Category: AKTUALE

  • Dalin pensionet e moshës dhe kontribuese

    Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare ka njoftuar të gjithë pensionistët se sot është bërë alokimi i pensioneve për pensionistët e moshës dhe atyre kontribues.

    Sipas njoftimit nga kjo Ministri, numri i përfituesve të pensioneve bazike dhe kontribuuese është 272.023.

    Po ashtu, Minitria, sipas njoftimit, ka bërë alokimin e pensioneve edhe për skemat e invalidëve të luftës dhe viktimave civile, gjithsej 14.279 pensionistë.

  • LDK-ja ia hap dyert Osmanit: Synojmë rikthimin e të gjithë anëtarëve

    Sekretari organizativ i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, ka deklaruar se në listën e LDK-së mund të ketë vend edhe për Vjosa Osmanin, duke theksuar se partia po synon rikthimin dhe bashkimin e të gjithë anëtarëve të saj.

    Ai tha se LDK synon të unifikojë radhët e saj dhe të forcojë strukturën e brendshme të partisë.

    “Unë konsideroj që këto ngjarje do t’i shohim në ditët në vazhdim. LDK-ja synon rikthimin e të gjithë anëtarëve të saj, kështu që edhe për Vjosa Osmanin mund të ketë vend në LDK, sepse e djathta duhet të bashkohet, pasi që ka pasur një proces i cili ka qenë i dëmtuar në proceset e mëparshme dhe po kështu po synojmë që ta unifikojmë partinë ashtu siç ka qenë LDK-ja gjithherë”, tha ai.

  • Rama njofton për hartimin e strategjisë për Rininë 2026–2034

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar është hartuar Strategjia e Rinisë 2026–2034, e shoqëruar me plan veprimi 4-vjeçar, e ndërtuar mbi 5 shtylla kryesore.

    Strategjia, sipas Ramës, përfshin indikatorë të matshëm dhe buxhet të planifikuar, në përputhje me objektivat ndërkombëtare.

  • Aksident tragjik në Istog, vdes një person pasi rrokulliset me traktor në pyll

    Sot rreth orës 11:20 është raportuar një rast tragjik në fshatin Polanë të Istogut, ku një person ka humbur jetën gjatë punës me traktor në pyll.

    Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, Stacioni Policor në Klinë është njoftuar se viktima, nga fshati Leskoc i Klinës, kishte shkuar për të siguruar dru me traktor, por dyshohet se gjatë lëvizjes në terren është rrokullisur me mjetin.

    Vdekja e tij është konstatuar nga mjeku kujdestar në QMF Klinë, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore për të kryer hetimet dhe për të sqaruar rrethanat e plota të rastit.

  • Sulmi ndaj gazetarit Burim Pacolli, Supremja ia ndërprenë paraburgimin Mossit

    Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur ta ndërpresë masën e paraburgimit ndaj Gramos Krasniqit, reperit të njohur si “Mossi”.

    Kjo u konfirmua nga Supremja përmes një përgjigje për Klankosova.tv.

    “Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojme se masa e paraburgimit ndaj te pandehurve G.K., A.D., dhe B.H., eshte hequr nga Gjykata Supreme. Pas kerkeses per mbrojtjen e ligjshmerise, Gjykata Supreme ka caktuar masen e ndalimit per t’iu afruar vendit ose personit te caktuar, per kohezgjatjen e mbledhur me date 03.04.2026. Ndersa ne raste te tilla, kur vendos Gjykata Supreme, nuk parashtrohet kerkese per vazhdimin e mases”, thuhet në përgjigjen për Klankosova.tv.

    Reperi Mossi u arrestua nën dyshimin për sulm ndaj gazetarit të Nacionales Burim Pacolli.

  • Komisioni për ekonomi miraton në parim projektligjin për energjinë elektrike

    Me shtatë vota për, komisioni për ekonomi ka miratuar në parim projektligjin për energjinë elektrike. Mbledhja u shoqërua me debate mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli prezantoi projektligjin dhe dobitë e tij.

    “Projektligji për energjinë elektrike që po prezantojmë sot para jush e avancon kornizën ligjore të sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës, duke i përcaktuar në mënyrë më të qartë dhe më të drejtë të drejtat dhe detyrimet e të gjithë pjesëmarrësve në treg, si edhe duke forcuar bazën për një sistem të qëndrueshëm, konkurrues dhe të orientuar drejt tregut. Projektligji e ruan strukturën bazë të ligjit ekzistues, mirëpo zgjerohet më tej në adresimin e zhvillimeve të fundit në tregun e energjisë, integrimin e tij, digjitalizimin dhe tranzicionin energjetik. Së bashku me projektligjin për energjinë që prezantuam dje dhe me projektligjin për rregullatorin që do ta sjellim në kuvend gjatë këtij viti, përafrohet legjislacioni ynë me kërkesat e pakos së energjisë së pastër të Bashkimit Evropian, duke kaluar nga modeli aktual drejt një kuadri modern, të harmonizuar me direktivën 2019/944, rregulloren 2019/943, si dhe rregulloret 2019/941 dhe 2019/942. Qëllimi kryesor është që të sigurohet furnizim i qëndrueshëm, cilësor dhe çmime të përballueshme për konsumatorët”, tha Rizvanolli.

    Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, tha se sistemi energjetik i vendit, që nga prodhimi, transmetimi dhe shpërndarja, po shkon kah centralizimi absolut.

    “Unë e dëgjova prezantimin e ministres që na e solli ligjin e dytë brenda dy ditësh, një ligj jashtëzakonisht voluminoz, i përshkruar me qindra nene, por që me këtë dinamikë e vetmja arsye që u mundua ministrja të na thotë është që janë nëntë milionë euro donacione që mund t’i përfitojnë. Konsideroj, ministre, që për nëntë milionë euro Republika e Kosovës nuk duhet të prekë substancën e bazës energjetike dhe të legjislacionit në këtë fushë pa ndonjë analizë të mirëfilltë dhe pa ndonjë debat më afatgjatë kohor. Ne këtë nuk e kemi parë dje as sot dhe, mbi të gjitha, sot po e shohim që definitivisht ky ligj po e vërteton atë që thashë dje, që sistemi energjetik i vendit, që nga prodhimi, transmetimi dhe shpërndarja, po shkon kah centralizimi absolut dhe, mbi të gjitha, është shqetësues sistemi i kontrollit. Edhe dje e sot, në asnjërin nga ligjet nuk shohim sistem të mirë të kontrollit të pavarur, por shohim centralizim ekstrem të ekzekutivit mbi sektorin energjetik. Tendencë që e kemi parë moti, por tani po i jepet një vulë edhe me legjislacion”, tha ai.

    Ai gjithashtu përmendi ministrin e Infrastrukturës, Dimal Basha, dhe shtoi se KOSTT-i po shkatërrohet nga pushteti.

    “Pse ju po ia shkruani ligjin Dimal Bashës? Pse nuk ka kosto financiare ligji? Pse nuk ka analizë? Pse duhet të kalojë KOSTT-i sot? Dëgjoni, po e shkatërroni KOSTT-in. Nëse është interes biznesor i ngushtë me i kap edhe bateritë, në rregull. Nëse është interes i ngushtë…”, tha Shala.

    Derisa Shala pati akuza, pati ndërhyrje nga kryetarja  e komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Rozeta Hajdari.

    “Zotëri Shala, të lutem kontribuo për ligjin, sepse sot është në shqyrtim. Je duke bërë sulme politike pa nevojë. Të lutem, kontribuo për ligjin”, tha ajo.

    Ministrja Rizvanolli, duke i reaguar deputetit Shala, ia përmendi mënyrën e qeverisjes në kohën e PDK-së.

    “I nderuar deputet, zgjidhja që e keni bërë kur e keni vendosur KOSTT-in të raportojë në Kuvend është zgjidhje sui generis, që në asnjë vend tjetër në BE e as në botë nuk e kam parë. Ka përfunduar kuvendi duke votuar 61 deputetë, duke e ngritur dorën për çështje operacionale të një ndërmarrjeje. Kjo nuk është në asnjë vend tjetër; është bërë në Kosovë si rezultat i nevojës për zbatimin e direktivave të BE-së, duke mos ditur, prej mungesës së njohurive dhe mungesës së angazhimit për të gjetur zgjidhje të duhur, që të mbetet brenda mbikëqyrjes së qeverisë, ka përfunduar në Kuvend”, tha Rizvanolli.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, i reagoi deputetit Shala.

    Ai tha se e drejta e qeverisë është që të bëjë politikat dhe ligjet në shërbim të qytetarëve.

    “Mendoj se kolegu Shala nga opozita fillimisht duhet të fillojë me një qasje të këndvështrimit të tij politik për sektorin dhe mbi çështjet që parasheh ligji, mirëpo më pas tejkaloi edhe gjuhën parlamentare dhe gjuhën kolegjiale dhe filloi me akuza. Unë nuk mendoj që ka nevojë për akuza, sepse mendoj se sillet një ligj nga një ministri e qeverisë që është votuar nga qytetarët me 51.1 për qind në zgjedhje dhe është e drejtë e kësaj qeverie që të bëjë politikat dhe ligjet siç ajo mendon që mund t’u shërbejë qytetarëve të vendit”, tha Hyseni.

  • KRU “Prishtina” me aksion shkyçjeje, ka një paralajmërim për konsumatorët

    Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar mbi aksionin për shkyçje ndaj konsumatorëve me borxhe.

    Në një njoftim zyrtar, KRU “Prishtina” bëri me dije se të gjithë konsumatorët me borxhe mbi 500 euro obligohen të bëjnë pagesat në afatin sa më të shkurtër të mundshëm.

    “Në kuadër të këtyre aksioneve po asiston edhe Policia e Kosovës.

    Aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim” deklaron KRU-ja.

  • Pamje dramatike nga sulmi terrorist në Banjskë, shfaqen të shtënat kundër policisë

    Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po mbahet seanca ndaj të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë.

    Brenda sallës së gjyqit janë shfaqur pamje dramatike që tregojnë se si ndodhi ngjarja në shtatorin e vitit 2023.

    Në një nga videot, e cila u gjet në telefonin e Dushan Maksimoviq, dëgjohen të shtënat e shumta të grupit terrorist kundër zyrtarëve policorë.

    Kjo seancë, ku sot jepet fjala përfundimtare, po e përcjell nga afër gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani.

  • LDK publikon emrat e kryesisë së partisë

    LDK publikon emrat e kryesisë së partisë

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar vendosjen e kryesisë së re si pjesë e riorganizimit politik.

    Përmes një postimi në Facebook LDK njoftoi se kryetari i partisë, pas konsultimeve të brendshme, ka marrë vendim për emërimin e Kryesisë së re të LDK-së në përputhje me autorizimet e organit më të lartë vendimmarrës të partisë, raporton KlanKosova.tv.

    “Kjo përbërje reflekton përvojën institucionale, energjinë e re; e mbi të gjitha përbashkimin e të gjitha niveleve si element thelbësor të forcimit tonë partiak. Kryesia e re është në funksion të forcimit të organizimit të brendshëm, përfaqësimit të strukturave dhe rritjes së efikasitetit në vendimmarrje”, shkruhet në komunikatë.

    Postimi i plotë:

  • Ndalohet importi i deleve e dhive nga Shqipëria për shkak të shpërthimit të murtajës së kafshëve

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në koordinim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ka vendosë masë ndalese të pakohshme për import të ruminantëve të vegjël dele e dhi nga gjithë territori i Shqipërisë.

    Në njoftim bëhet e ditur se kjo masë është vendosur pas konfirmimit të rasteve të sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants) në Qarkun e Dibrës.

    “Thërrasim për vëmendje komunat e Kosovës të brezit kufitarë me Shqipërinë, përmes drejtorive të për Bujqësi të vendosin masa strikte kufizuese të lëvizjes se bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitar. Fermerët mbajtëse të deleve dhe dhive të mbajnë nën mbikëqyrje tufat e tyre, të shmangin çfarëdo kontakti me kopetë e fermerëve nga Shqipëria”, thuhet në njoftim.

    Tutje bëhet e ditur se autoritetet kufitare do të forcojnë kontrollet në të gjitha pikat kufitare dhe zonat e brezit kufitar me Shqipërinë, me qëllim parandalimin e futjes së sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës.

    Bazuar në situatë aktuale, fermerët është e rëndësishme të shtojnë kujdesin dhe të ndërmarrin veprimet si në vijim:

    Të shmangni lëvizjet e panevojshme të kafshëve nga një zonë në tjetrën

    Të raportoni menjëherë tek veterineri çdo shenjë të dyshimtë (ethe, rrjedhje nga hundët, dobësi, diarre)

    Të kufizoni kontaktin e tufave tuaja me kafshë tjera sidomos në zonat kufitare

    Të respektoni udhëzimet dhe këshillat e AUV-së.

    Mos blini kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin shëndetësor të tyre

    Shtoni masat e biosigurisë në fermat tuaja.

    PPR-ja është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë. Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura, ndërsa burim i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet.

    Shenjat klinike përfshijnë: temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion të syve, ulje të oreksit, diarre dhe në raste të rënda, ngordhje. Kjo sëmundje nuk është zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.