Tag: Pako Ekononike

  • Qesharake: Mbi 100 mijë qytetarë nga Trusti mund t`i tërheqin vetëm 10 euro

    Qesharake: Mbi 100 mijë qytetarë nga Trusti mund t`i tërheqin vetëm 10 euro

    Vetëm 10 euro nga Trusti do të mund t’i tërheqin 104 mijë qytetarë. Këtë e ka bërë të ditur, zëdhënësi i këtij institucioni, Jeton Demi.

    “Për shkak të historikut që ende është i shkurtër prej që është themeluar në vitin 2001, kemi ende një bilanc mesatar të llogarive që është i ulët, e që është pesë mijë euro bilanci mesatar në institucion. I kemi nxjerrë disa llogari duke filluar nga 100 euro, ku bëjnë pjesë rreth 104 mijë kontribuues ose 13 për qind e totalit”.

    “Nga 100 deri në 1 000 euro me bilanc janë rreth 213 mijë kontribuues ose 33 për qind e gjithë kontribuuesve. 49 për qind i krejt kontribuuesve që kanë më pak se 1 000 euro, që i bie se do të marrin 100 euro nga kjo tërheqje”, tha Demi për EO.

    “Për shkak të pandemisë por edhe fluksit të madh që pritet të ketë për të aplikuar sipas rasteve që i kemi pasur më herët kur ka pasur deklarime që procesi do të jetë i shpejtë kemi pasur fluks të madh të kontribuuesve që na kanë vizituar, por duke pasur parasysh situatën që e kemi, mundësia pritet që tu jepet kontribuuesve që tu jepet që të aplikojnë përmes internetit. Nuk do të kenë nevojë që fizikisht të vijnë për të aplikuar në zyrat e Trustit”, tha Demi.

  • Qytetarët nuk shpresojnë shumë në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

    Qytetarët nuk shpresojnë shumë në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

    Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike, përveç disa ndihmesave që parasheh për bizneset, përfshinë edhe mundësinë për tërheqje të 10 për qind të trustit pensional.

    Ky ligj është miratuar më në fund nga Kuvendi i Kosovës, gjatë seancës së djeshme, ku mori përkrahjen e 72 deputetëve. Jo të gjithë qytetarët po i gëzohen kësaj, meqë sipas tyre është e vonuar, dhe nuk do t’u ndihmojë sa duhet atyre.

    Xhavit Mustafa, i cili është pensionist thotë për KosovaPress se kjo pako nuk do të ndihmojë aspak qytetarët, meqë dyshon se do të keqpërdoren këto mjete.

    “Pako e rimëkëmbjes ekonomike nuk i ndihmon aspak qytetarët, e kanë menduar për disa biznese por bizneset në të shumtën e rasteve e keqpërdorin atë ndihmë. Dhe nuk do të shkojë për aty ku është dedikuar. Punëtori nuk do të ketë kurrfarë përfitimi nga ky rast. Shumë shtresa sociale fare nuk janë të ndihmuara në këtë periudhë”, thotë ai.

    Ai thotë se dy qeveritë që kanë udhëhequr gjatë kohës së pandemisë, nuk kanë bërë sa duhet për pensionistët. Këta të fundit i ka ftuar që të bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme.

    “Për pensionistët as qeveria e kaluar, as kjo qeveri nuk e ka folur asnjë fjalë, por faji është te pensionistët të cilët dalin dhe i votojnë në zgjedhje. Kisha sugjeruar që gjithë pensionistët në zgjedhjet e ardhshme që do të jenë sigurisht në pranverë, t’i bojkotojnë zgjedhjet plotësisht”, shton Mustafa.
    E për Mehdi Shalën kjo pako është e vonuar, meqë pasojat e pandemisë janë të mëdha.

    “Është e mirë, por është e vonuar, por pasoja ka, tash vonë kurrë nuk është. Por, shoqëria është ashtu që nuk e kupton, derisa u vetëdijesuan. Një herë për një herë nuk i kemi punët mirë. Këto mjete janë të dedikuara, por tash ndihmon, nuk mundet me dhënë konkludime që nuk është e qëlluara. Kur nuk ki hapësirë, manovrime të tjetra, duhet edhe këtë”, shprehet ai.

    Dukagjin Nimani, i cili ka ardhur për pushime nga Amerika, shprehet se kjo ndihmë nga Kosova nuk krahasohet me shtetet tjera, meqë të njëjtat kanë buxhet.

    “Çdo pako ekonomike është e mirë, mendoj që në njëfarë mënyre do të ndihmojë. Mendoj që Kosova nuk ka mjaft mjete të financojë gjithë personat që kanë nevojë për ndihmë. Aty besoj që është esenca. Shtetet e zhvilluara kanë mjete, munden me i nda, Kosova pak më rëndë i ka”, tha Nimani.

    Ky ligj, kishte gjithsej 18 amendamente, katër nga Partia Demokratike e Kosovës.
    Këto të fundit, parashikojnë që personave që tërheqin 10% nga Trusti Pensional, e të cilët kanë më pak se 10 mijë euro në këtë fond, shteti do t’ua rimbursojë shumën e tërhequr.