Category: AKTUALE

  • Imami Shefqet Krasniqi jep detaje për gjendjen shëndetësore të inspektorit policor, Arsim Beqirit

    Imami nga Prishtina, Shefqet Krasniqi, ka dhënë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të inspektorit të Policisë së Kosovës, Arsim Beqiri, i cili u plagos disa ditë më parë gjatë kryerjes së detyrës.

    Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se e ka vizituar Beqirin në spital në Prishtinë ku ai po trajtohet pas plagosjes me armë zjarri.

    Sipas tij, inspektori është jashtë rrezikut për jetë dhe ka kaluar me sukses ndërhyrjet kirurgjikale në këmbë.

    “Falë Allahut, Arsimi është jashtë rrezikut për jetë dhe i ka kaluar me sukses operimet në këmbë. Ai ishte në mbrojtje të ligjit dhe të vlerave njerëzore”, ka deklaruar Krasniqi.

    Në reagimin e tij, Krasniqi ka dënuar ashpër sulmin ndaj policit, duke e cilësuar atë si sulm ndaj shtetit dhe rendit shoqëror.

  • AAK: Mungesa e rezultateve qeverisëse po e çon vendin drejt zgjedhjeve

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e kryesisë, ku ndër të tjerash është diskutuar edhe për zhvillimet politike në vend.

    Ky subjekt politik është shprehur se mungesa e rezultateve për zgjedhjen e presidentit të vendit dhe për mungesën e një agjende të qartë zhvillimore dhe bashkëpunuese, sipas saj, po e çon vendin drejt zgjedhjeve.

    “Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet aktuale politike në vend. Mungesa e rezultateve në qeverisje, në mungesë të një agjende të qartë zhvillimore dhe bashkëpunuese, fatkeqësisht po e shtyn vendin prapë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.”, thuhet në një njoftim për media të AAK-së.

    Aty thuhet se në mbledhjen e kryesisë është diskutuar edhe për procesin e brendshëm zgjedhor, i cili është në zhvillim e sipër.

    “U vlerësua se ky proces po ecën sipas planifikimit dhe me një përfshirje të gjerë të strukturave të partisë”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit, procesi zgjedhor në nivel dege pritet të përfundojë më 10 maj, ndërsa do të përmbyllet më 24 maj me mbajtjen e Kuvendit të Përgjithshëm Zgjedhor, ku do të zgjidhen kryetari dhe strukturat e reja drejtuese të AAK-së.

  • Bajrami: Kurti s’dëshiron të jetë kryeministër, por të sundojë

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, pas dështimit të bisedimeve për çështjen e presidentit.

    Bajrami ka thënë se Kosova nuk është në krizë vetëm tani për presidentin, por sipas saj, shteti është në krizë që gjashtë vjet për shkak të, siç e ka cilësuar ajo, keqqeverisjes së Albin Kurtit.

    “Albin Kurti nuk dëshiron të jetë Kryeministër, ai dëshiron të jetë UD.Kyeminister, ai dëshiron të sundoj jo të udhëheqë, të jetë i pari i shtetit por jo të marrë përgjegjësi për këtë vend e për qytetarët që jetojnë nga kriza në kirzë. Sot, ai tentoi një tjetër lojë politike: katër ministri dhe një zëvendëskryeministër për LDK-në, por me një kusht që presidenti të mbetet në duart e tij. Kjo nuk është ofertë – është presion.”, ka shkruar Bajrami.

    Ajo ka thënë se një gjë e tillë nuk është zgjidhje, por është një tjetër përpjekje për të imponuar vullnetin e një njeriu mbi atë të qytetarëve.

    “Ajo që ju ofrua sot LDK-së nuk ishte kompromis – ishte shantazh i paketuar si zgjidhje. Ta themi qartë: oferta e Albinit nuk ishtë për të dalë nga nga kriza, por për ta kontrolluar atë.”, ka thënë Bajrami.

    Deputeja Bajrami ka numëruar krizat që sipas saj po përballet vendi, duke kritikuar Kurtin se po merret me skenarë e pazare, si dhe fajtorin.

    “Mos u befasoni, nëse në minutat e fundit të afatit kushtetues të na paraqitet një tjetër ‘zgjidhje’, e ashtuquajtur ‘konsensuale’, sepse modeli është i njëjtë: krijo krizën, pastaj ofro zgjidhjen që të shërben ty. Kjo nuk është qeverisje – kjo është mënyrë për të sunduar, por nuk duhet të jetë befasi sepse Albin Kurti, që nga dita e parë, ka funksionuar përmes mashtrimit, gënjeshtrës dhe manipulimit që nga xhipat e zinj e të bardhë, te flamuri lara-lara, te bashkimi kombëtar që nuk ndodhi kurrë, e deri te premtimet për heqjen e TVSH-së për miell, sheqer e vaj. Qytetarët duhet përfundimisht të kërkojnë llogari për këtë që po ndodhë.”, ka shkruar Bajrami.

  • Nesër seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit

    Kuvendi i Kosovës nesër do të mbajë seancë të jashtëzakonshme plenare. Pikë e vetme e rendit të ditës është çmimi dhe faturimi i energjisë elektrike për konsumatorët.

    Seanca do të nis nga ora 11:00.

    Gjatë ditës, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu, njoftoi se Kuvendi i Kosovës do të mbajë tri seanca këtë javë.

    Haxhiu këtë e bëri të ditur pas mbledhjes së Kryesisë.

    Haxhiu tha se seanca e parë mbahet të enjten me fillim të orës 10:00, ndërkaq dy të tjera të premten, njëra ndër to solemne për Eliot Engel, kongresistin i cili vdiq më 10 prill.

    Megjithatë tashmë seanca e parë do të jetë ajo e jashtëzakonshmja, nesër.

  • Nxënësi bllokohet në derën e autobusit, tërhiqet zvarrë gjatë lëvizjes (VIDEO)

    Një nxënës është bllokuar në derën e autobusit, teksa është tërhequr zvarrë gjatë lëvizjes.

    Ngjarja ka ndodhur në Melbourne të Australisë, derisa kjo është kapur nga kamerat e sigurisë, raporton BBC. 

    Djali 12-vjeçar u zvarrit rreth 350 metra poshtë një rruge periferike në Wheelers Hill, pasi dyert e pasme i bllokuan krahun dhe çantën e shkollës.

    Bëhet e ditur se ai nuk është lënduar, ndërkaq nëna e tij mblodhi pamjet dhe i ndau në mediat sociale duke akuzuar kompaninë e autobusëve për neglizhencë.

    Një zëdhënës i kompanisë tha se shoferi i autobusit u shkarkua nga puna.

    “Ky është një incident shumë shqetësues dhe ne do të vazhdojmë të mbështesim pasagjerin dhe familjen në këtë kohë”, tha ai.

    Pamjet i gjeni brenda linkut:

    Momenti kur nxënësi u bllokua në derën e autobusit.

  • Një i vdekur, të tjerë të lënduar – pasi një autobus u përplas me një supermarket në Salzburg të Austrisë

    Një i vdekur, të tjerë të lënduar – pasi një autobus u përplas me një supermarket në Salzburg të Austrisë

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të hënën në mëngjes në Salzburg të Austrisë.

    Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për një aksident kur një autobus i transportit publik u përplas në hyrje të një supermarketi në lagjen Itzling.

    Sipas mediave, dyshohet se shoferi pësoi një urgjencë mjekësore, duke humbur kontrollin e mjetit.

    – YouTube  www.youtube.com

    Si pasojë e përplasjes, një person ka humbur jetën në mënyrë tragjike.

    Ndërkohë, raportohet se shoferi është dërguar në spital dhe i është nënshtruar një operacioni urgjent.

    Veç këtyre, raportohet se ka edhe të tjerë të lënduar, me disa rëndë dhe të tjerë më lehtë.

    Në vendngjarje kanë ndërhyrë ekipet e shpëtimit, policia dhe zjarrfikësit, të cilët po trajtojnë të lënduarit dhe menaxhojnë situatën.

    Dëme të mëdha materiale janë shkaktuar në fasadën e ndërtesës, ndërsa zona është rrethuar dhe trafiku është bllokuar.

    Operatori Salzburg Linien ka shprehur ngushëllimet për viktimën dhe ka bërë të ditur se shkaqet e aksidentit janë ende nën hetim.

  • Aktgjykimi për rastin “Banjska” shpallet më 24 prill

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka përmbyllur shqyrtimin gjyqësor për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit, duke lënë shpalljen e aktgjykimit më 24 prill në ora 15:00.

    Në seancën përfundimtare, palët kanë paraqitur qëndrimet e tyre rreth akuzave ndaj të dyshuarve, ndërsa prokuroria ka insistuar se provat dëshmojnë përfshirjen në sulmin e 24 shtatorit 2023.

    Rasti “Banjska” konsiderohet një nga proceset më të ndjeshme gjyqësore në vend, për shkak të natyrës së rëndë të akuzave që lidhen me sulmin ndaj Policisë së Kosovës.

  • Ekstradohet nga Gjermania i kërkuari për grabitje, sillet në Kosovë

    Ekstradohet nga Gjermania i kërkuari për grabitje, sillet në Kosovë

    Një shtetas kosovar i kërkuar me letër-rreshtim ndërkombëtar është ekstraduar nga Gjermania në Kosovë, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Sipas autoriteteve, ai ishte arrestuar nga policia gjermane pasi kërkohej nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “grabitje”, ndërsa ishte shmangur nga drejtësia për një periudhë kohore.

    Ekstradimi është realizuar në bashkëpunim mes autoriteteve kosovare dhe gjermane, përmes INTERPOL-it dhe mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar policor.

  • “Kurti po kërkon pushtet absolut, për egon autoritare të tij”, Kabashi i ashpër me kryeministrin

    Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Festim Kabashi, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, se po kërkon pushtet absolut, ndërsa vendin po e dërgon në zgjedhje të reja.

    Sipas tij, qëllimet e Kurtit për t’i kapur të gjitha pushtetet nuk mund të kalojnë me LDK-në, duke iu referuar refuzimit të partisë së tij, ndaj ofertave të Kurtit për çështjen e presidentit.

    Krejt pushtetin ne Qeveri.  Krejt pushtetin ne Kuvend. Krejt pushtetin edhe ne Presidence?

    Kurti po kerkon pushtet absolut, per me e kenaq egon autoritare te tij. Pra po shkojme ne zgjedhje per shkak te tij.

    Kjo kapje nuk kalon. Jo me LDK-ne!”. 

    Ndryshe, sot kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, tha se nuk do të takohet më me Kurtin pas dështimit të bisedimeve.

    “U përpoqa, provova, nuk arrita, fatkeqësisht. Tani do t’i kthehem LDK-së dhe do t’i kthehem misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda LDK-së”, ka thënë Abdixhiku.

    Sipas tij, Kurti ka insistuar që pozita e presidentit t’i mbetej partisë së tij.

  • Tregjet evropiane bien pas sulmit të fundit në Ngushticën e Hormuzit

    Tregjet evropiane të aksioneve u hapën me rënie, ndërsa optimizmi po zbehet se rruga ujore kryesore e Ngushticës së Hormuzit mund të hapet shpejt.

    Lajmi se SHBA-të kishin ndaluar dhe sekuestruar një anije mallrash me flamur iranian, së bashku me deklaratën e Iranit të shtunën se po e mbyllte përsëri ngushticën, kanë rrëzuar shpresat për një zgjidhje të shpejtë të situatës.

    Çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit me 5% në 95.29 dollarë për fuçi, ndërsa tregtarët reaguan ndaj lajmeve të fundit nga Gjiri, duke përmbysur disa nga rëniet e vërejtura të premten kur Irani kishte thënë se Ngushtica e Hormuzit do të ishte “plotësisht e hapur” për anijet tregtare për pjesën e mbetur të armëpushimit, shkruan BBC.

    Indeksi i aksioneve FTSE 100 i Mbretërisë së Bashkuar ra me 0.6%, DAX i Gjermanisë ra me 1.6% dhe indeksi Cac 40 i Francës ra me 1.3% të hënën në mëngjes.

    “Shpresat për një rifillim të afërt të tregtisë, veçanërisht të dërgesave të energjisë, janë zhdukur”, thotë Susannah Streeter, stratege kryesore e investimeve në Wealth Club.