Category: LAJME

  • Shtesat për fëmijë në rritje, mbi 404 mijë përfitues vetëm në mars

    Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka publikuar raportin për statistikat e mirëqenies sociale për muajin mars 2026, duke nxjerrë në pah rritjen e numrit të përfituesve në disa prej skemave kryesore sociale.

    Si rritje e numrit të përfituesve janë shtesat për fëmijë ku sipas të dhënave në muajin mars përfituan 404.233 fëmijë me vlerën 14 milionë e 649 mijë e 495 euro.

    Sipas të dhënave zyrtare, numri më i madh i përfituesve vazhdon të jetë i përqendruar te të moshuarit, kategoritë e dala nga lufta dhe familjet në nevojë sociale. Megjithatë, vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe programit për shtesat për fëmijë, i cili gjatë këtij muaji ka regjistruar një numër të lartë përfituesish.

    Ky program konsiderohet një nga mbështetjet kryesore për familjet, duke synuar lehtësimin e barrës ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve në vend.

    Raporti gjithashtu përfshin edhe skema të tjera të rëndësishme si pensionet familjare, pensionet për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, pensionet për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, pensionet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe pensionet e “Trepçës”.

  • Haxhiu: E kam ofruar pozitën e kryeparlamentares që të mos shkojmë në zgjedhje

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëkohësisht kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se e ka ofruar pozitën e kryeparlamentares që vendi të mos shkojë në zgjedhje.

    Ajo, ka thënë se ka kërkuar nga të gjitha grupet parlamentare të bëjnë përpjekje maksimale që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, por që t’u jepet mundësia takimeve dhe një marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes.

    “Së pari, mendoj që nuk është mirë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Unë e kam shpjeguar disa herë që kemi shumë punë para vetes, shumë reforma që duhet t’i shtyjmë përpara, një agjendë legjislative ambicioze e Qeverisë së Republikës së Kosovës që përmban diku 174 projektligje, secili projektligj më i rëndësishëm se tjetri. Por edhe për shumë aspekte të tjera, jo vetëm ato të brendshme, por edhe të jashtme.

    Në këtë drejtim, unë kam kërkuar edhe publikisht që të gjitha grupet parlamentare të bëjnë përpjekje maksimale që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, por që t’i jepet mundësia takimeve dhe një marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së vendit. Ka qenë shumë e rëndësishme që të dëshmohet vullnet, gatishmëri, seriozitet, përkushtim maksimal që ta tejkalojmë këtë sfidë që e kemi para vete. Për faktin se vitin e kaluar ne kemi humbur shumë, me mos-konstituim fillimisht të Kuvendit të Republikës së Kosovës e pastaj me mosvotimin e qeverisë, edhe me mosvotimin e kryeministrit Kurti edhe të kandidatit tjetër Glauk Konjufca.

    Në këtë vit, ne arritëm pra ta konstituojmë njëherë kuvendin sapo u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, u votuan në po të njëjtën ditë Qeveria e Republikës së Kosovës, shumë marrëveshje ndërkombëtare u ratifikuan e po ashtu edhe shumë projektligje tjera u votuan në lexim të parë. Prandaj besoj që gjatë këtyre ditëve do të duhej që të ketë sërish takime, sepse unë i pashë me shqetësim deklarimet e subjekteve opozitare që thoshin që kjo temë tashmë është e mbyllur. Si ka mundësi që të jetë tema e mbyllur për sa kohë ne kemi afat deri të hënën, përkatësisht me 27 prill?

    Haxhiu, ka deklaruar se mendon se me këtë qasje të opozitës nuk po tregohet përkushtim dhe vullnet që vendit t’i jepet një president me mandat pesëvjeçar.

    Prandaj mendoj që me këtë qasje nuk po tregohet përkushtim, nuk po tregohet vullnet që vendit t’ia japim një president me mandat pesëvjeçar. Dhe mua po më duket si “deja vu”. Domethënë nëse flasim për situatën aktuale e krahasojmë me atë çfarë ka ndodhur në vitin e kaluar, duket situatë e njëjtë. Por mendoj që duhet të ketë reflektim sepse qytetarët e kanë dhënë mesazhin e tyre, më 28 dhjetor. Ata përmes votës së tyre kanë treguar se kë e bëjnë përgjegjës për bllokadën e për mungesën e vullnetit e të tjera si këto.

    Prandaj duke pasur parasysh që i kemi edhe disa ditë para vete, përkatësisht 5-6 ditë para vete, mendoj që është shumë e rëndësishme që të rikthehen takimet, që të shtohet vullneti, të dëshmohet po ashtu vullneti, sepse nuk mund të ketë marrëveshje pa takime, dhe nuk mund të ketë marrëveshje nëse mungon vullneti nga palët. Ne kemi bërë aq sa kemi mundur, aq sa kemi pasur si me thënë në dorë prej nesh. Ju e dini që ne kemi ofruar edhe pozitën e kryetarit të kuvendit, sepse çka na duhet pozita e kryetarit të kuvendit nëse dikush e kërkon këtë dhe nëse kjo e parandalon zgjedhjet e jashtëzakonshme?

    Por mendoj që mungesa dhe refuzimi i të gjitha propozimeve, ofertave që kryeministri Kurti i ka bërë në drejtim të partive opozitare, PDK dhe LDK, mendoj që nuk i ndihmon vendit. Ne nuk u frikësohemi zgjedhjeve, por mendoj që nuk ka të bëjë kjo me kush është më trim e kush është më i guximshëm, por a janë zgjedhjet në interes të qytetarëve. Ne mendojmë, unë personalisht mendoj që nuk janë në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Se a do të jem në listën e kandidatëve për deputetë, për këtë vendos kryesia e vetëvendosjes, por që ligjërisht nuk është e ndaluar”, tha Haxhiu.

    “Unë nuk kam parë që partitë opozitare po kërkojnë që të ftohen nga unë. Nuk kam parë që kanë problem me kryeministrin Kurti në raport me si me thënë të drejtën e tij për t’i ftuar në takim partitë politike. Mendoj që vendi është seanca e kuvendit. Në seancën e kuvendit duhet të vazhdojmë përpjekjen për ta zgjedhur presidentin apo presidenten e vendit. Si me thënë është më e pakta që mund të bëjmë para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kam thënë edhe një herë dhe pas kësaj ka pasur shumë reagime, e di që kemi dallime konceptuale, programore, të politikave ditore e të tjera si këto, mirëpo mendoj që të gjitha këto mund t’i vazhdojmë si me thënë pasi që ta zgjedhim presidentin”, tha Haxhiu.

    “Unë mendoj që në qoftë se kjo e parandalon që vendi të shkojë në zgjedhje, po bën shumë mirë. Pra ne jemi të koordinuar për secilin veprim. Ne vetë kemi ofruar si me thënë, sepse unë kam dëgjuar së pari partitë politike që kanë thënë që nuk bën një subjekt politik t’i ketë tri pozitat: ta ketë kryetarin e kuvendit, ta ketë qeverinë, pra kryeministrinë dhe në anën tjetër presidencën. Prandaj kanë thënë që një nga pozitat e larta është pozita e kryetarit të kuvendit, le ta marrin.

    Le ta marrin, mirëpo nuk po dëshirojnë që të ketë zgjidhje politike, sepse prapë Vetëvendosja e ka shumicën në kuvend. Edhe nëse u ofrohet LDK-së ose PDK-së, prapë gjithçka që duam me çu përpara, Vetëvendosja është ajo e cila vendos për shkak të shumicës në kuvend. Po nëse Vetëvendosje thotë që do ta bëjë këtë, e bën, sepse nuk ka pasur ndonjë rast që Vetëvendosje ka thënë diçka dhe ka vepruar ndryshe. Prandaj mendoj që është e rëndësishme edhe një herë që t’i rikthehemi takimeve dhe të dëshmojmë vullnet që mos ta dërgojmë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Haxhiu.

    “Po patjetër. kryeministri Kurti i ka thënë edhe LDK-së edhe PDK-së. Kjo nuk është pozita ime. Domethënë nuk është pozita ime, nuk e kam me tapi. Njerëzit vijnë e shkojnë dhe mendoj se këtu duhet të dëshmojmë që e kemi për vendin dhe jo për interesat personale. Një moment mund të jesh ministër, një moment mund të kesh një pozicion tjetër. E rëndësishme është që të veprojmë në përputhje me interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

    Në raport me këtë çështje, janë tejkaluar të gjitha afatet, mendoj që ka qenë një proces kushtetues që është dashur të përmbyllet nga presidentja Vjosa Osmani-Sadriu. Do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë. Unë kam thënë që proporcionaliteti, përfaqësimi dhe fuqia politike nuk mund të shkelen. Nuk mund unë që ta mohoj vullnetin e qytetarëve, nuk mund që ta shtyp atë, ose që me një vendim timin të veproj në kundërshtim”, ka shtuar Haxhiu.

  • Morën ambient me qira në Shkodër për fshehjen e drogës, dy të arrestuar

    Morën ambient me qira në Shkodër për fshehjen e drogës, dy të arrestuar

    Një rast i përdorimit të ambienteve me qira për të fshehur dhe shitur lëndën narkotike është zbuluar në Shkodër.

    Gjatë operacionit “Target Group” u arrestuan në flagrancë N. F. (18 vjeç) dhe K. Z. (20 vjeç), të dy banues në Shkodër, ndërsa u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, L. A. (23 vjeç), i cili kishte marrë me qira ambientin ku fshihej droga, shkruan rtsh.al.

    Ata u arrestuan në lagjen “Manush Alimani”, me doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa, të cilat i posedonin me qëllim shitjen, kryesisht tek moshat e reja.

    Edhe ambienti i marrë me qira ishte marrë po në lagjen “Manush Alimani”, nga bashkëpunëtori i tyre L. A., 23 vjeç, ku bashkë me dy të arrestuarit, fshihnin lëndën narkotike dhe e përgatitnin në doza për shitje.

    Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi e madhe dozash të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa, qindra qese farmaceutike për paketimin e tyre, 5 peshore elektronike, 2 celularë, 1 armë e ftohtë (shkop metalik), 1 motomjet që përdorej për këtë veprimtari kriminale dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar prej saj.

    Vijon puna për kapjen e shtetasit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

    Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore.

  • Mbi 1 mijë e 700 gjoba dhe 63 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë – një me fatalitet

    Mbi 1 mijë e 700 gjoba dhe 63 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë – një me fatalitet

    Mos respektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik, shkruan Gazeta Sinjali.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Vetëm në 24-orëshin e fundit janë shënuar 1,795 gjoba trafiku të shqiptuara nga Policia e Kosovës.

    Siç bëhet e ditur në raportin policor, gjatë ditës së djeshme nuk është shënuar asnjë aksident trafiku me fatalitet, 27 aksidente trafiku me persona të lënduar, si dhe 36 aksidente me dëme materiale.

    Sa i përket sigurisë publike, janë arrestuar 13 persona, ndërsa 10 persona janë dërguar në mbajtje. Gjatë kësaj periudhe nuk është raportuar asnjë rast i ndalimit policor.

  • Deklarata skandaloze e Gecit për Thaçin, Kurti: Ne besojmë në pafajësinë e katër krerëve të UÇK-së

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur lidhur me deklaratat e deputetit Fatos Geci.

    Ai ka thënë se beson në pafajësinë e krerëve të UÇK-së.

    “Tashmë kjo ka ndodhur nga kryetarja e grupit parlamentar të VV-së, ju e dini qëndrimin tonë për Gjykatën Speciale, që është gjykatë jonormale, ne jemi të bindur për drejtësinë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës, dhe në pafajësinë e katër krerëve që po mbahen padrejtësisht në Hagë. Ndërkaq në anën tjetër, ju ishit dëshmitarë që kryetarja e Kuvendit, ia tërhoqi vërejtjen, ia ndërpreu fjalën deputetit, edhe për shkak të gjuhës dhe komentit. Unë jam vetë kryetar i VV-së, dhe vetëm kryeministër i Kosovës. Nuk jam kryetar i naj komisioni disiplinor, aq më pak për dikënd që i përket tjetër kujt”, tha Kurti.

  • Përmirësohen shërbimet për pacientët me zemër në QKUK, Kurti, Vitia në përurimin e Kardiologjisë!

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ambasadorin e Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, morën pjesë në përurimin e transformimit të Klinikës së Kardiologjisë në QKUK.

    Ky investim synon përmirësimin e kushteve për trajtimin e pacientëve me sëmundje të zemrës, duke rritur kapacitetet dhe cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

    Përfaqësuesit institucionalë theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në avancimin e sektorit të shëndetësisë në vend.

     

  • FSK-ja drejt Gazës, Amerika vendos kur nisen trupat nga Kosova

    FSK-ja drejt Gazës, Amerika vendos kur nisen trupat nga Kosova

    Nisja e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt misionit ndërkombëtar në Gaza nuk do të varet drejtpërdrejt nga institucionet e Kosovës, por nga vendimmarrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përkatësisht nga gjenerali i Forcës Stabilizuese që do të jetë amerikan dhe pritet ta udhëheq operacionin.

    Gjenerali amerikan pritet të përcaktojë kohën e nisjes, mënyrën e angazhimit dhe kohëzgjatjen e misionit, në përputhje me planifikimet operative në terren.

    Kështu ka bërë të ditur ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati.

    Sipas tij, mbështetja logjistike për këtë mision pritet të sigurohet nga SHBA-ja, pasi kapacitetet për transport dhe organizim mbeten të kufizuara për një operacion të tillë ndërkombëtar.

    “Në përgjithësi mendoj se FSK është përgatitur me standard të NATO-s, partneri ynë strategjik është ShBA, në veçanti sigurisht që ShBA e ka komandën në Gaza, dhe sigurisht një trajtim, ia kushtojnë kësaj. Edhe ato e përcjellin këtë operacion. Edhe pse janë forca ndërkombëtare atje, edhe mund të ballafaqohet edhe me raste ekstreme. Do të thotë, në përgjithësi, forcat tona janë të përgatitura”. 

    Kastrati deklaroi se angazhimi do të ndikojë pozitivisht edhe në planin politik dhe diplomatik, pasi Kosova po kalon nga një përfituese e sigurisë në një kontribuuese aktive, duke kthyer mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

    “Dhe sigurisht që do ta bëjnë edhe Kosovën krenare me këtë operacion, pra përfiton shumë në aspektin ushtarak sepse merr përvojë shumë të madhe, por edhe në aspektin politik dhe diplomatik do të përfitojë, sepse kemi qenë konsumues të sigurisë dhe po e kthejmë investimin e partnerëve tanë, tash ne jemi të gatshëm që të japim kontribut”, tha Kastrati për Klankosova.tv

    Sipas tij, FSK është e përgatitur sipas standardeve të NATO-s dhe pritet të kontribuojë kryesisht në fusha si deminimi dhe angazhimi i oficerëve shtaborë.

    “Atje do të shkojë deminimi dhe ndonjë oficer tjetër shtabor. FSK është lider në deminim, atje shumë bomba e raketa janë të shpërndara dhe mendoj se pasi FSK është lidere në këtë fushë, FSK do të marrë ftesë nga gjenerali amerikan atje. Mendoj që ka mundësi që të ofrojë oficerë shtaborë që kanë kryer specializime në krejt shtetet e NATO-s, por edhe policia ushtarake është e aftë. Kjo do të jetë ballë.

    “Nuk varet prej Kosovës kur janë me u nis, varet nga gjenerali amerikan atje, ai do të ftojë forcat dhe sigurisht se kur do të duhet të zbarkojë aty. Kjo varet nga Amerika sepse do të jemi në mbështetje logjistike të amerikanëve, sepse ne nuk kemi mundësi t’i bartim gjithë këta njerëz e mjete që janë të nevojshme për këtë operacion. Amerika do të ofrojë mbështetje logjistike. Kjo varet nga planifikimet atje. Edhe për kohëzgjatjen varet se sa do të kërkojë gjenerali amerikan”, vijoi ai.

    Operacion i përbashkët i ekspertëve amerikanë dhe të FSK-së për demolimin e mjeteve të pashpërthyera
    Operacion i përbashkët i ekspertëve amerikanë dhe të FSK-së për demolimin e mjeteve të pashpërthyera

    Në anën tjetër, eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, deklaroi se sfidat kryesore për pjesëtarët e FSK-së lidhen me ambientin e paqëndrueshëm të sigurisë.

     “FSK-ja ka arritur standarde të mira profesionale dhe ndërveprueshmëri me aleatët, por misione të tilla mbeten sfiduese dhe kërkojnë përgatitje të vazhdueshme, disiplinë të lartë dhe përvojë operacionale në terrene komplekse. Sfidat kryesore lidhen me ambientin e paqëndrueshëm të sigurisë, kërcënimet e vazhdueshme në terren urban, kompleksitetin humanitar dhe nevojën për koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë”, tha Gecaj për Klankosova.tv

    Ai njëherësh e vlerëson këtë vendim si një hap të rëndësishëm strategjik për vendin.

    “Është një vendim i rëndësishëm strategjik që afirmon rolin e Kosovës si kontribuese në sigurinë ndërkombëtare. Njëkohësisht, kërkon kujdes të shtuar për shkak të ndjeshmërisë dhe rrezikshmërisë së lartë të situatës në terren”, përfundoi ai.

    Kuvendi i Kosovës më 17 prill ia dha dritën e gjelbër vendimit të Qeverisë për dërgimin e FSK-së jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza,.

    Vendimi kaloi me 89 vota pro dhe pa asnjë kundër apo abstenim, kësisoj duke i hapur rrugë realizimit të misionit ndërkombëtar.

  • Për tri vjet institucionet shpenzuan rreth 40 milionë € për naftë të automjeteve dhe telefoni mobile

    Tri vjet, rreth 40 milionë € shpenzime. Ky është bilanci i shpenzimeve i institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës për derivate të naftës dhe telefoni mobile bazuar në raportet zyrtare të shpenzimeve të Ministrisë së Financave.

    Këto shpenzime dhjetëra milionëshe kanë ndodhur gjatë mandatit të fundit të kryeministrit Albin Kurti, i cili sa ishte në opozitë vazhdimisht kritikonte paraardhësit e tij në krye të Qeverisë për shpenzime të larta, siç thoshte ai, për naftën e xhipave dhe për luks.

    Por, me ardhjen e tij në krye të ekzekutivit të Kosovës në vitin 2021, shpenzimet e tilla nuk janë ulur asnjëherë, por përkundrazi janë rritur në krahasim me qeveritë paraprake.

    Shpenzimet për derivate të automjete, gjeneratorë dhe makineri

    2025= 10.5 milionë euro

    2024= 10.7 milionë euro

    2023= 10.5 milionë euro

    Shpenzimet për telefoni mobile

    2025= 2.4 milionë euro

    2024= 2.4 milionë euro

    2023= 2.3 milionë euro

    Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka reaguar ashpër ndaj shpenzimeve të fundit të shtetit gjatë tre viteve të fundit, duke i cilësuar ato si të tepruara dhe të pajustifikuara në raport me premtimet e Qeverisë.

    Rukiqi ka vënë theksin veçanërisht te shpenzimet për vetura dhe shpenzime të tjera operative, duke thënë se ato kanë dalë përtej çdo kufiri të arsyeshëm.

    “Këto shpenzime duket se e kanë kaluar çdo nivel të pranueshëm, këto janë shpenzime për vetura që shpenzojnë shumë, por për një qeveri që ka premtuar ndryshe, kjo e tejkalon çdo nivel të pranueshëm”.

  • Mbi 20 garazha, “Trepça” nis lirimin e pronave në veri

    Shoqëria aksionare “Trepça” ka nisur aksionin për lirimin e pronave në Mitrovicën e Veriut, duke përfshirë rrënimin e objekteve dhe garazheve të ndërtuara pa bazë ligjore në një parcelë afër qendrës së paraburgimit.

    Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se vendimi është marrë pas skadimit të afatit të dhënë dhe mosrespektimit të njoftimit që ishte dhënë që në shkurt.

    “Në bazë të verifikimeve në terren, kjo zonë përfshin mbi 20 garazhe dhe objekte të vendosura përgjatë rrugës, të cilat janë në pronësi të Trepça Sh.A. dhe janë uzurpuar në mënyrë të kundërligjshme. Ky veprim ndërmerret pas dhënies së afatit 48-orësh për lirimin vullnetar të hapësirës, si dhe pas paralajmërimit paraprak, me të cilin palëve u është ofruar mundësia për paraqitjen e marrëveshjeve eventuale për shqyrtim” thuhet në njoftim të Trepçës.

    Po ashtu bëhet e ditur se aksioni për lirimin e pronës po realizohet me mbështetje institucionale dhe do të vazhdojë deri në rikthimin e plotë të pronës në menaxhim të Trepça Sh.A.

  • Britani: Kushdo që ka lindur pas vitit 2008 do të ndalohet të pijë duhan

    Sekretari i Shëndetësisë  Wes Streeting ka përshëndetur një “moment historik për shëndetin e kombit” pasi një ligj për të krijuar një “gjeneratë pa duhan” u miratua nga parlamenti në Britani.

    Drafti përfundimtar i Projektligjit për Duhanin dhe Cigaret Elektronike përfundoi udhëtimin e tij nëpër Dhomën e Komunave dhe atë të Lordëve të martën. Ai do t’i ndalojë njerëzit që kanë lindur më 1 janar 2009 ose më pas të fillojnë të pinë duhan dhe gjithashtu do t’u japë ministrave kompetenca të reja për të rregulluar produktet e duhanit, avullimit dhe nikotinës – duke përfshirë aromat dhe paketimin e tyre.

    Projektligji do të bëhet ligj kur të marrë miratimin mbretëror, i cili është një formalitet.

    Miratimi i tij nëpër parlament është mirëpritur nga bamirësitë dhe grupet e fushatave, duke përfshirë Cancer Research dhe Asthma and Lung UK, transmeton Klankosova.tv.

    Michelle Mitchell, drejtore ekzekutive në Cancer Research, tha: “Ky është një arritje historike që do t’i mbrojë fëmijët tanë nga kapja shkatërruese e varësisë nga duhani dhe do të ndihmojë në dhënien fund të kancerit të shkaktuar nga pirja e duhanit”.

    Sarah Sleet, drejtore ekzekutive në Asthma and Lung UK, tha se kjo do të mbronte “njerëzit e cenueshëm rreth shkollave dhe jashtë spitaleve” dhe do të parandalonte industrinë e duhanit të shkaktonte “kaos në mushkëritë e brezit të ardhshëm”. Ndalimi u diskutua për herë të parë nga qeveria e Rishi Sunak, por u pezullua përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2024.

    U ringjall nga Partia Laburiste kur ata morën pushtetin dhe për pak kohë e konsideruan atë për ta çuar më tej – më e diskutueshmja duke ndaluar pirjen e duhanit në kopshtet e bareve dhe zona të tjera të jashtme. Streeting tha: “Fëmijët në Mbretërinë e Bashkuar do të jenë pjesë e brezit të parë pa duhan, të mbrojtur nga një jetë varësie dhe dëmi”.

    “Parandalimi është më i mirë se kurimi – kjo reformë do të shpëtojë jetë, do të lehtësojë presionin mbi NHS dhe do të ndërtojë një Britani më të shëndetshme”, shkruan Sky News.