Blog

  • Gjendet pa shenja jete një person në Prishtinë

    Gjendet pa shenja jete një person në Prishtinë

    Një person është gjetur pa shenja jete të martën në Prishtinë.

    Në raportin e policisë bëhet e ditur se ekipi mjekësor ka dalë në vendin e ngjarjes, ku edhe është konstatuar vdekja e viktimës.

    “Rr. Rrahman Dini, Prishtinë 14.04.2026 – 05:30. Viktima mashkull kosovar, është gjetur pa shenja jete. Njësitet policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku edhe është konstatuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”.

  • “Dhimbjet nuk u ndalën as pasluftës” Haradinaj përkujton vëllain e vrarë Enverin

    Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj. ka përkujtuar vëllain e tij të vrarë, Enverin.

    Me anë të një shkrimi prekës në Facebook, Haradinaj u shpreh se dhimbjet nuk iu ndalën as pas luftës.

    “Shumë shqiptarë të zotë u ndanë nga ne, i kujtojmë përjetë. Të kujtojmë përjetë, vëlla Enver” shkroi Haradinaj.

  • Atletico Madrid dhe PSG në gjysmëfinale të Championsit

    Atletico Madrid dhe PSG në gjysmëfinale të Championsit

    Atletico Madrid dhe Paris Saint-Germain kanë siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Champions League, pasi kanë eliminuar Barcelonën, respektivisht Liverpoolin.

    Barcelona ka triumfuar të martën me rezultat 1-2 në “Metropolitano”, por kjo nuk ka mjaftuar, pasi katalanasit ishin mposhtur 0-2 në ndeshjen e parë. Atletico Madrid ka kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm 3-2.

    Skuadra mysafire e ka nisur ndeshjen më mirë, duke kaluar në epërsi që në minutën e katërt me golin e Lamine Yamal.

    Në minutën e njëzet e katërt, Ferran Torres e ka dyfishuar epërsinë pas asistimit të Dani Olmo, duke i dhënë shpresë Barcelonës për përmbysje.

    Megjithatë, vendasit kanë reaguar në minutën e tridhjetë e një kur Ademola Lookman ka shënuar për 1-2, gol që ka dalë të jetë vendimtar për kualifikimin e Atletico Madrid.

    Në ndeshjen tjetër, Paris Saint-Germain ka fituar edhe në udhëtim ndaj Liverpoolit me rezultat 0-2.

    Të dy golat janë realizuar nga Ousmane Dembele, fillimisht në minutën e shtatëdhjetë e dytë, pas asistimit nga Khvicha Kvaratskhelia, e më pas edhe në kohën shtesë kur është asistuar nga Bradley Barcola.

    Duke pasur parasysh fitoren 2-0 në ndeshjen e parë, PSG ka kaluar në gjysmëfinale me rezultat të përgjithshëm 4-0.

    Në gjysmëfinale, Atletico Madrid do të përballet me fituesin e ndeshjes Arsenal – Sporting CP, ndërsa Paris Saint-Germain do të luajë kundër fituesit të përballjes Bayern Munich – Real Madrid.

  • Të dyshuarit për rastin “Banjska” dalin nesër para gjykatës

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë nesër do të mbahet seanca gjyqësore lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.

    Seanca pritet të nisë në ora 09:30.

    Para trupit gjykues do të paraqiten Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit.

    Gjatë këtij sulmi mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, ndërsa disa zyrtarë të tjerë policorë u plagosën.

  • Gjendet i vdekur një 82-vjeçar në Prishtinë, dyshohet për vetëvrasje

    Gjendet i vdekur një 82-vjeçar në Prishtinë, dyshohet për vetëvrasje

    Një rast i rëndë është raportuar në orët e hershme të mëngjesit në Prishtinë, ku një person është gjetur pa shenja jete dhe dyshohet se i ka dhënë fund jetës së tij.

    Ngjarja ka ndodhur më 14 prill rreth orës 05:30 në rrugën “Rrahman Dini”.

    Siç mëson Sinjali, viktima është B.H., rreth 82-vjeçar i cili është gjetur i varur në një pemë, ku në vendin e ngjarjes është vërejtur një litar dhe një shkallë.

    Sipas dëshmisë së parë, ai është parë në atë gjendje nga një familjare, e cila më pas ka njoftuar edhe vajzën e viktimës. Të njëjtat kanë ndërhyrë duke e këputur litarin dhe duke e zbritur trupin në tokë.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore të Stacionit “Veriu”, hetuesit dhe forenzika, e më pas edhe njësitet e hetimeve rajonale dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.

    Trupi i pajetë është tërhequr nga IML për procedurat e mëtejshme.

    Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”.

  • Fabrizio Romano zbardh detaje: Zhegrova dëshiron të qëndrojë dhe të luftojë për vendin e tij te Juventusi

    Fabrizio Romano zbardh detaje: Zhegrova dëshiron të qëndrojë dhe të luftojë për vendin e tij te Juventusi

    E ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventusi mbetet e paqartë, teksa interesimi i Beşiktaşit për anësorin kosovar vazhdon të përmendet në mediat sportive.

    Në Itali, situata e tij po ndiqet me vëmendje, pasi minutat e pakta këtë sezon kanë shtyrë klubin ta rishqyrtojë rolin dhe të ardhmen e lojtarit.

    Reprezentuesi i Kosovës u transferua nga Lille në një marrëveshje që besohet të arrijë deri në 18.5 milionë euro në total (14.3 milionë euro tarifë bazë, 1.2 milionë euro kosto shtesë dhe 3 milionë euro bonuse).

    Shifrat e sezonit të tij të parë te Juventusi janë të dobëta: zero gola, zero asistime dhe vetëm 447 minuta të luajtura në 21 paraqitje në të gjitha garat.

    Lëndimet kanë ndikuar në ecurinë e tij, por edhe fakti se nuk ka arritur ta bindë trajnerin Luciano Spalletti. Tekniku italian i ka dhënë Zhegrovës vetëm tri paraqitje në 11 ndeshjet e fundit, me gjithsej 65 minuta në fushë.

    Megjithatë, Fabrizio Romano ka dhënë një përditësim për të ardhmen e tij, duke theksuar se lojtari dëshiron të vazhdojë në Torino.

    “Pavarësisht thashethemeve që e lidhin Edon Zhegrovën me Beşiktaşin, lojtari dëshiron të qëndrojë dhe të luftojë për vendin e tij te Juventusi në sezonin e ardhshëm. Sulmuesi i krahut u ka kërkuar shprehimisht agjentëve të tij të presin, pasi prioriteti i tij është të jetë pjesë e së ardhmes së Bianconerëve. Por, në fund vendos klubi dhe nuk përjashtohet mundësia që Zhegrova të largohet nga Juventusi në verë”, ka deklaruar Romano.

    Zhegrova ka kontratë me “Bianconerët” deri në qershor të vitit 2030.

  • Suspendohet nga puna një minatorë i “Trepçës”, ndali qëllimisht rrymën që të mos punonte ventilimi

    Shoqëria Aksionare “Trepça” ka bërë të ditur se ka suspenduar një punonjës nga puna, pasi i njëjti dyshohet se ka ndërprerë qëllimisht energjinë elektrike për të pamundësuar funksionimin e ventilimit në minierë.

    Sipas njoftimit, bëhet fjalë për punonjësin M.Ll, i cili është i punësuar në Njësinë Biznesore “Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë”.

    Në njoftimin e minierës thuhet se i njëjti dyshohet se ka ndërprerë energjinë elektrike të ventilatorit që shërben për ventilimin në minierë, duke e bërë atë jofunksional në mënyrë të qëllimshme.

    “Me datën 14.04.2026, Kryeshefi Ekzekutiv ka nxjerrë Vendimin me nr. prot. 3167 për largimin e përkohshëm nga puna të punonjësit z. M.LL., i punësuar në Njësinë Biznesore ‘Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë’. Ky vendim është nxjerrë në bazë të denoncimit me nr. prot. 557, të datës 14.04.2026, të paraqitur nga Drejtori i Prodhimit në njësinë përkatëse, sipas të cilit i njëjti dyshohet se ka kryer veprime të kundërligjshme. Konkretisht, i njëjti dyshohet se ka ndërprerë energjinë elektrike të ventilatorit që shërben për ventilimin në minierë, duke e bërë atë jofunksional në mënyrë të qëllimshme. Me këto veprime, i njëjti dyshohet se ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës, në kuptim të nenit 10, paragrafi 1, nënparagrafët 1.5, 1.8 dhe 1.24 të Rregullores për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A.”, thuhet në njoftim.

  • Dyshohet për therje me thikë në Dardani, policia në vendin e ngjarjes

    Dyshohet për therje me thikë në Dardani, policia në vendin e ngjarjes

    Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur sot në Prishtinë.

    Një person dyshohet se është therë me thikë në lagjen Dardania, raporton IndeksOnline.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, të cilat po merren me hetimet relevante.

    Ende nuk dihet se cilat ishin shkaqet që çuan në këtë akt.

    IndeksOnline do t’iu mbajë të informuar për rastin.

  • Atletico Madrid – Barcelona, publikohen formacionet zyrtare

    Atlético Madrid dhe FC Barcelona përballen sonte në stadiumin “Metropolitano”.

    Skuadra madrilene vjen me një epërsi të rëndësishme 2-0 nga ndeshja e parë dhe është një hap larg kualifikimit, ndërsa katalanasit synojnë një rikthim spektakolar për të përmbysur gjithçka.

    Ky takim zhvillohet me fillim nga ora 21:00, ndërsa janë publikuar edhe formacionet zyrtare:

    Atlético Madrid: Musso; Molina, Le Normand, Lenglet, Ruggeri; Marcos Llorente, Koke; Giuliano, Griezmann, Lookman; Julián Álvarez.

    Barcelona: Joan García, Koundé, Gerard Martin, Éric, Cancelo, Gavi, Pedri, Fermín, Olmo, Lamine Yamal, Ferran.

  • Largohet nga puna minatori që vodhi paratë e Trepçës

    Kryeshefi ekzekutiv i shoqërisë aksionare “Trepça”, sot ka nxjerrë vendimin për largimin e përkohshëm nga puna të punonjësit A.G., i punësuar në njësinë biznesore “Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë”.

    “Ky vendim është nxjerrë në bazë të raportit me nr. prot. 517, të datës 07.04.2026, sipas të cilit i njëjti dyshohet se ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës, në kuptim të nenit 10, paragrafi 1, nënparagrafi 1.28 të Rregullores për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A., ku përcaktohet se shkelje e rëndë konsiderohet:

    – Vjedhja, plaçkitja apo përvetësimi i parave apo të mirave të tjera materiale të Trepça Sh.A” thuhet në njoftimin zyrtar të Trepçës.