Tirana dhe Partizani u përballën në “Air Albania” në kuadër të javës së 6-të të Kategorisë Superiore.
Por në një ndeshje pa gola dhe në një stadium pa tifozë, e gjithë vëmendja u mor nga Emanuela Rusta, një prej 6 arbitreve që gjykoi derbin kryeqytetas.
FSHF kishte vendosur që dueli të gjykohej nga gjashtë arbitra dhe pas porte ishte pikërisht biondja seksi, raporton Ora News.
Arbitrja nga Elbasani ka qenë edhe herë të tjera në këtë pozitë.
Teksa qytetarët janë në pritje që para deputetëve të jetë në rend dite Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, tërheqja e 10% nga Trusti, është pika që ka marr vëmendje më së shumti.
Zëdhënësi i këtij institucioni, Jeton Demi, thotë se kurdo që ligji të aprovohet, ata janë gati për të mundësuar aplikimin.
“Besojmë se ne jemi gati, sikurse e kemi deklaruar edhe disa herë, që sapo të jetë kjo e mundur ligjërisht, ne do të mundësojmë aplikimin për tërheqjen e 10 përqindëshin”, pati deklaruar për RTV Dukagjinin, Jeton Demi.
Lajm i mirë është se pas aplikimit nga ana e qytetarëve, mjetet në një kohë të shkurtër do të dalin në llogaritë bankare të tyre.
“Kalimi i mjeteve nga llogaria e Fondit Pensional në llogarinë bankare të përfituesit, është çështje e procedurave, por ne mendojmë se do të duhej të kryhej brenda disa ditëve, e në skenarin më të keq mund të jetë çështje javësh”, deklaroi më tej Jeton Demi.
Në komisionin për Buxhet dhe Transfere, ka kaluar Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike me kushtet të cilat i ka vendosur Partia Demokratike e Kosovës.
Kushtet e propozuara nga PDK-ja.
“Pako për bizneset të jetë 200 milionë euro; Pagesa për punëtorët që e kanë humbur vendin e punës me nga 300 euro; Heqja e TVSh-së për lëndën e parë dhe dhe rimbursimi i mjeteve për 10% nga Trusit për ata që kanë deri në 10 mijë euro”, janë kushtet e propozuara nga PDK-ja.
Deputeti i PDK-së Bedri Hamza ka propozuar 4 amendamentet.
Amemdamenti i parë është që mjetet e tërhequra nga pjesëmarrësit sipas këtij neni, e të cilët kanë kursime deri në 9.999 mijë euro kompensohen në formë rimburësimi, duke filluar nga viti 2023.
Amendamenti i dytë, lënda e parë e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore të regjistruara dhe aktive në Republikën e Kosovës, pavarësisht se a eksportohet jashtë vendit apo jo, lirohet nga TVSH.
Amendamenti i tretë, të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur probleme të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilët kanë qenë aktive të regjistruara në regjistër të biznesit para datës 29 shkurt 2020, mbështetën financiarisht nga ana e buxhetit të Kosovës me mjete monetare për ti mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë euro.
Amendamenti i katërt, paguhen nga ana e buxhetit të Republikës së Kosovës, pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor dhe dhjetor 2020 të cilët si pasojë e pandemisë COVID-19 janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre muaj pas datës 29 shkurt 2020 e deri më 30 dhjetor 2020. Shuma e pagesës për punëtorët është 300 euro për një muaj.
Djali i Diego Armando Maradonës nuk ka mundur të udhëtojë për në funeralin e babait pasi ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Ai postoi një video me mesazh për t’i dhënë lamtumirën legjendës së Napolit që u varros të premten.
Diego Maradona Junior ka lindur më 1986, por është njohur nga ishi i Napolit vetëm në vitin 2007.
Ai ka rezultuar pozitiv në fillim të nëntorit dhe nuk ka mundur t’i japë lamtumirën dhe ta varros babanë e tij nga afër, këtë e ka bërë përmes rrjeteve sociale.
“Do të kisha dashur ta kaloj këtë ditë ndryshe, duke u argëtuar dhe harruar momentet e vështira për disa orë”, shkroi ai në Instagram. “Tani e gjej vetën shumë larg nga ju, shpresoj të buzëqeshësh dhe gjithmonë të jesh i lumtur”.
Djali i Maradonës këto ditë ka qenë aktiv edhe me postime në instastory. “Kapiteni i zemrës kurrë s’do të vdesë”, bëri këtë postim menjeherë pas vdekjes me 25 nëntor.
Diego Junior gjithashtu bëri një postim foto të lojtarëve të Napolit duke nderuar legjendën Maradona. “Dojeni i dhe mbrojeni fanellën tuaj sikur të ishte lëkura e dytë. Është fanellë e përjetshme, fanella e babait tim”. /Gazeta Express/
Ish-presidenti i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, i ka hedhur poshtë akuzat e EULEX-it, ndërsa thotë se hetimi i Bashkimit Evropian ndaj tij ishte veçse një hakmarrje, shkruan Gazeta Express.
Gazeta Express ka publikuar dje letrën që Simmons e ka dërguar në Kuvend të Kosovës. Në këtë letër Simmons tregon për punën që ka bërë në EULEX, emërimin e tij dhe thotë se gjatë mandatit të tij ka qenë i njoftuar për këto shkelje.
Por, sot Simmons tregon qartë arsyet pse EULEX’i u hakmor ndaj tij. Ai pretendon se i gjithë hetimi ndaj tij ishte një mashtrim. Ekipi të cilin e hetonte Simmonsin, sipas tij, përbëhej nga anëtarë ishin të akuzuar pikërisht nga Simmons.
“Bashkimi Evropian filloi një hetim disiplinor kundër meje, pasi kishte marrë ca kopje të email-eve të mia private, të cilat zbuluan se isha një sinjalizues. Mënyra se si këto emaile u morën ishte e paligjshme, kjo ndodhi nga një gjykatës i EULEX’it, që është misioni për sundimin e ligjit i Bashkimit Evropian.
Hetimi disiplinor ndaj meje ishte bërë si hakmarrje për faktin se isha sinjalizues.
EULEX’i i referohet këtij hetimi si i pavarur, drejtuar nga një gjykatës, ku akuzohem për veprime jo të duhura. I gjithë ky hetim ishte një mashtrim. Ekipi i cili bëri hetimin, u emërua nga persona që unë i kisha akuzuar për veprime të gabuara”, ka thënë Simmons.
Tutje, ai ka treguar në detaje se si ka ndodhur ecuria e hetimit ndaj tij. Simmons tha se kërkoi hetim të pavarur nga Mogherini dhe ambasadorët e PCS’së në Bruksel, megjithatë pa sukses.
“Hetimi u drejtua nga persona të cilët përcollën emailet e mia private. Më tej, ekipi i këtij hetimi, raportoi tek njerëzit që unë kisha akuzuar. Padyshim që ky nuk ishte një hetim i pavarur dhe kurrë nuk kishte për qëllim, të ishte i pavarur. Mogherinit si dhe ambasadorëve të PSC akredituar në Bruksel, ku kërkoja një hetim të pavarur. Nga përfaqësuesja e Lartë nuk mora përgjigje. As nga ambasadorët e vendeve të BE’së në Bruksel.
Gjykatës i cili drejtoi këtë hetim, kishte në dispozicion e-mailat e mi privatë, të hakuar.
Ky hetim ishte me të vërtetë i mangët. Personat që unë akuzova për veprime të gabuara, të cilët merrnin email-et e mia private, iu referuan akuzave të mia si akuza të mangëta dhe i drejtuan në bord disiplinor.
Bordi disiplinor u emërua nga vetë personat që unë kisha akuzuar për sjellje të rënda dhe përfshinte persona që ishin nën hierarkinë e personave që unë kisha kauzuar për sjellje të keqe dhe u raportonin atyre. Ky hetim ishte i njëanshëm dhe gjetjet e tyre, ishit të sajuara nga ata që kisha akuzuar.
E theksoj, ky nuk është hetim i pavarur dhe i paanshëm dhe as që ishte menduar të ishte i tillë. Unë isha figurë që duhej ndëshkuar sepse kërkoja sundimin e ligjit në Kosovë”, tha Simmons për Kanal10. Simmons gjithashtu pretendon se të gjitha këto të janë të dokumentuara dhe do t’i ofrojë në ndonjë hetim të pavarur nëse do të ndodhë në të ardhmën.
“Çështjet të cilave po u referohem më sipër, janë të dokumentuara plotësisht, dhe do t’i vendos ato si prova para cdo hetimi të pavarur. Bashkimi Evropian refuzoi të kryejë një hetim të pavarur në lidhje me aksesin e paligjshëm, në email’et e mia private, përkundër kërkesës së vazhdueshme nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Tribunali i Punësimit në Mbretërinë e Bashkuar hodhi poshtë çështjen kundër të paditurve në Bashkimin Evropian, jo se gjykata nuk kishte ndonjë çështje për tu përgjigjur nga BE, por se zbuloi që nuk pati asnjë juridiksion për të dëgjuar akuzat. Unë e mirëpres faktin që parlamenti i Kosovës tani po shqyrton kërkesën time, për të kryer një hetim mbi sundimin e ligjit në Kosovë dhe mezi pres që të gjitha këto çështje të jenë temë e një diskutimi të hapur publik”, shtoi Simmons.
Një hetim i gjatë i ATK-së e ka ngarkuar me mbi shtatë milionë euro borxhe tatimore NewCo Ferronikelin, kompaninë në pronësi të Saimir Manes.
Por një proces i dyshimtë, pjesë e të cilit ishte hetuesi që kishte zbuluar skemën e mashtrimit financiar, ia ka fshirë ato.
Buxheti i Kosovës do të ishte për shtatë milionë euro më i pasur, nëse Administrata Tatimore e Kosovës nuk do t’ia fshinte mbi 7 milionë euro borxhe oligarkut, Saimir Mane.null
Gazeta Insajderi, ka zbuluar një skandal të madh në ATK, që lidhet me fshirjen e borxheve të kompanisë së miliarderit nga Shqipëria. Bëhet fjalë për një borxh tatimor rreth shtatë milionë euro, që i është hequr kompanisë NewCo Ferronikeli Complex L.L.C.
Në shkurt të vitit 2020, ATK-ja ia ka fshirë gjigantit metalurgjik obligimet shtesë tatimore me të cilat ishte ngarkuar në verën e vitit 2018, bazuar në dy raporte hetuese të nxjerra nga Drejtoria e Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës (DHTI).
Vendimit për ngarkimin e kompanisë me mbi shtatë milionë euro borxhe tatimore, i ka paraprirë një hetim nën dyshimin për shmangie tatimore dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Hetimet ishin autorizuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Insajderi, ka siguruar dosjen e plotë të rastit, e cila përfshin dy raportet hetimore, vendimin e Departamentit të Ankesave dhe dëshmi të tjera të cilat hedhin hije dyshimi mbi shlyerjen e borxhit të NwëCo Ferronikeli.
Asokohe, pronare e vetme e NewCo Ferronikeli Complex L.L.C figuronte Cunico Resources NV, një firmë private me seli në Amsterdam të Holandës. Një muaj para se ATK-ja ta ngarkonte NewCo Ferronikelin me borxhin milionësh, në korrikun e vitit 2018, Cunico Resources NV ia kishte shitur aksionet e Ferronikelit, firmës NKL Limited, me bazë në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.
Kompania është pronë e Grupit Balfin të Saimir Manes.
Afarizmi i pronarit të mëhershëm të NewCo Ferronikelit kishte zhytur ndërmarrjen në mbi 8 milionë euro borxhe tatimore. Mane, kishte marrë përsipër edhe shlyerjen e borxheve që Ferronikeli kishte ndaj palëve të treta.
Megjithatë, në vend të shlyerjes së këtij borxhi ndaj shtetit të Kosovës, kompania tashmë në pronësi të oligarkut Mane, kishte përzgjedhur një rrugë tjetër. Kishte vendosur të mos e njihte këtë borxh. Si rrjedhojë, ATK-ja ia kishte fshirë borxhin 7 milionësh.
Drejtoria e Hetimeve Tatimore nisi hetimet më 31 janar të vitit 2018, ndaj NewCo Ferronikelit nën dyshimin për evazion tatimor. Këtë e dëshmojnë dokumentet që ka siguruar gazeta.
Objekt kontrolli ishte periudha gjashtë vjeçare nga 2010 deri më 2016. Raportet hetimore të Njësisë së Hetimeve Tatimore (DHTI) kanë trajtuar tri çështje: shpenzimet me përmbajtje të pavërteta, ngarkesën me 800 mijë euro TVSh dhe bartjen e humbjeve tatimore.
Përfundimi i hetimeve kishte rezultuar me ngarkimin e firmës NewCo Ferronikeli Complex me 7,4 milionë euro detyrime tatimore.
Pasqyra financiare e NewCo Ferronikeli Complex pas përfundimit të hetimit Por, kompania e udhëhequr nga oligarku Mane, kishte dalë “pastër” nga ky proces. Më 1 shkurt të vitit 2019, Departamenti i Ankesave në ATK, kishte rikthyer çështjen në rivendosje.
Një vit më vonë, një procedurë e dyshimtë ri-kontrolli hetimor i ka vërtetuar ankesat e NewCo Ferronikelit. Ia ka hequr borxhet tatimore kompanisë, ndërkaq, siç ka mësuar Gazeta Insajderi, Prokuroria ka pezulluar hetimet ndaj katër ish-pronarëve të NewCo Ferronikelit.
Borxhet ishin fshirë pas një procesi të dyshimtë, në cilësi të shkallës së dytë, pjesë e të cilit ishte hetuesi i ATK-së, Bekim Halili, i njëjti zyrtar që kishte zbuluar skemën e evazionit tatimor të kompanisë.
Ai dyshohet se është vënë nën presion nga menaxhmenti i lartë i ATK-së që përmes një procedure tjetër t’i hidhte poshtë dëshmitë që kishte prezantuar në hetimin e parë.
Asokohe, funksionin e drejtorit të ATK-së e ka ushtruar Ilir Murtezaj, i cili është shkarkuar nga pozita më 16 tetor të këtij viti me vendim të kryeministrit Avdullah Hoti. Në vendimin e qeverisë, thuhej se Murtezaj u shkarkua shkaku i performancës së dobët.
Tri çështjet e ngritura nga hetuesit
NewCo Ferronikeli dyshohej për shmangie tatimore dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike në tri raste, sipas raportit të hetuesve tatimorë të nxjerrë më 2018.
Çështjet e trajtuara nga Njësia Hetimore e ATK-së ishin: bartja e humbjeve tatimore në vlerë prej 43 milionë euro nga periudha 2006-2009, shpenzimet me përmbajtje të rreme dhe shmangia nga TVSH-ja për 800 mijë euro. Për këto çështje, NewCo Ferronikeli ishte ngarkuar me borxhe shtesë tatimore në vlerë prej 7,468,681.00 euro.
Si pasojë e mosnjohjes së shpenzimeve me përmbajtje të pavërtetë, DHTI-ja e ngarkoi NewCo Ferronikelin me 5,3 milionë euro obligime shtesë tatimore. Me 1,1 milion euro të tjera shmangie nga tatimi, kompania u ngarkua për bartjen e jashtëligjshme të humbjeve tatimore.
Ndërkaq, si rezultat i mosdeklarimit të shumës prej gati 5 milionë eurove të pranuar mes viteve 2012 dhe 2013 në formë të rimbursimit nga një kompani e sigurimeve, raporti hetues e ngarkoi Ferronikelin me shmangie nga TVSH-ja në vlerë 1 milion euro, përfshirë ndëshkimin dhe interesin.
NewCo Ferronikeli nuk i ka dhënë Insajderit sqarime në lidhje me procedurën e dytë hetimore dhe shlyerjen e borxhit, duke mos kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës.
Megjithatë gjatë procedurës ankimore, dokumentet e së cilës i ka siguruar Insajderi, zyrtarët e ndërmarrjes i kishin cilësuar “krejtësisht të pabazuara dhe në kundërshtim me vet vendimet e ATK-së” të gjitha çështjet e trajtuara nga inspektorët e DHTI-së.
Shpenzimet e “komisionit të shitjeve”
Hetuesit e ATK-së e ngarkuan firmën NewCo Ferronikelin me afër 3 milionë euro evazion tatimor për pagesa të pa dokumentuara.
Në vitin 2012, raporti i kontrollit të DHTI-së konstatoi se firma i ishte shmangur tatimit mbi të ardhurat e korporatave me 2,1 milionë euro.
Në vitin 2013, me 246 mijë euro. Ndërkaq, më 2014, me 530 mijë euro.
Borxhi i ishte ngarkuar pasi që nuk kishte dokumentuar shpenzimet që kishte realizuar për këto tri vite për Cunico Marketing FZE, në emër të ofrimit të shërbimit për shitjen e nikelit tek blerësit e fundit. Kjo kompani e ka bazën në Dubai të EBA-së, një zonë e lirë nga taksat. Aksionet e saj, sikurse ato të Ferronikelit, i mbizotëronte Cunico Resources NV.
Për shërbimet e shitjes, NewCo Ferronikeli i paguante Cunico Marketing FZE 6% të fitimit nga shitjet dhe këto shpenzime i llogariste si të zbritshme.
Por, hetuesit tatimorë i vlerësuan si “të rrejshme” shpenzimet nga 6 %-shi i shitjeve që kompania paguante për Cunico Marketing FZE, si pasojë e mos ofrimit të asnjë prove mbi transaksionet ekonomike me blerësit e fundit të produktit.
“Me procedurë hetimore, mos ofrimi i këtyre informatave është konsideruar se të gjitha marrëveshjet dhe kontratat e lidhura mes tyre do të trajtohen si të pavërteta, të cilat janë përpiluar për qëllime manipuluese të prezantimit të pozitës së pavërtetë financiare të NewCo Ferronikeli Complex L.L.C”, konstaton raporti hetues i DHTI-së.
Bazuar raportit, Cunico Marketing FZE ishte shfrytëzuar nga Ferronikeli për të realizuar shitjen direkte të mallrave të NewCo Ferronikelit, “edhe pse mallrat kanë blerësin tjetër”.
Për vitin fiskal 2013, hetuesit tatimorë ngarkuan ndërmarrjen me 246 mijë euro obligime shtesë tatimore, për një borxh prej mbi 15 milionë euro që ishte paguar nga ndërmarrja për kompaninë Feni Industries në Maqeoninë Veriore.
Ish-pronarët e Ferronikelit nuk ofruan prova për të vërtetuar lëvizjen e shumës 15 milionëshe nga njëra kompani në tjetrën. Kësisoj, ato u konsideruan si të rrejshme.
“Personave përgjegjës të NewCo Ferronikeli Complex L.L.C, gjatë takimeve të mbajtura me ta, ia kemi tërhequr vërejtjen se mos ofrimi i dëshmive bindëse për këto lëvizje në bilancin e gjendjes vetëm me letër të marrëveshjes, do të konsiderohet si e pavërtetë dhe e gjithë shuma do të trajtohet i qarkullim shtesë për tatimin në të ardhurat e korporatave”, thekson raporti hetues.
Për një rast të ngjashëm, ish-pronari i NewCo Ferronikelit dhe Feni Industries, Yusuf Mirakhmedov, ndodhet në kërkim nga autoritetet maqedonase që nga viti 2017. Insajderi kishte zbuluar se si në vitin 2016, Mirakhmedov ia kishte shlyer një borxh prej 51 milionë dollarësh kompanisë Cunico Marketing FZE.
Në vitin 2014, Njësia Hetimore e ATK-së do t’ia shtonte NewCo Ferronikelit edhe 530 mijë euro obligime tatimore si pasojë e mosnjohjes së shpenzimeve për pagesat prej 6 % të vlerës së shitjes së mallrave ndaj Cunico Mrketing FZE.
Në dy vitet e ardhshme 2015 dhe 2016, ndërmarrja do të operonte me humbje tatimore. Për mosnjohjen e komisionit të shitjeve, do t’i zvogëlohej humbja por nuk do të ngarkohej me shmangie tatimi.
Për mosnjohjen e shpenzimeve të shitjes, kompania që tashmë udhëhiqet nga Saimir Mane, është përplasur me hetuesit tatimorë në seancën dëgjimore pranë Departamentit të Ankesave.
Sipas NewCo Ferronikelit, pretendimet e hetuesve tatimorë për shpenzimet e shitjeve janë të pabazuara dhe në kundërshtim me një vendim të Departamentit të Ankesave më 2014, të nxjerrë për të njëjtën çështje.
Raporti hetues: NewCo Ferronikeli, mbi 1 milion euro shmangie nga TVSH-ja
Çështja e tretë, e cila e ngarkonte me borxh tatimor NewCo Ferronikelin, ndërlidhet me shmangien e Ferronikelit nga 800 mijë euro TVSH.
Sipas vlerësimeve të raportit final hetues, NewCo Ferronikeli nuk kishte paguar TVSH-në për shtatë milionë dollarë që i kishte pranuar si kompensim dëmi për një avari të ndodhur në njërën prej furrave të fabrikës.
Me ekzekutimin e interesit dhe ndëshkimit, vlera e obligimeve shtesë të NewCo Ferronikelit për qëllime të TVSH-së shkon në 1 milion e 51 mijë euro.
Për këtë çështje, ATK-ja kishte nxjerrë dy opinione kundërthënëse. Njërën më 2018, ndërkaq tjetrën më 2019.
Opinioni i parë vlerësonte se Ferronikeli duhej ngarkuar me 800 mijë euro obligime tatimore dhe opinioni i dytë interpretonte se buxheti i shtetit nuk ishte dëmtuar për 800 mijë euro. Të dy këto opinione ishin nxjerrë nga një zyrtar i Zyrës Ligjore.
Intepretimi ligjor i nxjerrë më 24 gusht të vitit 2018, duke u mbështetur në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, specifikon qartë se “shuma e rimbursuar në emër të kompensimit të dëmeve për qëllime të TVSH-së, duhet të raportohet si vlerë e rikuperueshme, atëherë për vlerën e përfituar në këtë rast është dashur të llogaritet TVSH-ja”.
Në këtë opinion ligjor të ATK-së janë mbështetur hetuesit e Drejtorisë së Njësisë së Hetimeve Tatimore në procedurën e kontrollit që ngarkojnë me shmangie nga tatimi firmën NewCo Ferronikeli.
“Sipas raportit hetues final, subjekti NewCo Ferronikeli Complex L.L.C gjatë vitit 2012 ka një detyrim tatimor në shumë prej 119 mijë euro. Për vitin 2013, po ashtu ka detyrim tatimor për TVSH në shumë prej 667 mijë euro “, thekson raporti.
Por, ngarkimi i NewCo Ferronikelit me tatim për TVSH është hedhur poshtë në procedurën e ri-kontrollit. Kompanisë i është hequr ky borxh tatimor në fillim të shkurtit 2020, ka mësuar Insajderi nga burime brenda ATK-së.
Në kuadër të procedurës së ri-kontrollit, inspektori ka kërkuar për të njëjtën çështje një interpretim nga këshilltari për TVSH. Megjithatë, ky interpretim i nxjerrë në dhjetor të vitit 2019 nuk është konkret sikurse i kaluari.
Aty thuhet se është përgjegjësi e Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj për ta vlerësuar vet çështjen.
“Është përgjegjësi e Drejtorisë përkatëse të juaj – DTM, që të kryejë të gjitha analizat dokumentare për çështjet tatimore për marrjen e vendimit të drejtë të rastit konkret, duke marrë për bazë kontrata, deklarimet tatimore, pagesat, lëshimin e faturave tatimore dhe çdo element relevant që mund të hasni në dokumentacionin e tatimpaguesit konkret”, thuhet në opinionin e lëshuar më 17 dhjetor 2019 nga ATK-ja.
Humbjet e bartura tatimore dhe dyshimet për falsifikim të aksioneve
Një “gabim teknik” në ARBK dhe një vendim i dyshimtë i ATK-së, i mundësoi NewCo Ferronikelit të mos i deklaronte 11 milionë euro të hyra të tatueshme më 2010.
Këto të hyra i kishte kompensuar me humbje tatimore të bartura jashtëligjshëm në javën e parë të prillit 2010, sipas Raportit Final Hetues – Shtesë. Mashtrimi financiar i kishte shkaktuar shtetit dëm prej 1,1 milion euro, sipas raportit.
Gjetjet e hetuesve në Raportin Final Hetues – Shtesë Humbjet tatimore arrihen në rast kur shpenzimet tatimore janë më të mëdha sesa të ardhurat. Në këto raste, biznesi nuk obligohet të paguajë tatim mbi të ardhurat e korporatave.
Sipas raportit, humbjet tatimore në vlerë prej afër 43 milionë euro të realizuara gjatë viteve 2006-2009, NewCo Ferronikeli i kishte bartur në mënyrë të jashtëligjshme më 2010.
Bartja e humbjeve ishte bërë në kundërshtim me Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave – i cili ishte në fuqi deri më 2015, kanë gjetur hetuesit tatimorë.
Neni 23 i këtij ligji i pamundësonte tatimpaguesit bartjen e humbjeve në rast se ndryshon pronësia më shumë se 50 për qind.
Në rastin e Ferronikelit, raporti konstaton se është ndërruar pronësia e plotë e ndërmarrjes – pra, në 100 për qind. Për të mbështetur konstatimin e hetuesve, ekzistojnë dëshmi në ARBK, të cilat i ka siguruar Insajderi.
Historiku i biznesit në ARBK, të cilin e kanë nxjerrë në gusht të 2018-s hetuesit tatimorë, dëshmon se më 1 prill të vitit 2010, NewCo Ferronikelit i ishte ndërruar pronësia në masë prej 100 për qind të aksioneve. Nga Ferronikeli B.V, pronësia e plotë e aksioneve i kishte kaluar Cunico Resources N.V.
“Biznesi NewCo Ferronikeli Complex L.L.C me numër të biznesit 70268073 ka aplikuar për ndërrim të pronarit më datë 01.04.2010 dhe numri i aplikacionit është 03T00002697, mirëpo sipas historiatit shihet se për shkaqe teknike ka mbetur edhe pronari i mëparshëm aktiv. Nga data 01.04.2010, sipas aplikacionit në fjalë, bëhet ndërrimi i pronarit dhe pas kësaj date pronar i vetëm është Cunico Resources N.V”, thuhet në historiatin e biznesit në ARBK.
Konfirmimi i ARBK-së për ndërrimin e pronësisë së biznesit Bazuar në këto gjetje, hetuesit tatimorë bënë kërkesë për rregullimin e llogarisë tatimore të NewCo Ferronikelit. Për të eliminuar humbjet e bartura të NewCo Ferronikelit pas vitit 2010 në shumë prej rreth 43 milionë euro.
Ndërkaq, zyrtarët e NewCo Ferronikelit kanë kundërshtuar dëshmitë e hetuesve. Janë mbështetur në një vendim të nxjerrë nga Divizioni për Edukimin e Tatimpaguesve në dhjetor të vitit 2010.
Ky vendim është nxjerrë pas kërkesës së NewCo Ferronikelit për të vërtetuar pretendimet se firma ka kaluar në një proces të riorganizimit apo shkrirjes së bizneseve. Vendimi është marrë duke u bazuar në dokumentacionin e ofruar nga tatimpaguesi, pa verifikuar aplikacionin në ARBK.
“Bazuar në dokumentacionin që na keni dërguar, si dhe në sqarimet e juaja, ATK-ja procesin e shkrirjes nga Ferronikeli BV, në Resources Holdings BV, pastaj në Cunico Resources UA, dhe në fund në Cuncio Resources NV, e konsideron si proces të riorganizimit”, thuhet në këtë vendim të Divizionit për Edukimin e Tatimpaguesve, të datës 17 dhjetor 2010.
Insajderi, ka mësuar nga burime të mirë informuara brenda ATK-së, se në procedurën e ri-kontrollit, inspektorët tatimorë ia kanë fshirë kompanisë borxhin me të cilin ngarkohej për bartjen e humbjeve duke u bazuar në këtë vendim. Nuk janë marrë parasysh të dhënat e ARBK-së.
Mane, oligarku që qëndron prapa Ferronikelit
Kompania NKL Limited është kompani e krijuar rishtazh. Sipas disa dokumenteve zyrtare të cilat i posedon Gazeta Insajderi, NKL Limited është themeluar më 10 mars të vitit 2018 me bazë në kryeqytetin britanik, Londër.
Drejtorë të Nkl Limited, sipas dokumenteve që kishte publikuar Insajderi dy vjet më parë, kishin qenë: Saimir Mane, Joyce Angelina Young dhe Jacques Claude Michel Nassieu Maupas. Dy personat e fundit paraprakisht ishin edhe funksionarë të “Cunico Resources”.
Por, bazuar në agjencinë e qeverisë së Britanisë së Madhe për regjistrimin e bizneseve, “Companies House”, drejtorë aktualë të Nkl Limited figurojnë: Saimir Mane, Steven Grunerud dhe Rasin Yuoval.
Drejtor i Nkl Limited, sipas regjistrit në Shtëpinë e Bizneseve të qeverisë britanike, figuron Youval. Mane dhe Grunerud figurojnë si pronarë po ashtu, si përfaqësues të Balfin Group.
Balfin, është grup investues në pronësi të Saimir Manes, njërit nga biznesmenët më të fuqishëm në Shqipëri dhe pronar i një rrjeti biznesesh edhe në Austri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Itali, Dubai, ShBA dhe Greqi.
Grupi i kompanive Balfin ushtron aktivitet në fushat e minierave, tregtisë me pakicë, bankave dhe ndërtimit.
Manjati i akuzuar për ryshfet, dyshohet se zotëronte aksione në Cunico
Për më shumë se dhjetë vjet Cunico Resources NV zotëroi aksionet e Ferronikelit, por asnjëherë nuk janë shfaqur në regjistrat zyrtar biznesmenët që drejtonin këtë kompani të regjistruar në Holandë.
Mirëpo, sipas një shkrimi të publikuar më 1 korrik 2007 në Financial Times, aksione në kompaninë Cunico zotëronte manjati izraelit, Benny Steinmetz.
Financial Times shkruante se Steinmetz zotëronte aksionet e Cunico-s bashkërisht me tre tregtarët kazakë: Patokh Chodiev, Alidjan Ibragimov dhe Alexandre Machkevitch.
Bazuar në raportimin e prestigjiozes britanike, Cunico kishte në pronësi një minierë bakri në Zambi, shtetin jugor afrikan, si dhe “asete të privatizuara të nikelit në territoret ballkanike të Kosovës dhe Malit të Zi”.
Emri i miliarderit Steinmetz ishte ndërlidhur me Kosovën edhe në një artikull tjetër të Financial Times, të publikuar pesë vite më vonë.
Në një shkrim të FT më 19 shkurt 2012, Steinmetz përshkruhej si “tregtar me një sy të mprehtë për fronte të egra” në botën e biznesit dhe investimeve.
Shkrimi i gazetarit William MacNamara nis me Kosovën, Guinean dhe Mianmarin, tri shtete në të cilat, thuhet në fillim të shkrimit, “Steinmetz mund të bëjë biznes”.
Mirëpo, emri i Steinmetz nuk ka figuruar kurrë as në dokumentet e agjencive shtetërore në Kosovë, si pronar i kompanisë që menaxhoi për vite me radhë Ferronikelin.
Sipas një shkrimi të Miningsee.eu, platformës ballkanike që raporton për fushën e minierave, kompania Cunico Resources ishte e regjistruar në det të hapur, në Guernsej, një etnitet që ndodhet në një rajon të quajtur Ishujt e Kanalit.
Steinmetz akuzohet nga prokurorët zviceranë se i ka dhënë ryshfet zyrtarëve të Qeverisë së Guinesë për të përfituar në këmbim licenca minierash në shtetin e Afrikës Perëndimore.
Steinmetz dhe dy bashkëpunëtorë dyshohet t’i kenë paguar 10 milionë dollarë njërës prej grave të Lansana Conté, ish-presidentit të Guinesë, në mënyrë që të sigurojnë të drejtën për operim në një nga rezervat më të mëdha të papërdorura të hekurit në botë.
Paratë, dyshojnë prokurorët zviceranë, pjesërisht janë paguar përmes llogarive bankare të Zvicrës. Steinmetz i ka mohuar këto akuza të prokurorëve zviceranë, raportonte Financial Times vitin e kaluar.
Ndërkaq, sipas revistes amerikane Forbes, Steinmetz është njëri nga tre mijë njerëzit më të pasur në botë, me një pasuri neto prej 1.2 miliardë dollarësh amerikanë.
Manjati izraelit vazhdon të jetë një nga biznesmenët më të përfolur për veprimtarinë e grupit të tij investues në minierat e Afrikës. /Insajderi/
Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, votimi i projektligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2021 dhe raporti me rekomandime për Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike kanë mbetur për një mbledhje tjetër.
Megjithatë është parë një gatishmëri e Partisë Demokratike të Kosovës që të ulet me partitë në pushtet dhe të diskutojnë që Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike të kalojë, e kërkesë të vetme e ka që të përfshihen amendamentet e tyre.
LDK premton se do të ulen të diskutojnë për këtë gjë dhe se do të përfshijnë gjithçka që është në harmoni me ligjin.
Në këtë mbledhje të komisionit, në fillim të diskutimit për këto dy pika, ishte deputeti i LDK-së Shkëlzen Hajdini, që ka kërkuar që votimi për këto dy pika të shtyhet për një mbledhje tjetër, por nuk ka pasur kuorum për këtë votim.
“Propozoj që dy projektligjet të mos hidhen në votim, të shtyhen për një mbledhje të radhës”, tha ai. Deputeti i PDK-së Kujtim Gashi, tha se si parti i bëjnë thirrje qeverisë që të merr parasysh rekomandimet e tyre, e nëse ato merren parasysh ai tha se do ta votojnë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.
“Jemi në një situatë shumë të pa lakmueshme ku ky ligj është bërë një problem ditor i gjithë qytetarëve të Kosovës, me theks të veçantë edhe i komunitetit të biznesit dhe shfrytëzoj këtë takim të Komisionit t’i bëj thirrje partive në pushtet, qeverisë, që pa humbur kohë të ulet bashkë me grupin tonë parlamentar dhe t’i merr parasysh vërejtjet, sugjerimet dhe rekomandimet e Grupit Parlamentar të PDK-së. Në momentin kur ato rekomandime merren parasysh PDK me 24 votat e saj do ta mbështesë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, tha ai.
Deputeti i LDK-së Fatmir Rexhepi ka shprehur gatishmërinë që të ulen dhe të bisedojnë me partitë opozitare për të gjetur një zgjidhje sa i përket Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Ai ka kritikuar qasjen e kryeministrit Avdullah Hoti sa i përket votimit të këtij projektligji, për tha se është dashur të bisedojë edhe me anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Transfere. “Pajtohem që janë sekondat e fundit ku na bëhet thirrje bashkërisht, pajtohem plotësisht që edhe atë ditë kam biseduar me Bedriun që nuk është këtu dhe e kam lutur atë ditë çka mund të bëjmë që të mos i japim ngjyrim politik asaj pjese, por ta bëjmë veç pjesën e interesit ekonomik që ka brenda projektligji dhe ta bëjmë më mirë. Jam dakord se nëse organizohet ky takim dhe është mirë t’i jepet një shtysë kryeministrit. Ai është dashur të vijë te ne për bisedime”, tha ai.
Edhe deputeti tjetër i LDK-së Shkëlzen Hajdini, ka premtuar se do të merren parasysh rekomandimet në harmoni me ligjet në fuqi.
“Kjo është në harmoni me atë që kemi bërë ftesë vazhdimisht. Ne jemi të hapur. Unë premtoj se do të ulemi dhe krejt çka është në harmoni me ligjet në fuqi, çka nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, se do të merren parasysh dhe do të inkuadrohen në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, tha ai.
Në përgjigjen e tij, deputeti i PDK-së Kujtim Gashi, tha se po kërkojnë që të mos jetë retorikë, por kryeministri të ulet edhe me opozitën që t’i merr parasysh amendamentet që i kanë propozuar.
“Rekomandimet dhe amendamentet e propozuara nga PDK janë të thjeshta dhe e bëjnë një barazi tek ata që sot tërheqin mjetet nga Trusti, sepse ne mendojmë që jo të gjithë qytetarët kanë mjete, andaj nuk mund t’i diskriminojmë që dikush t’i tërheqë 35 euro e dikush 2 mijë e 500 euro. Pra, aty ka qenë qëllimi ta bëjmë një barazi dhe pas 5 ose 7 vjetësh një pjesë e atyre që kanë pasur më pak mjete t’i rimbursohet, sepse buxheti i Kosovës e mundëson këtë pas 4 ose 5 vjetësh. Jemi të gatshëm t’i vendosim prioritetet e propozuara nga PDK-ja dhe ta votojmë ligjin dhe t’i hapim rrugë, po kjo është çështje që duhet ta bëjë kryeministri”, tha ai.
Këtë gatishmëri të Partisë Demokratike të Kosovës që të ulet dhe të diskutojë me Qeverinë, deputetja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lilal, po e sheh si një diskutim për pazar politik.
“Më shumë sesa vetëm diskutim ose mundësi për të gjetur zgjidhje, kjo natyrisht se zbërthehet në një diskutim pazar politik se çka do të ndodhë të dielën në zgjedhjet lokale në Podujevë, me mundësitë e hyrjes apo mos hyrjes së PDK-së në qeveri. Prandaj, krejt kjo po iu kushton të gjithë qytetarëve. Më shumë se kaq është dashur të vihet me një plan. Unë e kuptoj Gashin kur e përmendi që duhet të vijë Hoti, por as një përpjekje më të voglën nuk e ka bërë për asnjë masë ndihme për qytetarët. Andaj, këtë e shoh më shumë me konotacion politik sesa për t’iu ndihmuar ata që janë në nevojë”, tha ajo. Ndaj kësaj deklarate kanë reaguar deputetët Shkelzën Hajdini dhe Kujtim Gashi, duke thënë se kjo nuk është politikë që bëhet me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike. Komisioni për Buxhet dhe Transfere sot ka votuar edhe raportin vjetor financiar të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut- KOSTT për 2018 dhe 2019. Deputetët anëtarë të këtij komisioni kanë pyetur menaxhmentin e KOSTT-it lidhur me atë se kush e bënë furnizimin me energji elektrike në pjesën veriore të vendit dhe se a paguhet ai shfrytëzim i energjisë. Kryeshefi ekzekutiv në KOSTT, Mustafë Hasani, tha se janë ata që e bëjnë furnizimin me energji elektrike në pjesën veriore të vendit, derisa tha se i mbulojnë edhe humbjet që brenda një muaji arrijnë 2.5 milionë euro në muaj. “Sa i përket pyetjes se sa para në muaj ne mbulojmë humbjet në veri, janë diku rreth 2 milionë e gjysmë. Ne kemi pasur një marrëveshje me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për alokim të mjeteve në vlerë 10 milionëve e cila është në proces dhe besoj se shumë shpejt prej thesarit do të alokohen mjetet dhe ne sigurohemi se mundësitë tona për t’i mbuluar këto humbje do të jenë deri në maj 2021, andaj këtu ngre shqetësim se në buxhetin 2021 s’kemi paraparë alokim të mjeteve për mbulimin e këtyre devijimeve”, tha ai. Komisioni ka votuar edhe raportin financiar vjetor të Zyrës Rregullative për Energji për vitin 2019, raportin vjetor financiar të Autoritetit Rregullativ për Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2019, si dhe raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2020.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli ka deklaruar se kjo Qeveri nuk ka qenë e përgatitur për këtë situatë, pasi po e shohim çdo ditë rritjen enorme të të infektuarve dhe po e shohim që kapacitet tona spitalore dhe ato humane pra janë duke u reduktuar jashtë mase dhe veç në Prishtinë janë në mungesë 78 mjekë.
“Ne tani ne një situatë tejet të rendë, dhe po e shohim çdo ditë rritjen enorme të të infektuarve dhe po e shohim që kapacitet tona spitalore dhe ato humane pra janë duke u reduktuar jashtë mase dhe veç në Prishtinë janë në mungesë 78 mjekë të cilët nuk janë zëvendësuar akoma”
“Problemi është se kjo Qeveri nuk ka qenë e përgatitur për këtë situatë të tillë, dhe ministri nuk ka njohur bazike rreth situatës aktuale dhe krejt çka bënë është se merr vendime ku bënë mbyllje dhe hapje të pa bërë analizë të mirëfilltë, se si do ta ulë numrin e të infektuarve, dhe të gjitha masat që janë ndërmarr deri tani nuk kanë ndikuar në ulje të numrit të infeksionit, por kanë ndikuar në përhapje të infeksionit”
Pacolli ka kritikuar Qeverinë edhe për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, ku është shprehur se partnerët e kolacionit nuk janë të interesuar që t’i sigurojë vota për votimin e këtij ligji.
“Ne i kemi dhënë arsyet tona për Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, dhe kjo Qeveri ka mijëra mundësi për me i ndihmuar edhe bizneseve edhe qytetarëve që kanë nevojë për ndihmën e Qeverisë mirëpo nuk është e interesime, përveç ligji për rimëkëmbje ekonomike nuk ka asgjë aty përveç idenë që qytetarët t’i marrin kursimet e tyre pensionale, që t’i shfrytëzojnë ato, por ne jemi që Qeveria t’i ndihmojë qytetarët e jo ata me pare të veta të tentojnë të dalin nga kriza. Qeveria nuk është e interesuar për ta tejkaluar këtë ligj, por të ishte e interesuar ajo do ti bënte numrat e deputetëve”
Pacolli ka folur edhe rreth mocionit të mosbesimit të cilin kjo parti e kishte iniciuar muaj më parë për rrëzimin e Qeverisë.
Mes tjerash ajo ka thënë se nuk e kanë përkrahjen e PDK-së, pasi që sipas saj, ata janë duke diskutuar për hyrje në Qeveri.
“Ne tani kemi ftuar partitë, të cilat kundërshtojnë këtë qeveri që të nënshkruajnë, kemi hezitimin e PDK-së, dhe siç duket ata janë në diskutim që të hyjnë në qeveri dhe nuk ka interesim prej tyre që të nënshkruhet mocioni për rrëzimin e Qeverisë.
Hoti ka qenë prezent në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku sonte do të përcillet edhe mesazhi “Bëhu zëri im”, në përkrahje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Megjithatë, Hoti në postimin e ndeshjes ka bërë një gabim të vogël, duke ia huqur emrit të stadiumit ku do të luhet ndeshja.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti iu referua stadiumit me emrin “Vadil Vokrri”, megjithatë ky gabim u përmirësua shpejtë – e duket që ishte teknik.
Ai madje editoi të gjithë postimin, duke shtuar edhe disa fjalë.
“Djemve tanë sonte u urojmë suksese me thirrjen e DARDANËVE #behuzeriim #bemyvoice
Përjetova ndjesi të veçantë gjatë vizitës në Stadiumit Kombëtar “Fadil Vokrri” para ndeshjes Kosovë – Moldavi, e cila fillon nga ora 20:45, e vlefshme për Ligën e Kombeve. Veçantia e kësaj nate vjen nga porosia dhe thirrja mbështetëse e DARDANËVE tanë #behuzeriim #bemyvoice, kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ne, Dardanët, thërrasim fuqishëm e njëzëri, sepse zëri yt është zëri im”, ka shkruar më pas Hoti në Facebook.
Pas pak çastesh në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kombëtarja e Kosovës në Futboll do të ballafaqohet me Moldavinë.
Kjo ndeshje është shumë ë rëndësishmë për të siguruar qëndrimin në Ligën C.
Para ndeshjes, stadiumin “Fadil Vokrri” e kanë vizitiar Kryeminsitri I Kosovës, Avdullah Hoti, Ministrja për Rini Kulturë dhe Sport, Vlora Dumoshi si dh eish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Përmes një postimi në “Facebook”, Dumoshi ka njoftuar se te tre së bashku e vizituan stadiumin, aty ku sonte do të përcillet edhe mesazhi në përkrahje të kampanjës “Bëhu zëri im” në përkrahje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Postimi I plotë I Vlora Dumishit:
“Forca djelmoshave që sonte sfidohen në lojën kundër Moldavisë.
Bashkë me Kryeministrin Hoti dhe ish-Presidenten Jahjaga sapo vizituam stadiumin “Fadil Vokrri” ku do të mbahet ndeshja e i cili sot është veshur nga “Dardanët” në mbështetje të fushatës senzibilizuese ‘Bëhu zëri im’ në përkrahje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Kjo kampanjë është përkrahur nga Federata e Futbollit të Kosovës dhe Ambasada Britanike në Prishtinë.
Zëri i heroinave të Kosovës sot kumbon për fitoren e madhe!