Category: AKTUALE

  • Ndalohen fishekzjarrët në Prizren

    Të mërkurën, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka lëshuar urdhër për ndalim të ndezjes së fishekzjarrëve dhe përdorimit të mjeteve piroteknike në vendet e hapura publike dhe zonat e banuara në të gjithë territorin e qytetit.

    Ndalesa vlen nga data 25 dhjetor deri më 3 janar të vitit 2026, në përjashtim të datës 31 dhjetor nga ora 23:30 deri në orën 00:30 minuta.

    May be an image of text
  • E enjte e vranët, temperaturat bien në -2°C

    Dita e enjte pritet të karakterizohet me mot të vranët, dhe me intervale me diell.

    Në orët e mëngjesit parashihen mjegulla, të cilat do të zvogëlojnë dukshmërinë horizontale, sidomos në ultësira dhe pranë zonave ujore.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës temperaturat minimale do të lëvizin nga -2 deri në 0 gradë Celsius, derisa ato maksimalet do të luhaten nga 7 deri në 10 gradë Celsius.

    Era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi 1-5 m/s.

  • Tucker Carlson paralajmëron shpallje lufte të SHBA-ve ndaj Venezuelës sonte

    Situata mbetet në zhvillim, ndërsa vëmendja është e përqendruar tek fjalimi i pritshëm i presidentit Trump.

    Gazetari dhe komentatori amerikan Tucker Carlson ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara pritet të shpallin luftë ndaj Venezuelës gjatë orëve të ardhshme, duke iu referuar informacionit që, sipas tij, i është konfirmuar nga një anëtar i Kongresit amerikan.

    Sipas Carlson, Kongresi është informuar dje se një konflikt ushtarak me Venezuelën është i pashmangshëm dhe se shpallja zyrtare do të bëhet sonte.

    Presidenti amerikan Donald Trump pritet të mbajë një fjalim nga Zyra Ovale në orën 21:00 sipas orës lindore të SHBA-ve (EST), çka ka shtuar spekulimet se deklarata do të lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet e fundit në raportet SHBA-Venezuelë.

    Deri në këtë moment, Shtëpia e Bardhë nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar, ndërsa deklarata e Carlson ka ndezur reagime të forta në rrjetet mediatike dhe politike në SHBA.

    Venezuela drejtohet aktualisht nga presidenti autoritar Nicolás Maduro, ndërsa tensionet mes Washingtonit dhe Karakasit janë përshkallëzuar ndjeshëm muajt e fundit për shkak të sanksioneve, çështjeve energjetike dhe akuzave për shkelje të të drejtave të njeriut.

    Situata mbetet në zhvillim, ndërsa vëmendja është e përqendruar tek fjalimi i pritshëm i presidentit Trump, i cili mund të shënojë një kthesë të rëndësishme në politikën e jashtme amerikane dhe stabilitetin rajonal në Amerikën Latine.

  • Deklarata e dëshmitares: Kur ndodhi Banjska, pashë njerëz me armë

    Në fillim të muajit shtator, Gallup publikoi raportin Global të Sigurisë 2025.

    Rezultatet e këtij raporti i publikoi në rrjetin e tij X edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Në postimin e tij, Kurti shkroi se ky raport e rendit Kosovën të tretën në botë dhe të parën në Evropë për ligj dhe rend dhe në top dhjetëshe për siguri, raporton Kiks Kosova.

    Por, çka është vërtet ky raport dhe si nxirren këto rezultate?

    Ky indeks është një matës i perceptimit të njerëzve për sigurinë e tyre personale dhe efektivitetin e institucioneve të rendit, sipas perspektivës së qytetarëve.

    Gallup njoftoi se për këtë raport ka intervistuar rreth 1 mijë njerëz në mbi 140 vende. Anketat bëhen përmes telefonit ose edhe në takime me qytetarë.

    Rezultati nxirret nga përgjigjet e rreth 1 mijë qytetarëve të një shteti në katër pyetje:

    1. A ndihesh i sigurt për të ecur vetëm natën në zonën ku jeton?

    2. A ke besim në policinë lokale?

    3. A të është vjedhur prona apo paratë gjatë vitit të fundit ty ose ndonjë familjari tënd?

    4. A je sulmuar fizikisht apo je grabitur gjatë 12 muajve të fundit?

    Bazuar në përgjigjet e këtyre katër pyetjeve, Gallup renditi Kosovën me indeksin më të lartë në Evropë dhe të tretin në botë, duke lënë pas edhe Norvegjinë e Zvicrën.

    Gallup nuk bëri asnjë matje të të dhënave zyrtare apo nuk nxori ndonjë rezultat nga ndonjë hulumtim i thellë. Ky rezultat u bazua vetëm në përgjigjet e qytetarëve që i thirri në telefon për këto pyetje.

    Megjithatë, në kohën e fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ky lajm u aktualizua sërish nga ministrja në detyrë e Diasporës, Donika Gërvalla. Postimin e saj për këtë sukses të Kosovës e shpërndanë të gjitha ambasadat e Kosovës nëpër botë.

    E postimi për Gallup nuk ishte i vetmi që u shpërnda nga misionet diplomatike. Në faqet zyrtare të ambasadave e konsullatave të Kosovës nëpër botë ka më shumë shpërndarje të postimeve të Kurtit e Gërvallës sesa postime autoriale të këtyre misioneve.

  • Osmani në samitin BE-Ballkan: S’e paskam vërejtur mungesën e Serbisë, s’do na mungojë

    Sot në Bruksel po mbahet Samiti i liderëve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor.

    Pjesëmarrëse është edhe Kosova, e cila po përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.

    Pas arritjes në kryeqendren evropiane, ajo pati edhe një deklarim për media.

    Osmani heqjen e pjesshme të masave e quajti lajm të mirë, por tha se vendosja e tyre ishte e padrejtë.

    “Do të punojmë shumë afër me partnerë tanë që shumë shpejtë të merret vendimi për heqjen e plotë të tyre dhe do të thoja që kemi elemente pozitive në diskutimet që kisha sot gjatë ditës dhe shpresoj që të kemi heqje të plotë të masave sa më shpejtë të jetë e mundur”, deklaroi Osmani para mediave.

    E para e vendit foli edhe rreth mungesës së Serbisë në këtë Samit.

    “Nuk e paskam vërejtur mungesën e tyre. E vetmja gjë që ka sjellur Serbia në këtë samit, ka qenë prezenca e një shteti që mbron interesat e Rusisë. Kështu që nuk do të na mungojë sonte në këtë samit”, theksoi ajo.

  • PDK hap fushatën në Prizren, Hamza: Pagat për mësuesit, mjekët, policët, zjarrfikësit dhe ushtarët do të rriten deri në 50%

    Kryetari dhe kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza në hapje të fushatës zgjedhore në Prizren ka prezantuar katër shtyllat e programit të tij: zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia, arsimi dhe shëndetësia, drejtësia, mbrojtja dhe politika e jashtme.

    Duke u zotuar se qeveria e udhëhequr nga ai do të punojë për të gjithë, Hamza ka premtuar 50 për qind rritje pagash për të gjithë zyrtarët publikë,

    “Ne besojmë në një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, që nuk e lë pas asnjë qytetar. Prandaj, do t’i rrisim pagat dhe pensionet. Pagat për mësuesit dhe arsimtarët, për mjekët, policët, zjarrfikësit, ushtarët dhe për të gjithë ata që paguhen nga buxheti i shtetit do të rriten deri në 50%”, ka thënë ai.

    Hamza ka premtuar lehtësira për bizneset, krijimin e Fondit të Papunësisë, themelimin e Gjykatës së Punës, ndërtimin e Stadiumit Olimpik Kombëtar, fond 30 milionë euro në vit për bursa studentore, ilaçe falas për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, drejtësi të pavarur nga politika.

    “Do ta krijojmë Gardën Kombëtare të Kosovës, si forcë operative sipas standardeve të NATO-s. Anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian për mua nuk ka alternativë. Do ta thellojmë partneritetin me NATO-n, do të punojmë për Partneritetin për Paqe, do ta rifillojmë Dialogun Strategjik me SHBA dhe do ta synojmë Marrëveshjen Strategjike me aleatin tonë kryesor. Po ashtu, do të punojmë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe për marrjen e statusit të kandidatit në BE”, ka thënë Hamza, duke u bërë thirrje qytetarëve ta votojnë PDK-në me numër 130 për ta çuar Kosovën së bashku përpara.

  • Totaj në hapjen e fushatës së PDK-së: 28 dhjetori do të sjellë qeverinë në krye me Hamzën

    Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, në fjalën e tij në hapjen zyrtare të fushatës së PDK-së është shprehur se Qeveria është zhytur në korrupsione e nepotizëm.

    Ai gjithashtu përmendi skandalet me energjinë dhe rezervat shtetërore, derisa tha se si pasojë, jeta e qytetarëve është vështirësuar.

    “Na, PDK-ja, jemi shpi e madhe. E kemi pasë një grupacion politik, që s’ia vlenë as me ua përmend emrin, as partinë e as personat. Këta individë kanë qenë kundër pavarësisë së Kosovës, në çdo etapë të saj, e sulmojnë gjithkënd”.

    “I sulmojnë partitë, mediat, gjykatat, komunat dhe në këtë mënyrë mendojnë që çdo gjë do të jetë në rregull. Qeveri e zhytur në korrupsione e nepotizëm. Skandalet me energji dhe rezerva shtetërore. Për pasojë, jeta e qytetarëve është vështirësuar”, u shpreh ai.

    Totaj foli edhe për kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, duke thënë se është dukshëm më i miri.

    “Kandidati jonë është dukshëm më i mirë se secili kandidat për kryeministër. Ne si parti nuk i limitojmë sfidat, i sfidojmë limitet. Të bashkuar, me unitet, të lëvizim drejt 28 dhjetorit, që do të na sjellë rezultat të mirë, qeverinë me në krye Bedri Hamza”, u shpreh ai.

  • Një i plagosur në Mamurras

    Një person është plagosur pasditen e kësaj të mërkure në Mamurras.

    Viktima i identifikuar si Pjetër Marku, është goditur nga një plumb në dorë.

    Ai është dërguar për trajtim në spitalin e Traumës në Tiranë dhe është jashtë rrezikut për jetën.

    Derisa nuk jepen detaje rreth motivit të kësaj ngjarje.

  • ​Samiti i BE-Ballkani Perëndimor, Rama takim me Costa dhe Kallas

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u prit sot në një takim nga presidenti i Këshillit të Evropës Antonio Costa, në margjina të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, me pjesëmarrjen e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve më të lartë të BE.

    Kreu i qeverisë shqiptare do të merr pjesë në seancën plenare “Thellimi i bashkëpunimit dhe avancimi i integrimit gradual, përfshirë “Roam like at home”, si dhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, të drejtuar nga presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, raporton Tch, përcjell KosovaPress.

    Në takim marrin pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen, shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas dhe presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola.

    Samiti synon të theksojë rëndësinë e marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në kontekstin aktual gjeopolitik dhe nevojën për lidhje gjithnjë e më të forta midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

    Në vijim të agjendës së tij në Bruksel, në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, kryeministri Rama zhvilloi një takim edhe me Kaja Kallas.

    Në fund të samitit do të publikohet deklarata e samitit BE-Ballkani Perëndimor.

  • Samiti në Bruksel, Osmani: Shpresojmë që aplikimi ynë të jetë në tryezën e anëtarëve të këshillit shumë shpejt

    Përpara se të fillojë Samiti, Osmani u prononcua shkurtimisht për “Euronews”, ku deklaroi se Kosova absolutisht synon të marrë statutin e kandidatit për integrim në BE.

    “Shpresojmë që aplikimi ynë të jetë në tryezën e anëtarëve të këshillit shumë, shumë shpejt. Në fakt, si identitet, si vend, si komb, ne kemi kontribuar në vlerat mbi të cilat qëndron Bashkimi Evropian për shekuj me radhë. Pra, ne besojmë fuqimisht se, ndërsa është një proces shumë kompleks, nëse përdoren kriteret e bazuara në meritë, Kosova në të vërtetë do të kishte qenë një favorite deri tani. Por, është komplekse në rastin tonë. Përveç kësaj, për shkak të pesë vendeve të panjohura, të cilat shpresojmë vërtet se do ta kuptojnë se të kesh Kosovën si anëtare të unionit, nuk është vetëm përfitimi i popullit të Kosovës, por është një imperativ strategjik. Është një imperativ sigurie për të gjithë kontinentin” deklaroi Osmani.

    Presidentja tha se Kosova është rreshtuar krah përmirësimit të performancës në indekset ndërkombëtare, qoftë në atë të ligjit, të ekonomisë e kështu me radhë.

    “Nëse shohim se çfarë thotë BE-ja për këtë progres, Kosova tani është 100% në përputhje me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian. Çdo vendim i vetëm në këto fusha është plotësisht në përputhje, qoftë sanksione kundër Rusisë apo kundër kundërshtarëve të tjerë të botës perëndimore, dhe ajo që BE-ja përfaqëson sot në aspektin e vlerave, Kosova është gjithashtu plotësisht në përputhje me reformat e sundimit dhe ligjit.

    Ne jemi në krye dhe bazuar në indekset ndërkombëtare, siç është “Gallup International”, i cili u publikua së fundmi, Kosova është në fakt numri një në Evropë për sa i përket indeksit të sundimit të ligjit. Ajo kryeson të gjitha vendet evropiane dhe është e treta në botë kur bëhet fjalë për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Ky ka qenë përparësia kryesore e institucioneve tona. Dhe tani, për sa i përket indeksit të perceptimit të korrupsionit, kemi më të ulëtin në rajon. Pra, këto janë disa nga çështjet për të cilat kemi punuar shumë në aspektin e reformave ekonomike”, shtoi presidentja.

    Ajo tha se edhe vet raportet e BE-së pohojnë se Kosova është vendi më i mirë në rajon, s ai përket reformave administrative.

    “Përsëri, sipas raporteve të BE-së që marrim çdo vit, ne jemi më të mirët në rajon për sa i përket reformave administrative. Natyrisht, ka ende disa gjëra dhe disa detyra shtëpie që duhet të përfundojmë. Por mendoj se nëse nuk do të kishte ndërlikime politike që nuk kanë të bëjnë fare me reformat, ne do të kishim qenë absolutisht vendi i parë në rajon deri më tani”, deklaroi Osmani.

    Tutje, ajo pohoi se Kosova e mbështet integrimin e Ukrainës në BE, duke deklaruar se edhe në rastin e saj, vendi ynë është renditur krah BE-së, në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.