Category: AKTUALE

  • Paralajmërimi për 10€ taksë për hyrje në Prishtinë nxit reagime, përmenden pasojat dhe Gjykata Supreme

    Propozimi për vendosjen e një takse prej 10 euro për automjetet që hyjnë në Prishtinë nga komunat tjera ka nxitur reagime të shumta. Kjo madje po shihet si kufizim i të drejtave të qytetarëve të Kosovës, i cili mund të krijojë kaos duke i nxitur komunat tjera vendosjen e tarifave për qytetarët e Prishtinës.

    Vendosja e kësaj tarife parashihet sipas nenit 14 të rregullores për tarifat, ngarkesat dhe gjobat komunale, rregullore kjo e cila tanimë Komuna e Prishtinës e vendosur në dëgjim publik por që ka marrë kundërshtime të shumta si në Kuvendin komunal, ashtu edhe nga komunat tjera.

    Sipas propozimit të asaj rregullore, çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të kryeqytetit, që hyn në zonën e përcaktuar nga kryeqytetit, i nënshtrohet pagesës së taksës në shumën prej 10 euro për hyrje.

    Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala ka kundërshtuar ashpër propozimin për vendosjen e një tarife prej 10 euro për automjetet që hyjnë në Prishtinë nga rajonet tjera, duke e cilësuar si kufizim i të drejtave të qytetarëve.

    “Pikë së pari, nuk ka ndonjë bazë ligjore me të cilën Komuna e Prishtinës mund ta vendosë këtë tarifë. Ajo mund të jetë në rregullore, sikur që ka bërë edhe me “Prishtina Parking” që me rregullore një kohë mbledhi para, shqiptoi gjoba, po tash ato gjykata i rrëzoi. Jam shumë i sigurt që edhe këtë tarifë të cilën do ta vendosë eventualisht Komuna e Prishtinës, Gjykata Supreme do ta rrëzojë sepse kjo nuk mund të shkojë në kushtetuese, sepse nuk ka ligj për këtë rregullore. Prandaj është kompetencë e Gjykatës Supreme të marrë një vendim përfundimtar për këtë tarifë”, tha Shala.

    Ai paralajmëroi se një vendim i tillë do të krijonte precedent për komunat tjera dhe do të sillte pasoja të shumta.

    “Nëse krijohet një precedent dhe lejohet një tarifë ,andaj edhe çdo qytet do të ketë të drejtë të vendosë tarifë. Ku do të shkojmë ne nëse çdo qytet në Kosovë vendos tarifë për hyrje në atë qytet? Krijohet një kaos, kështu që kjo nuk është asnjë zgjidhje, është zgjidhje kundërligjshme, është një zgjidhje e pazbatueshme. Nuk mundet kryetari i Prishtinës ta marrë modelin e Londrës e ta vendosë në Prishtinë. Londra është tjetër, Prishtina është tjetër. Në Londër paguhet hyrja në zonën e parë të Londrës, por Prishtina është tjetër. Aq më parë që këtu po bëhen gabime që në vend që të krijohen rrugë alternative që do ta lehtësonin trafikun, po mbyllen rrugë.”-deklaroi Shala.

    Sipas tij, problemet në trafik nuk zgjidhen me tarifa, por me investime në infrastrukturë dhe organizim më të mirë të qarkullimit.

    Ai shtoi se nuk ka njohuri për praktika të tilla në vendet e rajonit dhe paralajmëroi pasoja reciproke mes qyteteve.

    Propozimi për vendosjen e një takse prej 10 euro për automjetet që hyjnë në Prishtinë nga komunat tjera ka nxitur reagime të shumta nga përfaqësues institucionalë dhe politikë.

    Asamblisti i Partisë Guxo në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Jeton Mehmeti, ka theksuar se kjo masë cenon barazinë para ligjit.

    Sipas tij, propozimi  për taksën e kryeqytetit prej 10 euro për automjetet e regjistruara jashtë Prishtinës, në aspektin juridik, është shkelje e parimit të barazisë.

    Po ashtu, Gëzim Sveçla nga Vetëvendosje ka ngritur shqetësime për ndikimin e kësaj takse dhe tarifave tjera të parapara.

    Ndërkohë, drejtori i Shërbimeve Publike, Luftar Braha, ka theksuar nevojën për ndryshim të rregullores ekzistuese.

    Së  fundmi, kundërshtime ka pasur edhe nga kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, i cili ka ironizuar me këtë propozim.

    “Nëse kjo kalon në Komunën e Prishtinës, atëherë unë do të vendos një taksë ditore prej 20 eurosh për të gjithë banorët e Prishtinës (vetëm) që hyjnë në territorin e komunës së Fushë Kosovës, si dhe një taksë për hyrjen në rrugën e aeroportit në vlerë prej 10 euro, etj. (çka t’na bjen n’mend ndërkohë)”-thuhet në  njoftimin e tij.

    Kuvendi Komunal i Prishtinës më 31 mars e ka vendosur në dëgjim publik rregulloren për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, e cila daton nga viti 2011, ndërsa debati për këtë çështje pritet të vazhdojë.

  • E rëndë në Itali: 50-vjeçari shqiptar gjendet i vdekur në stacionin e tramvajit – sapo kishte dalë nga burgu

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dy ditë më parë në Itali.

    Trupi i pajetë i një burri u gjet në stacionin e tramvajit në Arcirpressi të Firences, në rrethana dhe shkaqe ende të paqarta, por që po hetohen nga Policia Forenzike (Shkencore) vendase.

    Viktima është identifikuar si një 50-vjeçar shqiptar, emri i të cilit nuk publikohet ende dhe që jetonte në Viterbo.

    Detaji që ka ngritur dyshimet për shkakun e një vdekjeje nga faktorë të jashtëm është fakti se 50-vjeçari sapo ishte liruar nga burgu.

    “Pas përpjekjeve për ta ringjallur nga stafi i Humanitas në Firence, ai u shpall i vdekur. Pak pas orës 10:00 të mëngjesit, magjistrati në detyrë urdhëroi hetime të mëtejshme, duke pasur parasysh se burri (një shqiptar pesëdhjetëvjeçar nga Viterbo) ishte mbajtur në burgun Sollicciano deri dje”, informoi media italiane për detajet e para.

    Ekipi i mjekësisë ligjore dhe policia lokale iu përgjigjën vendit të ngjarjes. Stafi i Gest ishte gjithashtu në vendngjarje pasi ndalesa ishte e mbyllur.

     

    Linja e tramvajit u mbyll për disa orë për shkak të hetimeve, ndërsa po mblidhen dëshmi, prova, pamje filmike dhe të dhëna për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike.

  • Katër vite nga përmendorja e 28 martirëve të vitit 1913 – kujtesë që nuk duhet të lihet në harresë

    Katër vite më parë, me dhimbje, përkushtim dhe dinjitet, familjarët e viktimave ngritën përmendoren në nderim të 28 martirëve të vrarë nga forcat serbe në mars të vitit 1913, një akt i vonuar, por i domosdoshëm për kujtesën historike dhe ndërgjegjen kombëtare.

    Kjo përmendore nuk është thjesht një strukturë prej guri. Ajo është dëshmi e një krimi të rëndë, simbol i sakrificës dhe një thirrje e përhershme për të mos harruar. Është ngritur me kontributin e Shoqatës “Trojet e Arbërit” dhe përkrahjen e veprimtarit Nue Oroshi, si një përpjekje për t’i dhënë zë atyre që u shuan padrejtësisht.

    Por, përtej kësaj përpjekjeje të familjarëve dhe atyre që e mbajnë gjallë kujtesën, mbetet një fakt i hidhur mungesa e vëmendjes institucionale. Që nga dita e zbulimit të saj e deri më sot, kjo përmendore ka mbetur jashtë radarit të atyre që kanë detyrim ta nderojnë historinë.

    Në ceremoninë e përurimit, pavarësisht ftesave të dërguara, pjesëmarrja institucionale ishte pothuajse inekzistente. Vetëm deputeti Anton Quni ishte i pranishëm, për çka familjarët shprehin mirënjohje. Katër vite më pas, situata mbetet e njëjtë – një heshtje që rëndon mbi kujtesën kolektive.

    Martirët e vitit 1913 nuk janë thjesht një kapitull i kaluar. Ata janë pjesë e identitetit tonë, dëshmi e një sakrifice që kërkon respekt të përhershëm dhe jo përkujtim sporadik.

    Në këtë përvjetor, mesazhi i familjarëve është i qartë: kujtesa nuk mund të lihet në duart e pak njerëzve. Ajo është përgjegjësi e të gjithëve, veçanërisht e institucioneve që kanë detyrim moral dhe historik të qëndrojnë pranë këtyre simboleve.

    Një komb që nuk nderon të rënët e tij, rrezikon të humbasë vetë kuptimin e historisë së tij.

  • Kurti uron Pashkët: Shpresa dhe harmonia të na udhëheqin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar besimtarët katolikë dhe protestantë me rastin e Pashkëve, duke theksuar rëndësinë e harmonisë, kujdesit dhe respektit ndërmjet njerëzve.

    Në mesazhin e tij, Kurti vuri në pah se Pashkët simbolizojnë shpresën, faljen dhe rilindjen për një jetë më të mirë për të gjithë.

    “Shpresa, sakrifica, dashuria, falja dhe rilindja si nevojë për të ndryshuar për të mirë, janë mesazhet kyçe të kësaj feste. Le të na kujtojë kjo ditë e shenjtë rëndësinë e harmonisë mes nesh dhe të na frymëzojë për më shumë kujdes, solidaritet dhe respekt ndaj njëri-tjetrit. Sot dhe gjithmonë, Pashkët mbeten simbol i vlerave më të larta njerëzore dhe i besimit në një jetë më të mirë për të gjithë.Gëzuar!”, shkroi Kurti.

  • Hyn në fuqi çmimi maksimal ditor për derivatet e naftës në Kosovë

    Ministria e Industrisë ka vendosur mekanizmin e ri për përcaktimin e çmimeve maksimale ditore të derivateve, që hyn në fuqi më 5 prill 2026.

    Sipas vendimit, çmimi maksimal për dizelin është 1.86 €/litër, ndërsa për benzinën 1.49 €/litër, me mbikëqyrje të rritur për zbatimin e tij nga autoritetet kompetente.

    “MINTI u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të zbatojnë me përpikëri vendimin e ri, me qëllim garantimin e një tregu funksional, të qëndrueshëm dhe në shërbim të interesit të konsumatorit. Këto masa nuk kanë për qëllim të dëmtojnë apo të sanksionojnë asnjë subjekt ekonomik. Ato janë të hartuara për të siguruar barazi në treg, për të mbrojtur konsumatorin dhe për të reflektuar kujdes të shtuar në një periudhë të ndjeshme të luhatjeve dhe pasigurive në tregjet globale të derivateve të naftës.”, thuhet në njoftim.

  • 27 vjet nga Masakra e Rezallës, kujtohen 98 viktimat

    Sot shënohen 27 vjet nga Masakra e Rezallës në Skenderaj, ku më 5 prill 1999 forcat serbe ekzekutuan 98 shqiptarë, kryesisht burra dhe djem të rinj nga Rezalla dhe fshatrat përreth.

    Pas krimit, 44 prej trupave u zhdukën, ndërsa një pjesë e tyre u gjetën më vonë në Rudnicë të Rashkës dhe iu dorëzuan familjarëve. Nga kjo masakër tragjike vetëm tre persona arritën të mbijetojnë.

    Masakra e Rezallës mbetet një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe përkujtohet çdo vit në nderim të viktimave.

  • Gjykimi i udhëheqësve të UÇK-së në Hagë shkon drejt përfundimit

    Gjykimi në Hagë, me pretendimet për krime lufte nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po shkon drejt përmbylljes, pas tri vitesh proces gjyqësor e pesë vitesh paraburgim.

    Gjykimi që nisi në vitin 2023, nga 3 deri më 5 prill u fokusua në dëgjimin e akuzave të ngarkuara, për të cilat Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u deklaruan të pafajshëm.

    Pas një procesi të gjatë me dëshmitarë të mbrojtur të Prokurorisë e provave të cilat i prezantoi e përdori Prokuroria e Hagës, një numër prej të cilave ishin të ardhura nga Serbia, ka pasur reagime të mëdha në Kosovë, madje edhe protesta.

    Paraburgim i gjatë e asnjë leje për lirim nga paraburgimi, madje as leje për pjesëmarrje në varrim, RTK.

    As Avokati i Popullit në këtë gjykatë nuk e kishte aprovuar as edhe një ankesë të të akuzuarve në Hagë.

    Dëshmitarët e mbrojtjes vërtetuan të kundërtën e akuzës gjatë dëshmisë së tyre për ditë radhazi në sallën e gjyqit.

    Kërkesa e prokurorisë për 180 vjet burgim për katërshen ngjalli reagime po ashtu. Ish-hetuesja Nevenka Tromp kishte deklaruar se në raste kur provat janë të pamjaftueshme, prokuroria shpesh tenton ta kompensojë këtë mungesë me kërkesa jashtëzakonisht të ashpra për dënime.

    Por në periudhën kur procesi është përmbyllur dhe tanimë është në dorën e gjykatësve, Prokuroria ka vazhduar ende me dorëzimin e materialeve dhe të provave.

    Kryetari i Trupit gjykues, Charles Smith, në ditën e fundit të gjyqit ndaj krerëve të UÇK-së kishte theksuar se palët nuk kanë të drejtë të dërgojnë më prova apo parashtresa pas mbylljes së çështjes, përveç në rastet kur shqyrtohet paraburgimi.

    Derisa procesi është drejt përfundimit dhe pritet vendimi i shkallës së parë, ende nuk dihet nëse do të shpallet brenda 90 ditëve të para apo gjykata do të kërkojë kohë shtesë.

  • 19 vjet nga miratimi i deklaratës për statusin e Kosovës

    Sot shënohen 19 vjet nga miratimi i deklaratës për përcaktimin e statusit të Kosovës nga Kuvendi më 5 prill 2007, duke mbështetur propozimin e kryenegociatorit Martti Ahtisaari.

    Deklarata parashikonte një shoqëri shumë-etnike, demokratike dhe me respekt të plotë për të drejtat e njeriut, duke ndihmuar drejt pavarësisë së Kosovës, e cila u shpall më 17 shkurt 2008.

  • Kosovarët në Shqipëri për Pashkë, kalim i shpejtë kufitar gjatë fundjavës

    Qytetarët e Kosovës zgjedhën këtë fundjavë të udhëtojnë drejt Shqipërisë për të kaluar Pashkët Katolike, duke krijuar herë pas here kolonë mjetesh në pikën kufitare të Morinit.

    Policia kufitare aplikoi procedurë të përshpejtuar, duke mundësuar kalim pa kontrolle për të gjitha automjetet me targa kosovare e shqiptare, për të shmangur pritjet e gjata.

  • Sot festohen Pashkët Katolike

    Sot besimtarët e krishterë në mbarë botën festojnë Pashkët, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit fetar.

    Kjo ditë e shenjtë përkujton ringjalljen e Jezu Krishtit, duke simbolizuar fitoren e jetës mbi vdekjen dhe duke sjellë një mesazh të fuqishëm shprese, paqeje dhe ripërtëritjeje shpirtërore.

    Në shumë vende, përfshirë edhe Kosovën, Pashkët shënohen me meshë solemne në kisha, lutje dhe aktivitete të ndryshme fetare.

    Besimtarët mblidhen me familjet e tyre për të festuar së bashku, duke ruajtur traditat e trashëguara ndër breza, si ngjyrosja e vezëve dhe përgatitja e ushqimeve tradicionale.

    Kjo festë nuk është vetëm një moment reflektimi shpirtëror, por edhe një mundësi për të forcuar lidhjet familjare dhe shoqërore.