Category: AKTUALE

  • Komuna e Prishtinës jep tenderin për dekorimin e kryeqytetit për fundvit

    Komuna e Prishtinës ka dhënë tender në vlerë rreth 100 mijë euro për dekorimin e kryeqytetit për festat e fundvitit.

    Kontrata i është dhënë me negocim kompanisë “Te Fatosi SH.P.K”.

    Në njoftimin e publikuar në e-Prokurimi theksohet se kjo kompani kishte ofertuar fillimisht me çmim 98 mijë e 557 euro dhe se pas negociatave, ka bërë zbritje për 1 mijë e 500 euro, shkruan Reporteri.net.

    “Çmimi i ofertës se kandidatit “Te Fatosi” SH.P.K., me rastin e ofertimit ka qene ne vlere totale prej 98,557.00 euro. Pas zhvillimit te negociatave për zbritje te çmimit kandidati ka bere zbritje prej 1,500.00 € euro nga vlera e ofertës dhe çmimi përfundimtar për këtë aktivitet pas negocimit te çmimit është 97,057.00 euro me TVSH”, thuhet në njoftimin për dhënie të kontratës.

    Për këtë tender, ku vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 100 mijë euro, kanë qenë edhe dy oferta.

    “Adhurim Haraqia B.I” ka ofertuar me 99 mijë e 890 euro, teksa “Besa Company SH.P.K”, me çmim prej 99 mijë e 520 euro.

    Këto dy kompani janë eliminuar me arsyetimin se nuk kanë marrë pjesë në negocim të çmimit.

    Nënshkrimi i kontratës ka qenë i planifikuar më 12 dhjetor.

     

     

  • Besnik Tahiri uron nënën për ditëlindje: Të priftë shneta e paç gëzime…

    Sot ka festë në familjen e kandidatit për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahirit.

    Ai ka njoftuar se nëna e tij feston ditëlindjen.

    Me anë të një fotografie krah saj, të postuar në Facebook, Tahiri i uroi nënës shëndet dhe gëzime.

    “Nanë, urime ditëlindjen e 74-të, t’priftë shneta e paç gëzime me gjithë neve bashkë”, ka shkruar ai.

    Urime!

     

  • Ekstradohet nga Kosova për në Shqipëri i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar

    Policia ka njoftuar se është bërë ekstradimi i shtetasit kosovar nga Kosova për në Shqipëri.

    I dyshuari ishte arrestuar nga njësitet e Policisë së Kosovës, pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar, lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Shqipërisë, nën dyshimin e veprës penale “përfshirje në grup të strukturuar kriminal”.

    “I dyshuari ishte arrestuar nga njësitet e Policisë së Kosovës, pasi që i njëjti kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Shqipërisë, nën dyshimin e përfshirjes në vepra penale ‘përfshirje në grup të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftim.

    Në njoftimin e policisë thuhet gjithashtu se ekstradimi u realizua falë bashkëpunimit në mes të institucioneve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë.

  • Kritika ndaj Vjosa Osmanit për vizitën në Mitrovicë te Faton Peci, reagon Presidenca

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar kryetarin e ri të Mitrovicës, Faton Peci, për ta uruar për marrjen e detyrës. 

    Peci ka thënë se në takim është diskutuar për të gjitha nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve të Mitrovicës dhe mbështetjes institucionale.

    Ndaj vizitës së Osmanit ka pasur reagim nga ish-kryeministri Avdullah Hoti, nga radhët e LDK-së. Ai ka thënë se Osmani nuk përfaqëson unitet, por “favorizime e përçarje”.

    “Kur Presidentja zgjedh kë të urojë sipas afërsisë partiake, Zyra e Presidentit shndërrohet në zyrë politike. Shkuarja në Mitrovicë për ta uruar ish-bashkëthemeluesin e partisë është shkelje e hapur e rolit kushtetues. Kjo Presidente nuk përfaqëson unitet, por favorizime dhe përçarje”, ka shkruar Hoti në Facebook.

    Ka reaguar edhe Blerta Deliu nga PDK-ja nëpërmjet një videomesazhi në Facebook.

    “Favorizimet politike nuk i bëjnë nder Presidentes. Dorëheqje ose respekt i barabartë!” – ka thënë Deliu.

    Ndaj vizitës së Osmanit ka reaguar edhe analisti Shenoll Muharremi. Ai e ka quajtur vizitën e Osmanit te kryetari i ri i Mitrovicës, si turp i madh.

    “Sot na paska turpëruar Presidentja. Vjosa Osmani shkoi sot në Mitrovicë në një ceremoni të veçantë për ta uruar një kryetar, po nuk ka shkuar ta urojë askënd tjetër. Kjo, jo vetëm që është diçka e pazakontë, por edhe është turp i madh për shkak të asaj që çka krejt ekspozon kjo aferë. Pse? Për shkak se ajo po tregon që nuk paska qenë asnjëherë e paanshme si e kërkon kushtetuta. Po tregon që edhe ajo ka hise në fitoren e Mitrovicës. Pse nuk shkoi me uru në Prizren apo Prishtinë? Ferizaj?” – ka shkruar Muharremi.

    E Muharremit i ka reaguar këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina.

    “Të thuash se Presidentja ‘nuk ka shkuar ta uroj askënd tjetër’,  është tërësisht e pavërtetë. Si një përcjellës i zhvillimeve politike, nuk do të ishte dashur t’ju ikin zhvillimet e fundit nga aktiviteti i Presidentes nëpër komuna. Faktet janë kokëforta dhe i rrëzojnë lehtë pretendimet. Presidentja ka qenë edhe në Dragash, i udhëhequr nga LDK-ja, ka qenë edhe në Ferizaj, i udhëhequr nga PDK-ja dhe ka qenë në Gjilan, i udhëhequr nga Vetëvendosje.  Pra, narrativa se Presidentja paska ‘zgjedhur njërin e ka injoruar të tjerët’, është e pavërtetë, tendencioze dhe e ndërtuar për konsum ditor, jo për interes publik. Përpjekja për ta paraqitur këtë si shkelje të paanshmërisë kushtetuese është abuzim me terminologjinë kushtetuese. Presidentja e Republikës nuk e humb paanshmërinë duke kryer detyrën e saj përfaqësuese dhe institucionale”, ka shkruar Kupina në Facebook. “…Në fund, problemi nuk është Presidentja. Problemi është frika nga një figurë që vepron mbi parti, mbi interesa të ngushta dhe mbi pazare politike”.

    Osmani e Peci kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media pas takimit.

    “…duke ditur vullnetin me të cilën punon dhe seriozitetin që merr secilën punë dhe njëkohësisht jam e bindur që edhe nga aspekti politik duke ditur rëndësinë e Mitrovicës do të bashkëpunojmë sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që të vazhdojmë ta ruajmë sovranitetin e Republikës së Kosovës, integritetin territorial. Këto toka kanë qenë gjithmonë të shqiptarëve”, tha Osmani.

    E pyetur se pse nuk ka përkrahur në të njëjtën mënyrë ish-kryetarin e Mitrovicës nga radhët e PDK-së, Bedri Hamzën, Osmani u kundërpërgjigj se është një propagandë, pasi ka vizituar disa herë Hamzën dhe ka pasur përkrahjen e njëjtë.

    “Unë kam mendim dhe mendimi i parë është që ajo që sapo e the është ‘fake news’, është propagandë, është gënjeshtër, sepse jo një herë, po disa herë e kam vizituar Bedri Hamzën sa ka qenë kryetari i komunës. Jo vetëm në këtë zyrë, por kemi qenë në vizitë nëpër projekte të ndryshme, në shkolla biznese së bashku më të kemi vizituar edhe OJQ të ndryshme, pra edhe kryetari paraprak, ka pasur përkrahjen time të plotë”, shtoi Osmani

    Peci tha se është diskutuar për çështjet kryesore si arsimi, shëndetësia, por edhe çështjet arkeologjike që shpalosin trashëgimin potenciale të këtij qyteti, porse nuk demonstrohet në terren. Për këtë Peci tha se duhet të përmirësohet dhe të investohet në infrastrukturë.

    “Diskutuam për të gjitha temat që janë me interes publik, duke filluar prej çështjeve ambientale, deri tek çështjet arkeologjike që shpalosin trashëgimin potenciale, edhe për mundësinë që qyteti i Mitrovicës është më i bukuri për ata që i ka dhënë perëndia por që nuk është demonstrim i gjendjes faktike në terren, ta përmirësojmë dhe ta avancojmë përmes investimeve konkrete çoftë ato infrastrukturore”, tha Peci.

  • E rëndë në Vlorë: Merr flakë vetura, gjendet i djegur një person

    Një veturë është përfshirë nga flakët në Qafën e Llogarasë, ku brenda saj është gjetur trupi i një personi të djegur.

    Në vendngjarje kanë mbërritur fillimisht zjarrfikësit, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, ndërsa automjeti është djegur plotësisht.

    Bëhet e ditur se si pasojë e djegies totale, targa e mjetit nuk ka qenë e identifikueshme.

    Pak minuta më vonë në vendngjarje ka mbërritur edhe policia, e cila po kryen veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

  • Haradinaj për Ushtrinë: Sikur të mos ishte krijuar, Kosova sot do të ishte vetëm, e pambrojtur

    Haradinaj për Ushtrinë: Sikur të mos ishte krijuar, Kosova sot do të ishte vetëm, e pambrojtur

    Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook ka bërë një shkrim kushtuar Ushtrisë së Kosovës.

    Ai tha se po të mos ishte krijuar kjo Ushtri, Kosova sot do të ishte vetëm dhe siç u shpreh, e pambrotjur.

    Postimi i plotë:

    Sikur të mos ishte krijuar Ushtria, Kosova sot do të ishte vetëm… e pambrojtur.

    Qëndruam për t’u ngritur, që rruga e nesërme të ishte më e sigurt.

    #AAK #RamushHaradinaj #KrahTeje

  • BE dënon “veprimet e rrezikshme” të rojes bregdetare kineze në Detin e Kinës Jugore

    Bashkimi Evropian dënoi të hënën ato që i cilësoi si “veprime të rrezikshme” nga Roja Bregdetare kineze në Detin e Kinës Jugore kundër anijeve peshkare për Filipinet, duke përmendur rrezikun për jetën e civilëve dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.

    Në një deklaratë, BE-ja tha se përdorimi i topave me ujë dhe prerja e litarëve të ankorimit nga anijet kineze kërcënuan sigurinë e jetës në det, shkaktuan lëndime te civilët dhe minuan ushtrimin e ligjshëm të të drejtave detare.

    Blloku rikujtoi se Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS) përbën kornizën ligjore që rregullon të gjitha aktivitetet në oqeanet dhe detet e botës dhe duhet të respektohet në çdo kohë.

    Ai theksoi gjithashtu se Vendimi i Arbitrazhit i vitit 2016 për Detin e Kinës Jugore është përfundimtar dhe ligjërisht i detyrueshëm për palët e përfshira.

    Duke bërë thirrje për uljen e tensioneve, BE-ja i kërkoi Kinës të përmbahet nga përdorimi i forcës ose shtrëngimit dhe t’i zgjidhë mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore, në respekt të plotë të së drejtës ndërkombëtare.

    Tensionet kanë vazhduar vitet e fundit mes Kinës dhe Filipineve, një aleat i SHBA-së, për shkak të pretendimeve konkurruese në Detin e Kinës Jugore.

  • Aksident i rëndë në Mazgit, dyshohet se ka vdekur shoferi i kamionit i cili u rrokullis

    Aksident i rëndë në Mazgit, dyshohet se ka vdekur shoferi i kamionit i cili u rrokullis

    Një aksident i rëndë ka ndodhur në segmentin afër autostradës, në Mazgit, ku u rrokullis një kamion.

    Sipas informacioneve të fundit, dyshohet se shoferi i kamionit ka vdekur.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e hetuesisë për të mësuar më shumë rreth rastit.

  • KQZ: Funksionale kutitë postare në 23 shtete të botës për qytetarët që votojnë jashtë shtetit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se me qëllim të lehtësimit të procesit të votimit jashtë Kosovës, për votuesit e regjistruar për votim me postë, janë funksionale kutitë postare në 23 shtete të ndryshme.

    Kutitë postare janë funksionale në këto 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

    “Më 14 dhjetor, KQZ ka nisur procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për rreth 58 mijë votuesit e regjistruar jashtë vendit për votim me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Fletëvotimet, të cilat janë shtypur në Slloveni, kanë arritur në Kosovë të premten më 12 dhjetor dhe pas kësaj shërbimi votues i KQZ-së ka bërë përgatitjen e pakove individuale për secilin votues të regjistruar. Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim”, ka njoftuar KQZ.

    KQZ ka njoftuar se votimi përmes postës përfundon më 27 dhjetor 2025.

    “Pakot duhet të dorëzohen në adresën e njërës nga kutitë postare të KQZ-së në shtetin ku jetojnë votuesit, apo në kutitë postare më të afërta. KQZ inkurajon votuesit e regjistruar që këtë ta bëjnë sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që pakoja të arrijë me kohë në kutinë postare nga ku do të tërhiqet dhe do të dërgohet në Kosovë për procesin e numërimit”, ka njoftuar KQZ.

  • Majorja e Policisë së Kosovës diplomon në Akademinë Kombëtare të FBI-së

    Më 11 dhjetor 2025, majore Luljeta Mehmeti–Quigley nga Policia e Kosovës ka diplomuar me sukses si pjesëtare e Sesionit të 296-të të Akademisë Kombëtare të FBI-së, në ceremoninë e mbajtur në Quantico, Virxhinia, SHBA.

    Majore Mehmeti-Quigley është pjesë e një grupi të përzgjedhur zyrtarësh të lartë të zbatimit të ligjit që përfundojnë këtë program prestigjioz.

    Ajo është një nga pak zyrtarët në historinë e Policisë së Kosovës që ka arritur të diplomojë nga Akademia Kombëtare e FBI-së, ku më pak se një për qind e zyrtarëve ndërkombëtarë kanë mundësinë të ndjekin këtë trajnim elitar në nivel ekzekutiv.

    “Më 11 dhjetor 2025, majore Luljeta Mehmeti – Quigley ka diplomuar me sukses si pjesëtare e Sesionit të 296-të të Akademisë Kombëtare të FBI-së. Ceremonia e diplomimit u mbajt në Akademinë e FBI-së në Quantico, Virxhinia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
    Majore Mehmeti – Quigley bën pjesë në një grup të përzgjedhur të zyrtarëve të lartë të zbatimit të ligjit që përfundojnë këtë program prestigjioz dhe është një nga pak zyrtarët në historinë e Policisë së Kosovës që ka diplomuar nga Akademia Kombëtare e FBI-së. Në nivel të Shteteve të Bashkuara dhe ndërkombëtar, më pak se një për qind e zyrtarëve të zbatimit të ligjit kanë mundësinë të ndjekin këtë trajnim elitar në nivel ekzekutiv.

     

     

    E njohur ndërkombëtarisht për përsosmëri akademike, Akademia Kombëtare e FBI-së ofron 11 javë trajnim të avancuar në lidership, komunikim, shkenca të sjelljes, përgatitje fizike dhe praktika bashkëkohore të zbatimit të ligjit. Pjesëmarrësit përzgjidhen bazuar në performancë të dëshmuar profesionale dhe potencial udhëheqës. Mesatarisht, zyrtarët e diplomuar kanë mbi 20 vjet përvojë në zbatimin e ligjit dhe kthehen në agjencitë e tyre për të shërbyer në pozita të larta udhëheqëse dhe strategjike.

    Sesioni i 296-të përbëhej nga 254 zyrtarë të zbatimit të ligjit që përfaqësonin 47 shtete të SHBA-së dhe Distriktin e Kolumbisë, si edhe zyrtarë nga 24 shtete të botës, katër organizata ushtarake dhe dy agjenci federale civile, duke theksuar dimensionin e fuqishëm ndërkombëtar dhe ndërinstitucional të akademisë.

    Diplomimi i majores Mehmeti – Quigley nga Akademia Kombëtare e FBI-së pasqyron profesionalizmin, lidershipin dhe përkushtimin e saj ndaj punës në Policinë e Kosovës. Ky sukses forcon kapacitetin institucional të Policisë së Kosovës dhe përforcon përkushtimin ndaj standardeve moderne, demokratike dhe të harmonizuara ndërkombëtarisht të policimit.

    Pjesëmarrja e saj në Akademinë Kombëtare të FBI-së rrit më tej aftësinë e Policisë së Kosovës për të zbatuar praktikat më të mira ndërkombëtare, për të forcuar partneritetet dhe për të kontribuar në sigurinë publike për të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në njoftim.