Policia e Kosovës ka ndërhyrë sot në palestrën sportive në Mitrovicën e Veriut, duke ndaluar zyrtarët komunalë, që tani janë nga Lista Serbe, që të largojnë karriget me ngjyra që simbolizojnë qytetin e Mitrovicës dhe t’i zëvendësojnë ato me karrige që simbolizojnë flamurin e Serbisë.
KosovaPress thotë të ketë siguruar një fotografi nga brenda palestrës sportive, ku pretendon se shihen zyrtarë të Policisë së Kosovës të pranishëm në ambientet e objektit. Sipas fotografive, brenda sallës së sportit është parë edhe Igor Simiq, përfaqësues i Listës Serbe.
Deri në këto momente, Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje zyrtare lidhur me ndërhyrjen apo rrethanat që kanë çuar në këtë situatë.
Kosova shpenzon mbi dy milionë euro brenda një dite për mallra të importuara nga Kina – nga lodrat dhe pajisjet elektro-shtëpiake deri te produktet ushqimore dhe ato bujqësore.
Të dhënat flasin për një prani gjithnjë e më të madhe të këtyre mallrave në tregun kosovar.
Sipas statistikave të Doganës së Kosovës, vlera e importit nga Kina është rritur nga 452 milionë euro në vitin 2021 në 841 milionë euro në 11 muajt e parë të vitit 2025.
Kjo shumë tashmë ka tejkaluar vlerën e importeve nga vendet anëtare të CEFTA-s – Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnje dhe Hercegovina dhe Moldavia – të cilat tradicionalisht kanë qenë ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës në rajon.
Në anën tjetër, eksportet e Kosovës drejt Kinës mbeten pothuajse simbolike: më pak se një milion euro në vit – çka e thellon ndjeshëm deficitin tregtar dhe e vendos raportin ekonomik mes dy vendeve në një pabarazi të theksuar.
Tregti pa diplomaci
Përkundër këtyre shkëmbimeve tregtare, Prishtina dhe Pekini nuk kanë marrëdhënie diplomatike.
Kina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, dhe vazhdon të mbështesë “integritetin territorial të Serbisë”, e cila, me Kushtetutë, Kosovën e konsideron pjesë të territorit të saj.
Për rrjedhojë, Kina nuk ka ambasadë në Kosovë, por vetëm një zyrë ndërlidhëse që funksionon nën Ambasadën kineze në Beograd.
Pse Kina është kaq e pranishme në tregun kosovar?
Gazmend Qorraj, ligjërues i Tregtisë Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimi i ulët i produkteve kineze është faktori kryesor që i bën ato tërheqëse për tregun e Kosovës.
E, kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me fuqinë e ulët blerëse të qytetarëve, sipas tij.
Qorraj shpjegon se bizneset veprojnë kryesisht të udhëhequra nga logjika e fitimit, pa marrë domosdoshmërisht parasysh implikimet makroekonomike apo strategjike.
“Tregtarët investojnë aty ku shohin potencialin më të madh për fitim, pavarësisht nga origjina e mallrave apo produkteve”, shton ai.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa kompani që importojnë mallra nga Kina, por shumë pak pranuan të flisnin publikisht.
Ramiz Kelmendi udhëheq kompaninë “Elkos Group”, e cila ofron një gamë të gjerë produktesh – nga ushqimet deri te tekstili.
Ai thotë se kjo kompani importon mallra nga Kina në vlerë mbi 12 milionë euro në vit. Megjithatë, sipas tij, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten burimet kryesore të importeve.
“Po, çmimi është më i lirë”, thotë Kelmendi, duke shtuar se mungesa e industrisë vendore në sektorë si tekstili dhe elektroteknika, e detyron Kosovën të importojë aty ku produktet janë më të përballueshme.
Vetëm vitin e kaluar, Kosova importoi nga Kina mbi 14.4 milionë euro pajisje elektronike, si: kamera digjitale, televizorë dhe antena, si dhe mbi 13 milionë euro telefona të mençur dhe aparate të tjera telefonike.
Ushqimi nga Kina – shqetësim ekonomik dhe shëndetësor
Megjithatë, ajo që e shqetëson më së shumti profesorin Qorraj është fakti se të dhënat doganore tregojnë se nga Kina po importohen edhe produkte ushqimore dhe bujqësore.
“Është veçanërisht problematike kur bëhet fjalë për produktet bujqësore, sepse ato lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e shëndetit publik”, thotë ai.
Nga ana ekonomike, Qorraj thekson se importet e tilla dëmtojnë konkurrencën lokale dhe dekurajojnë prodhuesit vendorë, mallrat e të cilëve shpesh janë më të shtrenjta, për shkak të kostove më të larta të prodhimit.
Kelmendi e sheh këtë situatë si mungesë të një politike të qartë ekonomike.
“Kosova nuk prodhon banane apo ananas, por hudhër po. Qeveria duhet ta stimulojë prodhimin vendor që çmimet të jenë konkurruese”, thotë ai, duke shtuar se importet nga Kina janë jo vetëm të panevojshme, por edhe joefikase, pasi një dërgesë mund të zgjasë deri në 120 ditë.
Qorraj, gjithashtu, sugjeron masa stimuluese dhe mbrojtëse për prodhuesit vendas, si dhe orientim më të madh drejt tregut të Bashkimit Evropian dhe tregjeve ku Kosova ka qasje preferenciale.
Kina në Ballkanin Perëndimor – ndikim i pabarabartë
Një raport i publikuar në shtator nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), me titull: “Gjurma e Heshtur e Kinës: Hartëzimi i ndikimit kinez në politikën lokale dhe peizazhin ekonomik në Kosovë”, thekson se prania ekonomike e Kinës në Ballkanin Perëndimor është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.
Sipas këtij raporti, rritja e importeve nga Kina është duke krijuar varësi tregtare, përkundër eksporteve minimale, ndërsa angazhimi i bizneseve shpesh udhëhiqet nga fitimi afatshkurtër, me vetëdije të kufizuar për pasojat afatgjate politike dhe të sigurisë.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me rritjen e importeve nga Kina apo mundësinë e masave mbrojtëse për prodhuesit vendorë.
Megjithatë, kryeministri Albin Kurti – tani në detyrë – ka deklaruar më herët se, pavarësisht importeve nga Kina, vendet e Bashkimit Evropian mbeten partnerët kyç tregtarë të Kosovës.
Në vitin 2021, Qeveria e Kosovës ka refuzuar ofertën për vaksina kineze kundër sëmundjes COVID-19, duke sinjalizuar qartë atëkohë orientimin politik dhe strategjik drejt Perëndimit.
Kina në kontekstin global
Perceptimi i Kinës në botë ka dy dimensione: nga njëra anë, ajo shihet si një superfuqi ekonomike që mund të ofrojë mallra me çmime të ulëta, financime dhe investime infrastrukturore, e, nga ana tjetër, shumë shtete e vlerësojnë me rezerva, për shkak të ndikimit të saj politik dhe rivalitetit gjeopolitik me Perëndimin.
Rritja e tregtisë me Kinën shpesh shihet si një mundësi ekonomike afatshkurtër, por që mund të krijojë varësi dhe rreziqe strategjike në një perspektivë afatgjatë.
Në këtë kontekst, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ndërmarrë një qëndrim më të ashpër ndaj Pekinit, duke e trajtuar atë si rival strategjik dhe ekonomik të SHBA-së, përmes politikave proteksioniste, tarifave tregtare dhe kufizimeve teknologjike.
Serbia si “poligon” i ndikimit kinez
Xhelal Neziri, analist në Institutin Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC) në Maqedoninë e Veriut, thotë se ndryshe nga Kosova dhe Shqipëria, Serbia shërben si “poligon” për shtrirjen e ndikimit ekonomik dhe politik të Kinës në rajon.
Sipas tij, në Kosovë ndikimi kinez mbetet kryesisht tregtar – pa peshë të theksuar politike apo strategjike.
“Kosova, ashtu si edhe Shqipëria, është e rreshtuar plotësisht me politikat e Perëndimit, konkretisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, thotë Neziri.
Ndërkaq, në vende të tjera të rajonit – Serbi, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut – Kina ka financuar projekte të mëdha infrastrukturore përmes kredive, duke rritur ndikimin ekonomik dhe, në disa raste, politik.
Sipas një analize të Qendrës për Forenzikë Digjitale (DFC) nga Podgorica, Kina ishte investitori i dytë më i madh në Serbi në gjysmën e parë të vitit 2024, pas BE-së.
Në Mal të Zi, roli i saj si kreditor dhe kontraktues është i dukshëm, siç tregon edhe kredia prej rreth 900 milionë dollarësh nga banka kineze, Exim, për ndërtimin e një autostrade në fillim të viteve 2020.
Në Bosnje e Hercegovinë, ndikimi kinez është më i dukshëm në entitetin Republika Sërpska, përmes tregtisë, arsimit, mediave dhe diplomacisë, ku bashkëpunimi ekonomik dhe kulturor shpesh ka përmbajtje gjithnjë e më të theksuar politike.
Në Maqedoninë e Veriut, borxhi ndaj Kinës arrin në 479 milionë dollarë, ose 8.7 për qind të borxhit të jashtëm.
Në kontrast, Kosova nuk ka borxh ndaj Kinës dhe as investime të drejtpërdrejta kineze.
Vitin e kaluar, investimet e huaja direkte në Kosovë arritën në 847 milionë euro, por asnjë prej tyre nuk ishte me origjinë kineze.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë dhënë informacion nëse në Kosovë janë të regjistruara kompani ose organizata joqeveritare me origjinë kineze./REL/
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për Bruksel, ku do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor përkrah liderëve të vendeve anëtare të BE-së, si dhe atyre nga Ballkani Perëndimor.
Në këtë Samit do të diskutohet partneriteti ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit. Përgjatë samitit, Presidentja do të ketë takime me liderë të institucioneve të BE-së dhe do të ketë mundësi të bisedojë me liderë të tjerë pjesëmarrës lidhur me çështje me interes të Kosovës. Heqja e masave ndaj Kosovës dhe ecja përpara në rrugën e integrimit do të zënë prioritet gjatë diskutimeve.
Në agjendën e diskutimeve të Samitit përfshihen gjithashtu Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, forcimi i integrimit ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së, si dhe çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik, investimet dhe reformat.
Po ashtu, liderët do të diskutojnë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, përballjen me kërcënimet hibride dhe kibernetike, si dhe menaxhimin e migracionit dhe sfidat e përbashkëta rajonale dhe evropiane.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se më 27 dhjetor bashkatdhetarët do të kenë mundësi të votojnë në përfaqësitë diplomatike.
Sipas KQZ-së, të drejt votimi në përfaqësi diplomatike kanë vetëm personat që janë regjistruar me sukses për votim në përfaqësi diplomatike, shkruan IndeksOnline.
“Votuesi identifikohet përmes një dokumenti të vlefshëm identifikues, të lëshuar nga Republika e Kosovës, si: letërnjoftim, pasaportë, leje e vozitjes” deklaroi KQZ-ja.
Tutje, KQZ-ja ka dhënë instruksione se si duhet plotësuar fletëvotimi, rëndom njëjtë si herat e tjera.
Historia e Hasan Dërmakut nuk është thjesht biografia e një individi, por pasqyrë e një brezi shqiptarësh që u rritën në varfëri, u formuan në padrejtësi dhe u përballën me represionin pa u dorëzuar. Rrënjët e kësaj historie nisin në Shipashnicë të Dardanës, brenda një familjeje që jetonte në kufijtë e mbijetesës, por kurrë në kufijtë e nënshtrimit.
Familja Dërmaku ishte një familje e madhe patriarkale, me rregulla të qarta morale dhe me një ndjenjë të fortë përgjegjësie kolektive. Fjala e dhënë, nderi dhe respekti për më të moshuarit ishin ligje të pashkruara, por të patjetërsueshme. Ky ambient familjar u bë shkolla e parë e karakterit për Hasanin.
Babai i tij u vra më 12 shtator 1944 në zonën e Bujanocit, gjatë përpjekjeve për mbrojtjen e Kosovës Lindore. Ai ishte pjesë e formacioneve vullnetare shqiptare të frymëzuara nga ideali kombëtar dhe i lidhur me Ballin Kombëtar. Hasani nuk e njohu kurrë të atin; ai lindi pas rënies së tij. Emri që i la amanet familjes u shndërrua në simbol vazhdimësie, por edhe në barrë morale që do ta shoqëronte gjithë jetën.
Pas vrasjes së babait, nëna Zahide Korça Dërmaku mbeti shtylla e familjes. Me prejardhje nga Gmica dhe rrënjë të largëta nga Korça, ajo mishëronte historinë e grave shqiptare që mbajtën gjallë familjet në kohë të errëta. Pa ndihmë shtetërore, pa përkrahje institucionale, ajo rriti fëmijët në kushte skajshmërisht të vështira, duke ruajtur dinjitetin dhe identitetin kombëtar.
Familja jetonte në bashkësi të zgjeruar, deri në tridhjetë anëtarë nën një kulm. Kjo bashkëjetesë krijoi solidaritet, por edhe disiplinë të fortë. Vendimet merren bashkë, puna ndahej sipas aftësive, ndërsa përgjegjësia ishte e përbashkët. Ky model organizimi u reflektua më vonë edhe në veprimtarinë politike të Hasanit.
Vitet e pasluftës ishin vite urie dhe pasigurie. Thatësitë, konfiskimet shtetërore dhe aksionet e mbledhjes së “tepricave” e lanë familjen shpesh pa bukë. Ushqimi sigurohej me barishte të egra dhe racione minimale. Kjo varfëri nuk prodhoi vetëm uri fizike, por edhe një ndjenjë të thellë padrejtësie shoqërore, që do të shndërrohej në vetëdije politike.
Fëmijëria dhe formimi: nga mungesa te ndërgjegjja
Hasani u rrit me rrëfime për babanë e rënë. Dërrasat mbi të cilat ishte sjellë trupi i tij u ruajtën për vite dhe u përdorën për të ndërtuar një sofër, por nëna e Hasanit nuk u ul kurrë aty. Ajo heshtje ishte një mësim i fortë për sakrificën dhe kujtesën.
Shkollimi në Shipashnicë, Hogosht dhe Gjilan ishte i vështirë. Rrugë të gjata në këmbë, mungesë veshmbathjeje dhe ushqimi, por shkolla u bë porta e vetme drejt dijes dhe vetëdijes. Mësues të përndjekur politikisht, si Sejdi Kryeziu dhe Shaban Geci, ushqyen te nxënësit jo vetëm dije, por edhe ndjenjën e përgjegjësisë kombëtare.
Leximi i veprave të ndaluara dhe kontakti i parë me shkrimet e Adem Demaçit shënuan një kthesë të rëndësishme. Letërsia u shndërrua në mjet rezistence, ndërsa fjala e shkruar mori peshë politike.
Prishtina dhe aktivizimi politik
Studimet në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, në degën e Historisë, e futën Hasan Dërmakun në qendrën e lëvizjeve studentore të viteve ’60. Diskutimet për statusin e Kosovës, për barazi dhe për të drejtat kombëtare ishin pjesë e përditshmërisë universitare.
Në këtë kontekst, Hasani u përfshi aktivisht në organizimin e demonstratave të vitit 1968. Këto protesta nuk ishin spontane, as imitim i lëvizjeve evropiane. Ato kishin karakter të qartë politik dhe kombëtar. Kërkesa për republikë, dinjitet dhe barazi ishte thelbi i tyre.
Hasan Dërmaku nuk kërkoi protagonizëm publik, por kishte rol të rëndësishëm organizativ: koordinonte studentë, lidhte qytete dhe siguronte mobilizimin. Përballja me policinë ishte e dhunshme. Ai u rrah, u alivanos dhe u largua me forcë nga protesta, por rezistenca vazhdoi.
Burgu – çmimi i rezistencës
Arrestimi dhe gjykimi erdhën shpejt. Qëllimi i pushtetit ishte shembja morale e brezit të ri. Hasani u dënua me disa vite burg dhe u transferua në burgjet më famëkeqe të Jugosllavisë: Nish, Stara Gradishka dhe Lepogllavë.
Burgu ishte një mekanizëm i thyerjes sistematike: izolim, punë e rëndë, qeli të ftohta dhe presion psikologjik. Megjithatë, edhe aty Hasani nuk u dorëzua. Solidariteti mes të burgosurve politikë dhe organizimi i grevave e kthyen burgun në hapësirë rezistence.
Një jetë që mbetet dëshmi
Jeta e Hasan Dërmakut është dëshmi e një brezi që nuk pati luksin e heshtjes. Ai nuk u bë veprimtar për karrierë apo lavdi personale, por sepse koha dhe rrethanat e detyruan të zgjedhë anën e dinjitetit.
Familja i dha rrënjët, varfëria forcën, dija drejtimin, ndërsa burgu vulën e sakrificës. Sot, historia e tij nuk është vetëm kujtim personal, por dokument i një kohe kur fjala e lirë ndëshkohej me pranga, por nuk shuhej kurrë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme mori vendim për akreditimin e grupit të parë me 283 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Nga institucionet vendore do të jetë Avokati i Popullit me 66 vëzhgues, transmeton Klankosova.tv.
Ndërkohë, shtatë vëzhgues do të jenë nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, e tre të tjerë nga Ambasada e Japonisë në Kosovë.
Organizatat joqeveritare:
-Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN – 46 vëzhgues;
-Interneës Kosova– 22 vëzhgues;
-D4D– 7 vëzhgues;
Media vendore:
RTV DUKAGJINI– 48 vëzhgues;
Radio Televizioni 21– 27 vëzhgues;
Gazeta Nacionale– 10 vëzhgues;
Portali SuharekaOnline– 4 vëzhgues;
Telegrafi.com – 9 vëzhgues;
RTV PULS D.O.O – 7 vëzhgues;
VIM INFO DOO – 7 vëzhgues;
Media ndërkombëtare:
Deutsche Welle albanian section – 1 vëzhgues;
Radio Evropa e Lirë – 7 vëzhgues;
European Pressphoto Agency – 1 vëzhgues;
Union of Albania Journalis–1 vëzhgues;
Periudha e aplikimit për akreditim të vëzhguesve, e cila ka filluar më 5 dhjetor, do të përfundojë më 20 dhjetor 2025.
Gjatë kësaj periudhe 16-ditore, subjektet politike të certifikuara, OJQ-të, organizatat qeveritare dhe ndërqeveritare, organizatat ndërkombëtare të specializuara të cilat merren me zgjedhjet dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mediat si dhe përfaqësuesit e vendeve të huaja, mund të dorëzojnë online kërkesën e tyre për akreditimin e vëzhguesve.
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim, sipas të cilit, qytetarët me të drejtë vote mbi 80 vjeç, të cilët aplikojnë për regjistrim si votues me nevoja të veçanta për të votuar përmes ekipeve mobile në ditën e zgjedhjeve, nuk kanë nevojë të paraqesin/bashkëngjesin certifikatën e paaftësisë apo diagnozës mjekësore. Sipas ndryshimit të bërë, regjistrimi mund të bëhet vetëm duke paraqitur dokumentin e vlefshëm të identifikimit dhe fotografinë e votuesit duke mbajtur në dorë dokumentin identifikues.
Duke u mbështetur në të dhënat nga lista votuese e certifikuar nga KQZ, numri i qytetarëve me të drejtë vote mbi 80 vjeç është 48,977 votues.
Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori edhe këto vendime:
-Vendim për zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendit Komunal të komunës së Hanit të Elezit; dhe
-Vendim për miratimin e plotësimit të planit të rekrutimit të stafit të përkohshëm për organizim të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, 28 dhjetor 2025.
Një i mitur dyshohet se është dhunuar dhe abuzuar të hënën në qytetin e Ferizajt.
Klankosova.tv ka kuptuar se bëhet fjalë për një 13-vjeçar i cili ishte kontaktuar përmes rrjeteve sociale nga një 17-vjeçar. I dyshuari aktualisht është në kërkim policor.
Lidhur me këtë rast të rëndë, redaksia e Klankosova.tv ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, nga e cila deklaruan se rasti në fjalë ndodhet në fazën preliminare të grumbullimit të informacioneve dhe provave të tjera.
“E konfirmojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar një informacion të tillë në lidhje me këtë çështje. Aktualisht rasti në fjalë ndodhet në fazën preliminare të grumbullimit të informacioneve dhe provave të tjera, të cilat do të shërbejnë për procedurën e mëtejshme hetimore”, tha zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Kaltrina Shala.
“Për më shumë informacione nuk mund të ofrojmë pasi që dhënia e informacioneve për të mitur është konfidenciale”.
Ndërkohë Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.
“Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës, policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij”, thuhet në njoftimin e policisë.