Tag: Valbonë

  • Turistët bien në Greminë në alpet mes Valbonës e Thethit, dyshohet për të vdekur

    Turistët bien në Greminë në alpet mes Valbonës e Thethit, dyshohet për të vdekur

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur para pak minutash në alpet mes Valbonës dhe Thethit në Shqipëri.

    Disa turistë, gjatë ecjes në këmbë, kanë humbur rrugën dhe për pasojë dyshohet se kanë rënë në një greminë.

    Nga të dhënat fillestare nga vendngjarja dyshohet se njëri prej tyre ka vdekur.

    Menjëherë pas marrjes së informacionit, efektivë të policisë së Shkodrës dhe Tropojës kanë shkuar në vendin e ngjarjes.

    Aksidentet në këto male të Shqipërisë janë të shpeshta për shkak të terrenit të vështirë dhe faktit se vizitohen nga shumë persona.

  • Stuhi reshjesh në veri: Në Valbonë bora arrin 35 cm, përkeqësohet situata në Fierzë

    Stuhi reshjesh në veri: Në Valbonë bora arrin 35 cm, përkeqësohet situata në Fierzë

    Rikthimi i reshjeve të shiut dhe dëborës në vend ka sjellë problematikat e para edhe në qarkun e Kukësit.

    Gjatë natës ka pasur reshje shiu dhe dëbore me intensitet të lartë, si dhe erë të fortë. Në Valbonë bora ka arritur në 35 centimetra, por nuk ka pasur probleme në qarkullim.

    Në Lekbibaj të Njësisë Administrative të Tropojës në rrugët nacionale ka pasur rënie gurësh, duke sjellë bllokim të rrugës, raporton Ora News.

    Problem mbetet rezervuari T’Plani në njësinë Administrative të Fierzës, ku si pasojë e reshjeve të shumta situata është përkeqësuar, por është nënkontroll. Rezervuari është mbushur plot ku dhe uji ka filluar të rrjedhë nga shkarkuesi katastrofik.

    Furnizimi me ujë të pijshëm vijon në kuota normale, teksa probleme me energjinë elektrike ka pasur fshati Shemri në Njësinë Administrative Malzi të Bashkisë së Kukësit, fshatin Dragobi të Njësisë Administrative Margegaj dhe Njësinë Administrative Tropojë e Vjetër, Bashkia e Tropojës.

  • Tre javë pa rrymë, vendi i pëlqyer i kosovarëve mbetet bosh

    Tre javë pa rrymë, vendi i pëlqyer i kosovarëve mbetet bosh

    Dëmtimi nga moti i keq i rrjetit shpërndarës të energjisë elektrike ka bërë që Valbona të mbetet pa drita prej së paku tre javësh.

    Mungesa e energjisë ka boshatisur bujtinat në kulmin e sezonit turistik duke bërë që sipërmarrjet e kësaj zone të vuajnë një tjetër bllokim të ngjashëm me atë të periudhës së izolimit nga pandemia në periudhën e pranverës.

    “Situatë shqetësuese të shikosh Valbonën bosh, pa turistë kur është kulmi i sezonit dimëror dhe ky është një kontrast shumë i madh krahasuar me Kosovën për shembull që ka tipare të njëjta të turizmit me Rugovën ishte plot deri në fillim të janarit ndërkohë që Valbona ishte bosh dhe njerëzit ishin pa drita,” – tha për Euronews Albania specialistja e turizmit Flora Xhemani Baba duke e konsideruar të pajustifikueshme këtë gjendje.

    Në një komunikim me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes në qarkun Kukës, Euronews Albania mësoi se zyrtarisht sipas autoriteteve energji elektrike nuk ka pasur prej datës 30 dhjetor. OSHE ka nisur përpjekjet për rregullimin e situatës dhe se shkak për këtë janë bërë rrëzimi i 20 shtyllave elektrike dhe dëtmimi i mbi 30 traversave prej kushteve atmosferike.

    Linja elektrike prej rreth 30 kilometrash aktualisht prej autoriteteve thuhet se është riparuar deri në Dragobi – në gjysmën e parkut kombëtar të Valbonës.
    Specialistja e Flora Xhemani Baba tha se për turizmin dimëror Shqipëria vuan tejmase mungesën e infrastrukturës. Ajo përmendi vështirësitë për t’iu qasur Thethit, pikërisht për mungesën e një rruge të kalueshme. Për rastin e Valbonës ajo tha se ajo qaset më lehtë pasi rruga është e kalueshme, mirëpo këtë vit turizmi është dëmtuar tërësisht prej kësaj situate.

    Sherif Margjeka, i cili administron një bujtinë në Valbonë tha për Euronews Albania se situata mbetet e njëjtë. Teksa këmbënguli se prej datës 24 dhjetor nuk kanë pasur energji elektrike, e cilësoi gjendjen “katastrofë”.

    “Të shtunën që kaloi kemi pasur rreth katër orë energji elektrike e më tej nuk kemi pasur, që prej datës 24 dhjetor,” – tha Margjeka duke shtuar se pavarësisht se në terren kanë parë disa punonjës nuk janë informuar për ndonjë afat se kur do të rregullohet kjo situatë.

    Margjeka tha se mungesa e energjisë elektrike ka ndikuar në dëmtimin e flukseve të turistëve pasi ka bërë që të ketë anulime të rezervimeve. Përballë pyetjes nëse kjo situatë përsëritet prej vitesh apo është e rastësishme, Margjeka tha se ka pasur shkëputje të shpeshta edhe gjatë verës, por kurrë nuk ka ndodhur që të ketë mungesë kaq të gjatë.