Category: AKTUALE

  • Nafta lirohet për 1 cent në Kosovë

    Nafta lirohet për 1 cent në Kosovë

    Një cent më lirë se ditën e djeshme do të shitet sot një litër naftë në Kosovë.

    Çmimi ishte 1.76 euro të mërkurën, ndërsa sot do të jetë 1.75 euro.

    Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, benzina do të shitet për 1.43 euro, ndërsa çmimi i gazit do të jetë 0.88 euro për litër.

    Çmimet do të hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Dy persona plagosen me armë zjarri në Prishtinë

    Dy persona plagosen me armë zjarri në Prishtinë

    Mëngjesin e sotëm, rreth orës 04:00 në rrugën “Ahmet Krasniqi” në Prishtinë, dy persona janë plagosur me armë zjarri.

    Siç ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor.

    “Aktualisht, hetuesit policorë, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po ndërmarrin veprime hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”, tha Pllana.

  • 27 vjet nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova

    Sot shënohet 27-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës më 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërngulen në Shqipëri dhe Maqedoni.

    Përveç të shpërngulurve në këto dy shtete, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

    Ata ishin fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, në Kukës përkujtohet, e në dy vitet e fundit edhe simbolikisht prej pandemisë, kjo dramë vuajtjesh nga më të tmerrshmet që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke.

    Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi), shkruan KosovaPress.

    Me datë 27 mars, në orën 13:20, në pikëkalimin doganorë të Morinës hynë 187 refugjatët e parë nga Kosova ku shumica ishin fëmijë dhe gra, të cilët ishin në gjendje të mjerueshme fizike dhe mendore dhe të plagosur me mjete të forta si: qyta pushke, shkopinj gome etj. U morën masa të menjëhershme për transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe ushtrisë nga Drejtuesit e Prefekturës së Kukësit. Ata ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushë e Madhe dhe Zym. Si fillim këto refugjatë u strehuan në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina”.

    Deri në orën 24:00 të 27.03.1999 ne Kukës mbërritën 12.721 kosovarë. Ndihmat e para ushqimore erdhën nga Ministria e Bujqësisë ku me datë 27 mars në Kukës, u dërguan kontingjente me ushqime (vaj, miell, sheqer, makarona, oriz, sapuna etj) për 2500 persona në muaj.

    Me datë 28 mars vazhdoi fluksi i të ardhurve kosovarë, të dëbuar me forcë prej trojeve të tyre nga pushtuesit serbë. Numri i tyre ishte 13.000 banorë. Refugjatët kosovarë kishin hyrë nga pikëkalimi i Morinit ku edhe ishin dhunuar, torturuar, masakruar dhe zhveshur nga policët serbë, duke u marrë paratë, bizhuteritë dhe çdo send me vlerë që ato kishin.

    Vendstrehimi i tyre përkohshëm ishte Pallati i kulturës “Hasan Prishtina”. Më pas pushteti lokal në Kukës hapi dyert e disa mjediseve shkollore, çerdhesh, kopshtesh, magazinash dhe deposh për strehimin e të dëbuarve. Refugjatët e tjerë u strehuan në familje kuksiane ku edhe u mikpritën nga to. Mesatarisht çdo familje në qytetin e Kukësit kishte rreth 14 kosovarë. Ata flinin në çdo pjesë të shtëpisë.

    Në krye të javës mbërriti karvani i dytë i të dëbuarve me rreth 70.000 kosovarë. Nga këto 40.000 u sistemuan pranë familjeve qytetare, 10.000 në mjedise të ndryshme publike të qytetit, 6.000 në komunat Bicaj, Kolsh, Tërthore dhe Shtiqën, 12.000 në qytetin e Krumës dhe 300 në komunën Golaj. Në Kukës mbërritën 16 automjete për të evakuuar një pjesë të kosovarëve në qytete te tjera. Dita-ditës numri i të dëbuarve rritej. Pavarësisht strehimit në shtëpitë e banorëve kuksianë, një numër i madh kosovarësh strehoheshin në kampe

    16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.

  • Plumba në oborrin e një shtëpie në Prishtinë, dëmtohen vetura dhe ballkoni në Velani

    Një rast shqetësues i përdorimit të armës së zjarrit është zbuluar në lagjen Velania në Prishtinë, ku plumbat kanë përfunduar në një oborr shtëpie, duke shkaktuar dëme materiale.

    Ngjarja është raportuar më 14 prill rreth orës 18:00 në rrugën “Taib Zeka”, ndërsa dyshohet se të shtënat kanë ndodhur disa ditë më herët.

    Siç mëson, ankuesja S.V.M. ka deklaruar se vetura e saj e tipit Mercedes, e parkuar në oborr, është dëmtuar në xhamin e përparmë nga predha të armës së gjuetisë (lloji saqmore).

    Po ashtu, dëmtime janë vërejtur edhe në derën/dritaren e ballkonit, ku është krijuar një vrimë që dyshohet të jetë shkaktuar nga predhë e të njëjtit lloj.

    Sipas saj, më 10 prill rreth orës 14:00, derisa ndodhej në ballkon, kishte dëgjuar krisma arme në lagje, por në atë moment nuk kishte vërejtur ndonjë dëmtim.

    Dëmet janë konstatuar vetëm ditë më vonë, kur është vërejtur goditja në veturë dhe në objekt.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe tekniku kriminalistik, të cilët kanë gjetur dy gëzhoja afër veturës dhe një tjetër pranë ballkonit.

    Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa ende nuk dihet drejtimi nga kanë ardhur të shtënat.

    Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe hetimet janë në vazhdim.

  • Sorensen në Kosovë – çka pritet nga takimi me Kurtin?

    Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, do të qëndrojë më 15 prill në Prishtinë, ku do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha një burim në Bruksel për Radion Evropa e Lirë.

    Vizita e Sorensenit në Prishtinë po zhvillohet pasi ai vizitoi Beogradin më 9 prill, ku u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    Emisari evropian tha se me Vuçiqin zhvilloi diskutime për avancimin e diskutimeve për çështjet kryesore të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe analizimin e përparimit për Ligjit për të huajt në Kosovë.

    Sipas burimeve jozyrtare po punohet intensivisht për organizimin e një rundi të ri të dialogut në nivel udhëheqësish. Kjo është arsyeja kryesore pse Sorenseni kohët e fundit ka intensifikuar bisedimet me faktorë të ndryshëm relevantë, përfshirë edhe me palën amerikane.

    Siç kanë bërë të ditur burime diplomatike për Radion Evropa e Lirë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur gatishmëri për të shkuar në Bruksel për t’u takuar në kuadër të dialogut me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por për momentin nuk ka konfirmim se sa është i gatshëm për këtë udhëheqësi kosovar.

    Takim në nivelin e lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023. Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit ishte zhvilluar disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Kosova e fajëson Serbinë, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

    Gjatë sulmit të kryer nga një grup i serbëve të armatosur, mbeti i vrarë një polic i Kosovës. Ndërkaq, gjatë këmbimeve të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Ky sulm e përkeqësoi edhe më tej situatën, ndërsa dialogu në nivelin politik që nga ai moment ka mbetur i ngrirë.

    Pala evropiane, sipas burimeve diplomatike të REL-it, do të dëshironte në mënyrë të organizonte një rund dialogu në javët në vijim, gjithsesi para kësaj vere.

    Nëse kjo ndodh, do të ishte takimi i parë pas tre vjetësh, por edhe i pari i këtij lloji për Kaja Kallas, shefen e diplomacisë evropiane.

    Ajo mori detyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri në dhjetor 2024. Kallas, në disa raste ka deklaruar se dialogu në nivelin më të lartë politik nuk ka ndodhur për shkak të situatës së ndërlikuar politike si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi.

    Pas zgjedhjeve në Kosovë, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, ajo ka shprehur gatishmërinë për të organizuar një takim të liderëve “sapo ta lejojnë rrethanat”.

  • Gërvalla: Çdo ditë reformë në drejtësi, çdo ditë forcim i shtetit të së drejtës

    Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka theksuar rëndësinë e reformave të vazhdueshme në sistemin e drejtësisë, duke vënë në pah se çdo ditë duhet të shënojë progres në forcimin e shtetit të së drejtës.

    Ajo u shpreh se funksionimi i gjykatave është jetik për garantimin e sundimit të ligjit, ndërsa sfidat reale në menaxhimin e lëndëve dhe nevoja për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe teknike mbeten thelbësore për rritjen e efikasitetit dhe besueshmërisë në sistemin gjyqësor. Sipas saj, kjo punë e përditshme përbën themelin mbi të cilin ndërtohet besimi në drejtësi.

    Në kuadër të aktiviteteve të saj, ministrja ka vizituar edhe Gjykata Themelore në Gjilan, ku ka ritheksuar përkushtimin për të çuar përpara reformat në drejtësi. Ajo përmendi edhe funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe paketën e pesë projektligjeve që janë në proces konsultimi publik, si hapa konkretë drejt rritjes së integritetit, llogaridhënies dhe funksionalitetit të sistemit.

    Gërvalla falënderoi kryetarin e Gjykatës, Venhar Salihu, nënkryetarin Rilind Sermaxhaj, gjyqtaren Mevlide Shabani dhe administratorin Shkëlqim Dushica për mikpritjen, qasjen bashkëpunuese dhe angazhimin në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e punës së gjykatës.

  • Paralajmërimi i Vuçiqit për armatim rrit tensionet në rajon, thotë Ibishi

    Njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka shprehur shqetësim për rritjen e investimeve ushtarake të Serbisë dhe ndikimin që kjo ka në sigurinë rajonale.

    Duke folur në emisionin FIVE, Ibishi tha se qytetarët e Serbisë gjithashtu janë të shqetësuar nga procesi i armatimit, ndërsa sipas tij kjo situatë po krijon tensione në gjithë rajonin.

    “Edhe qytetarët e Serbisë janë të shqetësuar nga gjithë ky investim në armatim, por mbi të gjitha edhe kërcënimi rajonal, ngase këto armë që Serbia po i siguron nga Kina, Rusia dhe Irani më herët, krijojnë një situatë mjaft të tensionuar dhe pretendime territoriale ndaj vendeve fqinje si Bosnja e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut,” ka deklaruar Ibishi.

    Ai shtoi se Serbia po zhvillon edhe stërvitje ushtarake pranë kufirit, përfshirë zonën e Bujanocit, gjë që sipas tij po ndikon në rritjen e frikës te banorët shqiptarë që jetojnë në atë pjesë të Serbisë.

    “Po sigurisht, kjo i kalon të gjitha normat edhe në aspektin financiar. Vitin e kaluar ka kaluar mbi 2.2 miliardë euro, pesë herë më shumë se investimet e Shqipërisë nëse flasim për Ballkanin, dhe shumë më shumë se Mali i Zi e Kosova”, tha ai.

    Ibishi ngriti shqetësim edhe për armatimet specifike që po blen Serbia, duke përmendur raketën CM-400AKG, e cila sipas tij ka shpejtësi të lartë dhe është e vështirë për t’u kapur nga radarët.

    Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar për rritje të mëtejshme të armatimeve, duke pretenduar pa prova se Serbia është e kërcënuar nga një aleancë mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

  • Hyri në fuqi të premten, sistemi i ri i hyrje-daljeve në BE shkakton vonesa disa orë në aeroporte

    Udhëtarët që kalojnë nëpër disa aeroporte evropiane thuhet se presin deri në tre orë në kontrollet kufitare për shkak të sistemit të ri të hyrje-daljeve (EES) të BE-së.

    Organi i Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve, ACI thekson se pasagjerët në aeroportet e vendeve si Franca, Gjermania, Belgjika, Italia, Spanja dhe Greqia po presin disa orë në kontrollet kufitare.

    Sistemi EES hyri në fuqi të premten në vendet e Shengenit plus Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra. Ky sistem kërkon që pasagjerët nga vendet jo-anëtare të BE-së, siç është Mbretëria e Bashkuar, të regjistrojnë informacionin e tyre personal dhe të dhënat biometrike në kufi.

    Sistemi është futur gradualisht që nga tetori dhe ka shkaktuar vonesa të gjata në disa aeroporte. Të dielën, BBC raportoi se më shumë se 100 pasagjerë nuk mundën të hipnin në një fluturim të easyJet nga Milano në Mançester përpara se të nisej për shkak të vonesave në sportelet e pasaportave.

    Përfaqësuesit e aeroportit dhe Komisioni Evropian zhvilluan një takim për të diskutuar problemet me sistemin të martën. ACI thuhet se ka kërkuar të zgjasë përjashtimet ekzistuese, si dhe fuqinë për të pezulluar plotësisht kontrollet e reja.

    Në prag të Pashkëve dhe përpara se EES të lançohej plotësisht më 10 prill, pasagjerëve që kalonin Kanalin nga Mbretëria e Bashkuar në Francë iu tha se nuk kishin nevojë të jepnin asnjë informacion biometrik për shkak të vonesave në zhvillimin e teknologjisë së nevojshme nga Franca për të mbledhur dhe përpunuar të dhënat.

    Problemet me EES vijnë ndërsa aeroportet evropiane përgatiten gjithashtu për ndërprerje të mundshme të furnizimit me karburant për avionë të shkaktuar nga bllokada e ngushticës së Hormuzit. Të premten, ACI u shkroi komisionerëve të energjisë dhe transportit të BE-së duke i paralajmëruar se blloku ishte tre javë larg mungesave sistemike.

    Evropa konsumoi rreth 1.6 milionë fuçi në ditë karburant për avionë vitin e kaluar, nga të cilat afërsisht 500,000 u importuan, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, me rreth 75% që vinin nga Lindja e Mesme.

    Michael O’Leary, drejtori ekzekutiv i linjës ajrore më të madhe të Evropës, Ryanair, ka thënë se EES po shkaktonte radhë deri në katër orë në disa aeroporte, duke e përshkruar sistemin si një rrëmujë dhe një ndëshkim për Brexit. Ai sugjeroi që BE-ja duhet ta shtyjë futjen e plotë deri në tetor.

  • Kryqi i Kuq përmirëson kushtet për nxënësit në Drenas

    Nxënësit e Gjimnazit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Drenas kanë përfunduar me sukses projektin “Promovimi i Vlerave Humane (PVH)”, të organizuar nga Kryqi i Kuq i Kosovës me mbështetjen e Drejtorisë Komunale të Arsimit.

    Projekti u përmbyll me organizimin e një klase verore, e cila u vlerësua si një nga nismat më të rëndësishme për nxënësit pjesëmarrës. Një nga rezultatet kryesore ishte renovimi i hapësirës së klasës verore, e cila tashmë është rregulluar dhe mbuluar falë mbështetjes së kompanisë “Al Trade”, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e mësimit dhe aktiviteteve edukative.

    Ky projekt u realizua falë angazhimit të desiminatorëve, profesorit Ilir Demaku dhe profesoreshës Ermira Demiqi, të cilët udhëhoqën nxënësit me përkushtim gjatë gjithë procesit.

    Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Muhamet Gjoka, drejtori i shkollës, Naim Doberdolani, përfaqësuesi i kompanisë donatore, Artan Ramaj, si dhe përfaqësues nga Kryqi i Kuq i Kosovës – Zyra Qendrore dhe dega në Drenas.

    Me këtë rast, drejtori i DKA-së, Muhamet Gjoka, falënderoi të gjithë kontribuuesit për realizimin me sukses të projektit. Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe drejtori i shkollës, desiminatorët, nxënësit dhe përfaqësuesit institucionalë, të cilët vlerësuan ndikimin pozitiv të këtij projekti në edukimin dhe vetëdijesimin e të rinjve.

    Një falënderim i veçantë iu drejtua kompanisë “Al Trade” për kontributin e saj në përmirësimin e hapësirave mësimore, duke u cilësuar si një shembull i mirë i përgjegjësisë sociale dhe mbështetjes për arsimin.

  • Me Distriën, ekipi i Kosovës gati për Kampionatin Evropian të xhudos

    Me Distriën, ekipi i Kosovës gati për Kampionatin Evropian të xhudos

    Tri herë kampionia e Evropës, Distria Krasniqi, do të kërkojnë titullin e katërt kontinental në Kampionatin Evropian të xhudos, që prej nesër (e enjte) e deri të dielën mbahet në Tbilisi të Gjeorgjisë.

    Krasniqi, kampione e tanishme e Evropës, do të garojë të enjten në kategorinë e saj, -52 kg.

    Bashkë me medalisten e dyfishtë olimpike, në Tbilisi do të garojnë edhe Erza Muminoviq (-48 kg), Fatjona Kasapi (-52 kg), Laura Fazliu (-63 kg), medaliste evropiane, Akil Gjakova (-73 kg) kampion evropian dhe Dardan Cena (-73 kg).