Policia e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit ka arrestuar katër persona, tre në Prishtinë dhe një në Ferizaj, për armëmbajtje pa leje.
Sipas njoftimit të Policisë, të martën, që të katër personat janë liruar pas intervisitmit me vendim të prokurorit.
Në tri rastet në Prishtinë, të arrestuarve pos armëve u janë gjetur edhe fishkë, ndërkohë që në Ferizaj, personi i arrestuar u zbulua se mban armë pa leje, pasi shtiu me të në një aheng familjar.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka njoftuar se është kërkuar që të caktohet masa e paraburgimit ndaj F.B. i cili ka rrahur një grua në një market në Prishtinë.
Në njoftimin e Prokurorisë bëhet e ditur se vepra penale e cila rëndon mbi të dyshuarin është “Sulmi”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm, me aktvendim të prokurorit të shtetit ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personin me inicialet F.B., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, bëhet e ditur se prokurori i Shtetit të hënën ka paraqitur kërkesën që ndaj të dyshuarit të caktohet masa e paraburgimit.
“Rasti ka ndodhur më 24.10.2021, në njërin market në Prishtinë, ku personi i lartcekur dyshohet se me grushte ka sulmuar një grua dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore, me ç’ rast e dëmtuara ka pranuar trajtim mjekësor, andaj prokurori i shtetit, më 25.10.2021, ndaj të dyshuarit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, bëhet e ditur në njoftim.
Ndryshe, në raportin 24 orësh të së hënës, Policia e Kosovës ka njoftuar për këtë rast, të cilin e ka cilësuar si “Lëndim i lehtë trupor”.
Në raportin e policisë, është bërë e ditur se rasti ka ndodhur të dielën në orën 14:20.
Sipas këtij raporti, sulmi fizik ka ardhur pas një mosmarrëveshjeje.
Viktima në këtë rast ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“LËNDIM I LEHTË TRUPOR-Prishtinë, 24.10.2021 – 14:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka bërë të ditur policia.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorit të Shtetit, njoftojnë se Prokuroria së bashku me Departamentin Special të Policisë së Kosovës për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, kanë filluar përgatitjet për realizmin e aksionit policor, cak i të cilit do të jenë disa zyrtarë publikë, të përfshirë në veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe jo vetëm.
Ky aksion përfshin bastisje në hapësirat zyrtare të komunës (emër i njohur për redaksinë), drejtoritë respektive, si dhe në disa shtëpi e banesa private të personave të dyshuar, për të cilët tashmë është urdhëruar arrestimi dhe ndalimi i tyre, shkruan Sinjali.
Prokurori kompetent tashmë ka vënë në dispozicion të policisë një listë të gjerë të provave dhe pajisjeve elektronike, që duhet të jenë subjekt i sekuestrimit me rastin e bastisjeve, prova këto që do të përdoren në procedurat e mëtutjeshme hetimore kundër të dyshuarve.
Këto burime konfirmojnë se fokusi i hetimit të realizuar deri më tani nga Prokurori i Shtetit ka të bëjë me çështje që lidhen me drejtorinë e urbanizimit dhe të inspektimit, me theks të veçantë ka në fokus papërshtatshmërinë ligjore të disa lejeve të ndërtimit, si dhe dështimin e inspektorëve për të penguar ndërtimet në shkelje të ligjit. Mirëpo, ky nuk do të jetë fokusi i vetëm i këtij hetimi, për shkak se tashmë janë dhënë instruksione nga Prokurori i Shtetit edhe për vepra tjera penale dhe persona jashtë institucionit të komunës, shkruan Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se subjekt i hetimit janë edhe disa operatorë ekonomikë, që operojnë në fushën e ndërtimit, në veçanti nga viti 2018 e këndej.
Në këtë aksion do të marrin pjesë dhjetëra hetues policorë, të asistuar nga Njësia Speciale, ndërsa aksioni do të mbikëqyret drejtpërdrejt nga Prokurori i Shtetit L.V.
Pas përfundimit të aksionit, Sinjali mëson se në selinë e Prokurorit të Shtetit në Prishtinë do të ketë edhe konferencë për media, ku do të jepen detaje lidhur me ecurinë e aksionit, historikun e hetimit, numrin e personave të arrestuar, provat e konfiskuara, dëmin e pretenduar si dhe përfitimet e kundërligjshme që dyshohet se janë realizuar nga zyrtarët e përfshirë në hetim.
Gazeta Sinjali posedon edhe detaje tjera të rëndësishme lidhur me këtë aksion, mirëpo, si çdo herë, për shkak të ndjeshmërisë së hetimit dhe me qëllim që lajmi të mos ketë ndikim negativ në mbarëvajtjen e këtij aksioni, tani për tani nuk do të publikojë më shumë detaje./Gazeta Sinjali/