Category: AKTUALE

  • Balla: Sa herë Kosova ka festë, Saliu e bën një dëm në Shqipëri

    Pas kaosit dhe tensioneve të shkaktuara në seancën plenare nga deputetët e Partisë Demokratike, kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka akuzuar opozitën për bllokim të qëllimshëm të punimeve parlamentare.

    Por ai për gjithë këtë kaos, në një paraqitje mediale jashtë objektit të Kuvendit të Shqipërisë tha se sa herë që Kosova ka festë, referuar heqjes së një pjesë të masave të BE-së për Kosovën, Sali Berisha shkakton kaos.

    “Duket qartë që protestat nuk kanë frymë, nuk kanë pjesëmarrje duhet t’ia vëmë zjarrin parlamentit   që të na vinë njerëzit në protestë. Shqiptarët e dinë fare mirë kush udhëheq dhe jep urdhrat për të gjitha këto imazhe që i bëjnë ëmë Shqipërisë.

    Sulmuan avokatin e ri të popullit. U munduan ta pengojnë që të bëjnë betimin edhe pse vetë e kanë propozuar. Megjithatë, populli shqiptar ka një shprehje të bukur ‘qentë le të lehin karvani le të ecën përpara’. Karvani i Shqipërisë evropiane ecën përpara. Dua t përgëzoj vendimin e BE-së për të hequr një pjesë të masave të sanksioneve ndaj Kosovës dhe ky është lajmi më i mirë i gjithë shqiptarëve.

    Sa herë që Kosova ka një festë, Saliu e bën një dëm në Shqipëri dhe dëm në Shqipëri. Dhe dëmi i mazhit të sotëm lidhet me gëzimin e djeshëm për Kosovën”, tha Balla.

  • Nuk iu përfillën kërkesat për rroga, punëtorët e KEK-ut paralajmërojnë protestë

    Sindikata e Re e Punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste për javën e ardhshme.

    Kryetari i kësaj sindikate Nexhat Llumnica ka konfirmuar për Klan Kosova se ata do të kërojnë rritje të pagave si dhe pagën e 13-të.

    Ai mes tjerash ka theksuar se nëse nuk iu merren parasysh kërkesat, do të mbajnë edhe grevë.

    “E nëse edhe kjo e radhës nuk përfillet nga KEK, do të ndërmarrim masa ligjore dhe do të vazhdojmë drejt grevës”, shtoi Llumnica.

    Protestë për kërkesa të njëjta, ata zhvilluan edhe rreth një javë më parë.

  • Çmimet e rrymës mbeten të pandryshuara edhe për vitin 2026 në Shqipëri

    Enti Rregullator i Energjisë (ERE) në Shqipëri vendosi që çmimet e shitjes me pakicë të energjisë elektrike për klientët fundorë që furnizohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) të mbeten në fuqi deri më 31 dhjetor 2026.

    Vendimi u mor në mbledhjen e Bordit të ERE-s, pas vlerësimit të treguesve financiarë dhe ekonomikë të FSHU sh.a., nga të cilët rezulton se çmimet në fuqi mbulojnë kostot e aktivitetit dhe garantojnë funksionimin normal të shërbimit edhe për vitin 2026, transmeton ATSH.

    Për konsumatorët familjarë që konsumojnë deri në 700 kWh në muaj çmimi është 8,4 lekë (0.084 euro/kWh, ndërsa për konsumatorët familjarë që konsumojnë më shumë se 700 kWh në muaj, çmimi është 9,5 lekë (0.095 euro) kWh.

    Po ashtu, ERE shtyu deri në fund të vitit 2026 edhe vlefshmërinë e çmimit të energjisë elektrike për karikimin e makinave elektrike në pikat/stacionet me fuqi të instaluar mbi 11 kW, të lidhura në nivelin e tensionit 0,4 kV.

    Rama: Ballkani Perëndimor nuk po kërkon lëmoshë, por po ofron vlerë dhe rezultate

    Çmimi i energjisë elektrike në pika/stacione karikimi të makinave elektrike me fuqi të instaluar mbi 11 kW, të lidhura në nivelin e tensionit 0,4 kV është 22 lekë (0.022 euro) kWh, ndërsa në orarin pik është 25,3 lekë (0.253 euro)/kWh.

    ERE thekson se, në rast se pas rishikimit të tarifave të shpërndarjes së energjisë elektrike do të ketë ndryshime në kostot përkatëse, këto do të reflektohen më pas në çmimet me pakicë për klientët e shërbimit universal, sipas kuadrit ligjor në fuqi.Vendimi është botuar në Fletoren Zyrtare.

  • Rast tragjik në Junik: Një grua gjendet e vdekur në një shtëpi – një tjetër pa vetëdije, në gjendje të rëndë

    Rast tragjik në Junik: Një grua gjendet e vdekur në një shtëpi – një tjetër pa vetëdije, në gjendje të rëndë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ditën e djeshme në Junik, në një shtëpi janë gjetur pa vetëdije dy femra të moshuara kosovare, ku njëra prej tyre ka qenë pa shenja jete.

    Tjetra, njofton policia, është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK në gjendje të rëndë.

    “Raportohet se në një shtëpi janë gjetur pa vetëdije dy femra të moshuara kosovare. Lidhur me rastin ekipi mjekësor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konstatuar se njëra nga viktimat është pa shenja jete, ndërsa tjetra është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK në gjendje të rëndë”.

    “Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore ka dalë edhe prokurori, me vendimin e të cilit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion’’, ka njoftuar Policia.

  • Burgim i përjetshëm për ish-anesteziologun francez që helmoi 30 pacientë

    Ish-anesteziologu francez, Frédéric Pechier, është dënuar me burgim të përjetshëm për helmimin e qëllimshëm të 30 pacientëve, nga të cilët 12 kanë humbur jetën.

    Vendimi është marrë nga një gjykatë në qytetin Besançon, në lindje të Francës, e cila e ka shpallur Pechier fajtor për kontaminimin e qeseve të infuzionit me substanca që shkaktonin arrest kardiak ose hemorragji.

    Viktima më e re e tij ishte një fëmijë katërvjeçar, i cili i mbijetoi dy arresteve kardiake gjatë një operacioni rutinë të bajameve në vitin 2016, ndërsa viktima më e moshuar ishte 89 vjeç.

    Gjatë seancave gjyqësore, prokurorët kanë qenë të ashpër në fjalën e tyre. “Ju jeni Doktor Vdekja, një helmues, një vrasës. Ju u sillni turp të gjithë mjekëve”, kanë deklaruar ata javën e kaluar, duke shtuar se “e keni shndërruar këtë klinikë në një varrezë”.

    Hetimet ndaj Pechier kishin nisur tetë vjet më parë, pas dyshimeve për helmimin e pacientëve në dy klinika në Besançon, në periudhën mes viteve 2008 dhe 2017.

    Pechier, i cili i kaloi 15 javët e gjyqit në liri nën mbikëqyrje gjyqësore, do të duhet të vuajë të paktën 22 vjet burg. Ai ka mohuar vazhdimisht çdo keqbërje.

    “E kam thënë edhe më parë dhe do ta them përsëri: Unë nuk jam helmues… Gjithmonë e kam mbajtur betimin e Hipokratit”, ka deklaruar ai.

    Sipas vendimit, Pechier ka 10 ditë afat për të paraqitur ankesë, çka do të nënkuptonte zhvillimin e një procesi të dytë gjyqësor brenda një viti.

  • “Të pështyj në fytyrë”, Fjolla eskalon ndaj Labit

    “Të pështyj në fytyrë”, Fjolla eskalon ndaj Labit

    Një debat i ashpër ka ndodhur së fundmi në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 4 mes Fjolla Morinës dhe Labinot Rexhës, duke tensionuar edhe më tej raportet mes banorëve.

    Gjatë përplasjes, këngëtarja përdori një gjuhë të rëndë ndaj Labinotit, duke e akuzuar dhe fyer hapur para kamerave.

    Ajo u shpreh se nuk dëshiron të ketë asnjë lidhje me të, brenda apo jashtë shtëpisë, duke theksuar se qëndrimi i saj ndaj tij nuk do të ndryshojë as pas përfundimit të spektaklit.

    Debati eskaloi edhe më shumë kur Morina e paralajmëroi që të mos e provokojë, duke e akuzuar se është i aftë të bëjë gjithçka dhe duke vënë në dyshim karakterin e tij.

    “Unë vetëm fytyrën tënde ta tregoj. Që je pis e të gjithat i ke. Edhe jashtë do t’i them këto të njëjtat. Sot e 700 vjet fytyra ime me tënden nuk bëhet se çka pshtyj nuk e lëpij. Jashtë nuk të njoh as kush je”, u shpreh ajo.

  • Sërish flakadanë në Kuvendin e Shqipërisë, përjashtohet nga seanca Flamur Noka

    Ende pa nisur seanca plenare, disa deputetë të Partisë Demokratike kanë zënë vendet e ministrave në sallë.

    Është përjashtuar nga Kuvendi i Shqipërisë sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka

    Përjashtimi i Nokës ka ardhur si pasojë e ndezjes së flakadanëve në Kuvend.

    Në seancën e sotme, e fundit për këtë sesion parlamentar para festave të fundvitit, pritet të bëhet betimi i Avokatit të Popullit, Endri Shabani.

  • Shkencëtari: Po hyjmë në fazën më të rrezikshme të zhvillimit të IA

    Shkencëtari: Po hyjmë në fazën më të rrezikshme të zhvillimit të IA

    Jared Kaplan, shkencëtari kryesor në kompaninë e inteligjencës artificiale Anthropic, ka bërë një sërë parashikimesh serioze rreth të ardhmes së njerëzimit, duke paralajmëruar se një vendim kyç për fatin tonë po afrohet në mënyrë të rrezikshme.

    Sipas tij, zgjedhja është ende në duart tona, por vetëm nëse vendosim të mos ia dorëzojmë kontrollin makinave, raporton Futurism.

    Kaplan parashikon se kjo pikë vendimi po afrohet me shpejtësi. Në një intervistë me Guardian, ai paralajmëroi se njerëzimi duhet të vendosë deri në vitin 2030 më së voni, dhe ndoshta që në vitin 2027, nëse do të marrë “rrezikun përfundimtar” dhe do t’u lejojë modeleve të IA-së të stërviten vetë.

    Një veprim i tillë mund të shkaktojë një “shpërthim inteligjence” që do ta çonte teknologjinë në nivele të reja dhe do të çonte në krijimin e inteligjencës së përgjithshme artificiale (AGI) – një sistem që tejkalon inteligjencën njerëzore. Kjo mund t’i sjellë përfitime të mëdha njerëzimit përmes përparimeve shkencore dhe mjekësore. Nga ana tjetër, i njëjti vendim mund të lejojë që fuqia e IA-së të përhapet pa kontroll, duke na lënë në mëshirën e tekave të saj.

    “Tingëllon si një proces i frikshëm. Nuk e di se ku do të përfundosh”, tha ai.

    Kaplan është pjesë e një numri në rritje të ekspertëve të shquar që po paralajmërojnë për pasojat potencialisht katastrofike të zhvillimit të IA-së.

    Geoffrey Hinton, një nga “babai i IA-së”, ka shprehur publikisht keqardhje për punën e jetës së tij dhe shpesh paralajmëron se IA mund të shkatërrojë shoqërinë.

    Altman i OpenAI parashikon që IA do të zhdukë të gjitha kategoritë e punës, ndërsa shefi i Kaplan, CEO i Anthropic, Dario Amodei, kohët e fundit paralajmëroi se IA mund të merr mbi gjysmën e vendeve të punës në zyra të nivelit fillestar, duke akuzuar konkurrentët se “ekzagjerojnë” shkallën e vërtetë të ndërprerjes që do të shkaktojë IA.

    Kaplan duket se pajtohet me vlerësimin e shefit të tij për ndikimin në vende pune. Në një intervistë, ai tha se pret që IA të jetë në gjendje të bëjë “shumicën e punëve në zyrë” brenda dy-tri vjetësh.

    Ndërsa është optimist se IA mund të mbahet në përputhje me interesat njerëzore, shqetësimi i tij më i madh është mundësia e lejimit të sistemeve të fuqishme të IA-së të trajnojnë sisteme të tjera të IA-së. Është, thotë ai, një “vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm” që do të duhet të marrim shumë shpejt.

    “Kjo është ajo që mendojmë se është ndoshta vendimi më i madh ose gjëja më e frikshme për të bërë… pasi askush nuk është i përfshirë në proces, nuk e dini vërtet. Njëra është, a do ta humbisni kontrollin mbi të? A e dini fare se çfarë po bëjnë IA-të?”, tha ai për Guardian.

    Ndërsa modelet më të mëdha të IA-së tashmë po përdoren për të trajnuar modele më të vogla në një proces të njohur si distilim, Kaplan merret kryesisht me të ashtuquajturin vetëpërmirësim rekursiv, një proces në të cilin IA mëson pa asnjë ndërhyrje njerëzore, duke bërë hapa të mëdhenj në aftësitë e saj.

    Lejimi i zhvillimeve të tilla ngre pyetje të vështira filozofike: “Pyetja e madhe është: a janë IA-të të mira për njerëzimin?” A janë ato të dobishme? A do të jenë të padëmshme? A do t’i kuptojnë njerëzit? A do t’u lejojnë njerëzve të vazhdojnë të kenë kontroll mbi jetën e tyre dhe botën?”

     

  • 57 aksidente rrugore e mbi 2000 gjoba trafiku brenda 24-orëve

    Gjatë 24- orëve të fundit në vendin tonë janë shkaktuar 57 aksidente trafiku ku prej tyre 15 me të lënduar dhe 42 me dëme materiale.

    Po ashtu sipas raportit policor janë shqiptuar 2183 gjoba për shkelësit e rregullave të trafikut rrugor.

    10 persona janë arrestuar, 8 janë dërguar në mbatje dhe 1 në vuatje të dënimit.

     

  • Sada thirrje Kurtit: Ekzekuto subvencionet e premtuara për fermerët

    Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hatmane Sada (LDK – nr. 87), i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të realizojë ekzekutimin e subvencioneve të premtuara për fermerët, të cilat sipas saj ende nuk janë shpërndarë.

    Përmes një reagimi publik, Sada ka theksuar se bashkë me mijëra vreshtarë dhe fermerë në mbarë vendin, edhe fermerët e Rahovecit po përballen me vonesa serioze në marrjen e subvencioneve për vitin 2025, ndonëse ato u takojnë me ligj dhe janë premtuar nga institucionet.

    “Porosia e përbashkët e jonë nga tubimi i madh sonte në Rahovec duhet të jetë e qartë: Albin, qiti paret”, ka deklaruar Sada, duke ngritur zërin në emër të bujqve që, sipas saj, po mbesin të pambështetur në një periudhë të vështirë ekonomike.

    Hatmane Sada, e njohur për angazhimin e saj të vazhdueshëm në mbështetje të sektorit të bujqësisë dhe çështjeve që prekin drejtpërdrejt fermerët, ka theksuar se bujqësia nuk mund të mbijetojë vetëm me premtime, por kërkon veprime konkrete dhe mbështetje reale nga Qeveria.

    Ajo ka shtuar se fermerët janë shtyllë e rëndësishme e ekonomisë vendore dhe se vonesat në subvencione po i dëmtojnë rëndë prodhuesit vendorë, duke rrezikuar edhe sezonin e ardhshëm bujqësor.