Blog

  • Gjendet vogëlushja që humbi te “Rruga B”

    Është gjetur Hira Paçarada, vogëlushja 8-vjeçare që u raportua e humbur këtë të diel në “Rrugën B”.

    Pak minuta pasi raportoi Klankosova.tv për humbjen e saj, familja ka njoftuar se Hira Paçarada është gjetur shëndosh e mirë.

    Vogëlushja u gjet në “Rrugën C”, në gjendje të mirë shëndetësore.

  • Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi pranohet anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave (EurASc)

    Themeluesi dhe Presidenti i UBT-së, Rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, është pranuar si anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave (European Academy of Sciences – EurASc).

    European Academy of Sciences (EurASc) është një nga akademitë më prestigjioze në Evropë, që bashkon shkencëtarë dhe studiues të shquar nga e gjithë bota, me qëllim promovimin e ekselencës shkencore dhe teknologjike për të adresuar sfidat më të mëdha globale. Anëtarët e saj janë emra të njohur që kanë dhënë kontribute të mëdha në fushat përkatëse, përfshirë shumë fitues të çmimeve ndërkombëtare dhe nobelistë.

    Ky është një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar që njeh kontributin e jashtëzakonshëm të Prof. Hajrizit në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor, inovacionit dhe politikëbërjes në nivel rajonal dhe evropian.

    “Pjesëmarrja ime si anëtar në Akademinë Evropiane të Shkencave është një vlerësim personal, por mbi të gjitha është një njohje për punën dhe përkushtimin afatgjatë të UBT-së në ndërtimin e një ekosistemi akademik dhe shkencor në përputhje me standardet evropiane. Ky është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të rolit të Kosovës në hartën ndërkombëtare të dijes dhe inovacionit”, tha Rektori Hajrizi.

    Akademia Evropiane e Shkencave (EurASc), në publikimin e saj në rrjetet sociale, ka vlerësuar lart kontributin e Prof. Dr. Edmond Hajrizi për përvojën e tij mbi dydekadëshe në ndërthurjen e akademisë me ekosistemet e inovacionit dhe zhvillimit ekonomik.

    Nën udhëheqjen e tij strategjike dhe vizionare, UBT është konsoliduar si një nga institucionet më të avancuara të arsimit të lartë në Evropën Juglindore, duke u shndërruar në një qendër të rëndësishme për zhvillimin e inovacionit, teknologjisë dhe sipërmarrjes.

    Si pjesë e angazhimeve të tij profesionale, Prof. Hajrizi ka udhëhequr me sukses dhjetëra projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, si dhe ka kontribuar si këshilltar për institucione prestigjioze ndërkombëtare, duke promovuar transformimin digjital, prodhimin inteligjent dhe arsimin e orientuar drejt së ardhmes.

    Ky pranim përfaqëson jo vetëm një sukses personal për Rektorin Hajrizi, por një arritje të rëndësishme për UBT-në dhe Kosovën në tërësi. Ai dëshmon se përkushtimi ndaj inovacionit, cilësisë akademike dhe vizionit global mund të sjellë njohje ndërkombëtare dhe ta vendosë Kosovën në hartën e qendrave të rëndësishme të dijes dhe teknologjisë.

  • Plagoset një person në rrugën Klinë – Gjakovë, ishte duke udhëtuar me familjen e tij

    Një person është plagosur në orët e para të së dielës në rrugën Klinë- Gjakovë, në afërsi të fshatit Kramovik.

    Ai ka qenë duke udhëtuar me familjarët e tij.

    Kështu tha zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

    “Sot në orët e hershme të mëngjesit, është pranuar informata se një mashkull i moshës madhore është dërguar për trajtim mjekësor, pasi ishte qëlluar me armë zjarri. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 01:00, në rrugën Klinë–Gjakovë në afërsi të fshatit Kramovik. Sipas të dhënave fillestare, viktima kishte qenë duke udhëtuar me familjarët e tij. Ne ndërkohë kishte dalë nga vetura me të cilën po udhëtonte dhe në afërsi të rrugës është qëlluar nga një drejtim ende i panjohur. Viktima aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit dhe me vendim të tij është iniciuar rasti “Vrasje në tentativë”. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, tha ai.

  • Dua Lipa feston marrjen e shtetësisë së Kosovës në Festivalin Sunny Hill, përkrah të fejuarit dhe miqve të afërt

    Dua Lipa feston marrjen e shtetësisë së Kosovës në Festivalin Sunny Hill, përkrah të fejuarit dhe miqve të afërt

    Dua Lipa festoi në Prishtinë marrjen e shtetësisë së Kosovës me një performancë të zjarrtë në Festivalin Sunny Hill, që e organizon çdo vit me babain e saj, Dukagjin Lipa.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dorëzoi këngëtares dokumentet zyrtare të shtetësisë në një ceremoni solemne të premten, duke e cilësuar atë si “një nga figurat më ikonike kulturore në historinë e vendit tonë”.

    Në rrjetet sociale, këngëtarja 29-vjeçare ndau fotografi nga nata festive, ku shihej përkrah të fejuarit të saj Callum Turner dhe miqve të afërt.

    Foto: Dua Lipa/Instagram

    “Mora nënshtetësinë një natë më parë dhe pastaj festova shumë në @sunnyhillfestival një natë më pas”, shkroi ajo.

    Në një deklaratë për mediet, Dua tha se ky moment “plotëson dualitetin që gjithmonë e ka ndjerë brenda vetes”.

    Foto: Dua Lipa/Instagram

    Përveç shtetësisë kosovare, Dua Lipa mban edhe atë britanike dhe shqiptare. Ajo u nderua me shtetësinë shqiptare në vitin 2022 për kontributin e saj në promovimin e vendit përmes muzikës.

    Këngëtarja, e lindur në Londër nga prindër kosovarë, është kthyer prej vitesh në një zë të fuqishëm ndërkombëtar për Kosovën, përmes muzikës, aktivizmit dhe angazhimit të saj në projekte humanitare.

  • Një ofertë zyrtare te Real Madridi për Brahim Diazin, e ardhmja e mesfushorit vendoset javën e ardhshme

    Një ofertë zyrtare te Real Madridi për Brahim Diazin, e ardhmja e mesfushorit vendoset javën e ardhshme

    Real Madridi ka një çështje të rëndësishme për t’u zgjidhur këtë afat kalimtar dhe ajo është e ardhmja e Brahim Díaz, 25-vjeçarit që vazhdon të jetë subjekt i shumë thashethemeve.

    Klubi po punon për të finalizuar skuadrën që trajneri i ri, Xabi Alonso, do të ketë në dispozicion për sezonin e ardhshëm. Vendime për largime dhe afrime priten gjatë javëve të ardhshme.

    Brahim Díaz ka pasur një sezon të mirë, me gjashtë gola dhe gjashtë asiste në 48 ndeshje, por konkurrenca në skuadër e ka penguar të ketë një rol të plotë titullari.

    Sipas CNN Portugal, Benfica është shumë e interesuar për lojtarin dhe ka kërkuar huazimin e tij, por Real Madridi nuk dëshiron një huazim.

    Klubi madrilen është i gatshëm ta lejojë largimin e Brahim Díaz vetëm për një shitje të përhershme, duke kërkuar një shumë prej rreth 40 milionë eurosh për kartonin e tij.

    Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e lojtarit, i cili duket më pranë se kurrë largimit nga Los Blancos.

    Situata do të qartësohet në ditët e ardhshme, ndërsa klubi dhe agjentët e Brahim Díaz vazhdojnë negociatat për të ardhmen e tij.

  • Java vendimtare: Sytë kah Gjykata Kushtetuese

    Kosova po hyn në javën e rëndësishme të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

    Kjo ndërlidhur me krizën politike dhe faktin që Kuvendi për muaj të tërë nuk arriti të konstituohet.

    Afati deri kur pritet një vendim nga Kushtetuesja, është 8 gusht, pasi kjo ka qenë data e vendosur si masë e përkohshme.

    Dikush e përmend si mundësi shkuarjen në zgjedhje, dikush një aktgjykim tjetër që lejon vetëm votimin e hapur, e kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, pretendonte se afati 30-ditor nuk kishte nisur të rrjedhë pasi nuk ka pasur votim.

    Megjithatë, përgjigja për këtë pritet së shpejti.

    Albulena Haxhiu që është edhe kandidate për kryetare të Kuvendit, së voni, tha se zgjedhjet duket të jenë opsioni i vetëm në këtë situatë.

    Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte shpallur vendimin e ri të saj i cili ua ndalon deputetëve të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës çdo vendim dhe veprim pas kalimit të afatit 30-ditor të saj, apo datës 26 korrik.

    Kushtetuesja bëri të ditur se kjo masë e përkohshme ku deputetët nuk do të mund të marrin vendime apo veprime për konstituimin e Kuvendit, do të jetë në fuqi nga 27 korriku deri më 8 gusht.

    Në vendimin e saj, Gjykata konsideronte se çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas datës 26 korrik deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës.

    Tutje thuhet se Gjykata vlerëson se ekzistojnë rrethana të interesit publik e që përfshijnë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërorë pas zgjedhjeve për Kuvend.

    “Prandaj, ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi nga ana e deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas 26 korrikut 2025 është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhej në vendim.

    Vendimi për masë të përkohshme është i ndërlidhur me rastin që e kanë dërguar deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ku kontestohet vendimi i Kuvendit për votimin e Komisionit për votim të fshehtë, në kuadër të vazhdimit të seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, të mbajtur sipas transkriptit të datës 29 qershor 2025.

    Megjithatë Gjykata e nxori këtë vendim për masë të përkohshme “ex-officio”, pa qenë kërkesë e parashtruesve.

    Në fillim të korrikut, PDK-ja i është drejtuar për vlerësim Gjykatës Kushtetuese, duke kontestuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për propozime për anëtarë të Komisionit për votim të fshehtë; hedhjen në votim të këtij komisioni; vetë votimin e komisionit; si dhe ndërprerjen e seancës pas mosmiratimit të komisionit.

    Po ashtu, LDK-ja i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i sqarojë normat kushtetuese dhe të rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, në lidhje me vazhdimin e seancës konstituive nga 29 qershori, pas aktgjykimit të 26 qershorit. Kjo parti beson se vazhdimet e fundit të seancës konstituive janë bërë “në kundërshtim të plotë” me Kushtetutën e Kosovës, si dhe me konstatimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 qershori.

  • Microsoft Excel ka fituar funksione të reja

    Microsoft Excel ka fituar funksione të reja

    Microsoft ka publikuar përsëri listën e funksioneve që ka shtuar në Excel gjatë muajit korrik.

    Funksioni Compatibility Versions mbron skedarët tuaj ekzistues nga ndryshimet e papritura kur Microsoft bën ndryshime në funksionet e tekstit. Siç është theksuar në postimin zyrtar në blogun e tyre, ky funksion rregullohet për çdo workbook dhe ka dy versione.

    Versioni 1 përmban mënyrën e vjetër të llogaritjes, ndërsa Versioni 2 pasqyron përmirësimet në funksionet e tekstit. Microsoft tani e ka prezantuar këtë funksion për të gjithë pas një periudhe testimi disa mujore me përdoruesit “Insider”.

    Grumbulli më i fundit i përditësimeve të funksioneve të Microsoft Excel ka diçka specifike për përdoruesit e Windows dhe Mac, të cilët prej kohësh kërkonin shtimin e rifreskimit automatik për PivotTable.

    Kjo më në fund ka mbërritur, për Windows dhe Mac, duke eliminuar nevojën për rifreskim manual sa herë shtohen të dhëna të reja në burimin e të dhënave. Megjithatë, aktualisht ky funksion është në dispozicion vetëm për përdoruesit “Insider”.

    Microsoft Excel ka edhe përmirësime të tjera për përdoruesit e Windows. Excel për Windows tani ofron funksionin e ri Get data për Power Query. Siç është shpjeguar në postimin zyrtar në blog, do të mund të përdorni këtë funksion për të gjetur shpejt burimin e të dhënave nga i cili dëshironi të merrni të dhëna.

    Përditësimi i korrikut për Microsoft Excel përfshin mbështetje për View Side by Side për përdoruesit e Mac, që u mundëson atyre të krahasojnë shpejt workbook-et pa pasur nevojë të ndryshojnë “dritaret”.

  • Mbrëmje rekord në Sunny Hill: Inteligjenca Artificiale numëron mbi 22 mijë pjesëmarrës

    Mbrëmje rekord në Sunny Hill: Inteligjenca Artificiale numëron mbi 22 mijë pjesëmarrës

    Mijëra njerëz e mbushën hapësirën e Sunny Hill Festival gjatë koncertit të mbrëmshëm në Prishtinë, në një nga netët më të zjarrta të këtij edicioni.

    Energjia, dritat, muzika dhe emrat e mëdhenj të skenës krijuan një atmosferë unike që do të mbahet mend gjatë nga të gjithë ata që ishin të pranishëm.

    Foto: Screenshot (Arben Llapashtica – FaceBook)

    Por sa persona morën pjesë saktësisht?

    Për herë të parë, Telegrafi ka përdorur inteligjencën artificiale (AI) për të analizuar dhe vlerësuar numrin e pjesëmarrësve në bazë të një fotografie ajrore të realizuar mbrëmjen e djeshme.

    Bazuar në përllogaritjet vizuale dhe teknikat e avancuara të vlerësimit të dendësisë së turmave, AI ka analizuar sipërfaqen e plotë të mbuluar nga pjesëmarrësit dhe dendësinë mesatare të njerëzve për metër katror.

    Rezultati:

    > Rreth 22,000 – 25,000 persona morën pjesë në koncertin e mbrëmshëm të Sunny Hill Festival.

    Përllogaritja është bërë duke marrë në konsideratë përmasat e hapësirës së mbushur, dendësinë ekstreme të turmës afër skenës, dhe strukturat përreth, përmes metodologjive që përdoren gjerësisht në analiza të ngjarjeve masive në nivel ndërkombëtar.

    Ky vlerësim konfirmon interesimin e jashtëzakonshëm që publiku vendor dhe ai ndërkombëtar ka për Sunny Hill Festival, i cili tashmë është bërë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në Evropën Juglindore.

    Ky vlerësim është bazuar në analiza të avancuara nga inteligjenca artificiale dhe mund të mos jetë 100% i saktë.

  • Gjiganti italian po tenton rikthimin e Chiesas në Serie A

    Gjiganti italian po tenton rikthimin e Chiesas në Serie A

    Napoli po e shqyrton seriozisht mundësinë e transferimit të Federico Chiesas nga Liverpooli, sipas raportimeve nga Italia, pasi sulmuesi italian nuk është më pjesë e planeve të kampionëve të  Ligës Premier.

    Sipas Corriere dello Sport, Napoli ishte në dilemë mes afrimit të një sulmuesi të krahut ose një mbrojtësi të majtë, por pas humbjes së mundësisë për të transferuar Dan Ndoyen te Nottingham Forest, klubi napolitan e zhvendosi vëmendjen te mbrojtësi i Gironas, Miguel Gutierrez.

    Megjithatë, marrëveshja për Gutierrezin thuhet se është pezulluar, çka ka bërë që drejtuesit e klubit t’i kthehen pistës përforcuese në repartin ofensivë dhe të analizojnë mundësinë e transferimit të Chiesas.

    Chiesa nuk është i vetmi emër në listën e Napolit. Janë përmendur gjithashtu Raheem Sterling nga Chelsea dhe Jack Grealish nga Manchester City si opsione të tjera të mundshme për krahët e sulmit.

    Megjithatë, pagat e larta të Sterling dhe Grealish , përkatësisht mbi 10 milionë euro në sezon janë jashtë mundësive financiare të Napolit dhe konsiderohen pengesë reale për negociatat.

    Në anën tjetër, Chiesa fiton dukshëm më pak, rreth 6 milionë euro në sezon dhe kjo e bën transferimin e tij shumë më të përballueshëm për klubin napolitan.

    Napoli po e sheh Chiesan si një përforcim ideal në sulm, veçanërisht nën drejtimin e Antonio Contes, i cili kërkon më shumë intensitet dhe cilësi nga lojtarët e krahut për sezonin e ri në Serie A.

    Chiesa ka punuar më parë me Conten dhe është i entuziazmuar për tu rikthyer në Serie A.

  • RTK-ja pa buxhet, punëtorët pa rroga: Sindikata të martën organizon protestë

    Sindikata e Pavarur e RTK-së të martën do të organizojë protestë.

    Kjo pasi punëtorët kanë mbetur pa paga si rezultat i mosndarjes së buxhetit.

    Njoftimi:

    Sindikata e Pavarur e RTK-së,

    Shoqata Sindikale e Radio Kosovës

    THIRRJE PËR PROTESTË

    E MARTË, 05 Gusht 2025

    Ora 11:00

    Lokacioni: Sheshi IBRAHIM RUGOVA, para Kuvendit të Kosovës, Qeverisë së Kosovës, Presidencës së Kosovës

    Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës ftojnë të gjithë punetorët e Radiotelevizionit të Kosovës që të bashkohen në protestën e përgjithshme që do të organizohet të martën me datë 5 gusht 2025, në orën 11:00, me kërkesën e vetme: Transferoni buxhetin e RTK-së të miratuar me ligj, që të marrim pagat për punën e kryer.

    Deri atëherë, përserisim kërkesën tonë drejtuar Qeverisë në detyrë, që të marr veprime të menjëhershme dhe të gjejë zgjidhje për të transferuar mjetet financiare në këtë situatë të rëndë për transmetuesin publik, e rrjedhimisht për të shmangur protestat dhe veprimet e tjera sindikale të punetorëve të Radiotelevizionit të Kosovës.

    Me respekt,

    Kryesia e Sindikatës së Pavarur të Radiotelevizionit të Kosovës

    Kryesia e ShSRK-së