Category: AKTUALE

  • Haradinaj kujton momentin kur u shpall i pafajshëm në Hagë: Ishte fitore për gjithë luftën çlirimtare

    Sot bëhen 13 vjet nga 29 nëntori 2012, dita kur Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi shpalli të pafajshëm Ramush Haradinajn.

    Përvjetorin e këtij vendimi, Haradinaj e ka kujtuar përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar si një ditë me peshë të veçantë.

    Ai rikujtoi se rrugëtimi i tij ligjor nisi më 17 nëntor 2004, kur për herë të parë u thirr nga Gjykata e Hagës, një proces që do të zgjaste deri në vitin 2012.

    “Sot shënoj një ditë që për mua ka gjithmonë një peshë të veçantë, përvjetorin e lirisë sime dhe vulosjen përfundimtare të së drejtës së luftës sonë çlirimtare.

    Më 17 nëntor 2004, edhe pse luftëtar i lirisë në tokën time, u ftova për herë të parë nga Gjykata e Hagës. Ajo ditë shënoi fillimin e një rrugëtimi të gjatë ligjor, i cili zgjati deri më 29 nëntor 2012. Edhe pse u shpalla i pafajshëm në gjykimin e parë, vite më pas u riktheva sërish në rigjykim, për ta vërtetuar edhe një herë të vërtetën tone”, shkroi Haradinaj.

    Sipas tij, aktvendimi i pafajësisë nuk ishte vetëm fitore personale, por fitore për të gjithë luftën çlirimtare.

    “Sot, 13 vite më pas, e kujtoj atë aktvendim të pafajësisë si një fitore jo vetëm për mua, por për të gjithë luftën tonë çlirimtare. Lufta ime për të vërtetën zgjati po aq sa lufta për liri, dhe në të dyja këto beteja dola fitimtar.

    Gjatë çdo hapi, në çdo vendim e në çdo veprim timin, jam kujdesur që Kosovës t’i sjell vetëm fitore dhe nder. Asnjëherë nuk kam lëvizur nga kjo detyrë, as në luftë e as në paqe.

    Falënderoj gjithë ata që nuk humbën besimin në mua dhe në pafajësinë time e mu gjenden pranë në të gjitha mënyrat!”, shkroi ish-gjenerali i UÇK-së.

  • Kaq mijë gjoba dhe kaq aksidente për 24 orë në Kosovë

    Policia e Kosovës, ka njoftuar se gjatë 24-orëve të fundit, janë shqiptuar 1231 gjoba trafiku.

    Në raport shtohet edhe se gjatë kësaj kohe kanë ndodhur 52 aksidente trafiku, ku 26 kanë qenë me dëme materiale, dhe 26 tjera, me të lënduar.

    Pos këtyre, njoftohet edhe se janë arrestuar 17 persona, ku 10 janë dërguar në mbajtje.

  • Vëllai i Liridona Ademajt: Nuk pajtohemi me faktin që nuk je, do të luftojmë deri në frymën e fundit për të kërkuar drejtësi

    Janë bërë dy vjet prej vrasjes së Liridona Ademajt që ndodhi në sy të fëmijëve të saj e me porosinë e bashkëshortit të saj Naim Murseli për të cilin tashmë ka edhe një aktakuzë e po gjykohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Në këtë përvjetor e ndjera është kujtuar nga vëllai i saj Leonard Ademaj, i cili thotë se malli për të shtohet çdo ditë e nuk mund të pajtohet me faktin që më nuk është në mesin e tyre, duke theksuar se mungesa e saj vërehet në çdo kohë.

    “Sot bëhen 2 vite që nga ikja jote Motër. Malli për ty shtohet çdo ditë, mungesa jote vërehet në çdo kohë. Këto 2 vite nuk ishin të lehta për ne si familje nuk mundemi asesi të pajtohemi me faktin qe ti nuk je më ne mesin tonë. Na ka marrë malli shumë për prezencën tënde asgjë më nuk është e njejtë”, ka shkruar Leonardi.

    Teksa shkruan për mungesën e saj, Leonard Ademaj thotë se do të luftojnë deri në frymën e fundit për të kërkuar drejtësi, duke shtuar se vitet po ecin e akoma po përballen me kriminelët që padrejtësisht ia morën jetën.

    “Vitet po ecin shpejtë e ne akoma po ballafaqohemi me kriminelët të cilët padrejtësisht të morën nga ne. Do të luftojmë deri në frymën e fundit duke kërkuar drejtësi për ty Motër. Kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar. Të kujtojmë me mallë e shumë dashuri Familja Ademaj dhe djemtë Diar&Dion”, ka shkruar vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi.

  • Adriatik Kelmendi flet për sulmet ndaj babait, shpjegon versionin e tij (VIDEO)

    Gazetari Adriatik Kelmendi, në emisionin “Weekend” në Klan Kosova, ka folur për babain e tij, Flamurin, dhe për komentet që janë drejtuar ndaj tij dhe familjes së tij.

    Kelmendi tha se sulmet nuk janë ndaj babait të tij, por ndaj ti.

    “Jemi në një moment ku shohim se shoqëria është e polarizuar, dhe natyrisht nuk mund t’i pëlqesh gjithmonë secilit. Librat e mi janë të njohur për kritikat që kam bërë ndaj të gjithë atyre që kanë qenë në pushtet, ndaj UNMIK-ut, ndaj serbëve dhe natyrisht edhe ndaj VV-së. Por besoj se si shoqëri nuk kemi parë ende një përpjekje serioze për të gjetur çfarëdo të vërtete”, tha Kelmendi.

    Ai rrëfeu gjithashtu sfidat që ka kaluar familja e tij pas largimit të babait nga puna.

    “Babai im u dërgua nga puna për bindjet e tij nacionaliste; disa të tjerë vazhduan punën, disa deri në fund. Madje, atij i ndalohej të punonte si avokat. Si rezultat, mbetëm pa para dhe për disa muaj dolëm të shisnim në Pazar të Pejës; në disa kioske shisnim gazeta dhe cigare”, vijoi ai.

    Derisa, ndër tjerash deklaroi se i ka kërkuar falje babit të tij, duke nënvizuar “se po të mos ishte Adriatik Kelmendi, Flamuri do të thonin se është më i miri, sepse kur e fituan shqiptarët lirinë e  themeloi Prokurorinë e Qarkut në Pejë”.

  • Dy vjet nga vrasja e Liridona Ademajt: Familja kërkon që autorët të marrin dënimin e merituar

    Sot shënohet përvjetori i dytë i vrasjes së 30-vjeçares Liridona Ademajt, një ngjarje që pati tronditur Kosovën.

    Vëllai i saj, Leonard Ademaj, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur dhimbjen dhe mallin për motrën, duke theksuar se familja nuk mund të pajtohet me mungesën e saj dhe kërkon drejtësi.

    “Malli për ty shtohet çdo ditë, mungesa jote vërehet në çdo kohë. Këto dy vite nuk ishin të lehta për ne si familje. Nuk mundemi asesi të pajtohemi me faktin që ti nuk je më në mesin tonë. Do të luftojmë deri në frymën e fundit duke kërkuar drejtësi për ty, motër”, shkroi ai.

    I njëjti deklaroi se të dyshuarit pë vrasjen e saj duhet të marrin dënimin e merituar, përcjell Klankosova.tv.

    “Kriminelët duhet të marrin denimin e merituar.Të kujtojmë me mallë e shumë dashuri Familja Ademaj dhe djemt Diar&Dion”, shkroi vëllau i të ndjerës.

    Ngjarja tragjike pati ndodhur mbrëmjen e 29 nëntorit 2023 në fshatin Bernicë të Prishtinës.

    Liridona Ademaj u qëllua në qafë në makinën ku ndodhej me fëmijët e saj dhe bashkëshortin, Naim Murseli,si i dyshuar se urdhëroi vrasjen.

    Ndërsa Granit Plava dyshohet se kreu vrasjen, e nipi i Murselit, Kushtrim Kokala,  gjithashtu është i dyshuar për përfshirje në ngjarje.

    Të tre të dyshuarit u arrestuan të njëjtën ditë me funeralin e Liridonës, disa orë pas varrimit.

  • Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vazhdim

    Parashikimi i motit për sot dhe ditëve në vazhdim

    Reshjet lokale të borës do të vazhdojnë edhe pak në disa rajone dhe do të vijnë duke u dobësuar gradualisht. Reshjet e dendura tani janë larg viseve tona dhe ky është një lajm i mirë për shumë zona të prekura nga vërshimet, megjithatë reshje lokale do të vazhdojnë vetëm në disa zona të pakta.

    Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot i vranët, i ftohtë dhe me reshje të pakta lokale. Temperaturat minimale pritet të zbresin deri në -2 gradë Celsius kurse maksimalja pritet të arrijë deri në 4 gradë Celsius.

    Në Shqipëri sot pritet të mbajë mot me vranësira dhe në disa zona do të ketë depërtime të rrezeve diellore në sipërfaqe. Reshje shiu ende priten në shumë zona në jug dhe perëndim të vendit.

    Vranësira të shumta dhe reshje të pakta sot priten në Maqedoninë Veriore, Luginë të Preshevës dhe pjesë të Malit të Zi.

    E diela vjen me stabilizim të motit dhe rritje të lehta të temperaturave. Përpos vranësirave do të ketë gjasa edhe për intervale kohore me diell, por mëngjesi mund të jetë shumë i ftohtë dhe me acar.

    Fillimi i javës së re me ngrica dhe mundësi për mjegull në mëngjes. Ditët me alternime mes vranësirave e intervaleve kohore me diell. Temperaturat në rritje progresive.

  • Emaile të rreme në emër të institucioneve: Policia del me njoftim dhe thirrje për qytetarët

    Emaile të rreme në emër të institucioneve: Policia del me njoftim dhe thirrje për qytetarët

    Policia e Kosovës ka dalur me komunikatë për emailet e rreme që po shkojnë në adresë të qytetarëve.

    Policia ka theksuar se po i hetojnë ato.

    Komunikata:

    Njoftim zyrtar lidhur me qarkullimin e e-mailave të rreme/false

    Prishtinë, më 28 nëntor 2025

    Policia e Kosovës (PK), njofton opinionin publik lidhur me qarkullimin dhe shpërndarjen nëpër e-maile të ndryshme, të disa informacioneve jozyrtare (false/rreme), që kinse i përkasin Policisë së Kosovës dhe organizatave të ndryshme, informacione këto kinse janë lëshuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovs, andaj sqaron se:

    Këto informacione të dërguara nga kinse zyrtarë të lartë të PK-së, të emërtuara si “THIRRJE GJYQËSORE”, me numër referues të dosjeve të lëshuara kinse siç potencohen në e-maile nga stafi i lartë menaxhues i PK-së, Agjencia e Sigurisë Kibernetike në Kosovës, Byroja Federale e Hetimeve, Policia Kombëtare e Krimit Kibernetik dhe Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale etj., NUK janë dokumente zyrtare të Policisë së Kosovës, e aq më pak të lëshuara nga zyrtarë të lartë brenda PK-së, por janë e-mail-e/dokumente të falsifikuara për përdorim me qëllime të caktuara.

    Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, pas sigurimit të informacioneve rreth përsëritjes së qarkullimit të e-mail-eve të tilla, po kryen hetime intensive, duke angazhuar njësitet kompetente policore, me qëllim të hetimit, verifikimit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.

    Policia e Kosovës njofton dhe njëherit fton qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave/mashtrimeve të tilla dhe kushdo që mund të pranojë ndonjë e-mail/dokument të tillë, ta adresojë në adresën zyrtare të PK-së [email protected] për trajtim dhe kompetencë të mëtejme.

  • Prelvukaj: Vazhdoj të jem mbështetës fanatik i bashkimit të shqiptarëve

    Genc Prelvukaj nga Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se e mbështetë me fanatizëm bashkimin kombëtar.

    Megjithatë, Prelvukaj i ftuar në “Debat Plus” në Dukagjin, u shpreh se e ka shumë të qartë se rrethanat politike aktualisht nuk e favorizojnë këtë nismë të kamotshme.

    “Vazhdoj të jem mbështetës fanatik i bashkimit të shqiptarëve. Mirëpo, jam i vetëdijshëm që rrethanat politike aktuale nuk e favorizojnë – por në rast se rrethanat politike ndryshojnë duhet ta kemi opsionin e bashkimit. Jam radikalisht kundër që të përjashtohet si opsion”, u shpreh Prelvukaj.

    Mes tjerash, Prelvukaj, u shpreh se ideja e bashkimit kombëtar manifestohet në familjen e tij për çka u shpreh se s’ka si të jetë kundër saj.

    “Unë jam i lindur e rritur në Prishtinë, nga krahu i nënës jemi nga Sanxhaku i Nishit, babi më ka lindur në Martinaj në Plavës, gjyshin nga Dragobija e Tropojës dhe jam i martuar me Enin që është e Tiranës – nuk mund të jem kundër një ide që manifestohet brenda familjes time. Unë çdo herë kam pas konsistencë që nga faza e parë e artit dhe vazhdojë te kem të njëjtin mendim. Unë nuk kam problem me njerëzit që e kundërshtojnë bashkimin pasi është mendimi i tyre – por jam kundër bazës argumentuese që ata kanë për shembull jo rrallë në diskursin publik flitet që nuk e përkrahin bashkimin me Shqipërinë sepse nuk kemi qenë pjesë e Shqipërisë kurrë – këto janë banalitete që më acarojnë. Ne kemi qenë pjesë e një trungu etnik me kufi tjerë në këtë kontekst duhet të merret parasysh që përcaktimi i kufijve të Shqipërisë së sotme është përcaktim mbi bazën e jo vullnetit të shqiptarëve, por të fuqive tjera dhe duhet të kemi parasysh se ne edhe atë kohë elitat tona politike dhe masa popullore e dashamirët e shqiptarëve ketë ndarje të kufijve dhe mbetjen jashtë të Kosovës e një pjesë te Maqedonisë perëndimore e Malit të Zi e kanë konsideruar si amputim të Shqipërisë”, u shpreh Prelvukaj.

  • Operacion i madh policor në Mal të Zi: Arrestohen mercenarët e Putinit, gjendet arsenal armësh

    Policia malazeze ka shkatërruar një rrjet mercenarësh që luftuan në anën e Rusisë në fushën e betejës ukrainase. Siç raportuan mediat në Podgoricë, u arrestua Danko Savić, një shtetas i Bosnjës dhe Hercegovinës me banim të përhershëm në Mal të Zi, i cili kishte një milion e gjysmë euro në llogarinë e tij, që sipas policisë malazeze, i kishte fituar gjatë kohës që ishte në formacionet ruse.

    Siç është raportuar, Savić u arrestua si pjesë e operacionit të koduar “Lugansk”, dhe gjatë një kontrolli në ambientet e banimit dhe të tjera që ai përdor, policia sekuestroi 12.2 kilogramë eksplozivë.

    Sipas raportimeve, në këtë operacion policor deri më tani janë përfshirë 12 persona, dhe policia ka kontrolluar 13 lokacione në Danilovgrad, Nikshiq dhe Podgoricë.

    “U gjetën dhe u sekuestruan: 24 armë zjarri, më shumë se 1,000 fishekë, disa korniza, nëntë thika, shpata dhe bajoneta, si dhe uniforma, flamuj dhe shenja të tjera dalluese të organizatave dhe grupeve formuese, si dhe sende të tjera që mund të sekuestrohen në përputhje me ligjin, në lidhje me këto dhe vepra penale të lidhura me to”, tha policia malazeze.

    Midis sendeve të konfiskuara ishin uniforma të shumta ushtarake, jelekë antiplumb, helmeta, karta SIM, pajisje komunikimi, si dhe karta identiteti të Vëllazërisë Kozake Malazeze, shpesh me emra të ndryshëm.

    Sipas policisë, provat materiale tregojnë se Savić mori pjesë në strukturat ushtarake të huaja të Federatës Ruse në Luhansk, në periudhën nga fillimi i vitit 2023 deri në fillim të vitit 2025. Dyshohet se angazhimi i tij ishte i motivuar nga përfitimi financiar dhe se gjatë kësaj periudhe ai fitoi 1.5 milion euro.

    Kjo nuk është hera e parë që Savić është vënë në shënjestër të policisë. Ai u arrestua gjithashtu në qershor të vitit 2025, kur në shtëpinë e tij u gjetën 12 kilogramë eksplozivë të paketuar në formën e një rripi. Më pas, kundër tij u ngrit një padi penale për posedim të paligjshëm të armëve dhe substancave shpërthyese.

    Mediat raportuan më parë se Savić ishte një ish-anëtar i Ushtrisë Jugosllave. Ai më parë e kishte deklaruar veten publikisht si ataman, ose komandant kozak, duke u shoqëruar me Ushtrinë Kozake të Ballkanit, një organizatë që dyshohet se është e lidhur me Ushtrinë Qendrore Kozake të Rusisë, e cila është e afërt me Presidentin Vladimir Putin.

    Televizioni malazez deklaron se operacioni “Lugansk” është koordinuar me shërbimet e inteligjencës së dy shteteve anëtare të NATO-s dhe se, bazuar në informacionet nga shërbimet perëndimore, policia ka kontrolluar objektet e personave që janë anëtarë të “Ushtrisë së Kozakëve të Ballkanit”, “Vëllazërisë Malizezo-Kozake”, si dhe organizatës “Ujqërit e Natës”.

    Kjo media kujton se këto organizata janë të afërta me Kishën Ortodokse Serbe dhe se kjo lidhje u zbulua gjatë fronëzimit të Mitropolitit të KOS-it në Mal të Zi, Joanikij Mićović, më 5 shtator 2021, kur anëtarët e këtyre organizatave morën pjesë në sigurimin e manastirit në Cetinje ku u zhvillua fronëzimi./A2

  • Orban tenton të shpëtojë Serbinë, Vuçiq e takon në Suboticë

    Bisedimet janë duke u zhvilluar në këtë drejtim dhe këtë e konfirmoi të enjten shefi i kabinetit të kryeministrit Viktor Orban.

    Sakaq, takimi mes Orban dhe Vuçiç në Suboticë filloi mjaft informal, pasi të dy burrështetasit shkuan të konsumonin byrek.

    “Thonë se partneritetet strategjike diskutohen në tryeza të mëdha, por unë dhe @orbanviktor vendosëm ta bënim këtë me byrek të nxehtë, sepse miqësia midis Serbisë dhe Hungarisë është bërë prej kohësh më e fortë se të gjitha protokollet. Jam i lumtur që e freskuam këtë takim me një bisedë të mirë dhe një byrek edhe më të mirë”, shkroi Vuçiç në një postim në Facebook, duke bashkangjitur disa foto nga fabrika e birrës ‘Mićko’ në Suboticë

    Pas byrekut, Vuçiç dhe Orban shkuan në një vreshtari të famshme në zonë. Ata u ndalën në kantinën Zvonko Bogdan në Paliç, siç njoftoi Kurir.

    Vuçiç postoi disa foto me Orban në punishten e verës në rrjetin social Instagram, duke pretenduar se ambienti i saj “e përshkruan më së miri Vojvodinën“.

    “Në një atmosferë të këndshme, biseduam për projektet e përbashkëta, të ardhmen e marrëdhënieve tona dhe gjithçka që kemi ndërtuar së bashku prej vitesh. Jam i bindur se partneriteti dhe miqësia e qëndrueshme dhe e sinqertë midis Serbisë dhe Hungarisë do të vazhdojë t’u sjellë dobi popujve tanë dhe të gjithë rajonit”, shkroi Vuçiç në Instagram.

    Takimi i dy liderëve vjen në një kohë kur Serbia duhet të gjejë një blerës për NIS, i cili është nën sanksione të SHBA-së për shkak të pronësisë ruse. Sanksionet kanë ndaluar furnizimin me naftë bruto nga tubacioni JANAF i Kroacisë dhe Serbia gjendet në periudhë kritike.

    Beogradi ka paralajmëruar se rafineria e vetme e naftës në Serbi do të duhet të mbyllet këtë javë nëse nuk hiqen sanksionet.

    Kryeministri hungarez Orban, i cili u takua me Presidentin Vuçiç të enjten, tha se do të zhvillojë bisedime të premten për të siguruar që Hungaria të marrë mjaftueshëm naftë dhe gaz bruto rus, gjë që do t’i lejonte asaj të furnizonte Serbinë fqinje me naftë bruto.

    Orban nuk tha se ku ose me kë do të fliste, pasi media raportoi se kryeministri hungarez do të takohej me presidentin rus Vladimir Putin të premten në Moskë.


    Orban tha gjithashtu se Hungaria do të ishte “e kënaqur” me marrjen e rolit në NIS-in serb, duke shtuar se është Serbia ajo që vendos për të ardhmen e rafinerisë së saj të prekur nga sanksionet e SHBA-së.

    Shefi i stafit të tij, Gergely Gulyas, tha në një konferencë për shtyp më herët të enjten se “mund të ketë një mundësi për një transaksion normal të tregut, por këto bisedime tani janë duke vazhduar”.

    “Më lejoni të përsëris, është në interes të… NIS që të mos ketë më pronësi ruse. Një mundësi është që MOL të marrë një rol më të madh”, theksoi ai, duke shtuar se Hungaria është “e gatshme të marrë në konsideratë” ndihmën në transaksion nëse është e nevojshme.

    Vuçiç tha të martën se Beogradi do t’u jepte kompanive ruse Gazprom Neft dhe Gazprom 50 ditë kohë për të shitur aksionet e tyre në NIS ose qeveria do të merrte përsipër operacionet dhe do të bënte një ofertë për t’i blerë ato.

    Gazprom Neft mban 44.9 përqind të NIS dhe Gazprom 11.3 përqind. Pjesa e pronësisë së Serbisë është 29.9 përqind, ndërsa pjesa tjetër mbahet nga aksionarë të vegjël.