Category: EKONOMI

  • Lufta në Lindje të Mesme/ Maqedonia thotë se ka rezerva të naftës për 60 ditë

    Lufta në Lindje të Mesme/ Maqedonia thotë se ka rezerva të naftës për 60 ditë

    Maqedonia e Veriut disponon rezerva shtetërore të naftës që mund të mbulojnë nevojat e vendit për disa ditë, ndërsa pjesa më e madhe e tyre ruhen në depot e kompanive private. Një pjesë më e vogël e rezervave ndodhet në rezervuarë që janë në pronësi të shtetit.

    Sipas të dhënave zyrtare, rezervat përfshijnë 138.9 milionë litra eurodizel, 32.1 milionë litra benzinë (Eurosuper 95), 10.8 milionë litra vaj ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) dhe 5.3 milionë kilogramë mazut M-1. Pjesa më e madhe e këtyre rezervave ruhen në depot e katër kompanive që operojnë në vend: Okta, Makpetrol, Lukoil dhe Supertrade, të cilat paguhen nga shteti për këtë shërbim.

    Megjithatë, kompanitë kanë detyrim ligjor që në çdo moment t’i vënë këto derivate në dispozicion të shtetit në rast se Qeveria vendos të ndërhyjë në treg. Nga Agjencia për Rezervat e Detyrueshme të Naftës bëjnë të ditur se rezervat monitorohen vazhdimisht dhe kontrollohen deri në nivelin e çdo litri.

    “Bashkë me Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe me institucionin tonë shkojmë në depot e tyre, i kontrollojmë dhe deri tani gjithçka është në rregull. Të gjitha sasitë janë të gatshme për të ndërhyrë në treg në çdo moment kur Qeveria ta kërkojë nga ne”, deklaroi Nexhmedin Sadiki nga Agjencia për Rezervat e Naftës.

    Ai shtoi se kompanitë janë të detyruara të ruajnë saktësisht sasinë e derivateve të blera nga shteti, ndërsa verifikimet kryhen nga një trup inspektues i akredituar, i cili merr mostra dhe kontrollon nëse rezervat janë të plota.

     

  • Çmimet e naftës në Kosovë fluturojnë, deri në 1.60 euro për litër

    Çmimet e naftës në Kosovë fluturojnë, deri në 1.60 euro për litër

    Kryetari i Shoqatës së Naftarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka konfirmuar për Insajderin se çmimet e derivateve kanë pësuar një rritje të re në tregun vendor.

    Sipas tij, trendi aktual i çmimeve është në rritje e sipër.

    Berjani ka bërë të ditur çmimet aktuale me të cilat po furnizohen qytetarët nëpër pikat e shitjes me pakicë: Dizelli: Nga 1.53 euro deri në 1.60 euro dhe benzina: nga 1.34euro deri në 1.38 euro

    Sa i përket çmimeve të furnizimit me shumicë, Berjani njoftoi se Dizelli aktualisht është 1.54euro, ndërsa Benzina 1.29 euro.

    Kjo rritje vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

    Çmimet globale të naftës kanë shënuar rritje të ndjeshme pas sulmeve të Iranit në rajon, si përgjigje ndaj operacioneve ushtarake nga SHBA-ja dhe Izraeli.

  • Çmimi i naftës kalon 100 dollarë pavarësisht lirimit rekord të rezervave

    Çmimi i naftës kalon 100 dollarë pavarësisht lirimit rekord të rezervave

    Çmimet globale të naftës vazhduan të rriten të enjten, pavarësisht vendimit të vendeve kryesore për të liruar një sasi rekord nga rezervat emergjente, në përpjekje për të zbutur ndikimin e luftës mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Iranit.

    Nafta e tipit Brent crude u rrit me gati 9% në tregtimin në Azi, duke kaluar sërish mbi 100 dollarë për fuçi. Kjo ndodhi edhe pse të 32 vendet anëtare të International Energy Agency njoftuan se do të lirojnë rreth 400 milionë fuçi naftë nga rezervat strategjike për të përballuar mungesat e mundshme në furnizim.

    Të mërkurën, Irani paralajmëroi se çmimi i naftës mund të arrijë deri në 200 dollarë për fuçi, ndërsa sulmet ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit po intensifikohen.

    Një zëdhënës i Garda Revolucionare Islamike (IRGC) tha se çdo anije e lidhur me SHBA-në, Izraelin ose aleatët e tyre do të jetë objektiv i sulmeve, raporton BBC.

    Ngushtica e Hormuzit është një rrugë shumë e rëndësishme për ekonominë globale, pasi rreth një e pesta e furnizimit botëror me energji kalon përmes saj.

    Vendimi i IEA-së për lirimin e rezervave është më shumë se dyfishi i rekordit të mëparshëm, i vendosur pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kjo masë është vetëm një zgjidhje e përkohshme dhe se çmimet mund të mbeten të larta për sa kohë ekziston rreziku për furnizimet.

    Tregjet globale të naftës kanë qenë shumë të paqëndrueshme që nga sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt, kur çmimi i naftës Brent arriti deri në rreth 120 dollarë për fuçi në fillim të javës.

    Rritja e çmimeve ka ndikuar në rritjen e kostos së karburantit në shumë vende. Në SHBA, çmimi mesatar i benzinës kaloi mbi 3.50 dollarë për gallon, sipas American Automobile Association.

    Vendet e Azisë, që varen shumë nga energjia e Lindjes së Mesme, janë goditur veçanërisht. Në Filipine, Tajlandë dhe Vietnam janë parë radhë të gjata në pikat e karburantit, pasi qytetarët nxituan të furnizohen me naftë.

    Autoritetet tajlandeze u kanë kërkuar punonjësve të shumicës së institucioneve shtetërore të punojnë nga shtëpia për të kursyer energji, ndërsa zyrtarët janë këshilluar të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme jashtë vendit.

    Ndërkohë, Filipinet kanë vendosur një javë pune katërditore për administratën shtetërore për të ulur konsumin e energjisë.

  • Gazi natyror rikthehet në debat, a është Kosova gati për një epokë të re të energjisë?

    Gazi natyror rikthehet në debat, a është Kosova gati për një epokë të re të energjisë?

    Prodhimi i energjisë elektrike nga gazi natyror ka qenë për vite të tëra pjesë e debatit publik në Kosovë, por shpesh ka kaluar në heshtje institucionale dhe pa vendime konkrete.

    ani kjo temë u kthye sërish në vëmendje, pasi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, shprehu gatishmërinë e Kosovës për t’u furnizuar me gaz natyror nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Kosova është një nga vendet më të varura nga qymyri në Evropë: rreth 90 për qind e energjisë elektrike prodhohet nga dy termocentrale të vjetra – “Kosova A” dhe “Kosova B” – të cilat, njëherësh, konsiderohen ndër ndotësit më të mëdhenj industrialë në vend.

    Rizvanolli bëri zotimin e saj gjatë pjesëmarrjes në Samitin Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, të mbajtur më 24 shkurt në Uashington.

    Siguria kombëtare është siguri energjetike dhe bashkëpunimi me shtetet partnere është “vendimtar për një sektor energjetik të sigurt”, tha ajo.

    Radio Evropa e Lirë tentoi disa herë të kontaktojë ministren dhe ekipin e saj për më shumë informacione lidhur me këtë çështje, por nuk mori përgjigje.

    Samiti Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit është një nismë amerikane që synon të forcojë bashkëpunimin mes vendeve të Evropës Lindore dhe Ballkanit Perëndimor për furnizim më të sigurt me gaz, zgjerim të infrastrukturës energjetike dhe ulje të varësisë nga gazi rus.

    Në këtë platformë, së fundmi, u përfshinë edhe Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia, duke iu bashkuar një grupi prej më shumë se dhjetë shtetesh që kërkojnë alternativa të reja furnizimi.

    Rëndësia e saj u rrit veçanërisht pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, duke e bërë sigurinë energjetike një prioritet strategjik për shumë vende të kontinentit.

    Shumë vende të Evropës Juglindore, aktualisht, furnizohen me gaz rus përmes tubacionit Rrjedha Turke, i cili kalon përmes Detit të Zi, Turqisë, Bullgarisë dhe Serbisë deri në Hungari.

    SHBA-ja synon ta rrisë praninë në tregun evropian të gazit përmes të ashtuquajturit Korridori Vertikal, duke përdorur ose zgjeruar infrastrukturën ekzistuese energjetike në rajon.

    Por, për Kosovën, përfshirja në këtë rrjet duket se mbetet një perspektivë më e largët.

    Pa rrjet gazi dhe pa infrastrukturë

    Kosova, tash për tash, nuk ka rrjet gazsjellësish për shpërndarjen e gazit natyror dhe as sistem të ndërtuar institucional për menaxhimin e këtij sektori.

    Ndryshe nga shumica e vendeve të rajonit, ajo nuk është e lidhur me asnjë rrjet ndërkombëtar të gazit.

    Admir Shala, menaxher i zhvillimit në kompaninë energjetike “Codema” në Dublin të Irlandës, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se ndërtimi i një infrastrukture të tillë në afat të mesëm, është vështirë i realizueshëm.

    Sipas tij, për të filluar furnizimin me gaz natyror, Kosova duhet të ndërtojë një sistem të plotë – nga infrastruktura fizike deri tek institucionet rregullatore.

    “Strategjia e Energjisë 2022-2031 përmend vetëm hartimin e një masterplani për gazin, por pa vendime konkrete për realizimin e tij”, thotë Shala.

    Por, ndryshe mendon Burim Ejupi nga Instituti për Politika Zhvillimore – INDEP – në Prishtinë, i cili deklarimin e ministres Rizvanolli e sheh si një sinjal pozitiv.

    “Infrastruktura e gazit është e kufizuar, por fjalët e ministres na japin shpresë se Qeveria po i rikthehet gazit dhe projektit të gazit”, thotë Ejupi.

    Sipas tij, gazi natyror mund të shërbejë si një burim tranzicioni energjetik, duke e ndihmuar Kosovën ta ulë gradualisht varësinë nga qymyri dhe të kalojë në burime më të pastra të energjisë.

    Në strategjitë energjetike evropiane, gazi shpesh konsiderohet si një “karburant tranzicioni”, që mund të zëvendësojë përkohësisht qymyrin derisa të rritet prodhimi nga burimet e ripërtëritshme, si energjia diellore dhe ajo e erës.

    Image

     

    Sa gaz përdor aktualisht Kosova?

    Edhe pse nuk ka rrjet të gazsjellësve, gazi natyror përdoret në Kosovë në forma të tjera.

    Ai importohet kryesisht në bombola ose cisterna dhe përdoret në sektorin e gastronomisë, për ngrohjen e disa shtëpive dhe në një masë më të vogël si karburant për automjete.

    Këto forma të gazit janë zakonisht gaz i lëngshëm i naftës, i cili nuk lidhet me rrjete të mëdha të furnizimit energjetik.

    Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, gjatë vitit të kaluar vlera e gazit të importuar arriti mbi 19 milionë euro.

    Rreth 2.5 milionë euro gaz janë importuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbi dy milionë euro nga Arabia Saudite, ndërsa pjesa tjetër nga vende si Kuvajti, Algjeria dhe disa shtete të Evropës.

    Çfarë parashikon Strategjia e Energjisë?

    Strategjia e Energjisë e Kosovës për periudhën 2022-2031 parashikon mundësinë që vendi të lidhet me rrjetet rajonale të gazit në të ardhmen.

    Kosova është një shtet pa dalje në det – gjë që e bën edhe më të vështirë ndërtimin e infrastrukturës së gazit pa bashkëpunim me vendet fqinje.

    Një nga opsionet është lidhja me infrastrukturën e planifikuar në Shqipëri ose Greqi, veçanërisht përmes gazsjellësit TAP, ose përmes terminalit të gazit të lëngshëm në Vlorë.

    Image

    Megjithatë, sipas këtij dokumenti, ndërtimi i një interkoneksioni të tillë mund të zgjasë nga shtatë deri në nëntë vjet.

    Interkoneksioni është një linjë transmetimi që lidh sistemet e gazit të dy shteteve dhe mundëson transportin e gazit mes tyre.

    Projekte të ndërprera dhe mundësi të humbura

    Debati për gazin në Kosovë nuk është i ri.

    Në vitin 2021, Kosova, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, vendosi ta pezullonte një projekt amerikan për ndërtimin e infrastrukturës së gazit, duke argumentuar se kostoja ishte shumë e lartë dhe se projekti nuk ishte ekonomikisht i favorshëm.

    Në atë kohë, korporata amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) ofroi një grant deri në 200 milionë dollarë për zhvillimin e kësaj infrastrukture.

    Vendimi i Kosovës u kritikua nga disa ekspertë të energjisë, të cilët argumentuan se projekti mund të ishte hapi i parë drejt integrimit të Kosovës në tregun rajonal të gazit.

    Po ashtu, në vitin 2020, Qeveria e Kosovës ndërpreu projektin për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” – një investim prej rreth 1.3 miliard eurosh.

    Për këtë projekt, në vitin 2017 ishte nënshkruar marrëveshje me kompaninë amerikane ContourGlobal dhe ishte parashikuar që termocentrali të hynte në funksion në vitin 2023.

    Megjithatë, projekti u braktis në vitin 2020, pasi kompania njoftoi se nuk mund të vazhdonte, për shkak të kundërshtimeve të Qeverisë së atëhershme.

    Sipas Shalës, Kosova ka humbur disa mundësi në sektorin energjetik gjatë dekadave të fundit.

    “Në dekadën e parë të këtij shekulli humbi mundësinë për të investuar në kapacitetet që përdorin thëngjillin; në dekadën e dytë kulmoi me refuzimin e gazit amerikan dhe humbi mundësinë e investimeve; dhe në dekadën e tretë po humb shpresën, pasi njerëzit profesionistë po dalin jashtë Kosovës”, thotë Shala.

    Megjithatë, Ejupi beson se kompanitë amerikane mund të tregojnë sërish interesim për projekte të gazit në Kosovë, duke pasur parasysh investimet e ngjashme që po zhvillohen në vende të tjera të Ballkanit.

    Gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se vendi është shumë i interesuar për një lloj të ri marrëdhënieje me SHBA-në, që do të bazohet më shumë në interesat ekonomike, dhe veçoi energjinë, mbrojtjen dhe teknologjinë informative si fusha kryesore për zhvillim të përbashkët.

    Atëkohë, kjo gatishmëri u konfirmua edhe nga Ambasada Amerikane në Prishtinë. /REL

  • Inflacioni në Kosovë arrin 6% në shkurt 2026, rriten çmimet e ushqimit dhe fluturimeve, ASK publikon statistikat

    Inflacioni në Kosovë arrin 6% në shkurt 2026, rriten çmimet e ushqimit dhe fluturimeve, ASK publikon statistikat

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin shkurt 2026.

    Në publikimin e ASK-së, thuhet se çmimet e konsumit janë me një shkallë të rritjes për 6,0 % vjetore dhe 0,6 % mujore.

    Tutje shtohet edhe se, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 6,0 % në muajin shkurt 2026, krahasuar me muajin shkurt 2025. Inflacioni mujor ishte 0,6 % në muajin shkurt 2026.

    ‘’Shkurt 2026 / Shkurt 2025  6,0 %

    Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 6,0 %  në muajin shkurt 2026, krahasuar me muajin shkurt 2025. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (42,5 %); bileta të fluturimeve (39,0 %); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (33,4 %); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (16,8 %); pemë (16,4 %); mirëmbajtje dhe riparim të pajisjeve personale të transportit (15,1 %); mish (14,7 %); pushime të organizuara (13,2 %); shërbime ambulantore (9,6 %); shërbime hoteliere (9,5 %); kafe, çaj dhe kakao (9,3 %); peshq (8,0 %); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira  (7,4 %); vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht (6,7 %); kujdes personal (6,6 %); perime  (6,4 %); pije alkoolike (6,4 %); mallra dhe shërbime për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (6,1 %),; qumësht, djathë dhe vezë (5,6 %); mirëmbajtje dhe rregullim të vendbanimit (5,5 %);  prodhime ushqimore (5,4 %); gjëra personale (5,2 %); bukë dhe drithëra (5,2 %); duhan  (4,2 %); produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (3,9 %); mobile dhe orendi, qilima dhe mbulesa të tjera dyshemeje (3,9 %); veshje (3,3 %); vajra dhe yndyra (3,1 %); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (2,7 %); me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 6,4 për qind në IHÇK”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

  • OEK: Stabiliteti politik, kusht për zhvillim ekonomik

    OEK: Stabiliteti politik, kusht për zhvillim ekonomik

    Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur shqetësimin lidhur me situatën aktuale politike në vend dhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja.

    Kjo odë thekson në një reagim se ekonomia e vendit ka nevojë për stabilitet dhe institucione funksionale.

    Në një thirrje publike drejtuar partive, OEK vlerëson se në këtë fazë të ndjeshme të zhvillimit ekonomik, vendi ka nevojë për vendimmarrje të qëndrueshme dhe bashkëpunim institucional, e jo për procese të reja zgjedhore që mund të thellojnë pasigurinë ekonomike dhe institucionale.

    Oda Ekonomike e Kosovës në thirrjen e saj njëherësh kërkon maturi politike, dialog konstruktiv dhe përgjegjësi shtetërore në funksion të zhvillimit ekonomik afatgjatë të vendit.

  • Dosja Epstein, jep dorëheqjen drejtori i Përgjithshëm i Forumit Ekonomik Botëror

    Dosja Epstein, jep dorëheqjen drejtori i Përgjithshëm i Forumit Ekonomik Botëror

    Presidenti dhe Drejtori Ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror, Borge Brende, njoftoi sot dorëheqjen e tij pas disa javësh hetimesh mbi marrëdhënien e tij me abuzuesin e dënuar seksual Jeffrey Epstein.

    Brende, i cili mori detyrën si president i WEF në vitin 2017, njoftoi vendimin e tij pas zbulimeve nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së se aktori norvegjez kishte pasur tre darka pune me Epstein dhe komunikime të shumta përmes email-it dhe SMS-ve.

    “Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, kam vendosur të jap dorëheqjen si President dhe Drejtor Ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror. Mandati im këtu, i cili ka zgjatur 8.5 vjet, ka qenë jashtëzakonisht i kënaqshëm”, tha ai.

    “Jam mirënjohës për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm me kolegët dhe partnerët e mi dhe besoj se tani është koha e duhur që forumi të vazhdojë punën e tij të rëndësishme pa shpërqendrime”, shtoi Brende, i cili kishte shërbyer edhe si ministër i jashtëm i Norvegjisë.

    Në njoftimin e tij, ai nuk përmendi skandalin Epstein me të cilin dyshohet se është i lidhur.

    Në një deklaratë të veçantë, Andre Hoffmann dhe Larry Fink, bashkëkryetarë të forumit me seli në Gjenevë që organizon Samitin vjetor të Davosit, thanë se hetimi i pavarur nga një konsulent i jashtëm i pavarur mbi lidhjet e Brendes me Epsteinin kishte përfunduar.

    Siç njoftuan ata, pasardhësi i përkohshëm i Brendes do të jetë Alois Zwiggi i WEF , ndërsa bordi i drejtorëve të forumit do të mbikëqyrë tranzicionin e lidershipit derisa të gjendet një pasardhës i përhershëm.

  • ​Inflacioni arrin 5.8%, ja cilat produkte dhe shërbime u shtrenjtuan më së shumti

    ​Inflacioni arrin 5.8%, ja cilat produkte dhe shërbime u shtrenjtuan më së shumti

    Viti 2026 ka nisur me rritje të ndjeshme të çmimeve në Kosovë. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit (IHÇK) shënoi një rritje vjetore prej 5,8% në janar 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa vetëm brenda një muaji çmimet u rritën për 1,2%, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Biletat e fluturimit dhe shërbimet e banimit me rritjen më të madhe

    Agjencia e Statistikave të Kosovës bën të ditur se rritja më e theksuar vjetore është regjistruar te biletat e fluturimeve, të cilat janë shtrenjtuar për 50,4%, duke ndikuar ndjeshëm në buxhetin e qytetarëve. Po ashtu, rritje të madhe kanë pësuar edhe furnizimi me ujë dhe shërbimet që lidhen me vendbanimin (44,4%), si dhe energjia elektrike (16,7%).

    “Shtrenjtim të konsiderueshëm kanë pësuar edhe: Lëndët djegëse të ngurta (17,2%), pemët (15,5%), mishi (13,1%), produktet e qumështit, djathit dhe vezëve (8,7%), shërbimet hoteliere (8,6%), kafeja, çaj dhe kakao (10,3%)”, thuhet në njoftimin ASK-së.

    Në përgjithësi, këto grupe kanë dhënë një ndikim të përbashkët prej 6,2% në inflacionin total.

    Shtrenjtime edhe brenda muajit

    Krahasuar me dhjetorin 2025, çmimet në janar janë rritur për 1,2%. Sërish, biletat e avionit (42,1%) dhe shërbimet e banimit (41,4%) kryesojnë listën e shtrenjtimit mujor. Rritje janë shënuar edhe te perimet (4,2%), energji elektrike (1,5%) dhe mishi (0,7%).

    Ndryshe nga shumica e produkteve dhe shërbimeve, karburantet dhe lubrifikantët për transport personal kanë pësuar rënie prej 7,3% në baza vjetore dhe 3,4% në baza mujore, duke zbutur pjesërisht presionin inflacionist.

  • BE paralajmëron Serbinë: Në rrezik 1.6 miliardë euro për shkak të reformave në drejtësi

    BE paralajmëron Serbinë: Në rrezik 1.6 miliardë euro për shkak të reformave në drejtësi

    Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se mund t’i pezullojë Serbisë paketën financiare prej 1.6 miliardë eurosh, për shkak të ligjeve të reja për drejtësinë që, sipas Brukselit, cenojnë sundimin e ligjit.

    Komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, tha se ndryshimet e fundit dëmtojnë besimin ndaj përkushtimit të Beogradit për reforma, duke vënë në pikëpyetje fondet në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.\

    Reformat janë kritikuar edhe brenda vendit, pasi sipas kundërshtarëve forcojnë pushtetin e presidentit Aleksandar Vučić dhe mund të cenojnë pavarësinë e gjyqësorit.

  • Zbatohet vendimi i Ramosajt, ekzekutohen 500 euro për pacientët me sëmundje malinje në Deçan

    Zbatohet vendimi i Ramosajt, ekzekutohen 500 euro për pacientët me sëmundje malinje në Deçan

    Janë ekzekutuar mjetet financiare nga Thesari i Shtetit për pacientët me sëmundje malinje, pas vendimit social të marrë më herët nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

    Sipas vendimit të komunës, personat që përballen me sëmundje malinje kanë të drejtë të përfitojnë 500 euro ndihmë financiare një herë në vit, e cila ka filluar të shpërndahet përmes sistemit të Thesarit të Republikës së Kosovës.

    Kjo pagesë synon të ofrojë mbështetje morale dhe financiare për pacientët dhe familjet e tyre gjatë trajtimeve dhe sfidave shëndetësore.

    Vendimi për përkrahje u mor në ditën e parë të punës së vitit të ri nga kryetari Ramosaj si pjesë e politikave sociale të komunës, që synojnë të mbështesin kategoritë në nevojë dhe të lehtësojnë barrën financiare për qytetarët.

    Ndërkohë, krahas mbështetjes për pacientët me sëmundje malinje, komuna kishte vendosur edhe një ndihmë prej 300 eurosh për çdo nënë lehonë, vendim që gjithashtu do të ekzekutohet.