Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Marigona Geci e ka tërhequr nënshkrimin për seancën e jashtëzakonshme që pritet të mbahet nesër, e ku pritet miratimi i projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Burime të Gazeta Blic Brenda LDK-së bëjnë të ditur se tërheqjen e nënshkrimit çika e Gani Gecit e ka marrë bazuar në atë që iniciativa për seancën e jashtëzakonshme ka qenë e PDK-së, dhe jo e LDK-së.
“Unë e kam nënshkruar listën e LDK-së për iniciativën e LDK-së për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike sikur herën e parë, e jo për nismën e PDK-së”, thuhet ndër të tjera në letrën që Geci ia ka dërguar kabinetit të kryetares së Kuvendit, merr vesh Gazeta Blic.
Ajo ka arsyetuar këtë tërheqje të nënshkrimit me faktin që iniciativa nuk është e LDK-së, por e një grupi tjetër parlamentar. Prandaj, siç ka shkruar ajo, “tërheq nënshkrimin tim nga lista nënshkruese e LDK-së, që I është bashkangjitur PDK-së”. Ndryshe, dje me mbështetjen e PDK-së, ka kaluar në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Transfere projektligji për rimëkembje ekonomike, pasi koalicioni i ka pranuar kushtet e PDK-së.
Ndërkohë, me iniciativën e PDK-së është ftuar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, me pikën e vetme të rendit të ditës, votimin e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.
Teksa qytetarët janë në pritje që para deputetëve të jetë në rend dite Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, tërheqja e 10% nga Trusti, është pika që ka marr vëmendje më së shumti.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Jeton Demi, thotë se kurdo që ligji të aprovohet, ata janë gati për të mundësuar aplikimin.
“Besojmë se ne jemi gati, sikurse e kemi deklaruar edhe disa herë, që sapo të jetë kjo e mundur ligjërisht, ne do të mundësojmë aplikimin për tërheqjen e 10 përqindëshin”, pati deklaruar për RTV Dukagjinin, Jeton Demi.
Lajm i mirë është se pas aplikimit nga ana e qytetarëve, mjetet në një kohë të shkurtër do të dalin në llogaritë bankare të tyre.
“Kalimi i mjeteve nga llogaria e Fondit Pensional në llogarinë bankare të përfituesit, është çështje e procedurave, por ne mendojmë se do të duhej të kryhej brenda disa ditëve, e në skenarin më të keq mund të jetë çështje javësh”, deklaroi më tej Jeton Demi.
Në komisionin për Buxhet dhe Transfere, ka kaluar Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike me kushtet të cilat i ka vendosur Partia Demokratike e Kosovës.
Kushtet e propozuara nga PDK-ja.
“Pako për bizneset të jetë 200 milionë euro; Pagesa për punëtorët që e kanë humbur vendin e punës me nga 300 euro; Heqja e TVSh-së për lëndën e parë dhe dhe rimbursimi i mjeteve për 10% nga Trusit për ata që kanë deri në 10 mijë euro”, janë kushtet e propozuara nga PDK-ja.
Deputeti i PDK-së Bedri Hamza ka propozuar 4 amendamentet.
Amemdamenti i parë është që mjetet e tërhequra nga pjesëmarrësit sipas këtij neni, e të cilët kanë kursime deri në 9.999 mijë euro kompensohen në formë rimburësimi, duke filluar nga viti 2023.
Amendamenti i dytë, lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore të regjistruara dhe aktive në Republikën e Kosovës, pavarësisht se a eksportohet jashtë vendit apo jo, lirohet nga TVSH.
Amendamenti i tretë, të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilët kanë qenë aktive të regjistruara në regjistër të biznesit para datës 29 shkurt 2020, mbështetën financiarisht nga ana e buxhetit të Kosovës me mjete monetare për ti mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë euro.
Amendamenti i katërt, paguhen nga ana e buxhetit të Republikës së Kosovës, pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor dhe dhjetor 2020 të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19 janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj pas datës 29 shkurt 2020 e deri më 30 dhjetor 2020. Shuma e pagesës për punëtorët është 300 euro për një muaj.
Vetëm në fund të vitit 2021 ekonomia botërore do t’i afrohet nivelit që ka pasur para pandemisë, vlerëson OECD. Megjithatë kapërcimi i gjendjes varet nga rajonet, dhe është shumë i ndryshëm.
Tani, për herë të parë që me fillimin e pandemisë zgjohen shpresat për një të ardhme më të mirë,” shkruan kryeekonomistja e OECD, Laurence Boone në vëzhgimin e ri ekonomik të organizatës së vendeve të industrializuara. Dhe njëkohësisht shton, se rruga për t’u kthyer në gjendjen normale është plot me rreziqe dhe në disa vende do të zgjasë më gjatë se në vendet e tjera.
Zhvillimi i ekonomisë botërore do të bjerë sivjet me 4,2 përqind, por vitin e ardhshëm do të rritet me të njëjtin nivel. Në 37 vendet anëtare të OECD, zhvillimi do të ulet sivjet më shumë (-5,5%), dhe kthimi në gjendjen normale do të vazhdojë të jetë më i ngadalshëm. Gjermania mund ta ngushëllojë veten duke pasur parasysh se zhvillimi i ekonomisë së saj do të bjerë më pak se sa në zonën e Euros.
Më shumë se të tjerët do të preket sidomos sektori ku rrogat janë të ulëta. „Për punëtorët me kualifikime të ulëta dhe për ato me të ardhura të pakta ka rënë shumë numri i orëve të punës,” shkruhet në raport. “Kjo rrit edhe më shumë pabarazinë që ekzistonte para pandemisë.”
Edhe të rinjtë që janë duke kërkuar punë janë aktualisht në situatë të disfavorshme, „Është shumë e vështirë që në mes të krizësh të fusësh këmbët në tregun e punës,” thotë Boone për Deutsche Welle-n. Raporti i OECD-së, vlerëson paketat e shumta të mbështetjes ekonomike, me të cilat shtetet, me ndihmën e Bankave Qendrore, mund të shpëtojnë ekonomitë popullore nga skenarë edhe më të këqinj. „Vendimtarja tani është që përgjegjësit e politikës të vazhdojnë me këto ndihma, në mënyrë që t’u sigurojnë mbijetesën sektorëve, firmave dhe vendeve të punës të lidhura me to”, thotë kryeekonomistja Boone. “Leksionet e nxjerra nga muajt e kaluar janë: Masat e marra kanë qenë dhe janë të përshtatshme”.
Këshilla për politikën
Raporti paralajmëron shprehimisht për rreziqet që ekzistojnë nëse masat e marra përfundojnë para kohe. „Synimi për të gjitha vendet është që të shmangin përfundimin e parakohshëm dhe të menjëhershëm të programeve të ndihmës,” thuhet në raport. Qeveritë duhet po ashtu të kenë kujdes që të ndihmojnë vërtet ata që janë prekur shumë nga kriza.
OECD ka tri këshilla për përgjegjësit e politikës: Së pari, që duhen bërë investime në fushat bazë si „arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura fizike dhe digjitale”. Së dyti që ata duhet të jenë të vendosur për të „siguruar daljen nga varfëria dhe pabarazia e të ardhurave”. Së treti, OECD kërkon me ngulm më shumë bashkëpunim ndërkombëtar: “Bota nuk mund të zgjidhë krizat globale, kur secili vend vepron vetëm për veten e vet”. Në fund kryeekonomistja e OECD, shpreh shpresat e saj me nota të moderuara optimizmi: Ajo shpreson që pas pandemisë bota të jetë „ndoshta siç ka qenë, ose mbase edhe pak më mirë”./DW
Kryetari i Prishtinës e ka kritikuar Qeverinë Hoti, në lidhje me masat e vendosura para dy javësh.
Ai ka shkruar se këto masa s’kanë pasur asnjë efekt sa i përket numrit të të prekurve, pos që e kanë dëmtuar ekonominë, raporton Gazeta Blic.
“Qytetarët e bizneset vazhdojnë të paguajnë taksat e dënimet. Ata po e kryejnë obligimin ndaj shtetit i cili nuk po kryen kurfarë obligimi ndaj tyre”, ka shkruar ai.
Reagimi i plotë:
Dy javë pas masave që nuk duhesh me qenë epidemiolog me kuptu që logjikisht nuk munden me pas efekt, numrat e Covid-it janë të njejta ose më të larta se para dy jave.
Ajo çka qeveria nuk duhet të bëjë është që të dyfishojë gabimet logjike të masave që edhe shkaktojnë dëme ekonomike edhe nuk kanë efekt. Duhet të zgjidhet rruva që ngadalëson virusin dhe që kompenson humbjet për një kohë të kufizuar.
Gjysëm – masat me kufi jologjik shkaktojnë humbje ekonomike, mos-zvogëlim të numrave, dhe ndjenjën e rrejshme te qytetarët që janë të sigurtë. Dora gjysëm e hekurtë pa kurfarë dore të ndihmes zvogëlon besimin në institucione.
Qytetarët e bizneset vazhdojnë të paguajnë taksat e dënimet. Ata po e kryejnë obligimin ndaj shtetit i cili nuk po kryen kurfarë obligimi ndaj tyre.
Një hetim i gjatë i ATK-së e ka ngarkuar me mbi shtatë milionë euro borxhe tatimore NewCo Ferronikelin, kompaninë në pronësi të Saimir Manes.
Por një proces i dyshimtë, pjesë e të cilit ishte hetuesi që kishte zbuluar skemën e mashtrimit financiar, ia ka fshirë ato.
Buxheti i Kosovës do të ishte për shtatë milionë euro më i pasur, nëse Administrata Tatimore e Kosovës nuk do t’ia fshinte mbi 7 milionë euro borxhe oligarkut, Saimir Mane.null
Gazeta Insajderi, ka zbuluar një skandal të madh në ATK, që lidhet me fshirjen e borxheve të kompanisë së miliarderit nga Shqipëria. Bëhet fjalë për një borxh tatimor rreth shtatë milionë euro, që i është hequr kompanisë NewCo Ferronikeli Complex L.L.C.
Në shkurt të vitit 2020, ATK-ja ia ka fshirë gjigantit metalurgjik obligimet shtesë tatimore me të cilat ishte ngarkuar në verën e vitit 2018, bazuar në dy raporte hetuese të nxjerra nga Drejtoria e Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës (DHTI).
Vendimit për ngarkimin e kompanisë me mbi shtatë milionë euro borxhe tatimore, i ka paraprirë një hetim nën dyshimin për shmangie tatimore dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Hetimet ishin autorizuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Insajderi, ka siguruar dosjen e plotë të rastit, e cila përfshin dy raportet hetimore, vendimin e Departamentit të Ankesave dhe dëshmi të tjera të cilat hedhin hije dyshimi mbi shlyerjen e borxhit të NwëCo Ferronikeli.
Asokohe, pronare e vetme e NewCo Ferronikeli Complex L.L.C figuronte Cunico Resources NV, një firmë private me seli në Amsterdam të Holandës. Një muaj para se ATK-ja ta ngarkonte NewCo Ferronikelin me borxhin milionësh, në korrikun e vitit 2018, Cunico Resources NV ia kishte shitur aksionet e Ferronikelit, firmës NKL Limited, me bazë në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.
Kompania është pronë e Grupit Balfin të Saimir Manes.
Afarizmi i pronarit të mëhershëm të NewCo Ferronikelit kishte zhytur ndërmarrjen në mbi 8 milionë euro borxhe tatimore. Mane, kishte marrë përsipër edhe shlyerjen e borxheve që Ferronikeli kishte ndaj palëve të treta.
Megjithatë, në vend të shlyerjes së këtij borxhi ndaj shtetit të Kosovës, kompania tashmë në pronësi të oligarkut Mane, kishte përzgjedhur një rrugë tjetër. Kishte vendosur të mos e njihte këtë borxh. Si rrjedhojë, ATK-ja ia kishte fshirë borxhin 7 milionësh.
Drejtoria e Hetimeve Tatimore nisi hetimet më 31 janar të vitit 2018, ndaj NewCo Ferronikelit nën dyshimin për evazion tatimor. Këtë e dëshmojnë dokumentet që ka siguruar gazeta.
Objekt kontrolli ishte periudha gjashtë vjeçare nga 2010 deri më 2016. Raportet hetimore të Njësisë së Hetimeve Tatimore (DHTI) kanë trajtuar tri çështje: shpenzimet me përmbajtje të pavërteta, ngarkesën me 800 mijë euro TVSh dhe bartjen e humbjeve tatimore.
Përfundimi i hetimeve kishte rezultuar me ngarkimin e firmës NewCo Ferronikeli Complex me 7,4 milionë euro detyrime tatimore.
Pasqyra financiare e NewCo Ferronikeli Complex pas përfundimit të hetimit Por, kompania e udhëhequr nga oligarku Mane, kishte dalë “pastër” nga ky proces. Më 1 shkurt të vitit 2019, Departamenti i Ankesave në ATK, kishte rikthyer çështjen në rivendosje.
Një vit më vonë, një procedurë e dyshimtë ri-kontrolli hetimor i ka vërtetuar ankesat e NewCo Ferronikelit. Ia ka hequr borxhet tatimore kompanisë, ndërkaq, siç ka mësuar Gazeta Insajderi, Prokuroria ka pezulluar hetimet ndaj katër ish-pronarëve të NewCo Ferronikelit.
Borxhet ishin fshirë pas një procesi të dyshimtë, në cilësi të shkallës së dytë, pjesë e të cilit ishte hetuesi i ATK-së, Bekim Halili, i njëjti zyrtar që kishte zbuluar skemën e evazionit tatimor të kompanisë.
Ai dyshohet se është vënë nën presion nga menaxhmenti i lartë i ATK-së që përmes një procedure tjetër t’i hidhte poshtë dëshmitë që kishte prezantuar në hetimin e parë.
Asokohe, funksionin e drejtorit të ATK-së e ka ushtruar Ilir Murtezaj, i cili është shkarkuar nga pozita më 16 tetor të këtij viti me vendim të kryeministrit Avdullah Hoti. Në vendimin e qeverisë, thuhej se Murtezaj u shkarkua shkaku i performancës së dobët.
Tri çështjet e ngritura nga hetuesit
NewCo Ferronikeli dyshohej për shmangie tatimore dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike në tri raste, sipas raportit të hetuesve tatimorë të nxjerrë më 2018.
Çështjet e trajtuara nga Njësia Hetimore e ATK-së ishin: bartja e humbjeve tatimore në vlerë prej 43 milionë euro nga periudha 2006-2009, shpenzimet me përmbajtje të rreme dhe shmangia nga TVSH-ja për 800 mijë euro. Për këto çështje, NewCo Ferronikeli ishte ngarkuar me borxhe shtesë tatimore në vlerë prej 7,468,681.00 euro.
Si pasojë e mosnjohjes së shpenzimeve me përmbajtje të pavërtetë, DHTI-ja e ngarkoi NewCo Ferronikelin me 5,3 milionë euro obligime shtesë tatimore. Me 1,1 milion euro të tjera shmangie nga tatimi, kompania u ngarkua për bartjen e jashtëligjshme të humbjeve tatimore.
Ndërkaq, si rezultat i mosdeklarimit të shumës prej gati 5 milionë eurove të pranuar mes viteve 2012 dhe 2013 në formë të rimbursimit nga një kompani e sigurimeve, raporti hetues e ngarkoi Ferronikelin me shmangie nga TVSH-ja në vlerë 1 milion euro, përfshirë ndëshkimin dhe interesin.
NewCo Ferronikeli nuk i ka dhënë Insajderit sqarime në lidhje me procedurën e dytë hetimore dhe shlyerjen e borxhit, duke mos kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës.
Megjithatë gjatë procedurës ankimore, dokumentet e së cilës i ka siguruar Insajderi, zyrtarët e ndërmarrjes i kishin cilësuar “krejtësisht të pabazuara dhe në kundërshtim me vet vendimet e ATK-së” të gjitha çështjet e trajtuara nga inspektorët e DHTI-së.
Shpenzimet e “komisionit të shitjeve”
Hetuesit e ATK-së e ngarkuan firmën NewCo Ferronikelin me afër 3 milionë euro evazion tatimor për pagesa të pa dokumentuara.
Në vitin 2012, raporti i kontrollit të DHTI-së konstatoi se firma i ishte shmangur tatimit mbi të ardhurat e korporatave me 2,1 milionë euro.
Në vitin 2013, me 246 mijë euro. Ndërkaq, më 2014, me 530 mijë euro.
Borxhi i ishte ngarkuar pasi që nuk kishte dokumentuar shpenzimet që kishte realizuar për këto tri vite për Cunico Marketing FZE, në emër të ofrimit të shërbimit për shitjen e nikelit tek blerësit e fundit. Kjo kompani e ka bazën në Dubai të EBA-së, një zonë e lirë nga taksat. Aksionet e saj, sikurse ato të Ferronikelit, i mbizotëronte Cunico Resources NV.
Për shërbimet e shitjes, NewCo Ferronikeli i paguante Cunico Marketing FZE 6% të fitimit nga shitjet dhe këto shpenzime i llogariste si të zbritshme.
Por, hetuesit tatimorë i vlerësuan si “të rrejshme” shpenzimet nga 6 %-shi i shitjeve që kompania paguante për Cunico Marketing FZE, si pasojë e mos ofrimit të asnjë prove mbi transaksionet ekonomike me blerësit e fundit të produktit.
“Me procedurë hetimore, mos ofrimi i këtyre informatave është konsideruar se të gjitha marrëveshjet dhe kontratat e lidhura mes tyre do të trajtohen si të pavërteta, të cilat janë përpiluar për qëllime manipuluese të prezantimit të pozitës së pavërtetë financiare të NewCo Ferronikeli Complex L.L.C”, konstaton raporti hetues i DHTI-së.
Bazuar raportit, Cunico Marketing FZE ishte shfrytëzuar nga Ferronikeli për të realizuar shitjen direkte të mallrave të NewCo Ferronikelit, “edhe pse mallrat kanë blerësin tjetër”.
Për vitin fiskal 2013, hetuesit tatimorë ngarkuan ndërmarrjen me 246 mijë euro obligime shtesë tatimore, për një borxh prej mbi 15 milionë euro që ishte paguar nga ndërmarrja për kompaninë Feni Industries në Maqeoninë Veriore.
Ish-pronarët e Ferronikelit nuk ofruan prova për të vërtetuar lëvizjen e shumës 15 milionëshe nga njëra kompani në tjetrën. Kësisoj, ato u konsideruan si të rrejshme.
“Personave përgjegjës të NewCo Ferronikeli Complex L.L.C, gjatë takimeve të mbajtura me ta, ia kemi tërhequr vërejtjen se mos ofrimi i dëshmive bindëse për këto lëvizje në bilancin e gjendjes vetëm me letër të marrëveshjes, do të konsiderohet si e pavërtetë dhe e gjithë shuma do të trajtohet i qarkullim shtesë për tatimin në të ardhurat e korporatave”, thekson raporti hetues.
Për një rast të ngjashëm, ish-pronari i NewCo Ferronikelit dhe Feni Industries, Yusuf Mirakhmedov, ndodhet në kërkim nga autoritetet maqedonase që nga viti 2017. Insajderi kishte zbuluar se si në vitin 2016, Mirakhmedov ia kishte shlyer një borxh prej 51 milionë dollarësh kompanisë Cunico Marketing FZE.
Në vitin 2014, Njësia Hetimore e ATK-së do t’ia shtonte NewCo Ferronikelit edhe 530 mijë euro obligime tatimore si pasojë e mosnjohjes së shpenzimeve për pagesat prej 6 % të vlerës së shitjes së mallrave ndaj Cunico Mrketing FZE.
Në dy vitet e ardhshme 2015 dhe 2016, ndërmarrja do të operonte me humbje tatimore. Për mosnjohjen e komisionit të shitjeve, do t’i zvogëlohej humbja por nuk do të ngarkohej me shmangie tatimi.
Për mosnjohjen e shpenzimeve të shitjes, kompania që tashmë udhëhiqet nga Saimir Mane, është përplasur me hetuesit tatimorë në seancën dëgjimore pranë Departamentit të Ankesave.
Sipas NewCo Ferronikelit, pretendimet e hetuesve tatimorë për shpenzimet e shitjeve janë të pabazuara dhe në kundërshtim me një vendim të Departamentit të Ankesave më 2014, të nxjerrë për të njëjtën çështje.
Raporti hetues: NewCo Ferronikeli, mbi 1 milion euro shmangie nga TVSH-ja
Çështja e tretë, e cila e ngarkonte me borxh tatimor NewCo Ferronikelin, ndërlidhet me shmangien e Ferronikelit nga 800 mijë euro TVSH.
Sipas vlerësimeve të raportit final hetues, NewCo Ferronikeli nuk kishte paguar TVSH-në për shtatë milionë dollarë që i kishte pranuar si kompensim dëmi për një avari të ndodhur në njërën prej furrave të fabrikës.
Me ekzekutimin e interesit dhe ndëshkimit, vlera e obligimeve shtesë të NewCo Ferronikelit për qëllime të TVSH-së shkon në 1 milion e 51 mijë euro.
Për këtë çështje, ATK-ja kishte nxjerrë dy opinione kundërthënëse. Njërën më 2018, ndërkaq tjetrën më 2019.
Opinioni i parë vlerësonte se Ferronikeli duhej ngarkuar me 800 mijë euro obligime tatimore dhe opinioni i dytë interpretonte se buxheti i shtetit nuk ishte dëmtuar për 800 mijë euro. Të dy këto opinione ishin nxjerrë nga një zyrtar i Zyrës Ligjore.
Intepretimi ligjor i nxjerrë më 24 gusht të vitit 2018, duke u mbështetur në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, specifikon qartë se “shuma e rimbursuar në emër të kompensimit të dëmeve për qëllime të TVSH-së, duhet të raportohet si vlerë e rikuperueshme, atëherë për vlerën e përfituar në këtë rast është dashur të llogaritet TVSH-ja”.
Në këtë opinion ligjor të ATK-së janë mbështetur hetuesit e Drejtorisë së Njësisë së Hetimeve Tatimore në procedurën e kontrollit që ngarkojnë me shmangie nga tatimi firmën NewCo Ferronikeli.
“Sipas raportit hetues final, subjekti NewCo Ferronikeli Complex L.L.C gjatë vitit 2012 ka një detyrim tatimor në shumë prej 119 mijë euro. Për vitin 2013, po ashtu ka detyrim tatimor për TVSH në shumë prej 667 mijë euro “, thekson raporti.
Por, ngarkimi i NewCo Ferronikelit me tatim për TVSH është hedhur poshtë në procedurën e ri-kontrollit. Kompanisë i është hequr ky borxh tatimor në fillim të shkurtit 2020, ka mësuar Insajderi nga burime brenda ATK-së.
Në kuadër të procedurës së ri-kontrollit, inspektori ka kërkuar për të njëjtën çështje një interpretim nga këshilltari për TVSH. Megjithatë, ky interpretim i nxjerrë në dhjetor të vitit 2019 nuk është konkret sikurse i kaluari.
Aty thuhet se është përgjegjësi e Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj për ta vlerësuar vet çështjen.
“Është përgjegjësi e Drejtorisë përkatëse të juaj – DTM, që të kryejë të gjitha analizat dokumentare për çështjet tatimore për marrjen e vendimit të drejtë të rastit konkret, duke marrë për bazë kontrata, deklarimet tatimore, pagesat, lëshimin e faturave tatimore dhe çdo element relevant që mund të hasni në dokumentacionin e tatimpaguesit konkret”, thuhet në opinionin e lëshuar më 17 dhjetor 2019 nga ATK-ja.
Humbjet e bartura tatimore dhe dyshimet për falsifikim të aksioneve
Një “gabim teknik” në ARBK dhe një vendim i dyshimtë i ATK-së, i mundësoi NewCo Ferronikelit të mos i deklaronte 11 milionë euro të hyra të tatueshme më 2010.
Këto të hyra i kishte kompensuar me humbje tatimore të bartura jashtëligjshëm në javën e parë të prillit 2010, sipas Raportit Final Hetues – Shtesë. Mashtrimi financiar i kishte shkaktuar shtetit dëm prej 1,1 milion euro, sipas raportit.
Gjetjet e hetuesve në Raportin Final Hetues – Shtesë Humbjet tatimore arrihen në rast kur shpenzimet tatimore janë më të mëdha sesa të ardhurat. Në këto raste, biznesi nuk obligohet të paguajë tatim mbi të ardhurat e korporatave.
Sipas raportit, humbjet tatimore në vlerë prej afër 43 milionë euro të realizuara gjatë viteve 2006-2009, NewCo Ferronikeli i kishte bartur në mënyrë të jashtëligjshme më 2010.
Bartja e humbjeve ishte bërë në kundërshtim me Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave – i cili ishte në fuqi deri më 2015, kanë gjetur hetuesit tatimorë.
Neni 23 i këtij ligji i pamundësonte tatimpaguesit bartjen e humbjeve në rast se ndryshon pronësia më shumë se 50 për qind.
Në rastin e Ferronikelit, raporti konstaton se është ndërruar pronësia e plotë e ndërmarrjes – pra, në 100 për qind. Për të mbështetur konstatimin e hetuesve, ekzistojnë dëshmi në ARBK, të cilat i ka siguruar Insajderi.
Historiku i biznesit në ARBK, të cilin e kanë nxjerrë në gusht të 2018-s hetuesit tatimorë, dëshmon se më 1 prill të vitit 2010, NewCo Ferronikelit i ishte ndërruar pronësia në masë prej 100 për qind të aksioneve. Nga Ferronikeli B.V, pronësia e plotë e aksioneve i kishte kaluar Cunico Resources N.V.
“Biznesi NewCo Ferronikeli Complex L.L.C me numër të biznesit 70268073 ka aplikuar për ndërrim të pronarit më datë 01.04.2010 dhe numri i aplikacionit është 03T00002697, mirëpo sipas historiatit shihet se për shkaqe teknike ka mbetur edhe pronari i mëparshëm aktiv. Nga data 01.04.2010, sipas aplikacionit në fjalë, bëhet ndërrimi i pronarit dhe pas kësaj date pronar i vetëm është Cunico Resources N.V”, thuhet në historiatin e biznesit në ARBK.
Konfirmimi i ARBK-së për ndërrimin e pronësisë së biznesit Bazuar në këto gjetje, hetuesit tatimorë bënë kërkesë për rregullimin e llogarisë tatimore të NewCo Ferronikelit. Për të eliminuar humbjet e bartura të NewCo Ferronikelit pas vitit 2010 në shumë prej rreth 43 milionë euro.
Ndërkaq, zyrtarët e NewCo Ferronikelit kanë kundërshtuar dëshmitë e hetuesve. Janë mbështetur në një vendim të nxjerrë nga Divizioni për Edukimin e Tatimpaguesve në dhjetor të vitit 2010.
Ky vendim është nxjerrë pas kërkesës së NewCo Ferronikelit për të vërtetuar pretendimet se firma ka kaluar në një proces të riorganizimit apo shkrirjes së bizneseve. Vendimi është marrë duke u bazuar në dokumentacionin e ofruar nga tatimpaguesi, pa verifikuar aplikacionin në ARBK.
“Bazuar në dokumentacionin që na keni dërguar, si dhe në sqarimet e juaja, ATK-ja procesin e shkrirjes nga Ferronikeli BV, në Resources Holdings BV, pastaj në Cunico Resources UA, dhe në fund në Cuncio Resources NV, e konsideron si proces të riorganizimit”, thuhet në këtë vendim të Divizionit për Edukimin e Tatimpaguesve, të datës 17 dhjetor 2010.
Insajderi, ka mësuar nga burime të mirë informuara brenda ATK-së, se në procedurën e ri-kontrollit, inspektorët tatimorë ia kanë fshirë kompanisë borxhin me të cilin ngarkohej për bartjen e humbjeve duke u bazuar në këtë vendim. Nuk janë marrë parasysh të dhënat e ARBK-së.
Mane, oligarku që qëndron prapa Ferronikelit
Kompania NKL Limited është kompani e krijuar rishtazh. Sipas disa dokumenteve zyrtare të cilat i posedon Gazeta Insajderi, NKL Limited është themeluar më 10 mars të vitit 2018 me bazë në kryeqytetin britanik, Londër.
Drejtorë të Nkl Limited, sipas dokumenteve që kishte publikuar Insajderi dy vjet më parë, kishin qenë: Saimir Mane, Joyce Angelina Young dhe Jacques Claude Michel Nassieu Maupas. Dy personat e fundit paraprakisht ishin edhe funksionarë të “Cunico Resources”.
Por, bazuar në agjencinë e qeverisë së Britanisë së Madhe për regjistrimin e bizneseve, “Companies House”, drejtorë aktualë të Nkl Limited figurojnë: Saimir Mane, Steven Grunerud dhe Rasin Yuoval.
Drejtor i Nkl Limited, sipas regjistrit në Shtëpinë e Bizneseve të qeverisë britanike, figuron Youval. Mane dhe Grunerud figurojnë si pronarë po ashtu, si përfaqësues të Balfin Group.
Balfin, është grup investues në pronësi të Saimir Manes, njërit nga biznesmenët më të fuqishëm në Shqipëri dhe pronar i një rrjeti biznesesh edhe në Austri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Itali, Dubai, ShBA dhe Greqi.
Grupi i kompanive Balfin ushtron aktivitet në fushat e minierave, tregtisë me pakicë, bankave dhe ndërtimit.
Manjati i akuzuar për ryshfet, dyshohet se zotëronte aksione në Cunico
Për më shumë se dhjetë vjet Cunico Resources NV zotëroi aksionet e Ferronikelit, por asnjëherë nuk janë shfaqur në regjistrat zyrtar biznesmenët që drejtonin këtë kompani të regjistruar në Holandë.
Mirëpo, sipas një shkrimi të publikuar më 1 korrik 2007 në Financial Times, aksione në kompaninë Cunico zotëronte manjati izraelit, Benny Steinmetz.
Financial Times shkruante se Steinmetz zotëronte aksionet e Cunico-s bashkërisht me tre tregtarët kazakë: Patokh Chodiev, Alidjan Ibragimov dhe Alexandre Machkevitch.
Bazuar në raportimin e prestigjiozes britanike, Cunico kishte në pronësi një minierë bakri në Zambi, shtetin jugor afrikan, si dhe “asete të privatizuara të nikelit në territoret ballkanike të Kosovës dhe Malit të Zi”.
Emri i miliarderit Steinmetz ishte ndërlidhur me Kosovën edhe në një artikull tjetër të Financial Times, të publikuar pesë vite më vonë.
Në një shkrim të FT më 19 shkurt 2012, Steinmetz përshkruhej si “tregtar me një sy të mprehtë për fronte të egra” në botën e biznesit dhe investimeve.
Shkrimi i gazetarit William MacNamara nis me Kosovën, Guinean dhe Mianmarin, tri shtete në të cilat, thuhet në fillim të shkrimit, “Steinmetz mund të bëjë biznes”.
Mirëpo, emri i Steinmetz nuk ka figuruar kurrë as në dokumentet e agjencive shtetërore në Kosovë, si pronar i kompanisë që menaxhoi për vite me radhë Ferronikelin.
Sipas një shkrimi të Miningsee.eu, platformës ballkanike që raporton për fushën e minierave, kompania Cunico Resources ishte e regjistruar në det të hapur, në Guernsej, një etnitet që ndodhet në një rajon të quajtur Ishujt e Kanalit.
Steinmetz akuzohet nga prokurorët zviceranë se i ka dhënë ryshfet zyrtarëve të Qeverisë së Guinesë për të përfituar në këmbim licenca minierash në shtetin e Afrikës Perëndimore.
Steinmetz dhe dy bashkëpunëtorë dyshohet t’i kenë paguar 10 milionë dollarë njërës prej grave të Lansana Conté, ish-presidentit të Guinesë, në mënyrë që të sigurojnë të drejtën për operim në një nga rezervat më të mëdha të papërdorura të hekurit në botë.
Paratë, dyshojnë prokurorët zviceranë, pjesërisht janë paguar përmes llogarive bankare të Zvicrës. Steinmetz i ka mohuar këto akuza të prokurorëve zviceranë, raportonte Financial Times vitin e kaluar.
Ndërkaq, sipas revistes amerikane Forbes, Steinmetz është njëri nga tre mijë njerëzit më të pasur në botë, me një pasuri neto prej 1.2 miliardë dollarësh amerikanë.
Manjati izraelit vazhdon të jetë një nga biznesmenët më të përfolur për veprimtarinë e grupit të tij investues në minierat e Afrikës. /Insajderi/
Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, votimi i projektligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2021 dhe raporti me rekomandime për Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike kanë mbetur për një mbledhje tjetër.
Megjithatë është parë një gatishmëri e Partisë Demokratike të Kosovës që të ulet me partitë në pushtet dhe të diskutojnë që Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike të kalojë, e kërkesë të vetme e ka që të përfshihen amendamentet e tyre.
LDK premton se do të ulen të diskutojnë për këtë gjë dhe se do të përfshijnë gjithçka që është në harmoni me ligjin.
Në këtë mbledhje të komisionit, në fillim të diskutimit për këto dy pika, ishte deputeti i LDK-së Shkëlzen Hajdini, që ka kërkuar që votimi për këto dy pika të shtyhet për një mbledhje tjetër, por nuk ka pasur kuorum për këtë votim.
“Propozoj që dy projektligjet të mos hidhen në votim, të shtyhen për një mbledhje të radhës”, tha ai. Deputeti i PDK-së Kujtim Gashi, tha se si parti i bëjnë thirrje qeverisë që të merr parasysh rekomandimet e tyre, e nëse ato merren parasysh ai tha se do ta votojnë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.
“Jemi në një situatë shumë të pa lakmueshme ku ky ligj është bërë një problem ditor i gjithë qytetarëve të Kosovës, me theks të veçantë edhe i komunitetit të biznesit dhe shfrytëzoj këtë takim të Komisionit t’i bëj thirrje partive në pushtet, qeverisë, që pa humbur kohë të ulet bashkë me grupin tonë parlamentar dhe t’i merr parasysh vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet e Grupit Parlamentar të PDK-së. Në momentin kur ato rekomandime merren parasysh PDK me 24 votat e saj do ta mbështesë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, tha ai.
Deputeti i LDK-së Fatmir Rexhepi ka shprehur gatishmërinë që të ulen dhe të bisedojnë me partitë opozitare për të gjetur një zgjidhje sa i përket Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Ai ka kritikuar qasjen e kryeministrit Avdullah Hoti sa i përket votimit të këtij projektligji, për tha se është dashur të bisedojë edhe me anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Transfere. “Pajtohem që janë sekondat e fundit ku na bëhet thirrje bashkërisht, pajtohem plotësisht që edhe atë ditë kam biseduar me Bedriun që nuk është këtu dhe e kam lutur atë ditë çka mund të bëjmë që të mos i japim ngjyrim politik asaj pjese, por ta bëjmë veç pjesën e interesit ekonomik që ka brenda projektligji dhe ta bëjmë më mirë. Jam dakord se nëse organizohet ky takim dhe është mirë t’i jepet një shtysë kryeministrit. Ai është dashur të vijë te ne për bisedime”, tha ai.
Edhe deputeti tjetër i LDK-së Shkëlzen Hajdini, ka premtuar se do të merren parasysh rekomandimet në harmoni me ligjet në fuqi.
“Kjo është në harmoni me atë që kemi bërë ftesë vazhdimisht. Ne jemi të hapur. Unë premtoj se do të ulemi dhe krejt çka është në harmoni me ligjet në fuqi, çka nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, se do të merren parasysh dhe do të inkuadrohen në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, tha ai.
Në përgjigjen e tij, deputeti i PDK-së Kujtim Gashi, tha se po kërkojnë që të mos jetë retorikë, por kryeministri të ulet edhe me opozitën që t’i merr parasysh amendamentet që i kanë propozuar.
“Rekomandimet dhe amendamentet e propozuara nga PDK janë të thjeshta dhe e bëjnë një barazi tek ata që sot tërheqin mjetet nga Trusti, sepse ne mendojmë që jo të gjithë qytetarët kanë mjete, andaj nuk mund t’i diskriminojmë që dikush t’i tërheqë 35 euro e dikush 2 mijë e 500 euro. Pra, aty ka qenë qëllimi ta bëjmë një barazi dhe pas 5 ose 7 vjetësh një pjesë e atyre që kanë pasur më pak mjete t’i rimbursohet, sepse buxheti i Kosovës e mundëson këtë pas 4 ose 5 vjetësh. Jemi të gatshëm t’i vendosim prioritetet e propozuara nga PDK-ja dhe ta votojmë ligjin dhe t’i hapim rrugë, po kjo është çështje që duhet ta bëjë kryeministri”, tha ai.
Këtë gatishmëri të Partisë Demokratike të Kosovës që të ulet dhe të diskutojë me Qeverinë, deputetja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lilal, po e sheh si një diskutim për pazar politik.
“Më shumë sesa vetëm diskutim ose mundësi për të gjetur zgjidhje, kjo natyrisht se zbërthehet në një diskutim pazar politik se çka do të ndodhë të dielën në zgjedhjet lokale në Podujevë, me mundësitë e hyrjes apo mos hyrjes së PDK-së në qeveri. Prandaj, krejt kjo po iu kushton të gjithë qytetarëve. Më shumë se kaq është dashur të vihet me një plan. Unë e kuptoj Gashin kur e përmendi që duhet të vijë Hoti, por as një përpjekje më të voglën nuk e ka bërë për asnjë masë ndihme për qytetarët. Andaj, këtë e shoh më shumë me konotacion politik sesa për t’iu ndihmuar ata që janë në nevojë”, tha ajo. Ndaj kësaj deklarate kanë reaguar deputetët Shkelzën Hajdini dhe Kujtim Gashi, duke thënë se kjo nuk është politikë që bëhet me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike. Komisioni për Buxhet dhe Transfere sot ka votuar edhe raportin vjetor financiar të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut- KOSTT për 2018 dhe 2019. Deputetët anëtarë të këtij komisioni kanë pyetur menaxhmentin e KOSTT-it lidhur me atë se kush e bënë furnizimin me energji elektrike në pjesën veriore të vendit dhe se a paguhet ai shfrytëzim i energjisë. Kryeshefi ekzekutiv në KOSTT, Mustafë Hasani, tha se janë ata që e bëjnë furnizimin me energji elektrike në pjesën veriore të vendit, derisa tha se i mbulojnë edhe humbjet që brenda një muaji arrijnë 2.5 milionë euro në muaj. “Sa i përket pyetjes se sa para në muaj ne mbulojmë humbjet në veri, janë diku rreth 2 milionë e gjysmë. Ne kemi pasur një marrëveshje me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për alokim të mjeteve në vlerë 10 milionëve e cila është në proces dhe besoj se shumë shpejt prej thesarit do të alokohen mjetet dhe ne sigurohemi se mundësitë tona për t’i mbuluar këto humbje do të jenë deri në maj 2021, andaj këtu ngre shqetësim se në buxhetin 2021 s’kemi paraparë alokim të mjeteve për mbulimin e këtyre devijimeve”, tha ai. Komisioni ka votuar edhe raportin financiar vjetor të Zyrës Rregullative për Energji për vitin 2019, raportin vjetor financiar të Autoritetit Rregullativ për Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2019, si dhe raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2020.
Edhe pse tash e 6 muaj Qeveria e drejtuar nga Avdullah Hoti nuk ka arritur ta kalojë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, shefi i ekzekuvivit ka premtuar pako të re të rimëkëmbjes, raporton Gazeta Blic.
Sipas një njoftimi të lëshuar për media, thuhet se pako e re do të jetë në vlerë prek 182 milionë euro.
Njoftimi i plotë i Qeverisë:
Kryeministri Hoti paralajmëron pako të re prej 182 milionë eurove për rimëkëmbje ekonomike Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Avdullah Hoti, ka zhvilluar takim virtual me anëtarët e Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime në Kosovë, i cili ndërlidh aktivitetet e Qeverisë dhe adreson sfidat e sektorit privat.
Ai ka theksuar se përkundër situatës sfiduese në kohën që po përballemi me pandeminë Covid-19, Qeveria megjithatë ka siguruar funksionimin e shumicës së bizneseve.
Kryeministri Hoti ka rikujtuar se gjatë muajit tetor janë ndarë 87 milionë Euro, prej të cilave 60 milionë u janë ndarë komunitetit të biznesit, duke u ndihmuar atyre që të qëndrojnë në treg.
Në këtë takim, Kryeministri Hoti ka kërkuar që anëtarët e këtij Këshilli të dakordohen për pakon e re për rimëkëmbje ekonomike për vitin 2021, në shumë prej 182 milionë euro, si dhe për një listë të reformave për një pako të re fiskale, të cilat pritet të finalizohen në fillim të vitit të ardhshëm.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, ka deklaruar se seanca për votimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, mund të mbahet gjatë javës së ardhshme
Gashi ka thënë se tashmë është thirrur seanca e jashtëzakonshme për votimin e Ligjit.
“Seanca e jashtëzakonshme është e thirrur, por besoj që do të aktivizohet gjatë javës së ardhshme. Nëse do të jemi në rregull, pasi ka disa deputetë që janë me COVID-19 dhe ka përpjekje që ta mundësojnë me thirr seancën”, ka thënë Gashi për gazetën Blic.
Se duhet të votohet ky ligj për t’u ringjallur ekonomia e vendit pas dëmeve nga pandemia COVID-19, e kanë thënë edhe ambasadorë të huaj, e po ashtu edhe ekspertë të ekonomisë.
Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike ende s’është finalizuar në Kuvendin e Kosovës, përkundër që në lexim të parë ka kaluar.
Ky projektligj është votuar në një seancë të jashtëzakonshme, me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. I njëjti kap vlerën e 385 milionë eurove.
Në po të njëjtin, është paraparë edhe ai për tërheqje e 10 për qind të kursimeve pensionale në Trust. Por, ky Ligj nuk ka arritur ende të miratohet në lexim të dytë.
A ndiheni me fat? Numri 21 është i lidhur me fatin, rrezikun, shfrytëzimin e shanseve dhe hedhjen e zareve. Është mosha minimale në të cilën mund të hyni në një kazino në Amerikë dhe emri i një loje të njohur me letra, Blackjack.
Të gjitha këto duken çuditërisht të përshtatshme për një vit me një nivel pasigurie të pazakontë. “Çmimi i madh” që ofrohet është shansi për të vendosur nën kontroll pandeminë e koronavirusit. Por ndërkohë, rreziqet janë të shumta, mbi shëndetin, rimëkëmbjen ekonomike dhe stabilitetin shoqëror. Ndërsa afrohet viti 2021, ja cilat janë 10 tendencat që duhen pasur në vëmendje vitin e ardhshëm.
1. Lufta mbi vaksinat
Ndërsa vaksinat e para bëhen të disponueshme në sasi të mëdha, fokusi do të zhvendoset nga përpjekja heroike në zhvillimin e tyre, te përpjekja e madhe që duhet për shpërndarjen e shpejtë të tyre, transmeton bota.al. “Diplomacia e vaksinave”, do të shoqërojë përplasjet brenda dhe midis vendeve, mbi atë se kush duhet t’i marrë ato dhe kur.null
2. Një rimëkëmbje ekonomike e luhatshme
Ndërsa ekonomitë dalin nga pandemia, rimëkëmbja do të jetë e vështirë, teksa shpërthimet epidemike lokale vijnë e ikin, ndërsa qeveritë nuk mund të ndihmojnë pafundësisht sipërmarrjet private që të ndihmojnë punëtorët që kanë humbur vendet e tyre të punës. Hendeku midis kompanive të forta dhe atyre të dobëta do të zgjerohet.
3. Dalja nga kaosi i ri botëror
Sa do të jetë në gjendje Joe Biden, presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, që të rregullojë një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla? Traktati i Klimës i Parisit dhe marrëveshja bërthamore e Iranit, janë pikat nga duhet filluar kjo punë. Por dëmet e këtij rendi që para Donald Trumpit, do ta zgjasin përtej presidencës së tij.
4. Më shumë tensione SHBA-Kinë
Mos prisni që zoti Biden ta anulojë luftën tregtare me Kinën. Përkundrazi, ai do të dëshirojë të rregullojë marrëdhëniet me aleatët, për t’i zhvilluar ato në një mënyrë më efektive. Shumë vende nga Afrika në Azinë Juglindore, po bëjnë çmos për të shmangur rreshtimin me njërën palë kur të rriten tensionet.
5. Kompanitë e vijës së frontit
Një front tjetër për konfliktin SHBA-Kinë janë kompanitë dhe jo vetëm Huauei dhe TikTok, pasi biznesi po bëhet edhe më shumë një fushëbetejë gjeopolitike. Veç presionit nga lart, bosët e këtyre kompanive po përballen me presion nga poshtë, pasi punonjësit dhe klientët kërkojnë që ata të marrin një qasje ndaj ndryshimeve klimatike dhe drejtësisë sociale, ku politikanët kanë bërë shumë pak.
6. Pas zhvillimit të përshpejtuar të teknologjisë
Në vitin 2020, pandemia përshpejtoi përvetësimin e shumë sjelljeve teknologjike, nga video-konferencat te blerjet në internet, puna dhe mësimi në distancë. Në vitin 2021, do të bëhet më e qartë shkalla në të cilën këto ndryshime do të mbeten ose do të kthehen pas.
7. Një botë ku do lëvizet më pak
Sektori i turizmit do të tkurret dhe do të ndryshojë formë, duke pasur më shumë theks tek udhëtimet brenda vendit. Linjat ajrore, zinxhirët e rrjeteve hoteliere dhe prodhuesit e avionëve do të hasin shumë vështirësi, ashtu si universitetet që mbështeten shumë te studentët e huaj. Edhe shkëmbimi kulturor do të vuajë pasojat e pandemisë.
8. Një mundësi për ndryshimin e klimës
Kjo krizë shihet si një shans i artë për të ndërmarrë veprime energjike kundër ndryshimit të klimës, teksa qeveritë po investojnë gjithnjë e më shumë planet e gjelbra të rimëkëmbjes, për të krijuar vende të reja pune dhe për të ulur emetimet e gazrave të dëmshëm në atmosferë. Sa ambicioze do të jenë premtimet në këtë fushë në konferencën e OKB për klimën, që u shty këtë vit?
9. Viti i një déjà vu-je
Ky është vetëm një shembull se si mund të jetë viti i ardhshëm në shumë aspekte, si një kapitull i dytë i vitit 2020, pasi ngjarjet përfshirë Olimpiadën, Dubai Expo dhe shumë aktivitete të tjera politike, sportive dhe tregtare do të çelen një vit më vonë sesa ishin planifikuar. Por jo të gjitha ato do të kenë sukses.
10. Një këmbanë alarmi për rreziqe të tjera
Akademikët dhe analistët, shumë prej të cilëve e kanë paralajmëruar prej vitesh rrezikun e një pandemie, do të përpiqen të shfrytëzojnë rastin për t’i bindur politikë-bërësit t’i marrin më seriozisht rreziqe të tjera të neglizhuara më herët, të tilla si rezistenca ndaj antibiotikëve dhe terrorizmi bërthamor. Urojuni atyre fat./Bota.al