Tag: Regjistrimi i Popullësisë

  • Linku në të cilin mund të regjistrohen diaspora nga Maqedonia e Veriut

    Linku në të cilin mund të regjistrohen diaspora nga Maqedonia e Veriut

    Anëtari i Këshillit Koordinues i Diasporës në Maqedoninë e Veriut, Lazim Destaani  i ka bërë thirrje mërgimtarëve nga Maqedonia e Veriut që të regjistrohen.

    Linku në të cilën qytetarët online mund të regjistrohen është si në vijim: 

    https://census.stat.gov.mk/al/.

    “Si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës sonë, Ju bëj thirrje të gjithëve kudo që ndodheni jashtë vendit, me punë e aktivitete anekënd botës. Siç jeni në dijeni, tashmë gati dy dekada pas regjistrimit të fundit, nga data 1 mars ka nisur regjistrimi i popullatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa përfundon më 21 prill”, ka shkruar ai në facebook.

    Destani ka përmendur edhe rëndësinë e regjistrimit të mërgatës në Maqedoninë e Veriut.

    “Regjistrimi i popullatës së një vendi vërtet është një akt me karakter statistikor por bazuar në sistemin juridik e kushtetues që ka Maqedonia e Veriut, regjistrimi është shumë më shumë se thjesht statistikë. Sipas këtij sistemi, rezultatet e regjistrimit e përcaktojnë edhe bazën juridiko-kushtetuese për gjithçka që na takon si etni në këtë vend”, ka shkruar ai.

    Në janar të këtij viti Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin për regjistrimin e popullsisë.

    Sipas Ligjit, regjistrimi i popullsisë do të realizohet në prill të këtij viti – 19 vjet nga regjistrimi i fundit, i realizuar në vitin 2002.

    Miratimit të Ligjit i parapriu debat i ashpër mes partive në pushtet dhe partisë opozitare maqedonase VMRO DPMNE, e cila pretendon se regjistrimi nuk do të tregojë numrin real të popullsisë, në veçanti përqindjen e shqiptarëve në shtet.

    Në bazë të regjistrimit të fundit, shqiptarët përbëjnë 25.17 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë dymilionëshe të Maqedonisë së Veriut.