Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasditen e sotme njoftoi se ka përfunduar procesi i numërimit të votave me postë.
Bazuar nga këto të dhëna, LVV i ka 31 mijë e 963 vota, apo 51.57 për qind; LDK e dyta me 18 mijë e 933 vota, apo 30.55 për qind; PDK e treta me 5 mijë e 878 vota, apo 9.48 për qind; dhe koalicioni AAK-Nisma, i ka mbledhur 2 mijë vota apo 3.23 për qind e votave me postë, raporton Klankosova.tv.
Në lidhje me këtë proces, Albert Krasniqi nga Demokracia në Veprim ka bërë një reagim, duke treguar se në raport me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, LVV-ja është partia e vetme që ka pësuar rënie nga votat e diasporës.
Sipas tij, partia e Albin Kurtit ka humbur plot 28 mijë vota.
“Rezultatet e votimit jashtë vendit, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, tregojnë se vetëm VV ka shënuar rënie të numrit të votave, respektivisht 28 vota më pak”, thotë ai.
Ndërkohë, Krasniqi tha se partitë e tjera kanë shënuar rritje, dhe LDK-ja është me rritjen më të lartë.
“LDK ka pasur rritjen më të madhe me 15,748 vota më shumë, PDK 2,021 vota më shumë, dhe AAK-NISMA me 746 vota më shumë”, potencoi Albert Krasniqi.
Ai tha se “VV kishte shpresuar se mundësimi i votimit nëpër misione diplomatike do të sillte më shumë përkrahje nga diaspora, por kjo pritje nuk është realizuar”.
Tani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vazhdojë me numërimin e votave me kusht dhe të atyre të personave me nevoja të veçanta.
Përfundimi i procesit të numërimit pritet të bëhet nesër me datë 5 mars. 
