Category: AKTUALE

  • Çështja e presidentit, Mustafa: Duhet të ketë hapësirë për marrëveshje

    Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka folur për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.

    Ai, ka thënë se nëse dëshirohet që kjo çështje të merr një zgjidhje duhet të ketë hapësirë për marrëveshje.

    “Në qoftë se dëshirojmë zgjidhje, ose në qoftë se jemi të gatshëm edhe si pozitë edhe si opozitë ta bëjmë presidentin, atëherë duhet të ketë hapësirë për marrëveshje. Domethënë duhet të ulen pozita dhe opozita, të merren vesh bashkërisht për një personalitet, mos ta thjeshtoj për një personalitet i cili kishte me e kry këtë punë pa anime politike”, tha ai.

    Ndërsa, i pyetur se e a do të kthehet Vjosa Osmani në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Mustafa nuk deshi të deklarohej për këtë, duke thënë se nuk është ky rasti që të flet për këtë temë.

    “Do t’ju kërkoj falje, sepse sot është krejt një temë tjetër. Nuk do të dëshiroja që sot këtë çështje që e kemi hapur këtu në Akademi ta ndërlidh me emra konkretë, kush synon e kush çka ka bërë të mbarën. Mund ta shfrytëzojmë ndonjë rast tjetër që unë të jap qëndrimin tim politik”, tha ai.

    E sa i përket mungesës së Abdixhikut në promovimin e librit, Mustafa u shpreh shkurt se kush ka pasur dëshirë ka ardhur.

    “Për ftesat e këtij libri, ne kemi pasë atje përpara ftesë publike, kështu që kanë ardhur ata që kanë dashtë me ardhë, me të cilët ne kemi punuar një kohë të gjatë”, tha ai.

  • Macron: Rreth 15 vende do të lehtësojnë trafikun në Ngushticën e Hormuzit pas armëpushimit SHBA-Iran

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar se rreth 15 vende po planifikojnë të lehtësojnë rifillimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës rrjedh zakonisht një e pesta e furnizimit botëror me naftë, pas njoftimit të armëpushimit midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

    “Rreth 15 vende janë aktualisht të mobilizuara dhe po marrin pjesë në planifikim, nën udhëheqjen e Francës, për të mundësuar zbatimin e këtij misioni rreptësisht mbrojtës në koordinim me Iranin për të lehtësuar rifillimin e trafikut,” ka thënë Macron të mërkurën, duke folur në fillim të takimit të tij për mbrojtjen me këshilltarët dhe anëtarët e kabinetit të tij.

    Macron ka shtuar se mirëpret armëpushimin mes Iranit dhe SHBA-së, por ka theksuar se situata në Liban mbetet kritike dhe ka bërë thirrje që ky vend të përfshihet në marrëveshje.

    “Dëshira jonë në këtë kontekst është të sigurohemi që armëpushimi të përfshijë plotësisht Libanin,” ka deklaruar presidenti francez, duke kujtuar lidhjet e ngushta historike të Francës me ish-protektoratin libanez.

  • Prokuroria në Gjakovë do të kërkojë paraburgim ndaj 50-vjeçarit që dyshohet se sulmoi seksualisht vajzën e tij

    Në fshatin Hereq të Gjakovës, një e mitur dyshohet se është sulmuar seksualisht nga babai i saj.

    Ngjarja kishte ndodhur më 1 prill 2026, kur nëna ishte paraqitur në stacionin policor së bashku me vajzën e saj, duke raportuar rastin.

    Viktima J.S. (11-vjeçare) është dëgjuar në prani të nënës dhe përfaqësueses së Qendrës për Punë Sociale, ku ka deklaruar se është sulmuar seksualisht nga i dyshuari gjatë kohës kur po qëndronte në shtëpinë e tij.

    Fillimisht, i dyshuari kishte arritur t’i shmangej organeve të rendit dhe nuk ishte lokalizuar menjëherë pas raportimit të rastit, duke mbetur për disa kohë në kërkim nga policia.

    Megjithatë, pas ndërmarrjes së veprimeve intensive hetimore dhe operative nga njësitet përkatëse, është arritur të lokalizohet dhe arrestohet i dyshuari M.S. (50-vjeçar).

    Raportimin e Sinjalit e ka konfirmuar Policia e Kosovës si dhe Prokuroria Themelore në Gjakovë ku ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

    “Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një (1) person, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Sulmi seksual” dhe ndaj të njëjtit Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit“, thuhet në përgjigjen e tyre duke shtuar se Prokurori i Shtetit në koordinim me Policin e Kosovës, janë duke i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me këtë rast.

    Nga prokuroria kanë potencuar se meqë rasti ka të bëjë me të mitur dhe raste me të mitur sipas dispozitave ligjore janë të mbyllura për publikun.

  • ​Lladrovci zbulon një skenar të ri për stadiumin nacional: Kam informata jo zyrtare se mund të ndodhë afër Prishtina-Mall-it

    Debati për ndërtimin e stadiumit kombëtar të futbollit në Kosovë vazhdon të mbetet një nga temat më të diskutuara në vend, duke përfshirë institucione, federata dhe opinionin publik. Kërkesa në rritje për kapacitete më të mëdha dhe standarde ndërkombëtare, sidomos në prag të organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, ka shtuar presionin për një vendim sa më të shpejtë dhe të qartë për lokacionin e këtij projekti madhor.

    Në këtë kontekst, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke folur për KosovaPressin rreth kësaj çështjeje, ka deklaruar se ka informacione jozyrtare lidhur me vendndodhjen e mundshme të stadiumit, duke theksuar se vendimi final ende nuk është marrë dhe se procesi është në fazë vlerësimi nga institucionet përgjegjëse.

    Ai ka bërë të ditur se sipas informatave që posedon, një nga opsionet që po qarkullon është ndërtimi i stadiumit në afërsi të Prishtina Mall-it, megjithatë ka shprehur rezerva për këtë ide dhe ka paralajmëruar për implikimet ligjore në rast të keqpërdorimeve të mundshme.

    Lladrovci: Unë kam informata jo zyrtare që stadiumi do të bëhet prapa Prishtina Mall-it

    Unë kam informata jo zyrtare që do të bëhet prapa Prishtina Mall-it, në Graçanicë, në qoftë se dikush e dërgon për biznese të veta tek Prishtina Mall, ka për të pasur shumë probleme me ligjin sepse atje prona kushton bajagi shtrenjtë. Kam informacione jo zyrtare thash që nuk e besoj por si informacion ka dalë që i ka pasur kërkesat. Me sa kam informacion unë qeveria ose ministria e ka caktuar një komision i cili ka për ta bërë vlerësimin dhe ka për të vendosur, e që është nga Komiteti Olimpik, që është nga federata dhe nga ministria. Ne në kuadër të Lojërave Mesdhetare është dashtë me qenë dhe ka qenë i paraparë edhe stadiumi, e kemi një nënshkrim me ministrin paraprak që e kemi bërë dhe që e kemi në memorandum të nënshkruar për tu ndërtuar stadiumi sa më shpejtë. Unë dhe gjithë infrastrukturën që e kam sa i përket Lojërave Mesdhetare, unë kam vënë dispozicion dhe jam i gatshëm me e bë çdo ndërhyrje që do të kërkojnë nga ky komitet t’i themi ose nga ky komision i përcaktuar për këtë çështje”.

    Së fundi, ministri i Ministrisë për Rini dhe Sport, Blerim Gashani, në një intervistë në “SportCast” të KosovaPressit, pranoi se momentalisht, Drenasi mbetet si lokacioni më i mundshëm për nisjen e ndërtimit të stadiumit të ri.

    Kujtojmë se Kosova do të jetë organizatore e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 dhe ndërtimi i një stadiumi të ri është premtuar për këtë ngjarje, andaj, me afrimin e afateve për këtë ngjarje, pritet që institucionet përgjegjëse të intensifikojnë procesin dhe të dalin me një vendim përfundimtar që do të përcaktojë një nga projektet më të rëndësishme sportive në vend.

  • Aksident në Raushiq të Pejës, s’dihet për të lënduar

    Një aksident ka ndodhur sot në Raushiq të Pejës.

    Bazuar në pamjet nga vendi i ngjarjes, shihet se një veturë ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa ende nuk dihet nëse ka persona të lënduar.

     

  • Arrestohen tre persona të dyshuar për vjedhje në Prizren

    Arrestohen tre persona të dyshuar për vjedhje në Prizren

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren njofton se më datë 08.04.2026, rreth orës 00:06, është pranuar një informatë për një rast vjedhjeje në progres në fshatin Poslishtë, Prizren. Menjëherë pas marrjes së informacioneve, patrulla policore ka reaguar dhe në vendngjarje ka arritur të arrestojë tre persona të dyshuar: B.H., N.A., dhe D.P., të gjithë nga Prizreni.

    Në vendngjarje kanë dalë njësiti i hetimeve të stacionit policor Prizren si dhe krim teknika, ku janë sekuestruar disa stoli ari dhe bizhuteri. Këto janë gjetur në automjetin e përdorur nga të dyshuarit si dhe në trupin e njërës prej tyre. Pas evidentimit dhe fotografimit nga ana e krim teknikës, me urdhër të Prokurorit, sendet e vjedhura i janë kthyer pronarit.

    Prokurori i Shtetit është njoftuar për rastin dhe me urdhër të tij është filluar procedura penale, ndërsa të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Gjithashtu, nga të dyshuarit është konfiskuar edhe një automjet i përdorur në rast. Për momentin, vlera e saktë e sendeve të vjedhura nuk dihet. Personat e dyshuar do të intervistohen edhe për raste të tjera të ngjashme.

  • Emiratet e Bashkuara Arabe thonë se “triumfuan” në luftë

    Një këshilltar i presidentit të Emiratet e Bashkuara Arabe thotë se vendi ka “fituar”, pas sulmeve të rregullta iraniane që nga fillimi i luftës.

    “Ne triumfuam përmes një mbrojtjeje epike kombëtare që ruajti sovranitetin dhe dinjitetin, dhe mbrojti arritjet tona përballë agresionit tradhëtar,” tha Anwar Gargash.

    “Sot, ne ecim përpara për të menaxhuar një peizazh rajonal kompleks me ndikim më të madh, njohuri më të thella dhe një kapacitet më të fortë për të ndikuar dhe formësuar të ardhmen.”, raporton BBC, transmeton Sinjali.

    Ministria e mbrojtjes e vendit ka publikuar përditësime të rregullta mbi sulmet iraniane të kapura që nga fillimi i luftës. Një përditësim i publikuar të martën dha shifrat e mëposhtme: 2221 dronë, 26 raketa kruize dhe 520 raketa balistike.

    Ministri i jashtëm i Omanit gjithashtu ka mirëpritur armëpushimin.

    Ministria e tij e jashtme i ka dhënë meritat punës së Pakistanit – por theksoi rëndësinë e “intensifikimit të përpjekjeve” për të ecur drejt një armëpushimi të përhershëm.

  • Rrahu gruan pasi e zgjoi fëmijën pa dashje nga gjumi, greku dënohet me 11 vjet burgim

    Një rast i rëndë dhune në familje është ndëshkuar nga drejtësia në Selanik, ku një burrë është dënuar me 12 vjet burg, pasi kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

    Ngjarja ndodhi në apartamentin ku çifti jetonte me tre fëmijët e tyre. Sipas dëshmisë së viktimës, konflikti nisi pasi ajo zgjoi pa dashje një nga fëmijët gjatë gjumit. Kjo mjaftoi që burri të reagonte dhunshëm, duke e shtyrë fort, çka bëri që ajo të përplasej në dollap, dhe më pas ta kapte nga qafa.

    Gjatë procesit gjyqësor, i pandehuri mohoi se e kishte kapur për fyti, por pranoi se e kishte shtyrë dy herë, duke theksuar se herën e dytë e kishte bërë me forcë të madhe.

    I pandehuri u shpall fajtor, ndërsa gjykata vendosi edhe kushte kufizuese ndaj tij, duke përfshirë ndalimin e afrimit të tij me viktimën, raporton Ora News

  • Rama “ringjall” figurat e kombit me IA në videon promovuese për Samitin e katërt të Diasporës

    Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video të realizuar me Inteligjencë Artificiale për të promovuar Samitin e IV të Diasporës Shqiptare, që do të zhvillohet në Tiranë më 13-14-15 prill 2026.

    Në këtë material vizual, i shpërndarë në rrjetin social Facebook, shfaqen disa prej figurave më të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, të rikrijuara përmes teknologjisë IA, si Skënderbeu, Ismail Qemali, Nënë Tereza, Fan Noli, vëllezërit Frashëri, Faik Konica, Jeronim De Rada dhe Gjon Buzuku.

    Samiti synon të forcojë lidhjet mes diasporës dhe Shqipërisë, duke krijuar mundësi për ndarjen e ideve, për kontributin në zhvillimin e vendit dhe për ndërtimin e vizionit të përbashkët drejt Shqipërisë 2030.

    Përmes takimeve dhe diskutimeve që do të mbahen gjatë samitit, pritet të thellohet bashkëpunimi dhe të krijohen ura të reja komunikimi mes shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve.

    Samiti, i organizuar nën kujdesin e Kryeministrit Rama, pritet të kthehet në një moment të veçantë bashkimi për shqiptarët kudo në botë, duke ofruar një hapësirë dialogu dhe bashkëpunimi mes diasporës dhe vendit amë.

    Qeveria shqiptare ka ftuar të gjithë bashkëatdhetarët të marrin pjesë, duke e cilësuar këtë ngjarje si një mundësi të veçantë për të dhënë kontributin e tyre në rrugëtimin drejt vizionit “Shqipëria 2030”. Regjistrimi për pjesëmarrjen është tashmë i hapur.

    Të gjithë bashkëatdhetarët që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij takimi të rëndësishëm, mund të plotësojnë formularin e regjistrimit në linkun zyrtar: https://forms.office.com/e/YkTRgy8fYJ.

  • E frikshme: Në ShBA autobusi i shkollës përplaset me trenin

    Një aksident i tmerrshëm ka ndodhur në Orlando të ShBA-së, ku një autobus i shkollës i mbushur me nxënës është përplasur me një tren.

    Shkaktare e kësaj ngjarje dyshohet se është shoferja 67 vjeçare, Yvnone Hampton, e cila edhe është arrestuar.

    Siç raportojnë mediat amerikane, në atë moment brenda autobusit ndodheshin 29 nxënës dhe dy të rritur, që fatmirësisht nuk pati pasoja në njerëz por shkaktoi panik të madhe në mesin e fëmijëve.

    Në pamjet e publikuara, tregohen çastet dramatike brenda autobusit, ku nxënësit dëgjohen duke bërtitur nga frika, ndërsa pak sekonda para përplasjes shoferja dëgjohet duke thënë: “Nuk do të ndalem për asnjë tren”.

    Sipas Drejtorit të Distriktit Shkollor të Qarkut Sumter, aksidenti mund të kishte përfunduar në tragjedi. “Dallimi ishte vetëm disa centimetra, mund të kishim folur për një katastrofë”, u shpreh ai.

    Pas incidentit, Hampton u pushua menjëherë nga puna dhe u akuzua për 29 raste neglizhence ndaj fëmijëve, si dhe për shkelje të rregullave të sigurisë në kalimet hekurudhore.

    Një nga nxënëset që ndodhej në autobus deklaroi për mediat lokale se përjetoi momente tmerri. “Isha e frikësuar, sepse e vetmja gjë që shihja ishte treni që po përplasej me autobusin”, tha ajo.