Tag: Qeveria e Malit të Zi

  • Mohoi gjenocidin në Srebrenicë, Parlamenti shkarkon ministrin

    Mohoi gjenocidin në Srebrenicë, Parlamenti shkarkon ministrin

    Parlamenti i Malit të Zi miratoi të enjten mbrëma (17 qershor) një rezolutë që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës si dhe shkarkoi ministrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës.

    Pro shkarkimit të Leposaviqit votuan 43 deputetë ndërsa 27 ishin kundër.

    Më 26 mars, Leposaviq deklaroi para Parlamentit të Malit të Zi se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.

    Ky qëndrim nxiti kritika brenda Malit të Zi si dhe nga Bashkimit Evropian e Shtetet e Bashkuara.

    Propozimi për shkarkimin e tij u bë nga kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq ndërsa u mbështet edhe nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq. Kjo parti është në opozitë.

    Çfarë thotë Rezoluta për Srebrenicën?

    Rezoluta e miratuar nga Parlamenti i Malit të Zi që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës u votua nga 55 deputetë, 19 ishin kundër dhe 7 abstenuan.

    Rezoluta dënon deklaratat, veprimet dhe politikat që mohojnë ose vënë në dyshim gjenocidin në Srebrenicë si dhe shpall 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit për viktimat e Srebrenicës.

    Në bazë të kësaj rezolute, Mali i Zi konfirmon vendosmërinë për të parandaluar gjenocidin dhe krime të tjera të rënda në të ardhmen.

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.

    Kjo ngjarje përbën vrasjet masive më të rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore, meqë aty më 1995 forcat e serbëve të Bosnjës vranë rreth 8.000 burra dhe djem myslimanë.

  • Formohet Qeveria e re e Malit të Zi, Abazoviqi nënkryetar

    Formohet Qeveria e re e Malit të Zi, Abazoviqi nënkryetar

    Me votat e 41 deputetëve, nga gjithsej 81 në Parlamentin e Malit të Zi, u zgjodh Qeveria e re e kryesuar nga Zdravko Krivokapiq.

    Qeveria e re malazeze është e para që prej tri dekadash është formuar pa Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Milo Gjukanoviqit, që u mund në zgjedhjet e 30 gushtit të këtij viti.

    Në zgjedhjet e 3 gushtit, kryeministri i sapozgjedhur, si një person jopartiak, ishte bartësi i tri koalicioneve që fituan pushtetin, i cili përbëhet kryesisht nga Fronti Demokratik Pro-Serb, transmeton REL. 

    Kryeministri i sapozgjedhur, Krivokapiq, njoftoi para betimit, se Qeveria e tij përgjatë mandatit prej katër vjetësh, do të përfaqësojë zbatimin e demokracisë së drejtpërdrejtë.

    “Ne, të gjithë duhet të ndërtojmë një të ardhme më të mirë, që qytetarët të ndihen më mirë dhe që Mali i Zi të transformohet në çdo kuptim. Kjo qeveri do të jetë shërbyese vetëm e qytetarëve. Kjo është Qeveria e viktimave, sepse kjo është mënyra e vetme për të filluar më të mirën e përbashkët. Të gjithë ministrat janë gjithashtu viktima për të gjithë. Ne gjendemi në një situatë ku çdo ditë është e çmuar. Gjëja më e rëndësishme është që fitorja e 31 deputetëve u shpreh sot, dhe kjo është fitorja e njerëzve dhe qytetarëve. Përjetoni këtë si një masë të së ardhmes sonë të re”, tha Krivokapiq para votimit.

    Qeveria e re do të ketë një nënkryetar dhe 12 ministra.

    Dritan Abazoviq nga URA, u zgjodh i vetmi nënkryetar, kështu që, meqenëse Aleksa Beçiq, nga demokratët u zgjodh më parë kryetar i parlamentit, tre udhëheqësit e koalicionit fitues zunë pozicionet kryesore në vend. Sigurisht, duke mos llogaritur pozicionin e kreut të shtetit, i cili i mbetet udhëheqësit të DPS-së, Milo Gjukanoviq, mandati i të cilit zgjat deri në 2023.

    Qeveria e re u mbështet nga deputetët e partisë nga lista “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, e udhëhequr nga Fronti Demokratik, Mali i Zi Demokratik dhe Lëvizja Qytetare URA. Kundës qeverisë së re ishin partitë opozitare DPS, Socialdemokratët, Partia Social-Demokrate, dy parti kombëtare shqiptare dhe Partia Boshnjake.
    Gjatë debatit përgjatë tri ditëve, kritika të shumta u bënë nga opozita ndaj programit dhe përbërjes së qeverisë së re dhe vetë kryeministrit, por edhe nga pjesa dominuese e shumicës parlamentare, e cila votoi pro-kabinetit të Krivokapiq.

    Partitë e opozitës vlerësuan se Qeveria Krivokapiq është teokratike, e përbërë në Kishën Ortodokse Serbe (SOC), qe është monoteiste dhe mono-etnike, se nuk është qeveri e ekspertëve ose evropiane.

    Megjithëse zgjedhja e tij u mbështet nga partitë e koalicionit fitues, kryesisht nga Fronti Demokratik, ata e kundërshtuan Krivkapiqin për mosndarjen e vendeve ministrore midis partive, sipas përqindjes së votave të fituara, duke besuar se ai me propozimin për t’i bërë ministrat persona relativisht të panjohur e pa përvojë politike, tradhëtoi votuesit.
    Ministrat e rinj janë figura jopartiake.

    Synimi i Krivokapiqit ishte të krijonte një qeveri të ekspertëve që do të përballej me problemet e akumuluara në Malin e Zi – duke e trajtuar gjendjen me COVID-19 dhe duke u përballur me pasojat e krizës ekonomike. Duke ulur numrin e ministrive në 12, kryeministri paralajmëroi racionalizimin e administratës shtetërore.

    Shumica e ministrave janë të rinj me arsimim të lartë, relativisht të panjohur për publikun e gjerë, të paktën gjysma e të cilëve janë afër Kishës Ortodokse Serbe.
    Me sugjerim të Kishës Ortodokse Serbe, Krivokapiqi ishte në krye të listës “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, e cila dominohet nga Fronti Demokratik Pro-Serb.

    Me dy koalicionet e tjera civile të drejtuara nga Aleks Beqiqi i demokratëve dhe Dritan Abazoviç i Lëvizjes Qytetare URA (Veprimi i Bashkuar i Reformës), ata fituan një shumicë të ngushtë prej 41 nga 81 deputetët në parlamentin malazias në zgjedhjet e gushtit.

    Me këtë, pas tri dekadash, ndryshoi Qeveria në Mal të Zi.