Category: AKTUALE

  • Gjimshiti i kuqezinjve për të dytën herë radhazi merr titullin `Lojtari i Vitit i Kombëtares`

    Gjimshiti i kuqezinjve për të dytën herë radhazi merr titullin `Lojtari i Vitit i Kombëtares`

    Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, është shpallur “Lojtari i Vitit” për të dytin vit radhazi, në ceremoninë e çmimeve “Topi i Artë 2025” të Federatës Shqiptare të Futbollit, mbajtur të hënën.

    Gjimshiti udhëhoqi Kombëtaren shqiptare drejt një arritjeje historike, duke siguruar për herë të parë kualifikimin në fazën play-off të Kupës së Botës 2026. Çmimi iu dorëzua nga Kryeministri Edi Rama.

    Gjithashtu, në mbrëmje u ndanë çmime të tjera: “Zemra Kuq e Zi” për tifozët shkoi te mbrojtësi Mario Mitaj, çmimi “Këpuca e Artë 2025” për golashënuesin më të mirë iu dorëzua Bekim Balajt, pas 19 golave në sezonin 2024-2025, nga legjenda argjentinase, Esteban Cambiasso.

    “Trajneri i Vitit 2025” ishte Edlir Tetova, i cili për të dytin vit radhazi fitoi titullin kampion me Egnatian, ndërsa trofeu iu dorëzua nga trajneri i Kombëtares, Sylvinho.

  • Kërkohet nga partitë të mbrohen të dhënat personale të qytetarëve gjatë zgjedhjeve

    Agjencia për Informim dhe Privatësi ka ripërsëritur kërkesën për partitë politike për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve  gjatë procesit zgjedhor.

    Në njoftimin e AIP-it thuhet se kërkojnë nga partitë që përpunimi i të dhënave personale me qëllim të promovimit të kandidatëve, komunikimit me votuesit apo organizimit të aktiviteteve politike, duhet të bëhet mbi baza të qarta ligjore, duke respektuar siç thuhet, parimin e drejtësisë, proporcionalitetit dhe transparencës, përcjell Klankosova.tv.

    AIP-i tha gjithashtu se subjektet politike mbajnë përgjegjësi të plotë për garantimin e përpunimit të sigurt dhe të ligjshëm të të dhënave personale të qytetarëve.

    Në këtë drejtim, subjektet politike obligohen të sigurojnë që:

    * Të sigurojnë që çdo përpunim i të dhënave personale të kryhet mbi bazën ligjore të përpunimit, si- pëlqimi i qytetarëve, interesi legjitim i subjektit politik apo arsye të tjera të përcaktuara me ligj;

    * Të mos përdoren të dhënat e kontaktit të qytetarëve, të mbledhura gjatë ushtrimit të funksioneve publike, të mbajtura nga institucionet, apo të mbledhura për qëllime të tjera jo politike, për komunikim ose marketing politik;

    * Të respektohet e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar në çdo kohë përpunimin e të dhënave të tyre, për qëllim marketingut politik dhe të sigurohet ndërprerja e menjëhershme e komunikimit pas paraqitjes së kundërshtimit;

    * Të shmangen format e profilizimit e votuesve për qëllim të marketingut politik ose përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç në rastet kur ekziston bazë e qartë ligjore dhe kur janë ndërmarrë masat mbrojtëse. Në rastet kur përdoren teknologji që mund të shkaktojnë rrezik të lartë për të drejtat e individëve, kërkohet kryerja e Vlerësimit të Ndikimit mbi Mbrojtjen e të Dhënave (VNMDH) sipas udhëzimeve të AIP – së dhe

    * Të sigurohet transparencë e plotë ndaj qytetarëve lidhur me qëllimet, arsyetimin ligjor dhe mënyrat e përpunimit të të dhënave personale dhe të  publikohen politika të privatësisë të qarta, të përditësuara, dhe të qasshme gjatë gjithë periudhës zgjedhore

    Agjencia për Informim dhe Privatësi do të ofrojë  mbështetje profesionale për subjektet politike për të siguruar se procesi zgjedhor do  të zhvillohet në përputhje me standardet për mbrojtjen e të dhënave personale.

  • Dhunohet dhe abuzohet një i mitur në Ferizaj

    Dhunohet dhe abuzohet një i mitur në Ferizaj

    Një i mitur dyshohet se është dhunuar dhe abuzuar në territorin e Ferizajt.

    Policia e Kosovës thotë se dyshimet e ngritura sugjerojnë se i mituri është kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur diku në territorin e Ferizajt.

    Specialist të policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.

    “Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës, policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij”, thuhet në njoftim.

     

  • Turqia rrëzon një dron që iu afrua nga Deti i Zi

    Turqia rrëzoi një dron që iu afrua hapësirës së saj ajrore nga Deti i Zi, tha ministria e mbrojtjes.

    Incidenti vjen pas paralajmërimit të Turqisë javën e kaluar për përshkallëzim në Detin e Zi, pas sulmeve ruse ndaj porteve ukrainase që dëmtuan tre anije mallrash në pronësi turke.

    Në një deklaratë, ministria tha se avionë luftarakë F-16 turq dhe të NATO-s u vunë në gatishmëri për të siguruar hapësirën ajrore turke pas zbulimit të dronit, raporton Reuters.

    U përcaktua se droni ishte jashtë kontrollit dhe u rrëzua në një zonë të sigurt, shtoi ministria në deklaratën e së hënës, pa dhënë hollësi për llojin apo origjinën e tij.

    Sulmet ndaj porteve ukrainase ndodhën disa ditë pasi Moska kërcënoi se do ta “shkëpuste Ukrainën nga deti”, pas sulmeve të Kievit që dëmtuan tre cisterna të “flotës hije” që po shkonin drejt Rusisë për të eksportuar naftën e saj në Detin e Zi.

  • Auto Pjesë Beka kur makina jote kërkon më të mirën

    Në një botë ku çdo makinë ka historinë e vet, Auto Pjesë Beka është vendi ku ajo histori vazhdon pa ndërprerje. Këtu nuk flitet vetëm për pjesë flitet për siguri, besueshmëri dhe zgjidhje të sakta.

    Çdo shofer e di sa e rëndësishme është të gjesh pjesën e duhur, në kohën e duhur. Pikërisht këtu hyn Auto Pjesë Beka
    një adresë ku cilësia nuk negociohet, e ku çdo klient trajtohet me korrektësi dhe përkushtim.

    Çfarë e bën Auto Pjesë Beka ndryshe?

    • Përzgjedhje e kujdesshme e auto pjesëve për marka të ndryshme

    • Fokus në pjesë funksionale dhe të qëndrueshme

    • Këshillim i sinqertë sepse jo çdo pjesë është zgjidhje

    • Zgjidhje të shpejta për shoferë që nuk kanë kohë për eksperimente

    Auto Pjesë Beka nuk është vetëm një dyqan është partneri yt për mirëmbajtjen e makinës. Qoftë për servis, riparim apo zëvendësim, këtu e gjen atë që makina jote ka realisht nevojë.

    Sepse një makinë e mirëmbajtur mirë nuk është luks është siguri në rrugë.

  • E ardhmja e Vinicius Jr-it mbetet në dilemë, Reali përgatit “Planin B”

    E ardhmja e Vinicius Jr-it mbetet në dilemë, Reali përgatit “Planin B”

    E ardhmja e Vinicius Junior-it te Real Madridi vazhdon të jetë e paqartë, pavarësisht deklaratave të vazhdueshme të lojtarit për përkushtimin e tij ndaj klubit madrilen.

    Negociatat për rinovimin e kontratës ende nuk janë finalizuar, për shkak të kërkesave të larta financiare të brazilianit.

    Sipas medieve spanjolle, Vinicius kërkon një pagë shumë të lartë dhe një bonus nënshkrimi, kërkesa që bien ndesh me politikën aktuale financiare të Real Madridit, i cili po tregohet i kujdesshëm për të shmangur teprimet ekonomike me pasoja afatgjata.

    Edhe pse në dukje është vetëm çështje kohe për arritjen e një marrëveshjeje, drejtuesit e klubit në “Santiago Bernabeu” nuk e kanë përjashtuar plotësisht mundësinë e largimit të Viniciusit, në rast se kushtet e tij nuk përmbushen.

    “Më është thënë se kontrata e Vinicius është rinovuar dhe se nuk do të njoftohet për disa javë apo muaj. Është një marrëveshje e kryer dhe do të bëhet publike kur të vijë koha e duhur. Ai hoqi dorë nga bonusi i nënshkrimit sepse klubi nuk e pranoi. Ajo që Real Madridi nuk do ta bëjë është të humbasë mundësinë për të shitur një lojtar të nivelit të lartë”, ka shkruar gazetari i njohur Eduardo Inda.

    Inda shtoi gjithashtu se nëse Vinicius largohet, Real Madridi ka gati “Planin B”, i cili është sulmuesi i Athletic Club, Nico Williams.

    “Real Madridi po shqyrton nënshkrimin e një lojtari që ka qenë madrilen që nga lindja: Nico Williams. Ai gjithmonë ka dashur të luajë për Real Madridin. Është madrilen në zemër. Informacioni im është se Vinicius ka rinovuar kontratën dhe nëse largohet, një lojtar që klubi e pëlqen shumë është Nico Williams,” u shpreh Inda.

    Nico Williams, i cili së fundmi refuzoi një ofertë nga FC Barcelona për të vazhduar me Athletic Club-in, shihet si një profil ideal për të zëvendësuar Viniciusin në rast të një largimi të bujshëm nga “Los Blancos”.

  • Çifti heroik u vranë kur tentuan të ndalonin terroristin, vdiqën të përqafuar

    Historitë nga sulmi terrorist në plazhin Bondi të Sidneit, që la 15 të vdekur, vazhdojnë të prekin zemrat e njerëzve. Vëmendja është fokusohet së fundmi në një çift që u përpoq të çarmatoste terroristin 50-vjeçar, Shaheen Akram, por që përfunduan të vrarë të përqafuar në trotuar.

    Në një video, 69-vjeçari hebre rus Boris Gurman duket se ka shtyrë Akramin ndërsa ai doli nga makina me një flamur të ISIS-it në xhamin e përparmë dhe i mori armën. Megjithatë, përpjekja e tij dështoi, pasi terroristi 50-vjeçar qëlloi dhe vrau si Borisin ashtu edhe gruan e tij 61-vjeçare, Sofian. Fillimisht, çifti u raportua i zhdukur pas sulmit të së dielës, me policinë që bëri thirrje për informacion.

    Sipas mediave australiane, çifti heroik jetonte në Bondi të Australisë dhe kishte një djalë në të 30-at. Burime familjare bëjnë me dije se Boris dhe Sofia po përgatiteshin të festonin 35-vjetorin e martesës së tyre në janar. “Boris dhe Sofia kishin jetuar në Bondi për vite me radhë, duke e dashur komunitetin dhe jetën që kishin ndërtuar atje. Ata ishin njerëz të sjellshëm, të fortë dhe bujarë, të përkushtuar ndaj familjes së tyre. Mungesa e tyre lë një boshllëk që nuk mund të mbushet”, tha familja Gurman në një deklaratë.

    Në lidhje me aktin e vetëmohimit që ata demonstruan të dielën, të afërmit theksojnë se “kjo konfirmoi se çfarë lloj njerëzish ishin: ata ishin ata që instinktivisht zgjedhin të ndihmojnë, edhe kur ekziston rreziku më i madh. Edhe pse asgjë nuk mund ta lehtësojë dhimbjen e humbjes, ne jemi jashtëzakonisht krenarë për guximin dhe humanitetin e tyre”.

  • Trump ngre padi ndaj BBC-së për shpifje, kërkon 10 miliardë dollarë

    Trump ngre padi ndaj BBC-së për shpifje, kërkon 10 miliardë dollarë

    Donald Trump ka paditur BBC-në, duke kërkuar deri në 10 miliardë dollarë dëmshpërblim, për shkak të montimit të një fjalimi që ai mbajti më 6 janar 2021 para mbështetësve të tij në Uashington, pak para sulmit ndaj Kapitolit.

    Sipas padisë së dorëzuar në Gjykatën Federale të Floridës, Trump pretendon se BBC-ja ka redaktuar “me qëllim, keqdashje dhe në mënyrë mashtruese” fjalimin e tij në një episod të emisionit Panorama, duke bashkuar pjesë të thëna gati një orë larg njëra-tjetrës, për të krijuar përshtypjen se ai nxiti dhunë, shkruan TheGuardian.

    Sipas The Guardian, ai kërkon nga 5 miliardë dollarë dëmshpërblim për shpifje dhe për shkelje të ligjit të Floridës për praktika mashtruese tregtare.

    BBC-i ka pranuar më herët se redaktimi ishte një “gabim gjykimi” dhe i është kërkuar falje Trumpit, por ka theksuar se nuk ka bazë ligjore për pretendime për shpifje.

    Pas kësaj çështjeje, drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie, dhe drejtoresha e BBC News, Deborah Turness, dhanë dorëheqjen muajin e kaluar, në mes të kritikave për probleme serioze në mbulimin editorial.

    Trump argumenton se gjykata e Floridës ka juridiksion, pasi BBC-ja zhvillon aktivitet biznesi në SHBA përmes faqes së saj dhe platformës BritBox. Edhe pse episodi i Panorama nuk u transmetua në SHBA, ekipi ligjor i Trumpit thotë se redaktimi, i transmetuar pak para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, përbënte përpjekje për të ndikuar në zgjedhje.

    Padia kundër BBC-së vjen pas disa fitoreve ligjore të Trumpit ndaj mediave amerikane. Ai ka arritur marrëveshje milionëshe me ABC-në dhe Paramount/CBS për padi të ngjashme lidhur me shpifje dhe redaktim intervistash.

    Trump vazhdon të mohojë përgjegjësinë për ngjarjet e 6 janarit 2021 dhe, pas rikthimit në detyrë këtë vit, ka falur qindra persona të përfshirë në sulmin ndaj Kapitolit. Ndërkohë, organizata për lirinë e medias i kanë bërë thirrje BBC-së të qëndrojë e fortë dhe ta kundërshtojë padinë, duke e cilësuar kërkesën për 10 miliardë dollarë si të pajustifikuar dhe absurde.

  • Modernizim dhe efikasitet më i lartë: FSK-ja pajiset me veshmbathje dhe pajisje të avancuara

    Modernizim dhe efikasitet më i lartë: FSK-ja pajiset me veshmbathje dhe pajisje të avancuara

    Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës shumë shpejt do të furnizohen me veshmbathje dhe pajisje të reja.

    Ministria e Mbrojtjes, e udhëhequr nga ministri në detyrë, Ejup Maqedonci, ditë më parë ka arritur të finalizojë tenderin e radhës me kontratë.

    Fillimisht për kontratën në fjalë janë ndarë 217,000.00 euro, megjithatë, vlera e përgjithshme e kontratës ka kaluar shifrën e paraparë.

    Për tenderin “Furnizim me veshmbathje dhe pajisje për PU (SUFSK1001) për nevojat e FSK-së”, nga buxheti i shtetit janë ndarë 275,649.70 euro.

    Tenderi në fjalë i është besuar operatorit ekonomik “Sodex Group” Sh.P.K.

    “AK i MM-së, ka për qëllim që të lidhë një kontratë me një OE-në, që do të ketë kapacitet të kryejë furnizim me veshmbathje dhe pajisje për PU-në (SUFSK1001) për nevojat e FSK-së. Furnizimet duhet të bëhet sipas specifikimit teknik të kërkuar të përcaktuar në dosjen e tenderit me qëllim të ngritjes se operacionalitetit dhe efikasitetit në kryerjen e detyrave sipas misionit të FSK MM-së.”, thuhet mes tjerash në përshkrimin e shkurtër të kontratës. Kohëzgjatja e kontratës publike kornizë është bërë për 36 muaj.

  • Ballkani Perëndimor ende në pikë kritike, Serbia shihet si pengesë për anëtarësimin e Kosovës në BE

    Ballkani Perëndimor vijon të mbetet në pozicion kritik, pavarësisht reformave dhe progresit që po ndërmerren në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

    Instituti gjerman, “Aspen”, i cili në qendër të punës së tij ka edhe mbështetjen ndaj vendeve të rajonit ballkanik në rrugën drejt BE-së, theksoi një sërë sfidash në raportin më të fundit: “Ndryshimi strukturor në Ballkanin Perëndimor”. Sipas këtij raporti, “disa vende vijojnë të mbeten prapa, të penguar nga fragmentimi politik, mangësitë në qeverisje ose agjendat e ngecura të reformave”.

    “Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor përballen me një model të vazhdueshëm në të cilin, sundimi i dobët i ligjit, institucionet e politizuara shtetërore dhe kapaciteti i kufizuar administrativ dëmtojnë zbatimin e politikave dhe ‘gërryejnë’ besimin e publikut” – thuhet në raport. Këtij modeli, sipas raportit, i bashkëngjiten edhe „fushatat e vazhdueshme të dezinformimit, që burojnë si nga aktorë vendas që kërkojnë avantazh politik afatshkurtër, ashtu edhe nga aktorë të jashtëm që synojnë të dobësojnë qëndrueshmërinë demokratike dhe të zbehin mbështetjen për harmonizimin me BE-në”.

    “Ikja e trurit”

    “Popullsia e rajonit po tkurret dhe të talentuarit po lëvizin gjithnjë e më shumë”. Kështu e përshkruan dukurinë e “largimit të trurit” nga rajoni raporti më i fundit i Institutit Aspen. Lëvizjet demografike shihen me shqetësim, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në modernizimin e ekonomisë, së cilës në rajon i mungojnë njerëzit e për rrjedhojë aftësitë e tyre, përshtatshmëria dhe një e ardhme e qëndrueshme.

    “Ai që dikur shihej si emigrim i përkohshëm, është bërë problem strukturor, sepse të rinjtë dhe punëtorët e kualifikuar largohen në kërkim të mundësive, teksa popullsia në plakje dhe pjesëmarrja e ulët në tregun e punës dëmton fuqinë punëtore vendase” – thuhet në raport.

    Të gjashta shtetet e Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina qëndrojnë shumë poshtë standardeve të BE-së në grup-kapitullin e “Aftësive”, duke reflektuar mospërputhje të vazhdueshme mes rezultateve në arsim dhe nevojave të tregut të punës.

    “Në të gjithë rajonin, punëdhënësit raportojnë mangësi të punëtorëve të kualifikuar edhe pse niveli arsimor rritet” – mendojnë ekspertët e “Aspen”. Pagat e ulëta, krahasuar me vendet e BE-së, mundësia e kufizuar për të bërë karrierë dhe qasja në tregun europian të punës, janë ndër faktorët më të rëndësishëm. Rikthimet e të kualifikuarve që ikin, janë tepër të kufizuara.

    Shqipëria, “boshllëqe në sigurinë kibernetike”

    Në procesin drejt anëtarësimit në BE, Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen si kryesuesit e rajonit, për shkak të reformave të ndërmarra. Një ndër fushat ku theksohet ndërmarrja e hapave konkrete nga ana e Shqipërisë është modernizimi i infrastrukturës digjitale, përmes platformave si e-Albania, e cila sipas raportit, i centralizon shërbimet publike. “Megjithatë dobësitë kibernetike janë të mprehta, siç u tregua në rastet e sulmeve kibernetike të vitit 2022, raste që iu atribuan Iranit, të cilat dëmtuan sistemet shtetërore dhe nxorrën në pah boshllëqet në mbrojtjen e të dhënave”.

    Raporti përmend miratimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2020-2025, dhe përafrimin me Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave.

    “Megjithatë, sfidat vazhdojnë në aspektin e lirisë së medias, presionit politik mbi gazetarët dhe pavarësisë institucionale të Komisionerit të Mbrojtjes së të Dhënave. Mbështetja e BE-së dhe bashkëpunimi kibernetik me NATO-n kanë përmirësuar gatishmërinë digjitale të Shqipërisë, por nevojat për ndërtimin e kapaciteteve mbeten të larta”.

    Serbia, pengesa madhore për anëtarësimin e Kosovës

    Sipas Institutit “Aspen”, Kosova konsiderohet kandidat potencial për anëtarësim nga Bashkimi Europian. Por edhe pse ka bërë progres në disa fusha, vendi përballet ende me pengesa madhore, ku peshën më të madhe e zë normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. I njëjti argument vlen edhe për Serbinë.

    “Serbia ka nisur negociatat për anëtarësimin në BE që prej vitit 2014, por përparimi mbetet i kufizuar, me shqetësime mbi reformën e sundimit të ligjit, lirinë e medias, harmonizimin e politikës së jashtme dhe normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, të cilat vijojnë të ngadalësojnë ritmin e negociatave” – theksohet në raport.

    Sfidat e brendshme dhe të jashtme të BE-së

    Nga ana e tij, zgjerimi në Bashkimin Europian gjendet mes udhëkryqit të situatës gjeostrategjike që ka krijuar pushtimi rus në Ukrainë dhe skepticizmit të brendshëm nëse shtetet e reja do të përshtaten siç duhet me rregullat e Unionit.

    „Ndërsa disa shtete anëtare e shohin konsolidimin institucional si parakusht për pranimin e vendeve të reja anëtare, të tjera vende argumentojnë se procesi i zgjerimit në vetvete mund të veprojë si katalizator për modernizimin institucional. Si pasojë, BE-ja është përpjekur që qëllimin strategjik të saj ta përkthejë në një proces tërësisht të parashikueshëm”./DW