin për Kosovën në Parlamentin Evropian, shumica dërrmuese mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe kërkon nga Këshilli i BE-së që të veprojë. 472 pro, 165 kundër dhe 41 abstenime”, ka shkruar Von Cramon.

    Eurodeputetja Von Cramon, sot në debatin për raportin e progresit për Kosovën në Parlamentin Evropian ka kërkuar edhe njëherë që Këshilli i BE-së të veprojë dhe të liberalizojë vizat që ka premtuar për Kosovën.