Category: AKTUALE

  • 22 ditë afat për Presidentin, Kurti mbërrin në Kuvend, pas pak takimi me Abdixhikun

    Ka mbërritur në Kuvend, kryeministri i vendit, Albin Kurti për t’u takuar me kreun e LDK-së Lumir Abdixhikun.

    Ky është takimi i tretë mes tyre për të njëjtën çështje, ku pritet të diskutohet procesi i zgjedhjes së Presidentit.

    Njëherësh, Gjykata Kushtetuese u ka dhënë kohë ligjvënësve të Kosovës mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi e rrëzoi një dekret të ish-presidentes, Vjosa Osmani, më 25 mars për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjedhjes e presidentit në një seancë më 5 mars.

  • Sulmoi gjyqtarin gjatë ndeshjes së futbollit, arrestohet një person

    Sulmoi gjyqtarin gjatë ndeshjes së futbollit, arrestohet një person

    Një person është arrestuar në Obiliq të dielën pasi ka sulmuar gjyqtarin kryesor të një ndeshjeje futbolli.

    I dyshuari është dërguar në mbajtje, kurse viktima në trajtim mjekësor.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti në shenjë pakënaqësie në një ndeshje futbolli kishte sulmuar fizikisht gjyqtarin kryesor të ndeshjes viktimën m/k. Viktima është dërguar për tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Rriten aksidentet me motor në Kosovë, katër të rinj në gjendje të rëndë – po trajtohen në QKUK

    Rriten aksidentet me motor në Kosovë, katër të rinj në gjendje të rëndë – po trajtohen në QKUK

    Aksidentet me motor po shpeshtohen kohëve të fundit në Kosovë, duke sjell pasoja të rënda për drejtuesit e tyre.

    Së fundmi, janë regjistruar disa aksidente në rajonin e Ferizajt dhe të Llapit, ku disa persona kanë pësuar lëndime serioze.

    Sipas informacioneve të Klankosova.tv, katër të rinj janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Mjekimin Intensiv Qendror, në gjendje të rëndë.

    Autoritetet vazhdimisht kanë bërë thirrje për kujdes maksimal dhe respektim të rregullave të trafikut, ndërsa aksidentet me motor vazhdojnë të jenë shqetësim për komunitetin.

  • Rritje e fluturimeve dhe udhëtarëve në aeroportin “Adem Jashari”

    Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës Adem Jashari ka shënuar rritje të fluturimeve dhe numrit të udhëtarëve në janar 2026.

    Gjatë këtij muaji u realizuan 1,158 fluturime, 1.8% më shumë se një vit më parë, ndërsa numri i udhëtarëve arriti në 358,930, duke shënuar rritje prej 4.5%.

    Rritja është evidentuar si në ardhje ashtu edhe në nisje, me një shtim më të theksuar të udhëtarëve që largohen.

    Të dhënat tregojnë për një kërkesë në rritje për udhëtime ajrore dhe zhvillim të qëndrueshëm të sektorit në Kosovë.

  • Kaos dhe rrezik për qytetarët në punimet e sheshit Xhorxh Bush

    Tash e një muaj, Komuna u është ri-kthyer punimeve në rrugën “Xhorxh Bush”, për të rregulluar infrastrukturën teknike nëntokësore. Kjo pasi, Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, miratoi së fundmi projektin për këtë fazë të punimeve. Sidoqoftë, punimet në shesh po zhvillohen sërish duke mos përfillur Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në punë, përderisa zyrtarë komunal heshtin.

    Komuna e Prishtinës ka më shumë se një muaj që ka ri-nisur punimet për një pjesë të projektit, atë për infrastrukturën teknike nëntokësore. Miratimin, për këto punime e ka marr së fundmi nga Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, ani pse punimet kanë nisur shumë më herët.

    Ushtruesja e detyrës e këtij institucioni, Rrezarta Loxha Vitaku, shpjegon se javën e kaluar, gjatë shqyrtimit të projektit, është përfshirë edhe struktura, arkitekturore e dyqaneve, të cilat fillimisht ishin refuzuar si të pa-përshtatshme.

    “Qëllimi ynë fillestar ka qenë që të kërkojmë vetëm infrastrukturën bazë për sheshin, si kanalizimi, rrjeti elektrik, telefoni dhe ngrohja, në mënyrë që sheshi të bëhet funksional dhe të shtrohet sipas plani“, ka thënë Loxha Vitaku për Radio Kosovën.

    Ajo ka shtuar se nuk është kërkuar që infrastruktura të përshtatet për ndërtime të reja, pasi janë refuzuar ndërhyrja në struktura (si ndërtesat e mëdha pranë RTK- së dhe bibliotekës).

    Pavarësisht, se projekti nuk është anuluar, ai është shoqëruar me shumë probleme dhe vonesa, punimet janë ndaluar për muaj të tërë, derisa arsyeja kryesore që çështja shkoi edhe në gjykatë ishte përplasja në mes të Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës. Kjo e fundit, pretendonte që projekti rrezikonte zonën e mbrojtur.

    Sidoqoftë, punimet kanë nisur duke regjistruar shkelje tjera ligjore, si Ligji për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. Ligji parasheh rregulla që obligojnë se derisa të kryhen punimet vetëm personat e autorizuar lejohen të hyjnë në zonat e rrezikshme. Po ashtu, zonat ku kryhen punime të rrezikshme si ndërtim, punime elektrike, lëvizje makinerish të rënda duhet të jenë të ndara me barrierë fizike për të parandaluar hyrjen e paautorizuar.

    Drejtori për Transformim në Komunën e Prishtinës, Gëzim Kastrati nuk i është përgjigjur kërkesës së Radio Kosovës për koment rreth kësaj çështje.

    Njëri nga pronarët e një biznesi pranë katedrales “Nënë Tereza”, me profesion arkitekt, Florim Kajtazi, thotë se kjo formë e punimeve është e rrezikshme për kalimtarët.

    Organizimi i punës është shumë i dobët, nuk ka orientim për njerëzit , kjo thuajse është arteria kryesore që e lidh qytetin me lagjen “Sante” dhe kjo më së shumti po më zhgënjen, siç po e shihni vetë ju, s’po munden me i ndalu njerëzit sepse s’kanë zgjidhje”, thotë ai.

    Sipas tij në këtë pjesë ku janë makineritë e rënda nuk do të duhej të lejohej kalimi i njerëzve. “Në vendpunishte nuk guxon askush të hyjë dhe as të kalojë, këtu frikësohem se mund të ndodh ndonjë tragjedi dhe të ndërpritet e gjithë puna”, shton ai.

    Në anën tjetër, zhvillimi i punimeve në këtë formë, ka ndikuar te bizneset përgjatë asaj rruge. Pronari i një dyqani që shet telefona-mobil, tregon për rënie të shitjes pasi aty pranë ka ndërtime.

    “Rreth 70 për qind ka ra puna, tash veç po kemi shpenzime. Veç kur janë ardhur me bagera i kanë heq (kockat në trotuare), bile u kanë edhe rrezik sepse kalimtarët ose duhet mi hek krejt ose me ba diçka se këtej hyjshin kalimtarët nën bager për me dal anej. Është edhe rrezik se mundet mi kushtu dikuj me jetë”, thotë ai.

    Një shitës tjetër i cili shet produkte ushqimore, shpjegon se rruga pranë dyqanit të tij është tash e 6 muaj në gjendje të mjerueshme, madje pa trotuar.

    “Së paku ka qenë mirë me lan pak hapësirë për trotuar, nuk kanë njerëzit kah me ec dhe as furnizim të mallit, nuk po mundemi me ba”.

    Tenderin për ndërtimin e sheshit, “Xhorxh Bush” në vlerë prej 18 milionë eurove e kanë fituar kompanitë nga Kosova “Hidroterm” dhe “Gjini Construcion” dhe “Salillari” nga Shqipëria.

  • Kurti sot takon Abdixihkun për çështjen e presidentit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se nga sot do t’i nisë takimet me krerët opozitarë për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të vendit.

    Takimi i parë do të jetë ai me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.

    Takimi pritet të mbahet në orën 11:00 në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

    Vet kryeministri Kurti, të premtëm ka paralajmëruar se do t’i nisë takimet me krerët e opozitës nga e hëna për çështjen e Presidentit.

    Gjykata Kushtetuese u ka dhënë kohë ligjvënësve të Kosovës mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi e rrëzoi një dekret të ish-presidentes, Vjosa Osmani, më 25 mars për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjedhjes së presidentit në një seancë më 5 mars.

  • Burrë e grua rrihen në Prishtinë pas aksidentit në garazhin e banesës

    Burrë e grua rrihen në Prishtinë pas aksidentit në garazhin e banesës

    Burrë e grua janë rrahur mes vete në garazhin e një banesë në Prishtinë.

    Sipas raportit policor, sulmi fizik ka ndodhur pas një aksidenti në garazhin e çiftit bashkëshortor, dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor.

    Pas intervistimit me vendim të prokurorit palët janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Çmimi i naftës rritet sërish pas kërcënimeve të fundit të Trumpit

    Çmimi i naftës rritet sërish pas kërcënimeve të fundit të Trumpit

    Çmimet e naftës arritën në 110 dollarë (83.38 paund) për fuçi pas kërcënimit të Presidentit amerikan Donald Trump kundër Iranit në mediat sociale.

    Çmimi i naftës Brent u rrit fillimisht me 1.6% në 110.85 dollarë, përpara se të tërhiqej pak gjatë tregtisë së mëngjesit në Azi.

    Nafta e papërpunuar e tregtuar në ShBA u rrit pak me 0.3% në 111.80 dollarë, shkruan BBC.

    Ky kërcim fillestar erdhi pasi Trump ushtroi më shumë presion mbi Teheranin duke kërcënuar se do të godiste urat dhe termocentralet e Iranit nëse Irani nuk tërhiqej nga kërcënimi i tij kundër anijeve që përpiqen të kalojnë Ngushticën e Hormuzit, rrugën ujore tregtare kritike.

    Tregjet kryesore të aksioneve aziatike gjithashtu shënuan rritje. Bursa Nikkei 225 e Japonisë u rrit me 1.6%, ndërsa indeksi Kospi i Koresë së Jugut fitoi me 0.9%.

  • Ngjarjet e datës 5 prill

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, bën homazhe në Rezallë. (Rezallë, ora 10:00)

    Mbahet mesha e Pashkëve. (Në Katedralen Shën Nënë Tereza, ora 11:00)

     

    Meshë në Kishën “Shën Ndou”. (Ulpianë, ora 18:00)
  • Moti për javën e ardhshme, dy ditë me riga shiu

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se java e ardhshme parashihet me kushte të qëndrueshme meteorologjike.

    Sipas njoftimit të këtij institucioni, të martën dhe të enjten paraqiten kushte që në disa zona të ketë riga shiu.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -2 deri 6gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 11-23 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperendimit dhe verilndjes, shpejtësia e së cilës mund të jetë nga 1-6m/s”, thuhet në njoftim.

    Njoftimi i plotë:

     

    E hënë

    Mot me diell dhe vranesira të shpërndara.

    Temperaturat minimale: 1-4°C

    Temperaturat maksimale:  18-23°C

    Era: Do të fryjë erë nga drejtimi i veriperendimit me shpejtësi 1-3m/s

    E martë

    Mot me diell dhe vranesira të shpërndara. Vranësirat gjatë ditës vende-vende parashihen të sjellin riga shiu.

    Temperaturat minimale: 3 – 6°C

    Temperaturat maksimale: 16-19°C

    Era: nga veriperendimi me shpejtësi 1-6m/s

    E mërkurë

    Moti  me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Temperaturat minimale: 4-7°C

    Temperaturat maksimale: 12-15°C

    Era: kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-6m/s.

    E enjte

    Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat vende-vende mund të sjellin riga shiu.

    Temperaturat minimale: -1-2°C

    Temperaturat maksimale: 9-12°C

    Era: nga veriperendimi 1-4m/s.

    E premte

    Mot kryesisht me diell. Vranësira parashihen në relievin malor.

    Temperaturat mimale: -2 deri 1°C

    Tmperaturat maksimale: 8- 11°C

    Era:  nga drejtimi i veriperendimi me shpejtësi 1-5m/s.