Blog

  • Të hënën priten stuhi të forta, breshër dhe mundësi për vërshime

    Ndonëse kjo javë ka qenë dukshëm më e freskët pas valës së të nxehtit ekstrem, që solli temperatura deri në 42.5°C në Klinë, ku u thye rekordi i të gjitha kohërave në Kosovë, tashmë masat e nxehta janë rikthyer ndjeshëm, duke ngritur termometrin deri në 34°C.

    Megjithatë, të hënën pritet një përmbysje e menjëhershme e kushteve të motit. Masa të ftohta dhe të lagështa, të shoqëruara nga një ciklon i fuqishëm, do të sjellin destabilizim të theksuar atmosferik. Fillimisht, me përjashtim të ndonjë rrebeshi të izoluar gjatë orëve të paradites, pasditja pritet të karakterizohet nga zhvillime të fuqishme të vranësirave.

    Lokalisht, këto do të sjellin rrebeshe intensive shiu, breshër dhe shkarkesa rrufesh – disa prej tyre potencialisht të rënda. Stuhitë mund të shoqërohen me erëra të forta dhe breshër të madh në zona të izoluara. Temperaturat do të pësojnë një rënie të ndjeshme, me ulje prej të paktën 10-15°C.

  • Zjarr i madh në disa lokale përgjatë magjistrales Kaçanik–Ferizaj, dëmet kapin vlerën e 20 mijë eurove

    Zjarr i madh në disa lokale përgjatë magjistrales Kaçanik–Ferizaj, dëmet kapin vlerën e 20 mijë eurove

    Një zjarr i madh ka shpërthyer sot rreth orës 18:53 në një lokal përgjatë magjistrales Kaçanik–Ferizaj, duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme.

    Sipas Policisë së Kosovës në Ferizaj, menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse të zjarrfikësve, patrullat policore dhe Njësia e Hetimeve nga Stacioni Policor në Kaçanik.

    Po ashtu, është njoftuar edhe njësia e KEDS-it, e cila ka ndërprerë furnizimin me energji elektrike në zonë për të shmangur rrezikun e përhapjes së mëtejme të zjarrit.

    “Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se zjarri ka nisur nga djegia e disa gomave të vendosura jashtë lokalit, e më pas është përhapur në një gomisteri, duke prekur gjithashtu pjesërisht edhe një lokal tjetër dhe një pjesë të një shtëpie përreth”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të Policisë në Ferizaj, Vesel Gashi.

    Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, por dëmet materiale dyshohet të arrijnë vlerën prej rreth 20 mijë eurosh.

    Hetimet lidhur me shkaqet dhe përgjegjësinë e zjarrit janë në proces.

  • Reperi i njohur shqiptar i jep fund beqarisë

    Reperi i njohur shqiptar i jep fund beqarisë

    Reperi i njohur shqiptar, Onat Shufta i ka dhënë fund beqarisë.

    Kështu u bë e ditur nga një postim i kolegut dhe shokut të tij, Getoar Selimit, apo i njohur ndryshe si Ghetto Geasy, transmeton Klankosova.tv.

    Nga ky postim, u bë e ditur se Onati është martuar me Auerela Brahimin, një vajzë jo e njohur për publikun e gjerë.

     

  • Hasani: Nëse Thaçi dënohet, të gjithë të tjerët janë të dënuar

    Nait Hasani nga Partia Demokratike e Kosovës, në “Info Magazine” foli rreth procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në  Hagë.

    Hasani thotë se nëse ish-kreu i UÇK-së, Hashim Thaçi dënohet, do të dënohen të gjithë pas tij, edhe nëse nuk janë pjesë e gjykimit.

    “Nëse dënohet Hashim Thaçi, ‘udhëheqësi i ndërmarrjes të përbashkët kriminale’ të gjithë të tjerët janë të dënuar. Pavarësisht se a janë pjesë e gjykimit. Vepra çlirimtare e tyre dënohet. Dhe natyrisht që bjen në përfundim që lufta jonë ka qenë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale. Këtu është dashur ta bëjë përpjekjen qeveria, pavarësisht se kush është kryeministër, pavarësisht se kush është president”, u shpreh Hasani.

    Derisa ai shtoi se betejën e Hagës, beson fuqishëm se do ta fitojnë.

  • Rrëzohet avioni në brigjet e Spanjës, policia nis kërkimin për dy personat që ishin në bord

    Shërbimet spanjolle të shpëtimit po kërkojnë dy pasagjerët e një aeroplani me dy vende që u rrëzua në det të shtunën në mbrëmje, pranë ishullit të Majorkës.

    Aksidenti ndodhi rreth orës 20:00 të së shtunës në një zonë pranë farit të portit të Soller, i vendosur në pjesën veriore të ishullit, sipas policisë spanjolle.

    Avioni i lehtë, i cili ishte ngritur nga aeroporti i Majorkës dy orë më parë, u rrëzua në det, 100 metra larg bregdetit, i tha policisë një pasagjer në një varkë që ishte dëshmitar i incidentit.

    Sipas shtypit lokal, ishte një avion akrobatik që po manovronte në ajër para aksidentit.

    Ekipet e shpëtimit, të cilat deri më tani kanë rikuperuar një pjesë të rrënojave, vazhdojnë të kërkojnë dy pasagjerët në këtë zonë, ku thellësia e ujit arrin deri në 30 metra.

    Identitetet e dy personave që ndodheshin në bord janë aktualisht të panjohura.

  • Java nis me mot më të freskët

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se fillimi i javës së ardhshme pritet të karakterizohet me mot kryesisht të lagësht, me reshje shiu dhe shkarkime rrufesh.

    Nga dita e mërkurë parashikohet një stabilizim gradual i kushteve meteorologjike, me kthjellime dhe përmirësim të motit.

    Të hënën moti do të jetë i vranët dhe me riga lokale shiu. Reshjet e shiut parashihen të shoqërohen me shkarkime rrufesh. Temperaturat minimale do të jenë 14 – 18°C ndërsa ato maksimale 20-24°C.

    Të martën do të ketë me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat gjatë ditës parashihen të dendësohen dhe si rezultat priten riga shiu nëpër disa zona, kryesisht në juglindje të vendit. Temperaturat minimale do të sillen nga 12 – 17°C, ndërkaq temperaturat maksimale: 21 – 25°C.

    Të mërkurën do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të jenë 13 – 16°C, ndërkaq temperaturat maksimale: 24-27°C.

    Ndërkaq të enjten do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta. Temperaturat do të arrijnë deri në 29°C

    Të premten moti do të jetë kryesisht me diell. Vranësira të pakta parashihen për rreth relievit malor. Temperaturat minimale do të sillen nga 10-13°C ndërkaq temperaturat maksimale 27-32°C.

  • Rina Balaj shkëlqen me fustanin rozë dhe çantën luksoze Hermes Birkin në setin e ri fotografik

    Rina Balaj shkëlqen me fustanin rozë dhe çantën luksoze Hermes Birkin në setin e ri fotografik

    Rina Balaj ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve me një paraqitje të re mahnitëse, duke sjellë një kombinim perfekt të elegancës dhe stilit personal.

    Në setin e fundit fotografik, këngëtarja shfaqet me një fustan të gjatë rozë, në stil princeshe, me një bust të zbukuruar që i jep një prekje romantike dhe delikate pamjes së saj.

    Me flokët e kuq të ndezur, një element që e dallon gjithmonë, Rina ka shtuar edhe një detaj luksi që nuk mund të kalonte pa u vënë re – çantën ikonike Hermes Birkin në ngjyrë turkuaz.

    Foto: Rina Balaj/Instagram

    Ky aksesor, i njohur si një nga më të dëshiruarit në botën e modës dhe me një çmim që shkon në mijëra euro, ka kompletuar në mënyrë të përkryer dukjen e saj glamuroze.

    Në fotografi, artistja shfaqet ulur në tokë, me takat e hequra pranë saj, duke dhënë një kontrast interesant mes luksit dhe thjeshtësisë, një qasje e lirë, por njëkohësisht e sofistikuar, që e bën Rina Balajn një nga figurat më të veçanta të skenës muzikore dhe të modës shqiptare.

    Foto: Rina Balaj/Instagram
    Foto: Rina Balaj/Instagram
    Foto: Rina Balaj/Instagram
    Foto: Rina Balaj/Instagram
    Foto: Rina Balaj/Instagram
  • Autoritetet italiane nisin hetimet për futjen e inteligjencës artificiale në WhatsApp

    Autoritetet italiane nisin hetimet për futjen e inteligjencës artificiale në WhatsApp

    Një zëdhënës i Autoritetit italian të Antitrustit në Milano tha, se të martën bashkë me policinë financiare italiane janë kontrolluar zyrat e biznesit të filialit italian Meta. Hetimi po bëhet në “bashkëpunim të ngushtë” me autoritetet përkatëse të Bashkimit Europian.

    Akuza nga Milano është: Ofruesi i Whatsapp-it, Meta, ka instaluar chatbot-in me IA pa marrë shprehimisht miratimin e përdoruesve. Përmes lidhjes së aplikacionit të inteligjencës artificiale “Meta AI” me Whatsapp-in koncerni i SHBA-së i orienton klientët në drejtim të ofertave të veta, kritikon Autoriteti italian i Antitrustit. Kjo mund të pengojë konkurrencën, sepse përdoruesit janë të detyruar të instalojnë dy aplikacione të IA në aparatet e tyre, në rast se nuk duan ta përdorin “Meta AI”.

    Sipërmarrja, së cilës i përkasin rrjeti online Facebook dhe Instagrami, në të kundërt thekson dobinë e ndërlidhjes së aplikacioneve. “Aksesi falas në funksionet tona të IA-së u jep miliona italianëve mundësinë të përdorin IA në një vend, që e njohin, tek i cili kanë besim dhe e kuptojnë.”

    Nëse akuzat nga Italia kundër Meta-s konfirmohen, kjo do të ishte një goditje e fortë ekonomike për koncernin Facebook. Në rast shkeljeje të rregullave europiane të konkurrencës kërcënojnë gjoba me deri në dhjetë për qind të xhiros vjetore mbarëbotërore.

    Ditët e fundit ndërmjet BE-së dhe Meta-s ka pasur edhe një përplasje për një temë tjetër. Koncerni amë Facebook njoftoi, se nga tetori nuk do të lejojë më në platformat e veta njoftime dhe reklama politike në Bashkimin Europian.

    Arsyeja është se rregullorja e BE-së “nuk mund të zbatohet në praktikë”. Një zëdhënës i sipërmarrjes u ankua, se udhëzimet e BE-së krijojnë “pasiguri ligjore”. Fakt është, se kreu i Meta-s Mark Zuckerberg është mjaft kritik ndaj rregullave të BE-së. Në fillim të vitit ai e akuzoi Brukselin për “censurë”.

  • Macron bisedon me Vuçiqin: Dialogu me Kosovën duhet të vazhdojë, veprimet e njëanshme dëmtojnë procesin

    Presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar një bisedë me Aleksandar Vuçiç, ku fokusi kryesor ka qenë dialogu Kosovë–Serbi dhe e ardhmja evropiane e rajonit.

    Macron ka theksuar se Serbia duhet të vazhdojë reformat dhe dialogun me Kosovën nëse dëshiron të ecë përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

    “Fati i Serbisë është evropian dhe shpresoj që ajo të ecë përpara në rrugën e reformave dhe të anëtarësimit, duke ruajtur frymën e dialogut”, ka deklaruar Macron pas bisedës.

    Në këtë bisedë, lideri francez ka theksuar edhe rëndësinë e stabilitetit dhe unitetit në Bosnje-Hercegovinë, si dhe respektimin e shtetit ligjor në tërë rajonin.

    Lidhur me raportet Kosovë–Serbi, Macron ka rikujtuar se çdo veprim i njëanshëm që cenon procesin e dialogut është i dënueshëm dhe se dialogu është rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    “Me vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropa do të realizojë fatin e saj – në unitet, solidaritet dhe përgjegjësi”, ka shtuar Macron.

  • Shpërthen një vullkan rus për herë të parë pas 500 vjetësh

    Një vullkan në lindje të Rusisë ka shpërthyer për herë të parë pas gati 500 vjetësh.

    Ekspertët besojnë se shpërthimi mund të jetë i lidhur me tërmetin masiv të disa ditëve më parë.

    Vullkani Krasheninikov në Kamçatka ka nxjerrë hi në distancë prej gjashtë kilometrash gjatë natës. Ministria ruse për Emergjenca ka thënë se nuk ekziston rrezik te zonat e banueshme.

    Disa orë më vonë, një tjetër tërmet e ka shkundur Rusinë, duke nxitur paralajmërime për cunami.

    Të dyja zhvillimet mund të jenë të lidhura me tërmetin 8.8 shkallësh të Rihterit që e ka goditur atë zonë ditë më parë.

    Ekspertët rusë kanë paralajmëruar se dridhje tjera të fuqishme mund të regjistrohen për disa javë pas tërmetit të 30 korrikut – i cili ka qenë ndër më të fuqishmit që është regjistruar.

    Për pasojë, miliona njerëz janë detyruar të evakuohen.

    Tërmeti i së dielës, 7.0 shkallë i Rihterit, i ka goditur ishullit Kuril dhe mund të krijojë valë deri në 18 centimetra, sipas autoriteteve ruse.

    Banorëve të tri zonave në Kamçatka u është bërë thirrje që të qëndrojnë larg brigjeve.

    Herën e fundit kur ka shpërthyer vullkani Krasheninikov ka qenë shekulli i 15-të, sipas autoriteteve ruse.

    Gadishulli Kamçatka gjendet në të ashtuquajturën “Unazë e zjarrit në Paqësor” – për shkak të numrit të madh të tërmeteve dhe vullkaneve që regjistrohen në atë pjesë.