Tag: NATO

  • Kroacia në krah të Kosovës/Presidenti kroat propozoi në samitin e NATO-s që Kosova të pranohet

    Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, në samitin e të enjtes të NATO-s të mbajtur në Bruksel, ka propozuar që Kosova të integrohet në këtë aleancë, e të bëhet më në fund shtet i plotë.

    Milanoviq këtë e ka thënë në deklaratat e tij pas samitit, raporton “Index.hr”.

    “Katër shtete të NATO-s ende nuk e njohin Kosovën. Unë propozova që Kosova të integrohet dhe më në fund të bëhet një shtet i plotë”, tha Milanoviq.

    Milanoviq ka thënë se në samit është përmendur rajoni dhe rreziqet e mundshme nga destabilizimi si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë. Por, ai ka shtuar se nuk është përmendur në këtë mes edhe Serbia e Kosova.

    “Regjioni është përmendur, Bosnja-Hercegovina si shtet që pretendohet se është i rrezikuar, Moldavia, Gjeorgjia, por Serbia e Kosova nuk u përmendën”, tha Milanoviq.

    I pyetur nga gazetarët nëse është thënë ndonjë gjë më e detajuar për Bosnjë-Hercegovinën, Milanoviq, duke marrë parasysh presionin rus ndaj këtij shteti, ka thënë: “Çfarë Serbia, nuk është nën presion rus? Nëse e do atë presion, atëherë le të jetë mbi ta. E Bosnjë-Hercegovina duhet që të rregullojë veten nga brenda pasi nuk ka zë unanim në këtë çështje”, tha Milanoviq.


    Milanoviq tha se Serbia nuk po e kupton se është fusnotë e Rusisë.

    “Serbia nuk është një shtet i krahut lindor, në fakt është në Evropën Qendrore. Ka zgjedhjet brenda pak ditëve dhe kam përshtypjen se ka qenë në krizë identiteti për një kohë të gjatë. Serbia nuk po e kupton se është fusnotë e Rusisë”, tha ai.

  • Aleksander Vuçiq i frikësohet anëtarësimit të Kosovës në NATO

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do të ketë presion të madh ndaj Serbisë për Kosovën, duke theksuar se po përballen me presione për ta njohur Kosovë.

    Ai tha se ekziston rreziku që Kosova të pranohet në NATO.

    “Kemi gjithnjë e më shumë të dërguar nga Escobar e deri tek Stuart. Të gjithë po dërgojnë të dërguar, por nuk duan që Rusia të ndërhyjë në negociatat me Kosovën. Megjithatë, mos harroni se unë refuzova njohjen e ndërsjellë në mes të Uashingtonit, edhe pse amerikanët ishin mikpritës të ndershëm. Ishte gjëja më e vështirë atje, të refuzosh njohjen në mes të SHBA. Ne kemi pasur presion edhe në Bruksel për të lejuar hyrjen e Kosovës në OKB. Vetëm të dimë se me çfarë presionesh po përballemi për ta njohur Kosovën”, tha Vuçiq për Tanjug TV, shkruan novosti.rs

    Nëse Kosova bëhet anëtare e NATO-s, siç tha ai, do të bëhej presion shtesë mbi vendet e Evropës, që ta njohin atë si shtet të pavarur.

    “Kjo do ta vendoste vendin tonë në një pozitë shumë të keqe,” shtoi Vuçiq.

    “Të gjithë po përpiqen ta detyrojnë Serbinë të njohë Kosovën. Pres që dikush të mendojë ta përfshijë Kosovën në NATO dhe kështu të detyrojë këto katër shtete të BE-së që ta njohin pavarësinë dhe në këtë mënyrë të na detyrojnë ta pranojmë atë “, tha, Vuçiq duke theksuar se Serbia nuk do ta pranojë kurrë, edhe nëse ndodh.

  • “Tensionet Rusi-Ukrainë mund t’ia sjellin Kosovës njohjet nga katër anëtaret e NATO-s”

    Drejtori i institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka thënë se pushtimi i mundshëm i Ukrainës nga Rusia mund t’i sjellë Kosovës njohjet nga katër anëtarët e NATO-s.

    Sipas tij, kjo mund të ndodhë për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në krahun jugor të Aleancës.

    Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia janë katër anëtarët e NATO-së që ende s’e njohin Kosovën.

    “Në këto rrethana, njohja e Kosovës nga katër vendet mosnjohëse të NATO-s, mund të bëhet një imperativ për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në krahun jugor të Aleancës”, ka shkruar Peci në Facebook.

    Peci thotë se pushtimi i mundshëm i Ukrainës nga Rusia mund të sjellë pasoja edhe në rajonin e Ballkanit, pasi do të jetë momenti kyç që vendet e rajonit, veçanërisht për Serbinë, të tregojnë besueshmërinë e tyre karshi Perëndimit.

    Qëllimi i Rusisë, sipas drejtorit të KIPRED, nuk është vetëm ta pushtojë Ukrainën, por edhe ta ndërrojë me forcë rendin e tanishëm evropian e botëror, si dhe ta testojë kohezionin e Perëndimit e sidomos të NATO-s.

    “Ditë të errëta janë pranë kontinentit tonë, që mund të kenë për pasoje mijëra viktima në Ukrainë, por edhe më gjerë, nëse konflikti eskalon përtej kufijve të këtij vendi.

    Kjo mund të ketë pasoja edhe në Ballkan, duke përfshirë këtu edhe momentin e së vërtetës për Serbinë, e cila nuk do ta ketë komoditetin që të jetë deklarativisht njëkohësisht edhe me Perëndimin dhe Rusinë.

    Sot, për të gjitha vendet e rajonit do të jetë çështje kyçe besueshmëria e tyre si aleate të Perëndimit dhe rreshtimet e tyre, jo vetëm në raport me konfliktin në Ukrainë, por edhe në raport me sigurinë dhe stabilitetin në rajon, në këto kohë të turbullta me zhvillime të cilave nuk ju dihet fundi”, ka shkruar Peci në profilin e tij në Facebook.

  • Kandidatja për Presidente të Republikës së Kosovës kujton bombardimet e Nato-s: Sot e përherë, mirënjohës të gjithëve që u rreshtuan në anën e drejtë të historisë

    Kandidatja për Presidente të Republikës së Kosovës kujton bombardimet e Nato-s: Sot e përherë, mirënjohës të gjithëve që u rreshtuan në anën e drejtë të historisë

    Kryetarja e Listës “Guxo”, Vjosa Osmani ka kujtuar 24 marsin e vitit 1999, ditën kur forcat e Nato-s vazhduan bombardimet ndaj Serbisë.

    Osmani theksoi se sot e përherë i jemi pafundësisht mirnjohës të gjithë grave e burrave të forcave paqeruajtëse të NATO-s.

    “Sot e përherë, i jemi mirënjohës pafundësisht të gjithë grave e burrave të forcave paqeruajtëse të NATO-s. Sot e përherë, i jemi mirënjohës të gjithëve që u rreshtuan në anën e drejtë të historisë. Pa kontributin tuaj, liria për ne do të ishte e pamundur” shkruan Osmani në Facebook.

    Postimi i plotë:

    Sot është Dita e Shpresës!

    24 marsi 1999 shënoi kthesë të madhe për fatin tonë – kjo ditë shënoi rikthimin e shpresës për të gjithë ne. Në këtë ditë, 22 vite më parë, në ora 20:00 bombat e NATO-s u drejtuan mbi caqet e ushtrisë dhe policisë serbe duke shënuar kështu shpresën për liri.

    Kur pushteti serb po synonte shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë, SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, vendet anëtare të BE-së dhe Aleanca e NATO-s vendosën të parandalojnë një gjë të tillë duke i dhënë fund regjimit gjenocidal të Serbisë.

    Sot e përherë, i jemi mirënjohës pafundësisht të gjithë grave e burrave të forcave paqeruajtëse të NATO-s. Sot e përherë, i jemi mirënjohës të gjithëve që u rreshtuan në anën e drejtë të historisë. Pa kontributin tuaj, liria për ne do të ishte e pamundur.
    Ne rilindëm, për ta ndërtuar një shoqëri të bazuar mbi premisën e lirisë dhe një shtet të bazuar në premisën e barazisë qytetare!

    Kemi bërë një rrugëtim të gjatë që nga ajo ditë. Përgjatë këtij rrugëtimi, mbrojtësit e lirisë sonë u shndërruan në mbështetësit më të fortë të procesit të shtetndërtimit të Republikës së re. Vendi ynë , Kosova jonë e dashur, po fuqizohet me mbështetjen e miqve tanë. Ka shumë punë për t`u bërë, por ne jemi të vendosur të punojmë fort e ta mbrojmë lirinë tonë me çdo kusht.

    Kjo datë është rikujtim historik për vuajtjet, vrasjet, të pagjeturit, dhunimet e dëmet që shkaktoi regjimi serb. Është rikujtim për breza të tërë që dhanë jetën për lirinë që e gëzojmë sot e për luftën e drejtë çlirimtare të popullit tonë. Në këtë datë, vlera e lirisë dhe e demokracisë kanë marrë një dimenzion të ri për ne por edhe për gjithë botën demokratike, e këto vlera mbeten përkushtim i yni i përhershëm.

    Të rikujtojmë për të mos harruar me shikimin e qartë kah e ardhmja! E ardhmja është me Republikën e Kosovës anëtare të aleancës sonë shpëtimtare- anëtare të NATO-s.

  • NATO: Të bashkohemi në festën e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë

    NATO: Të bashkohemi në festën e Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë

    Aleanca Veriatlantike, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, ka uruar shtetin shqiptar në 108 vjetorin e Pavarësisë.

    Në një urim të postuar në faqen zyrtare të NATO-s, fton aleatët të bashkohen në festimin e Ditës së Pavarësisë.

    “Bashkohuni me ne në festimin e Ditës së Pavarësisë së aleatit tonë, Shqipërisë”, shkruan në urim.

    Republika e Shqipërisë nga viti 2009 është pjesë e aleancës më të madhe ushtarake në botë, NATO-s. 

    https://www.facebook.com/146599018696771/posts/4341891025834195/