Category: AKTUALE

  • Deri në kaq minuta pritjet për dalje nga Kosova

    Deri në 40 minuta janë pritjet për të dalë nga Kosova në pikën kufitare të Dheu i Bardhë. Këtë e bëri të ditur përditësimi i fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, në ora 17:32.

    Pritje ka edhe në pikën kufitare të Merdarës, ku koha e pritjes varion nga 30 deri në 40 minuta.

    Në pikat e tjera kufitare, situata është më e qetë, me pritje maksimale deri në 5 minuta për daljen nga Kosova.

  • Shpërthen një gyp uji te Lagjja e Spitalit në Prishtinë, ankohen qytetarët (VIDEO)

    Një gyp uji ka shpërthyer te Lagjja e Spitalit në Prishtinë.

    Kështu kanë bërë të ditur banorë të kësaj lagje për Klankosova.tv, të cilët edhe kanë dërguar pamje.

    Ata janë ankuar se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” nuk ka ndërmarrë asgjë në lidhje me këtë problem, ani pse sipas tyre, ankesë kanë paraqitur.

    Lexuesit të thënë se nga KRU “Prishtina” kanë marrë premtime për raportimin e problemit, por sipas tyre, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

     

  • Dy të lënduar në aksident mes dy automjeteve në Gllarevë të Klinës

    Dy persona kanë pësuar lëndime si pasojë e një aksidenti mes dy automjeteve në Gllarevë të Klinës.

    Rastin  e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

    Gashi tha se aksidenti ndodhi mes një kombi-busi me rimorkio dhe një veture.

  • Prania e NjSO-së në punimet e urës së re mbi lumin Ibër, deklarohen nga Policia

    Njësia Speciale Operative (NJSO) e Policisë së Kosovës po monitoron nga afër punishten ku po ndërtohen dy ura të reja mbi lumin Ibër.

    Zëvendësdrejtori i Policisë në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani, në një prononcim për Telegrafin bëri me dije se pjesëtarët e NJSO-së janë të angazhuar për të garantuar sigurinë e përgjithshme në këtë zonë.

    “Për sigurinë e përgjithshme”, u shpreh shkurt Elshani.

    Ndërkaq, sot zëvendësministri i Infrastrukturës në detyrë, Hysen Durmishi tha se sot është duke u shtruar shtresa e asfaltit mbi urë, ndërsa nesër planifikohet vendosja e sinjalistikës.

    Durmishi, në një prononcim  tha se po presin raportin preliminar të testimeve të urës për të siguruar që ajo është gati për përdorim.

    “Jemi duke punuar intensivisht, sot po bëhet shtresa e asfaltit, nesër do të vendoset sinjalistika dhe po presim raportin preliminar të testimeve”, tha Durmishi.

    I pyetur nëse pritet që ura të hapet në fillim të shtatorit, ai u shpreh me optimizëm: “Gjithsesi në fillim të shtatorit”.

    Ndryshe, gurthemeli i dy urave mbi lumin Ibër është vendosur në fillim të muajit korrik, në prezencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

    Ndërtimi i këtyre urave është pjesë e një projekti më të gjerë infrastruktural që synon përmirësimin e lidhjeve ndërmjet Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut.

  • Vdes edhe gazetari i pestë nga sulmi izraelit në Spitalin Nasser

    Vdes edhe gazetari i pestë nga sulmi izraelit në Spitalin Nasser

    Një tjetër gazetar ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga sulmi izraelit mbi Spitalin Nasser në Gazën jugore, raporton BBC.

    Ahmad Abu Aziz është konfirmuar si viktima e pestë në mesin e gazetarëve të vrarë nga ky sulm ajror i së hënës. Më herët, ishte raportuar për katër gazetarë të vrarë në të njëjtin incident.

    Sipas raportimeve, një nga gazetarët e vrarë dhe një nga të plagosurit ishin kontraktorë për agjencinë Reuters, ndërsa një tjetër ishte i lidhur me Associated Press. Një gazetar tjetër punonte për agjencinë Al Jazeera, me seli në Katar.

    Zyrtarët në Gaza kanë thënë se Spitali Nasser u godit dy herë të hënën, me një bilanc prej të paktën 20 të vdekur, përfshirë punonjës shpëtimi dhe civilë.

  • Kurti bën homazhe në nderim të Komandantit Ismet Jashari

    Në 27-vjetorin e rënies heroike të Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – Kumanova, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga deputetë të Kuvendit dhe bashkëpunëtorë të tij, bëri sot homazhe pranë varrit të tij.

    Kryeministri Kurti vlerësoi lart kontributin dhe sakrificën e Komandant Kumanovës, duke e cilësuar atë si një figurë të ndritur të luftës për liri dhe pavarësi.

    Ai theksoi se përmes kujtimit të dëshmorëve të kombit, populli i Kosovës shpreh respektin për gjakun e derdhur, i cili është themel i shtetit dhe Republikës së Kosovës.

    “Rikujtojmë idealet e tyre, sepse vetëm me ato ideale para nesh ne mund të bëjmë progres për popullin tonë edhe në aspektin e lirisë e të demokracisë, po edhe të zhvillimit ekonomik e të mirëqenies sociale.Lavdi Komandantit Ismet Jashari – Kumanova dhe të gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!”, tha Kurti, njofton Kryeministria.

  • Gjendet pa shenja jete një 52-vjeçar në Prizren

    Gjendet pa shenja jete një 52-vjeçar në Prizren

    Një 52-vjeçar është gjetur pa shenja jete në një vilë familjare në Kabash të Prizrenit.

    Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

    Sipas Bytyqit, Policia ka iniciuar rastin si “Hetim i vdekjes”, dhe po vazhdon me procedurat hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave.

    “Me datën 25.08.2025  rreth orës 00:50, policia ka pranuar informacion nga familjarët se një person (F.R.) mashkull, rreth 52 vjeç, nga fshati Korishë i Prizrenit, është gjetur pa shenja jete në vilën pushimore familjare në fshatin Kabash të Prizrenit. Njësitë policore menjëherë kanë dalë në vendngjarje, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme, duke mbledhur prova dhe dëshmi lidhur me rastin”.

    “Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML)”, tha Bytyqi.

  • Aksident mes një veture dhe motoçiklete në Prishtinë, lëndohet një person

    Aksident mes një veture dhe motoçiklete në Prishtinë, lëndohet një person

    Një aksident trafiku ka ndodhur rreth orës 12:30 të ditës së sotme, në rrugën “Fadil Vata” në Prishtinë, mes një veture dhe një motoçiklete.

    Rastine ka konfirmuar  zëdhënësi i policisë për kryeqytetin, Enis Pllana, ku bëri të ditur se nga ky aksident është lënduar një person, i cili ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

    Rasti është duke u trajtuar nga njësitet përkatëse.

    “Sot rreth orës 12:30 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku me lëndime në rrugën Fadil Vata në Prishtinë. Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë. Si pasojë është lënduar një person, i cili ka pranuar tretman mjekësor”, tha Pllana.

     

  • SBAShK: Subvencioni prej 80 eurosh nuk mjafton, shumë nxënës rrezikojnë të mbesin pa libra

    SBAShK: Subvencioni prej 80 eurosh nuk mjafton, shumë nxënës rrezikojnë të mbesin pa libra

    Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Vjollca Shala, në një intervistë për Ekonomia Online, tha  se subvencionimi nga Ministria e Arsimit prej 80 eurosh për tekste dhe materiale mësimore nuk i mbulon nevojat reale të nxënësve.

    Ajo tha se edhe procesi i aplikimit ka filluar me vonesë, vetëm pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, duke theksuar se edhe shumë prindër kanë vështirësi me procesin e aplikimit përmes platformës e-Kosova, gjë që po krijon pasiguri tek prindërit dhe nxënësit për sigurimin e teksteve në kohë.

    “Këtë vit me sa ne e kemi parë ka filluar aplikimi për subvencion pak ndoshta me vonesë se 1 shtatori është shumë afër dhe kanë aplikuar prindërit, përkundër asaj që prapë mbesin prindërit, të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme se si të aplikohet për subvencionim. Po në të njëjtën kohë edhe subvencionimi, i cili është duke u bërë prej 80 eurove nuk është i mjaftueshëm, ngase librat për nxënësit e këtyre klasave nga klasa e parë deri në klasën e nëntë shpeshherë janë më të shtrenjta. Do të thotë nuk e përmbushin kërkesën dhe nevojën ato 80 euro për t’ju blerë tekste shkollore e mos të flasim për mjetet tjera”, tha Shala.

    Ajo ngriti shqetësime edhe për përdorimin e librave nga gjeneratat e kaluara, të cilat shpeshherë janë të plotësuara dhe nuk kontribuojnë në cilësinë e mësimdhënies.

    “Kur është fjala për zëvendësim të teksteve me tekste e viti të kaluar ato janë të plotësuara nga nxënësit që i kanë përdorur vitin e kaluar dhe nxënësit, të cilët do t’i përdorin këtë vit i marrin si të plotësuara, andaj edhe nëse fëmijës i jepet një detyrë që e ka zgjidhjen aty, atëherë sa ai nxënës do të mendojë për ta zgjedhur atë detyrë, të cilën e ka të gatshme të zgjedhur, që do të thotë që lë shumë për të dëshiruar çështja e ngritjes së cilësisë në arsim me libra të plotësuar”, tha ajo.

    Shala shtoi se procesi i rimbursimit është i vonuar dhe kjo po ndikon drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e vitit shkollor.

    “Meqenëse është bërë aplikim, por akoma nuk e dimë a ka filluar rimbursimi me mjete, por edhe nëse ka filluar është shumë vonë ngase është paksa e vështirë që të arrijnë të gjithë prindërit e fëmijëve të Kosovës, gjithë nxënësve të Kosovës që diku i kemi rreth 203,000 nxënës në këtë vit shkollor të pajisen me libra dhe mjete të tjera mësimore që javën e parë. Unë e them që javën e parë e mos të flasim që ditën e parë. Derisa viteve të kaluara kur u blenin librat dhe u dërgoni në shkolla para 1 shtatorit, që me 1 shtator mësimdhënësit kishin për detyrë vetëm t’ua shpërndanin klasave të tyre ato libra. Që do të thotë që me 1 shtator nxënësit ishin të pajisur me libra”, tha ajo.

    Duke u bazuar në përvojën e dy viteve të fundit, Shala ka thënë se edhe pas subvencionimit, shumë nxënës kanë shkuar pa libra gjatë gjithë vitit shkollor.

    “Nga përvoja që e kemi edhe nga dy vitet e kaluara e kemi parë se ka pasur në mesin e nxënësve që ndoshta edhe gjatë gjithë vitit shkollor nuk kanë qenë të pajisur me libra. Përkundër asaj që është bërë ndoshta subvencionimi i atyre mjeteve, nxënësit kanë shkuar pa libra. Përveç ata që kanë qenë me kushte paksa më të rënda ekonomike, ndoshta që i kanë shfrytëzuar ato mjete për produkte elementare për jetës, ato familje dhe nuk ju kanë blerë libra nxënësve, fëmijëve të tyre. Kemi pasur edhe probleme, ngase pothuajse të gjithë nxënësit që muajin e parë nuk kanë qenë të pajisur me tekste dhe mjete të tjera mësimore”.

    Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka njoftuar se nga data 15 gusht, mund të aplikohet për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova. Për vitin shkollor 2025/2026, do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, ndërsa me të njëjtën shumë do të subvencionohen nxënësit nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore.

    Sipas MAShTI-t, brenda gjashtë ditëve të para të hapjes së aplikimit janë pranuar gjithsej 144,337 aplikime përmes platformës e-Kosova dhe deri më tani nuk është pranuar asnjë ankesë nga prindërit. Ky është viti i tretë radhazi që Ministria e Arsimit aplikon këtë formë të subvencionimit.

  • Po voziste me shpejtësi mbi dyfishin e lejuar, ndëshkohet shoferi në Gjakovë

    Po voziste me shpejtësi mbi dyfishin e lejuar, ndëshkohet shoferi në Gjakovë

    Policia në Gjakovë ka dënuar një shofer gjatë ditës së diel, pasi në zonën me kufizim shpejtësie prej 60 km/h, ai voziti me shpejtësi prej 154 km/h.

    Përmes një njoftimi të lëshuar, policia bën të ditur se ndaj shoferit është shqiptuar një gjobë në shumë prej 300 euro, ndërsa si masë mbrojtëse i është ndaluar patentë-shoferi për një periudhë prej tre muajsh.

    “Më datë 24 gusht 2025, gjatë patrullimit me veturë inteligjente, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Gjakovë ka evidentuar një shkelje të rëndë të rregullave të komunikacionit. Në zonën me kufizim shpejtësie prej 60 km/h, një veturë është kapur duke lëvizur me shpejtësi prej 154 km/h. Përmes pajisjes me laser për matjen e shpejtësisë, patrulla ka arritur ta ndalojë automjetin dhe, duke u bazuar në duke u bazuar në ligjin për rregullat e trafikut ndaj kundërvajtësit është shqiptuar një gjobë në shumë prej 300 euro, ndërsa si masë mbrojtëse i është ndaluar patentë-shoferi për një periudhë prej tre (3) muajsh”, thuhet në njoftim.