Opinionisti Jusuf Thaçi ka parashikuar se në Podujevë do ketë raund të dytë të zgjedhjeve, përderisa PDK’ja me Naim Fetahun nuk do të jetë pjesë e ballotazhit.
Thaçi, i ftuar në emisionin ‘Pressing’ ka deklaruar edhe se zgjedhjet në Podujevë do jenë tregues i rëndësishëm i zhvillimeve të së ardhmes, shkruan Gazeta Express.
“Të dhëna të forta po tregojnë se vështirë që kandidati i PDK’së do të jetë në lojë për të shkuar në raundin e dytë, pra në balotazh. Para së gjithash, do të jetë një sinjalizues për zhvillimet e të ardhmes”, ka vlerësuar ai.
Ai ka thënë edhe se votat në Podujevë do shenjëzojnë punën e Agim Veliut si kryetar në këtë komunë.
“Podujeva do të tregojë edhe për Agim Veliun, meqë ai ka qenë në krye dhe është protagonist i zhvillimeve në këtë komunë. Besoj që votimi atje do të tregojë se si do të reflektojë elektorati karshi krejt këtyre zhvillimeve në raport me z. Veliu”, ka thënë tutje opinionisti Thaçi.
Ish-presidenti i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, i ka hedhur poshtë akuzat e EULEX-it, ndërsa thotë se hetimi i Bashkimit Evropian ndaj tij ishte veçse një hakmarrje, shkruan Gazeta Express.
Gazeta Express ka publikuar dje letrën që Simmons e ka dërguar në Kuvend të Kosovës. Në këtë letër Simmons tregon për punën që ka bërë në EULEX, emërimin e tij dhe thotë se gjatë mandatit të tij ka qenë i njoftuar për këto shkelje.
Por, sot Simmons tregon qartë arsyet pse EULEX’i u hakmor ndaj tij. Ai pretendon se i gjithë hetimi ndaj tij ishte një mashtrim. Ekipi të cilin e hetonte Simmonsin, sipas tij, përbëhej nga anëtarë ishin të akuzuar pikërisht nga Simmons.
“Bashkimi Evropian filloi një hetim disiplinor kundër meje, pasi kishte marrë ca kopje të email-eve të mia private, të cilat zbuluan se isha një sinjalizues. Mënyra se si këto emaile u morën ishte e paligjshme, kjo ndodhi nga një gjykatës i EULEX’it, që është misioni për sundimin e ligjit i Bashkimit Evropian.
Hetimi disiplinor ndaj meje ishte bërë si hakmarrje për faktin se isha sinjalizues.
EULEX’i i referohet këtij hetimi si i pavarur, drejtuar nga një gjykatës, ku akuzohem për veprime jo të duhura. I gjithë ky hetim ishte një mashtrim. Ekipi i cili bëri hetimin, u emërua nga persona që unë i kisha akuzuar për veprime të gabuara”, ka thënë Simmons.
Tutje, ai ka treguar në detaje se si ka ndodhur ecuria e hetimit ndaj tij. Simmons tha se kërkoi hetim të pavarur nga Mogherini dhe ambasadorët e PCS’së në Bruksel, megjithatë pa sukses.
“Hetimi u drejtua nga persona të cilët përcollën emailet e mia private. Më tej, ekipi i këtij hetimi, raportoi tek njerëzit që unë kisha akuzuar. Padyshim që ky nuk ishte një hetim i pavarur dhe kurrë nuk kishte për qëllim, të ishte i pavarur. Mogherinit si dhe ambasadorëve të PSC akredituar në Bruksel, ku kërkoja një hetim të pavarur. Nga përfaqësuesja e Lartë nuk mora përgjigje. As nga ambasadorët e vendeve të BE’së në Bruksel.
Gjykatës i cili drejtoi këtë hetim, kishte në dispozicion e-mailat e mi privatë, të hakuar.
Ky hetim ishte me të vërtetë i mangët. Personat që unë akuzova për veprime të gabuara, të cilët merrnin email-et e mia private, iu referuan akuzave të mia si akuza të mangëta dhe i drejtuan në bord disiplinor.
Bordi disiplinor u emërua nga vetë personat që unë kisha akuzuar për sjellje të rënda dhe përfshinte persona që ishin nën hierarkinë e personave që unë kisha kauzuar për sjellje të keqe dhe u raportonin atyre. Ky hetim ishte i njëanshëm dhe gjetjet e tyre, ishit të sajuara nga ata që kisha akuzuar.
E theksoj, ky nuk është hetim i pavarur dhe i paanshëm dhe as që ishte menduar të ishte i tillë. Unë isha figurë që duhej ndëshkuar sepse kërkoja sundimin e ligjit në Kosovë”, tha Simmons për Kanal10. Simmons gjithashtu pretendon se të gjitha këto të janë të dokumentuara dhe do t’i ofrojë në ndonjë hetim të pavarur nëse do të ndodhë në të ardhmën.
“Çështjet të cilave po u referohem më sipër, janë të dokumentuara plotësisht, dhe do t’i vendos ato si prova para cdo hetimi të pavarur. Bashkimi Evropian refuzoi të kryejë një hetim të pavarur në lidhje me aksesin e paligjshëm, në email’et e mia private, përkundër kërkesës së vazhdueshme nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
Tribunali i Punësimit në Mbretërinë e Bashkuar hodhi poshtë çështjen kundër të paditurve në Bashkimin Evropian, jo se gjykata nuk kishte ndonjë çështje për tu përgjigjur nga BE, por se zbuloi që nuk pati asnjë juridiksion për të dëgjuar akuzat. Unë e mirëpres faktin që parlamenti i Kosovës tani po shqyrton kërkesën time, për të kryer një hetim mbi sundimin e ligjit në Kosovë dhe mezi pres që të gjitha këto çështje të jenë temë e një diskutimi të hapur publik”, shtoi Simmons.
Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëadministrimit Lokal në Serbi, Marija Obradoviq, gjatë një paraqitje në seancën e sotme të Kuvendit të Serbisë, mes tjerash ka refuzuar edhe propozimin e Kuvendit komunal të Bujanocit, që ministri Gent Cakaj të shpallet “Qytetar Nderi” i Bujanocit.
“26 këshilltarë, nga 41 sa ka Kuvendi i Bujanocit, kanë propozuar që Gent Cakaj të shpallet qytetar nderi i Bujanocit. Po, ata e kanë dërguar propozimin më 20 nëntor, dhe në mënyrë legale kanë vepruar, ku unë si ministre është dashur të nënshkruaj propozimin. Por, unë sot kam nënshkruar vendimin me të cilin refuzohet, propozimi i Kuvendit komunal të Bujanocit, që ministri shqiptar, Gent Cakaj të shpallet qytetar nderi i Bujanocit” – deklaroi ministrja Obradoviq.
Ajo si arsyetim për refuzimin e propozimit të Bujanocit, ka deklaruar se ministri shqiptar Gent Cakaj vazhdimisht ka akuzuar Serbinë për krime të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës, shkruan Gazeta Express. “Ministri Gent Cakaj, ka deklaruar se gjatë luftës në Kosovë, se Serbia është përgjegjëse për vrasjen e mijëra shqiptarëve, për depërtimin e miliona shqiptarëve dhe djegien e mijëra shtëpive që në esencë në vlerë prej miliona dollarëve”, ka deklaruar ministrja Obradoviq.
Ajo më pas, ka pyetur se a duhet të nënshkruajë një dokument për një ministër shqiptar që akuzon Serbinë, derisa është e vetëdijshme që ministri Cakaj, i ka ndihmuar shqiptarët për krijimin e koalicionit për zgjedhje Parlamentare.
Kuvendi Komunal i Bujanocit, në seancën e saj të fundit të mbajtur para dy javëve, me shumicë votash ka propozuar që ministri i Punëve të Jashtme të Shqipirisë, Gent Cakaj të shpallet qytetar nderi i Komunës së Bujanocit.
ShpërndajeDhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ka hedhur poshtë amandametet e propozuara nga ish-presidenti Hashim Thaçi për zgjatjen e mandatit të ashtuquajturës Gjykatë Speciale. Sipas një njoftimi, bëhet e ditur se Dhomat e Specializuara do ta vazhdojnë mandatin e tyre.
“Dhoma Kushtetuese vendosi se amendamentet kushtetuese të propozuara pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara prej Kapitullit II të Kushtetutës”, thuhet në njoftimin për akgjukim nga Dhoma Kushtetuese.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi zyrtarisht më 25 gusht i ishte drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë. Thaçi në propozimin e tij dërguar Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.
Edhe pse vazhdimisht hidhet në pikëpyetje nëse Gjykata Speciale ka mandat për të funksionuar, në njoftim thuhet se “mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuara ka vazhduar dhe do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre”.
Njoftimi i plotë
AKTGJYKIM MBI REFERIMIN E AMENDAMENTEVE TË PROPOZUARA TË KUSHTETUTËS SË KOSOVËS
Më 26 Nëntor 2020, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese (‘Dhoma Kushtetuese’) nxori aktgjykimin e saj mbi referimin e amendamenteve të propozuara të nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës
(‘Kushtetuta’), për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Dhoma Kushtetuese vendosi se amendamentet kushtetuese të propozuara pakësojnë të drejtat dhe liritë e garantuara prej Kapitullit II të Kushtetutës.
Amendamentet kushtetuese u propozuan më 24 gusht 2020 nga Presidenti i atëhershëm i Kosovës dhe në vijim Kryetarja e Kuvendit të Kosovës ia përcolli ato Dhomës për vlerësim paraprak, në përputhje me nenin 144(3) të Kushtetutës. Në aktgjykimin e saj Dhoma Kushtetuese vlerësoi amendamentet kushtetuese të propozuara duke u kushtuar vëmendjen e duhur kontekstit dhe veçorive specifike të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Dhoma Kushtetuese gjithashtu konfirmoi se në pajtim me nenin 162(3) të Kushtetutës, kjo Dhomë ka juridiksion ekskluziv për kryerjen e këtij vlerësimi, duke qenë se amendamentet e propozuara kanë lidhje me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Po kështu, Dhoma Kushtetuese theksoi se në pajtim me nenin 162(13) dhe (14) të Kushtetutës, mandati i Dhomave të Specializuara dhe i Zyrës së Prokurorit të Specializuara ka vazhduar dhe do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e mandatit të tyre.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Mitrovicën e Veriut, flet kërkesën e Vuçiqit për të hyrë në Kosovë
Albin Kurti, këtë të enjte u pa në veri të Kosovës. Ai deri sa mori pjesë në fushatën zgjedhore që po zhvillohet në Mitrovicën Veriore foli edhe për kërkesën e Aleksandër Vuçiqit, për të vizituar Kosovën.
Kurti thotë se ky ishte një provokim nga ana e presidentit serb.
“Natyrisht që ardhjet e zyrtarëve të Serbisë në Kosovë në kontekstin aktual kur atje nuk ka kurrfarë ballafaqimi me të kaluarën dhe në të njëjtën kohë vazhdojnë aspiratat dhe pretendimet e tyre ndaj shtetit tonë, nuk mund të jenë të mirëseardhura”, ka thënë Kurti për T7.
Por, pavarësisht kësaj lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të vazhdoj.
Veçse sipas Kurtit, ky dialog duhet të zhvillohet në një formë tjetër.
“Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një dialog të ri me parime dhe i përgatitur mirë, i cili edhe e braktis qasjen transaksionale të shkëmbimeve të çdollojshme por në të njëjtën kohë edhe e fiton karakterin transformues, duke bërë demokratizimin dhe evropianizimin e dialogut si të tillë”.
Ish-kryeministri që tani është në opozitë, thotë se ky dialog duhet të vazhdojë tek pas zgjedhjeve të reja.
“Ne kemi nevojë për zgjedhje të reja parlamentare nga të cilat del qeveria e re dhe presidentja apo presidenti i ri, por mos të harrojmë që Kosova aktualisht ka president është ushtruesja e detyrës znj Vjosa Osmani pra karrige e presidentit nuk është e zbrazët”, ka thënë Kurti.
E sipas Kurtit një Qeveri legjitime e kredibile do të do bëhet atëherë kur Vetëvendosja të vijë në pushtet.
Deputeti shqiptar në Kuvendin e Shqipërisë, Shaip Kamberi, e ka marrë me vete flamurin e Shqipërisë, duke e vendosur pranë atij të Serbisë gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Serbisë.
Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq ka reaguar shpejt ndaj këtij veprimi të deputetit shqiptar, duke i kërkuar atij që ta hiqte flamurin kuq e zi, transmeton Gazeta Express.
“Nëse nuk ka kaq shumë tonifikim”, tha Kamberi dhe u ndërpre menjëherë nga Daçiqi.
“Ne nuk kemi, nuk kemi tolerancë për shkeljen e rregullave të procedurës, unë ju kërkoj të hiqni flamurin”, tha Daçiq.
“Ju lutem me mirësi që të respektoni rregullat e procedurës së Asamblesë Kombëtare dhe vendimin për rendin e brendshëm në Asamblenë Kombëtare, i cili thotë qartë se është e ndaluar të shfaqen simbolet e një partie dhe një shteti të huaj përveç në mjediset e caktuara për palët”, tha Daçiq.
Kamberi më pas e hoqi flamurin.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq tha se fakti që Kamberi diskuton mbi flamurin e Shqipërisë në vend të problemeve të brendshme, flet vetë.
“Unë me të vërtetë do të doja të flisja për gjëra më specifike. Nëse mendoni se keni të drejtën e flamurit tuaj, duhet të flasim për flamurin e një vendi tjetër, kjo do t’ju flasë aq shumë sa mendoni se ka probleme reale për banorët shqiptarë në Preshevë dhe Bujanovc”, tha Bërnabiq.
Kamberi pastaj tha se për të nuk ka çështje më të rëndësishme sesa identiteti.
“A ka ndonjë çështje më të rëndësishme se identiteti?Nne mund të kemi para dhe punësim, por nëse nuk kemi identitet, gjuhë dhe shkrim… Ky është një flamur që shqiptarët e përdorin që nga viti 1443 dhe është më shumë një flamur kombëtar sesa një flamur shtetëror”, tha Kamberi.
Një hetim i gjatë i ATK-së e ka ngarkuar me mbi shtatë milionë euro borxhe tatimore NewCo Ferronikelin, kompaninë në pronësi të Saimir Manes.
Por një proces i dyshimtë, pjesë e të cilit ishte hetuesi që kishte zbuluar skemën e mashtrimit financiar, ia ka fshirë ato.
Buxheti i Kosovës do të ishte për shtatë milionë euro më i pasur, nëse Administrata Tatimore e Kosovës nuk do t’ia fshinte mbi 7 milionë euro borxhe oligarkut, Saimir Mane.null
Gazeta Insajderi, ka zbuluar një skandal të madh në ATK, që lidhet me fshirjen e borxheve të kompanisë së miliarderit nga Shqipëria. Bëhet fjalë për një borxh tatimor rreth shtatë milionë euro, që i është hequr kompanisë NewCo Ferronikeli Complex L.L.C.
Në shkurt të vitit 2020, ATK-ja ia ka fshirë gjigantit metalurgjik obligimet shtesë tatimore me të cilat ishte ngarkuar në verën e vitit 2018, bazuar në dy raporte hetuese të nxjerra nga Drejtoria e Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës (DHTI).
Vendimit për ngarkimin e kompanisë me mbi shtatë milionë euro borxhe tatimore, i ka paraprirë një hetim nën dyshimin për shmangie tatimore dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike. Hetimet ishin autorizuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Insajderi, ka siguruar dosjen e plotë të rastit, e cila përfshin dy raportet hetimore, vendimin e Departamentit të Ankesave dhe dëshmi të tjera të cilat hedhin hije dyshimi mbi shlyerjen e borxhit të NwëCo Ferronikeli.
Asokohe, pronare e vetme e NewCo Ferronikeli Complex L.L.C figuronte Cunico Resources NV, një firmë private me seli në Amsterdam të Holandës. Një muaj para se ATK-ja ta ngarkonte NewCo Ferronikelin me borxhin milionësh, në korrikun e vitit 2018, Cunico Resources NV ia kishte shitur aksionet e Ferronikelit, firmës NKL Limited, me bazë në Londër të Mbretërisë së Bashkuar.
Kompania është pronë e Grupit Balfin të Saimir Manes.
Afarizmi i pronarit të mëhershëm të NewCo Ferronikelit kishte zhytur ndërmarrjen në mbi 8 milionë euro borxhe tatimore. Mane, kishte marrë përsipër edhe shlyerjen e borxheve që Ferronikeli kishte ndaj palëve të treta.
Megjithatë, në vend të shlyerjes së këtij borxhi ndaj shtetit të Kosovës, kompania tashmë në pronësi të oligarkut Mane, kishte përzgjedhur një rrugë tjetër. Kishte vendosur të mos e njihte këtë borxh. Si rrjedhojë, ATK-ja ia kishte fshirë borxhin 7 milionësh.
Drejtoria e Hetimeve Tatimore nisi hetimet më 31 janar të vitit 2018, ndaj NewCo Ferronikelit nën dyshimin për evazion tatimor. Këtë e dëshmojnë dokumentet që ka siguruar gazeta.
Objekt kontrolli ishte periudha gjashtë vjeçare nga 2010 deri më 2016. Raportet hetimore të Njësisë së Hetimeve Tatimore (DHTI) kanë trajtuar tri çështje: shpenzimet me përmbajtje të pavërteta, ngarkesën me 800 mijë euro TVSh dhe bartjen e humbjeve tatimore.
Përfundimi i hetimeve kishte rezultuar me ngarkimin e firmës NewCo Ferronikeli Complex me 7,4 milionë euro detyrime tatimore.
Pasqyra financiare e NewCo Ferronikeli Complex pas përfundimit të hetimit Por, kompania e udhëhequr nga oligarku Mane, kishte dalë “pastër” nga ky proces. Më 1 shkurt të vitit 2019, Departamenti i Ankesave në ATK, kishte rikthyer çështjen në rivendosje.
Një vit më vonë, një procedurë e dyshimtë ri-kontrolli hetimor i ka vërtetuar ankesat e NewCo Ferronikelit. Ia ka hequr borxhet tatimore kompanisë, ndërkaq, siç ka mësuar Gazeta Insajderi, Prokuroria ka pezulluar hetimet ndaj katër ish-pronarëve të NewCo Ferronikelit.
Borxhet ishin fshirë pas një procesi të dyshimtë, në cilësi të shkallës së dytë, pjesë e të cilit ishte hetuesi i ATK-së, Bekim Halili, i njëjti zyrtar që kishte zbuluar skemën e evazionit tatimor të kompanisë.
Ai dyshohet se është vënë nën presion nga menaxhmenti i lartë i ATK-së që përmes një procedure tjetër t’i hidhte poshtë dëshmitë që kishte prezantuar në hetimin e parë.
Asokohe, funksionin e drejtorit të ATK-së e ka ushtruar Ilir Murtezaj, i cili është shkarkuar nga pozita më 16 tetor të këtij viti me vendim të kryeministrit Avdullah Hoti. Në vendimin e qeverisë, thuhej se Murtezaj u shkarkua shkaku i performancës së dobët.
Tri çështjet e ngritura nga hetuesit
NewCo Ferronikeli dyshohej për shmangie tatimore dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike në tri raste, sipas raportit të hetuesve tatimorë të nxjerrë më 2018.
Çështjet e trajtuara nga Njësia Hetimore e ATK-së ishin: bartja e humbjeve tatimore në vlerë prej 43 milionë euro nga periudha 2006-2009, shpenzimet me përmbajtje të rreme dhe shmangia nga TVSH-ja për 800 mijë euro. Për këto çështje, NewCo Ferronikeli ishte ngarkuar me borxhe shtesë tatimore në vlerë prej 7,468,681.00 euro.
Si pasojë e mosnjohjes së shpenzimeve me përmbajtje të pavërtetë, DHTI-ja e ngarkoi NewCo Ferronikelin me 5,3 milionë euro obligime shtesë tatimore. Me 1,1 milion euro të tjera shmangie nga tatimi, kompania u ngarkua për bartjen e jashtëligjshme të humbjeve tatimore.
Ndërkaq, si rezultat i mosdeklarimit të shumës prej gati 5 milionë eurove të pranuar mes viteve 2012 dhe 2013 në formë të rimbursimit nga një kompani e sigurimeve, raporti hetues e ngarkoi Ferronikelin me shmangie nga TVSH-ja në vlerë 1 milion euro, përfshirë ndëshkimin dhe interesin.
NewCo Ferronikeli nuk i ka dhënë Insajderit sqarime në lidhje me procedurën e dytë hetimore dhe shlyerjen e borxhit, duke mos kthyer përgjigje në pyetjet e gazetës.
Megjithatë gjatë procedurës ankimore, dokumentet e së cilës i ka siguruar Insajderi, zyrtarët e ndërmarrjes i kishin cilësuar “krejtësisht të pabazuara dhe në kundërshtim me vet vendimet e ATK-së” të gjitha çështjet e trajtuara nga inspektorët e DHTI-së.
Shpenzimet e “komisionit të shitjeve”
Hetuesit e ATK-së e ngarkuan firmën NewCo Ferronikelin me afër 3 milionë euro evazion tatimor për pagesa të pa dokumentuara.
Në vitin 2012, raporti i kontrollit të DHTI-së konstatoi se firma i ishte shmangur tatimit mbi të ardhurat e korporatave me 2,1 milionë euro.
Në vitin 2013, me 246 mijë euro. Ndërkaq, më 2014, me 530 mijë euro.
Borxhi i ishte ngarkuar pasi që nuk kishte dokumentuar shpenzimet që kishte realizuar për këto tri vite për Cunico Marketing FZE, në emër të ofrimit të shërbimit për shitjen e nikelit tek blerësit e fundit. Kjo kompani e ka bazën në Dubai të EBA-së, një zonë e lirë nga taksat. Aksionet e saj, sikurse ato të Ferronikelit, i mbizotëronte Cunico Resources NV.
Për shërbimet e shitjes, NewCo Ferronikeli i paguante Cunico Marketing FZE 6% të fitimit nga shitjet dhe këto shpenzime i llogariste si të zbritshme.
Por, hetuesit tatimorë i vlerësuan si “të rrejshme” shpenzimet nga 6 %-shi i shitjeve që kompania paguante për Cunico Marketing FZE, si pasojë e mos ofrimit të asnjë prove mbi transaksionet ekonomike me blerësit e fundit të produktit.
“Me procedurë hetimore, mos ofrimi i këtyre informatave është konsideruar se të gjitha marrëveshjet dhe kontratat e lidhura mes tyre do të trajtohen si të pavërteta, të cilat janë përpiluar për qëllime manipuluese të prezantimit të pozitës së pavërtetë financiare të NewCo Ferronikeli Complex L.L.C”, konstaton raporti hetues i DHTI-së.
Bazuar raportit, Cunico Marketing FZE ishte shfrytëzuar nga Ferronikeli për të realizuar shitjen direkte të mallrave të NewCo Ferronikelit, “edhe pse mallrat kanë blerësin tjetër”.
Për vitin fiskal 2013, hetuesit tatimorë ngarkuan ndërmarrjen me 246 mijë euro obligime shtesë tatimore, për një borxh prej mbi 15 milionë euro që ishte paguar nga ndërmarrja për kompaninë Feni Industries në Maqeoninë Veriore.
Ish-pronarët e Ferronikelit nuk ofruan prova për të vërtetuar lëvizjen e shumës 15 milionëshe nga njëra kompani në tjetrën. Kësisoj, ato u konsideruan si të rrejshme.
“Personave përgjegjës të NewCo Ferronikeli Complex L.L.C, gjatë takimeve të mbajtura me ta, ia kemi tërhequr vërejtjen se mos ofrimi i dëshmive bindëse për këto lëvizje në bilancin e gjendjes vetëm me letër të marrëveshjes, do të konsiderohet si e pavërtetë dhe e gjithë shuma do të trajtohet i qarkullim shtesë për tatimin në të ardhurat e korporatave”, thekson raporti hetues.
Për një rast të ngjashëm, ish-pronari i NewCo Ferronikelit dhe Feni Industries, Yusuf Mirakhmedov, ndodhet në kërkim nga autoritetet maqedonase që nga viti 2017. Insajderi kishte zbuluar se si në vitin 2016, Mirakhmedov ia kishte shlyer një borxh prej 51 milionë dollarësh kompanisë Cunico Marketing FZE.
Në vitin 2014, Njësia Hetimore e ATK-së do t’ia shtonte NewCo Ferronikelit edhe 530 mijë euro obligime tatimore si pasojë e mosnjohjes së shpenzimeve për pagesat prej 6 % të vlerës së shitjes së mallrave ndaj Cunico Mrketing FZE.
Në dy vitet e ardhshme 2015 dhe 2016, ndërmarrja do të operonte me humbje tatimore. Për mosnjohjen e komisionit të shitjeve, do t’i zvogëlohej humbja por nuk do të ngarkohej me shmangie tatimi.
Për mosnjohjen e shpenzimeve të shitjes, kompania që tashmë udhëhiqet nga Saimir Mane, është përplasur me hetuesit tatimorë në seancën dëgjimore pranë Departamentit të Ankesave.
Sipas NewCo Ferronikelit, pretendimet e hetuesve tatimorë për shpenzimet e shitjeve janë të pabazuara dhe në kundërshtim me një vendim të Departamentit të Ankesave më 2014, të nxjerrë për të njëjtën çështje.
Raporti hetues: NewCo Ferronikeli, mbi 1 milion euro shmangie nga TVSH-ja
Çështja e tretë, e cila e ngarkonte me borxh tatimor NewCo Ferronikelin, ndërlidhet me shmangien e Ferronikelit nga 800 mijë euro TVSH.
Sipas vlerësimeve të raportit final hetues, NewCo Ferronikeli nuk kishte paguar TVSH-në për shtatë milionë dollarë që i kishte pranuar si kompensim dëmi për një avari të ndodhur në njërën prej furrave të fabrikës.
Me ekzekutimin e interesit dhe ndëshkimit, vlera e obligimeve shtesë të NewCo Ferronikelit për qëllime të TVSH-së shkon në 1 milion e 51 mijë euro.
Për këtë çështje, ATK-ja kishte nxjerrë dy opinione kundërthënëse. Njërën më 2018, ndërkaq tjetrën më 2019.
Opinioni i parë vlerësonte se Ferronikeli duhej ngarkuar me 800 mijë euro obligime tatimore dhe opinioni i dytë interpretonte se buxheti i shtetit nuk ishte dëmtuar për 800 mijë euro. Të dy këto opinione ishin nxjerrë nga një zyrtar i Zyrës Ligjore.
Intepretimi ligjor i nxjerrë më 24 gusht të vitit 2018, duke u mbështetur në Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, specifikon qartë se “shuma e rimbursuar në emër të kompensimit të dëmeve për qëllime të TVSH-së, duhet të raportohet si vlerë e rikuperueshme, atëherë për vlerën e përfituar në këtë rast është dashur të llogaritet TVSH-ja”.
Në këtë opinion ligjor të ATK-së janë mbështetur hetuesit e Drejtorisë së Njësisë së Hetimeve Tatimore në procedurën e kontrollit që ngarkojnë me shmangie nga tatimi firmën NewCo Ferronikeli.
“Sipas raportit hetues final, subjekti NewCo Ferronikeli Complex L.L.C gjatë vitit 2012 ka një detyrim tatimor në shumë prej 119 mijë euro. Për vitin 2013, po ashtu ka detyrim tatimor për TVSH në shumë prej 667 mijë euro “, thekson raporti.
Por, ngarkimi i NewCo Ferronikelit me tatim për TVSH është hedhur poshtë në procedurën e ri-kontrollit. Kompanisë i është hequr ky borxh tatimor në fillim të shkurtit 2020, ka mësuar Insajderi nga burime brenda ATK-së.
Në kuadër të procedurës së ri-kontrollit, inspektori ka kërkuar për të njëjtën çështje një interpretim nga këshilltari për TVSH. Megjithatë, ky interpretim i nxjerrë në dhjetor të vitit 2019 nuk është konkret sikurse i kaluari.
Aty thuhet se është përgjegjësi e Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj për ta vlerësuar vet çështjen.
“Është përgjegjësi e Drejtorisë përkatëse të juaj – DTM, që të kryejë të gjitha analizat dokumentare për çështjet tatimore për marrjen e vendimit të drejtë të rastit konkret, duke marrë për bazë kontrata, deklarimet tatimore, pagesat, lëshimin e faturave tatimore dhe çdo element relevant që mund të hasni në dokumentacionin e tatimpaguesit konkret”, thuhet në opinionin e lëshuar më 17 dhjetor 2019 nga ATK-ja.
Humbjet e bartura tatimore dhe dyshimet për falsifikim të aksioneve
Një “gabim teknik” në ARBK dhe një vendim i dyshimtë i ATK-së, i mundësoi NewCo Ferronikelit të mos i deklaronte 11 milionë euro të hyra të tatueshme më 2010.
Këto të hyra i kishte kompensuar me humbje tatimore të bartura jashtëligjshëm në javën e parë të prillit 2010, sipas Raportit Final Hetues – Shtesë. Mashtrimi financiar i kishte shkaktuar shtetit dëm prej 1,1 milion euro, sipas raportit.
Gjetjet e hetuesve në Raportin Final Hetues – Shtesë Humbjet tatimore arrihen në rast kur shpenzimet tatimore janë më të mëdha sesa të ardhurat. Në këto raste, biznesi nuk obligohet të paguajë tatim mbi të ardhurat e korporatave.
Sipas raportit, humbjet tatimore në vlerë prej afër 43 milionë euro të realizuara gjatë viteve 2006-2009, NewCo Ferronikeli i kishte bartur në mënyrë të jashtëligjshme më 2010.
Bartja e humbjeve ishte bërë në kundërshtim me Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave – i cili ishte në fuqi deri më 2015, kanë gjetur hetuesit tatimorë.
Neni 23 i këtij ligji i pamundësonte tatimpaguesit bartjen e humbjeve në rast se ndryshon pronësia më shumë se 50 për qind.
Në rastin e Ferronikelit, raporti konstaton se është ndërruar pronësia e plotë e ndërmarrjes – pra, në 100 për qind. Për të mbështetur konstatimin e hetuesve, ekzistojnë dëshmi në ARBK, të cilat i ka siguruar Insajderi.
Historiku i biznesit në ARBK, të cilin e kanë nxjerrë në gusht të 2018-s hetuesit tatimorë, dëshmon se më 1 prill të vitit 2010, NewCo Ferronikelit i ishte ndërruar pronësia në masë prej 100 për qind të aksioneve. Nga Ferronikeli B.V, pronësia e plotë e aksioneve i kishte kaluar Cunico Resources N.V.
“Biznesi NewCo Ferronikeli Complex L.L.C me numër të biznesit 70268073 ka aplikuar për ndërrim të pronarit më datë 01.04.2010 dhe numri i aplikacionit është 03T00002697, mirëpo sipas historiatit shihet se për shkaqe teknike ka mbetur edhe pronari i mëparshëm aktiv. Nga data 01.04.2010, sipas aplikacionit në fjalë, bëhet ndërrimi i pronarit dhe pas kësaj date pronar i vetëm është Cunico Resources N.V”, thuhet në historiatin e biznesit në ARBK.
Konfirmimi i ARBK-së për ndërrimin e pronësisë së biznesit Bazuar në këto gjetje, hetuesit tatimorë bënë kërkesë për rregullimin e llogarisë tatimore të NewCo Ferronikelit. Për të eliminuar humbjet e bartura të NewCo Ferronikelit pas vitit 2010 në shumë prej rreth 43 milionë euro.
Ndërkaq, zyrtarët e NewCo Ferronikelit kanë kundërshtuar dëshmitë e hetuesve. Janë mbështetur në një vendim të nxjerrë nga Divizioni për Edukimin e Tatimpaguesve në dhjetor të vitit 2010.
Ky vendim është nxjerrë pas kërkesës së NewCo Ferronikelit për të vërtetuar pretendimet se firma ka kaluar në një proces të riorganizimit apo shkrirjes së bizneseve. Vendimi është marrë duke u bazuar në dokumentacionin e ofruar nga tatimpaguesi, pa verifikuar aplikacionin në ARBK.
“Bazuar në dokumentacionin që na keni dërguar, si dhe në sqarimet e juaja, ATK-ja procesin e shkrirjes nga Ferronikeli BV, në Resources Holdings BV, pastaj në Cunico Resources UA, dhe në fund në Cuncio Resources NV, e konsideron si proces të riorganizimit”, thuhet në këtë vendim të Divizionit për Edukimin e Tatimpaguesve, të datës 17 dhjetor 2010.
Insajderi, ka mësuar nga burime të mirë informuara brenda ATK-së, se në procedurën e ri-kontrollit, inspektorët tatimorë ia kanë fshirë kompanisë borxhin me të cilin ngarkohej për bartjen e humbjeve duke u bazuar në këtë vendim. Nuk janë marrë parasysh të dhënat e ARBK-së.
Mane, oligarku që qëndron prapa Ferronikelit
Kompania NKL Limited është kompani e krijuar rishtazh. Sipas disa dokumenteve zyrtare të cilat i posedon Gazeta Insajderi, NKL Limited është themeluar më 10 mars të vitit 2018 me bazë në kryeqytetin britanik, Londër.
Drejtorë të Nkl Limited, sipas dokumenteve që kishte publikuar Insajderi dy vjet më parë, kishin qenë: Saimir Mane, Joyce Angelina Young dhe Jacques Claude Michel Nassieu Maupas. Dy personat e fundit paraprakisht ishin edhe funksionarë të “Cunico Resources”.
Por, bazuar në agjencinë e qeverisë së Britanisë së Madhe për regjistrimin e bizneseve, “Companies House”, drejtorë aktualë të Nkl Limited figurojnë: Saimir Mane, Steven Grunerud dhe Rasin Yuoval.
Drejtor i Nkl Limited, sipas regjistrit në Shtëpinë e Bizneseve të qeverisë britanike, figuron Youval. Mane dhe Grunerud figurojnë si pronarë po ashtu, si përfaqësues të Balfin Group.
Balfin, është grup investues në pronësi të Saimir Manes, njërit nga biznesmenët më të fuqishëm në Shqipëri dhe pronar i një rrjeti biznesesh edhe në Austri, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi, Itali, Dubai, ShBA dhe Greqi.
Grupi i kompanive Balfin ushtron aktivitet në fushat e minierave, tregtisë me pakicë, bankave dhe ndërtimit.
Manjati i akuzuar për ryshfet, dyshohet se zotëronte aksione në Cunico
Për më shumë se dhjetë vjet Cunico Resources NV zotëroi aksionet e Ferronikelit, por asnjëherë nuk janë shfaqur në regjistrat zyrtar biznesmenët që drejtonin këtë kompani të regjistruar në Holandë.
Mirëpo, sipas një shkrimi të publikuar më 1 korrik 2007 në Financial Times, aksione në kompaninë Cunico zotëronte manjati izraelit, Benny Steinmetz.
Financial Times shkruante se Steinmetz zotëronte aksionet e Cunico-s bashkërisht me tre tregtarët kazakë: Patokh Chodiev, Alidjan Ibragimov dhe Alexandre Machkevitch.
Bazuar në raportimin e prestigjiozes britanike, Cunico kishte në pronësi një minierë bakri në Zambi, shtetin jugor afrikan, si dhe “asete të privatizuara të nikelit në territoret ballkanike të Kosovës dhe Malit të Zi”.
Emri i miliarderit Steinmetz ishte ndërlidhur me Kosovën edhe në një artikull tjetër të Financial Times, të publikuar pesë vite më vonë.
Në një shkrim të FT më 19 shkurt 2012, Steinmetz përshkruhej si “tregtar me një sy të mprehtë për fronte të egra” në botën e biznesit dhe investimeve.
Shkrimi i gazetarit William MacNamara nis me Kosovën, Guinean dhe Mianmarin, tri shtete në të cilat, thuhet në fillim të shkrimit, “Steinmetz mund të bëjë biznes”.
Mirëpo, emri i Steinmetz nuk ka figuruar kurrë as në dokumentet e agjencive shtetërore në Kosovë, si pronar i kompanisë që menaxhoi për vite me radhë Ferronikelin.
Sipas një shkrimi të Miningsee.eu, platformës ballkanike që raporton për fushën e minierave, kompania Cunico Resources ishte e regjistruar në det të hapur, në Guernsej, një etnitet që ndodhet në një rajon të quajtur Ishujt e Kanalit.
Steinmetz akuzohet nga prokurorët zviceranë se i ka dhënë ryshfet zyrtarëve të Qeverisë së Guinesë për të përfituar në këmbim licenca minierash në shtetin e Afrikës Perëndimore.
Steinmetz dhe dy bashkëpunëtorë dyshohet t’i kenë paguar 10 milionë dollarë njërës prej grave të Lansana Conté, ish-presidentit të Guinesë, në mënyrë që të sigurojnë të drejtën për operim në një nga rezervat më të mëdha të papërdorura të hekurit në botë.
Paratë, dyshojnë prokurorët zviceranë, pjesërisht janë paguar përmes llogarive bankare të Zvicrës. Steinmetz i ka mohuar këto akuza të prokurorëve zviceranë, raportonte Financial Times vitin e kaluar.
Ndërkaq, sipas revistes amerikane Forbes, Steinmetz është njëri nga tre mijë njerëzit më të pasur në botë, me një pasuri neto prej 1.2 miliardë dollarësh amerikanë.
Manjati izraelit vazhdon të jetë një nga biznesmenët më të përfolur për veprimtarinë e grupit të tij investues në minierat e Afrikës. /Insajderi/
Gazeta e famshme amerikane, “The Washington Post”, ka shkruar për deklaratën e Ministres së Jashtme të Kosovës, e cila të mërkurën tha se presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq nuk do të lejohet ta vizitojë vendin derisa të kërkojë falje për gjenocid kundër popullsisë së Kosovës.
Meliza Haradinaj-Stublla gjithashtu shkroi në Twitter se nuk do të jepet asnjë leje për zyrtarët serbë derisa serbët të mbahen përgjegjës për gjenocid në një gjykatë ndërkombëtare.
“E përsëris edhe një herë përgjigjen e vetme dhe të përhershme ndaj të gjitha kërkesave të ardhshme nga Vuçiqi dhe të tjerët: nuk ka leje për ju që ta vizitoni Kosovën, nëse nuk kërkoni falje për gjenocidin e kryer ndaj popullit tonë dhe derisa personat përgjegjës për këtë gjenocid të mbahen përgjegjës”, shkroi ajo.
Vuçiqi dhe zyrtarët tjerë serbë duhet të kërkojnë leje të Kosovës para se t’i vizitojnë zonat e pakicës etnike serbe në ish provincën serbe, shkruan“The Washington Post”.
Lufta e Kosovës e viteve 1998 dhe 1999, e cila përfundoi pas fushatës 78-ditëshe të bombardimeve të NATO-s, la mbi dhjetë mijë të vdekur, shumica shqiptarë, shkruan kjo gazetë.
Haradinaj-Stublla reagoi pas pranisë së Vuçiqit në inaugurimin e një spitali në Beograd, ku është gjetur një varrezë masive e 744 shqiptarëve të vrarë më 1999.
Disa varreza masive me trupat e shqiptarëve të Kosovës të vrarë nga trupat serbe gjatë luftës së viteve 1998-99 janë gjetur në pjesë të ndryshme të Serbisë. Zhvendosja e viktimave nga Kosova në Serbi ishte pjesë e një operacioni të fshehjes nga autoritetet serbe në atë kohë në përpjekje për t’i fshehur dëshmitë e krimeve të luftës.
Javën e kaluar, misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë tha se mbetje njerëzore që duket të jenë varrezë masive e shqiptarëve nga Kosova është gjetur në një minierë të papërdorur thëngjilli në Kizevak, që shtrihet në pjesën jugore të Serbisë.
Vuçiqi tha të martën se Haradinaj-Stublla ka kërkuar që të jetë e pranishme në punimet në Kizevak me qëllim që të krijojë një “show” politik.
Ndonëse disa nga zyrtarët e saj më të lartë ushtarakë janë dënuar nga një gjykatë e Kombeve të Bashkuara për krime lufte gjatë luftës së viteve 1998-99, Serbia kurrë nuk e ka pranuar kryerjen e krimeve në ish-provincën e saj.
Ndërkohë një gjykatë ndërkombëtare me bazë në Hagë të Holandës ka ngritur aktakuza dhe i ka arrestuar nën dyshimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ish-presidentin e Kosovës dhe katër ish-komandantë të tjerë të lartë të guerilëve shqiptarë, të cilët kanë luftuar për pavarësi nga Serbia. Javën e kaluar, Vuçiqi kërkoi leje për ta vizituar Kosovën, por një gjë e tillë iu mohua nga Prishtina.
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbesin të tensionuara, pavarësisht bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e lidhjeve të tyre dhe përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara. Kosova e shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008, por Serbia nuk e ka njohur atë.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka marrë edhe një vendim të ri.
Osmani ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha konkurseve aktive për rekrutim në kuadër të Zyrës së Presidentit.
Në këtë vendim mes tjerash thuhet se “ndalohet shpallja e konkurseve të reja në kuadër të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës deri në një vendim të ri”