Blog

  • Aksioni i Prokurorisë në Prishtinë – sekuestrohen para, veturë dhe dokumente të falsifikuara

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik, se pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë personat me inicialet M.M dhe Z.J.

    Sipas njoftimit të njëjtit, dyshohen se në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, kanë kryer veprat penale: “Mashtrimi” nga neni 323 i KPRK-së, “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 390 i KPRK-së, dhe “Legalizim i përmbajtës së rreme” nga neni 395 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Më tutje thuhet se rasti ka të bëjë me vepra penale që ndërlidhen me pronën e paluajtshme e cila gjendet në Veternik, me sipërfaqe prej 56 ari.

    Në kuadër të veprimeve hetimore të ndërmarra në këtë çështje, nga personat e dyshuar janë sekuestruar këto prova materiale: një (1) veturë në vlerë prej 50,000 deri në 60,000 euro; para në shumën prej 20,000.00 (njëzet mijë) euro; dokumente të ndryshme pronësore, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara; si dhe katër (4) telefona celularë, të cilët do të shërbejnë si prova materiale në procedurën e mëtejshme hetimore.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, ndaj të dyshuarve do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet lidhur me këtë çështje penale do të vazhdojnë në koordinim me Policinë e Kosovës.

  • Policia e Kosovës pranon donacion nga KFOR-i

    Policia e Kosovës ka njoftuar se, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, ka pranuar një donacion me pajisje fitnesi nga Regional Command East (RC-E) – KFOR, përkatësisht nga njësia KFOR 35 256TH IBCT në Camp Bondsteel.

    Sipas njoftimit zyrtar, ceremonia e dorëzimit të pajisjeve është mbajtur në ambientet e Akademia e Kosovës për Siguri Publike, në prani të përfaqësuesve të Policisë së Kosovës dhe delegacionit të KFOR-it.

    Në emër të Policisë së Kosovës, donacionin e pranoi Kolonel Taibe Canolli Brajshori, e cila shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe partneritetin profesional ndërinstitucional.

    Sipas Policisë së Kosovës, ky donacion synon përmirësimin e kushteve të trajnimit fizik për zyrtarët policorë dhe personelin në trajnim, duke e konsideruar përgatitjen fizike si element thelbësor për ngritjen e gatishmërisë operacionale, rritjen e performancës profesionale dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në funksion të sigurisë publike.

    “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në avancimin e bashkëpunimit me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, në frymën e transparencës, profesionalizmit dhe përmbushjes së misionit të përbashkët për një ambient të sigurt për të gjithë qytetarët”, theksohet në fund të njoftimit.

     

  • Dy klinika në QKUK lirojnë nga tarifa tre euro përcjellësit e pacientëve

    Pacientët në Klinikën e Pediatrisë dhe Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve nga sot janë të liruara nga tarifa prej tre eurove për natë gjatë qëndrimit në klinikat e QKUK-së.

    Kjo është bërë e ditur nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

    Po ashtu është bërë e ditur se nga kjo tarifë përjashtohen gjithashtu përcjellësit e pacientëve të Klinikës së Onkologjisë dhe të gjitha klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje.

    Postimi i plotë:

    Qendra Klinike Universitare e Kosovës njofton se, në përputhje me Udhëzimin Administrativ (UA) në fuqi, përcjellësit e pacientëve në Klinikën e Pediatrisë dhe në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve janë të liruar nga tarifa 3 (tre) euro për natë gjatë qëndrimit në klinikat e QKUK-së.

    Nga kjo tarifë përjashtohen gjithashtu përcjellësit e pacientëve të Klinikës së Onkologjisë dhe të gjitha klinikave ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht nëse pacientët janë të shtruar në klinika të tjera brenda QKUK-së.

    Po ashtu, nga pagesa përjashtohen të gjithë përcjellësit e pacientëve nën moshën 18 vjeç, si dhe pacientët me sëmundje kronike.

    Sqarojmë se në Klinikën e Pediatrisë dhe në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, përcjellësit nuk kanë paguar asnjëherë tarifën prej 3 (tre) euro për natë.

  • Kurti takoi Ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, flasin për thellim të bashkëpunimit midis dy vendeve

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj.

    Sipas njoftimit për media në këtë takim është diskutuar lidhur me thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve.

    ‘’Ambasadori e uroi Kryeministrin për mandatin e ri në krye të Qeverisë, duke riafirmuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve si dhe përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë.Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet aktuale politike në vend, si dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha’’, thuhet në njoftim.

    Të dy palët shprehën vullnetin për avancimin e partneritetit dypalësh dhe forcimin e lidhjeve institucionale në interes të qytetarëve të të dy vendeve, thuhet më tutje.

  • “4,800 nënshkrime deri më tani”, Gucati: Peticionin synojmë ta dërgojmë në Gjykatën Speciale

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka nisur sot një peticion kombëtar për kërkim të drejtësisë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin që po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

    Hysni Gucati, kryetar i OVL-UÇK-së në emisionin FIVE, ka theksuar se deri më tani janë mbledhur rreth 4,800 nënshkrime.

    “Ne filluam sot me peticionin kombëtar që synon të mbledhë një numër të konsiderueshëm nënshkrimesh nga të gjithë qytetarët shqiptar, në të gjitha trevat shqiptare, si dhe më gjerë në Evropë dhe Amerikë. Prej orës 13:00 deri më tani janë mbledhur rreth 4,800 nënshkrime.

    Synojmë që këtë peticion ta dërgojmë në Gjykatë Speciale për t’u treguar gjyqtarëve dhe prokurorëve se kjo gjykatë për ne është e papranueshme, e njëanshme dhe pa drejtësi. Kërkojmë lirimin e ish-krerëve të UÇK-së dhe gjithmonë thërrasim për drejtësi”, ka deklaruar ai.

    Ai ka shtuar se peticionet janë të garantuara me konventa ndërkombëtare dhe se nuk ka ndërhyrje në procesin e drejtësisë.

    Peticioni do jetë i qasshëm fizikisht por edhe online në uebsite-in e paraqitur sot gjatë mbledhjes.

  • Pranuan 400 euro ryshfet, bien në pranga dy persona të dyshuar

    Policia e Kosovës, me njësitet e saj nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim edhe me Prokurorinë Themelore Ferizaj, kane ndërmarr veprime të veçanta hetimore lidhur me një rast ‘Marrje e ryshfetit’ në Ferizaj. Si pasojë në pranga kanë përfunduar dy persona të dyshuar për marrje ryshfeti.

    “Si rezultat i veprimeve të shpejta të zyrtarëve policor, është arritur të sigurohen dëshmi të mjaftueshme, se dy persona të dyshuar M/K kanë pranuar ryshfet në vlerë katërqind (400.00)Euro me premtimin se do të përshpejtojnë procesin e realizimit të një kërkese për furnizim që viktima kishte parashtruar. Të dyshuarit në fjalë, paratë i kanë pranuar në zyrën e tyre, e që të njëjtat para janë siguruar- gjetur po në atë zyre, tek njeri prej te dyshuarve”, thuhet në njoftim.

    Lidhur me rastin në prezencë të avokatëve mbrojtës janë intervistuar personat e dyshuar të cilëve iu ngarkohet vepra “Pranimi i Ryshfetit në Sektorin Privat“  ku pas intervistës, prokurori ka nxjerr aktvendim mbi ndalimin e tyre.

  • Lamine Yamal vlerësohet me çmimin “Aldo Rovira”

    Lamine Yamal vlerësohet me çmimin “Aldo Rovira”

    Futbollisti i Barcelonës, Lamine Yamal, është vlerësuar me Çmimin “Aldo Rovira” për sezonin 2024/25.

    Yamal e mori këtë çmim të mërkurën në mesditë, në një ceremoni ku u nderua nga një juri e përbërë nga gazetarë të mediave të ndryshme.

    Ky vlerësim jepet çdo vit për lojtarin më të dalluar të Barcelonës gjatë sezonit.

    Për yllin e ri blaugrana, ky është çmimi i dytë radhazi që e fiton, duke konfirmuar edhe një herë ndikimin dhe rëndësinë e tij në skuadër, pavarësisht moshës së re.

  • KQZ miraton rekomandimet, hapet rruga për ndryshime në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi konkluzionet dhe rekomandimet e dala nga punëtoria për mësimet e nxëna nga zgjedhjet lokale 2025 dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2025, duke hapur rrugën për ndryshime eventuale në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe në Ligji për financimin e subjekteve politike.

    Anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Ilir Gashi, tha se një rekomandim i cili kërkon ndryshime kushtetuese është jashtë domenit tonë.

    “Në fakt parimisht mbështes rekomandimet për të cilat ne që së bashku kemi punuar për me ardhë në këto përfundime. Kam disa rezerva në nja tri çështje të cilat faktikisht i konsideroj ndoshta që nuk janë në domenin tonë. E para, kemi një rekomandim i cili kërkon ndryshime kushtetuese, për çka po besoj që është jashtë domenit tonë dhe i përket ligjvënësve me vendosë. Dhe ne e dimë që Parlamenti i Kosovës nuk ka mujt me ndryshu Ligjin për Zgjedhje Lokale, mos të flasim me hy në ndryshime kushtetuese ku i referohet kërkesës që fletëvotimet të jenë në 6-vjet e jo nga 30 në 45 sa është kushtetuta aktualisht. Çështja tjetër është te numri i kandidatëve në listë. Edhe kjo po besoj që ne jemi organ i cili administron procesin zgjedhor dhe ju përket subjekteve politike. Ato janë aktorët kryesorë në proces zgjedhor dhe vendosin nëse dojnë të kenë 10 kandidatë, pesë apo një. Nuk mund të paragjykojmë, kam rezervë në këtë rekomandim”, tha ai.

    Anëtari i KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi, tha se KQZ-ja e ka për detyrë të japë rekomandime, pavarësisht nëse ato janë obligative apo jo.

    “I kemi pasë mundësitë me diskutu relativisht gjatë rreth këtyre çështjeve dhe mos me u pajtu dhe me u pajtu, dhe kjo ka qenë e mirë, por unë mendoj që janë nxjerrë disa rekomandime të mira. Ndoshta në nuanca nuk pajtohemi. Ne si trup profesional e kemi për detyrë me bë rekomandime. Një, domethënë, i bëjmë rekomandimet për jashtë sepse për brenda, ndryshimin e rregulloreve ne e bëjmë nëse pajtohemi edhe e bëjmë lehtë, s’duhet me pyet askënd. Por ne si trup profesional, edhe çdo trup profesionale e ka për detyrë me bë rekomandim. Rekomandimi është jo obligativ. A ta marrin rekomandimet? Natyrisht që i bëjmë me sqarime dhe arsyetime, qofshin ato ligjore, qofshin kushtetuese. Nuk pritet prej askujt tjetër me bë rekomandim ashtu qysh bën trupa profesionale që ballafaqohet me zbatimin e ligjit edhe të kushtetutës edhe të rregulloreve”.

    Anëtari i KQZ-së nga LDK-ja, Sami Hamiti, tha se secili rekomandim do të rishqyrtohet para se të procedohet, përfshirë edhe ato që lidhen me afatet dhe ndryshimet eventuale kushtetuese.

    “Ne do ta diskutojmë në planin e punës edhe sigurisht do të shkojnë si rekomandime. Për anën tjetër, a do të ndërrohet, a do të bjerë prej 10-shit në 5-she, në 3-she, edhe tjetrën 60-ditësh, unë po ju rikujtoj që në një grup punues që kemi punuar për reformën zgjedhore, shumica jemi këtu. Këtë propozim e kemi pasë prej misionit vëzhgues të BE-së, pavarësisht u pa që s’ekziston një momentum me hy në ndryshim kushtetues, po që është nevojë me u bë. Edhe ky rekomandim shkon që nëse ka mundësi të bëhet, se dihet që pa ndryshim kushtetues atëherë u pa që s’do të jetë mundësia atje edhe që u pa që s’ashtë praktike”, tha ai.

    Përfaqësuesi serb u ankua se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme nuk e përmend fare temën e vendeve të rezervuara, se kujt I takojnë ato dhe se kush e bën verifikimin.

    Përfaqësuesi serb: Në çdo palë zgjedhje ka grupe të interesuara për t’I keqpërdorur ulëset e rezervuara

    Ne po shohim që kohëve të fundit, në çdo palë zgjedhje, ka grupe të interesuara për t’I keqpërdorur ulëset e rezervuara. Andaj unë apeloj që brenda sekretariatit të gjendet një zgjidhje dhe të dilet me sugjerime se si të verifikohen përfituesit e këtyre ulëseve. Ne jemi institucionet që duhet të japim sugjerime dhe nuk mund të themi se nuk mund të bëjmë asgjë.

    Më pas Sami Hamiti e kritikoi përfaqësuesin serb që nuk mori pjesë në punëtori dhe se aty do ta kuptonte që u fol për këto ankesa

    Përfaqësuesi serb më pas u arsyetua se veç po kujdeset që në zgjedhjet e reja të mos jetë më problem kjo temë e vjetër.

    Ai shtoi se ka mënyra për identifikimin se përmasave të pakicave, përmes rezultateve të regjistrimit të popullsise dhe aty dihet se cila pakicë ka më shumë pjesëtarë.

    Në këtë mbledhje u shty miratimi i rekomandimit për ndarjen e mjeteve nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike për vitin 2026. Sipas drejtorit të Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike, Besnik Buzhala, buxheti mbetet rreth 4.8 milionë euro, sa ishte edhe vitin e kaluar.

     

  • Presidenca del me komunikatë për takimin e Osmanit me Spiropalin

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipëri, Elisa Spiropali.

    Duke falënderuar Shqipërinë për mbështetjen e vazhdueshme, Presidentja Osmani theksoi se marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri janë vëllazërore dhe njëkohësisht strategjike, të natyrshme e të pazëvendësueshme, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit të rregullt politik dhe diplomatik në të gjitha nivelet.

    Presidentja Osmani dhe ministrja Spiropali, ndër të tjera  diskutuan edhe për pjesëmarrjen e Kosovës dhe Shqipërisë si anëtare themeluese të Bordit të Paqes, duke vlerësuar se kjo platformë i afron të dy vendet edhe më shumë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët strategjikë globalë, si dhe rrit profilin e tyre ndërkombëtar dhe rolin si kontribuuese në paqe e siguri globale.

    Sa i përket bashkëpunimit në politikën e jashtme, Presidentja Osmani diskutoi për koordinim të vazhdueshëm diplomatik për njohjet e reja, mbështetjen në organizata ndërkombëtare si NATO, Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera, si dhe për fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

    Presidentja Osmani rikonfirmoi se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mbetet thelbësor për avancimin e interesave të përbashkëta strategjike dhe për forcimin e rolit të dy vendeve në paqe, siguri dhe stabilitet rajonal e global.

  • Në Bruksel propozohet heqja e roaming-ut për vendet e Ballkanit Perëndimor

    Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Europian, Marta Kos ka propozuar nisjen e bisedimeve me gjashtë vendet e Ballkani Perëndimor për t’i përfshirë ato në vendet pa roaming. Kos tha se kostot e roaming-ut paraqesin problem për qytetarët në vendet e Ballkanit Perëndimor.

    “Tarifat e roaming-ut janë një problem në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Për punëtorët ndërkufitarë dhe familjet që telefonojnë të dashurit jashtë vendit. Faturat e papritura gjatë udhëtimeve janë diçka që ne nuk e pranojmë më në BE. Sot, ne propozuam të fillojmë bisedimet për ta shtrirë këtë në Ballkanin Perëndimor”, shkroi ajo në një postim në X.

    Propozimi është që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në programin e Bashkimit Europian “Roam Like at Home”, që nuk kërkon tarifa shtesë. Kjo u jep mundësi përdoruesve të telefonisë mobile t’i përdorin telefonat e tyre në shtetet e tjera anëtare me të njëjtat çmime si në vendin e tyre