Category: AKTUALE

  • Reshjet e borës vështirësojnë qarkullimin e trafikut në kryeqytet dhe përreth tij

    Reshjet e borës vështirësojnë qarkullimin e trafikut në kryeqytet dhe përreth tij

    Bora që ka nisur të bie nga mbrëmë e që po vazhdon të bije, raportohet se ka vështirësuar qarkullimin e lirë të automjeteve në shumë rrugë të Kosovës, por edhe në Prishtinë.

    Vështirësi në rrugë, qytetarët kanë njoftuar për rrugën Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Mitrovicë, por edhe në rrugë tjera rajonale dhe lokale.

    Ndërkohë, është raportuar për bllokimin e disa rrugëve lokale në Prishtinë. Ndërkohë, edhe në rrugët kryesore janë shkaktuar kolona, për shkak se vështirësive të automjeteve për të lëvizura.

    Po ashtu, qytetarët kanë njoftuar se shumë automjete e kanë të pamundur ta kalojnë tatpjetëzen e Veternikut.

  • Sot nis zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë

    Sot nis zyrtarisht fushata zgjedhore në Kosovë

    Ditën e sotme nis zyrtarisht fushata e zgjedhjeve qëndore në Kosovë.

    Pothuajse të gjitha partitë do të nisin fushatat e tyre zyrtare, kryesisht në Prishtinë me LDK-në e PDK-në që do mblidhen në sallat sportive të kryeqytetit e VV-ja ka vendosur të startojë nga salla e sporteve në Gjakovë.

  • Moti në Kosovë, Shqipëri e Rajon

    Moti në Kosovë, Shqipëri e Rajon

    Reshjet e borës do të rigjenerohen në Kosovë gjatë orëve të ardhshme dhe do të vazhdojnë edhe sot sidomos në mëngjes dhe paradite, ndërsa pasdite pritet të ndërpriten shkurtimisht.

    Sot në Kosovë na pret mot plotësisht i vranët dhe i ftohtë. Priten edhe reshje bore sidomos orëve të mëngjesit, por në zonat më të ulëta të Dukagjinit priten ende riga shiu ose reshje të përziera. Pasdite reshjet pushojnë, por vazhdojnë vetëm në disa zona të caktuara. Temperaturat shënojnë ulje të ndjeshme dhe pritet të lëvizin nga -1 deri në 3 gradë Celsius.

    Në Shqipëri sot pritet të mbajë mot plotësisht i vranët dhe me reshje lokale shiu. Në perëndim priten intervale kohore me diell, ndërsa borë kalimtare vetëm në verilindje.

    Në Maqedoninë Veriore sot pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje të pakta, lokale shiu e bore. Reshje lokale bore të Shtunën priten edhe në veri të Malit të Zi dhe Luginë të Preshevës.

    Të Dielën kemi ardhjen i ndikimit të ciklonit të fuqishëm i stacionuar në jug të Italisë deri në Detin Jon. Ky ciklon do të kushtëzojë reshje bore në viset kontinentale të Shqipërisë, Maqedoninë Veriore, dhe Kosovë. Reshjet më të dendura të borës priten në veri-verilindje të Shqipërisë dhe veriperëndim të Maqedonisë së Veriut. Reshje të dendura bore priten edhe në jug dhe lindje të Kosovës. Temperaturat do të shënojnë ulje të mëtutjeshme në tërë rajonin, ndërsa reshje bore mund të ketë edhe në Shkodër dhe Lezhë, lokalisht edhe në ndonjë rajon tjetër në Shqipëri ku fenomeni i borës është më i rrallë.

    Sa i përket Kosovë e diela sjellë reshje të herëpashershme bore në tërë territorin, më intensive në jug të vendit e më të pakta në veri dhe verilindje të vendit, por priten shtresa bore në tërë territorin e Kosovës.

    Reshjet e borës do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së Hënë duke rritur shtresat e borës. Nga e marta reshjet do të ndërpriten dhe pritet stabilizim gradual i motit, por mbetet ftohtë dhe me acar.

  • Valdete Idrizi – Një zë që premton të jetë i fortë për paqe dhe barazi në Kuvend

    Valdete Idrizi – Një zë që premton të jetë i fortë për paqe dhe barazi në Kuvend

    E lindur në Mitrovicë më 1973, Valdete Idrizi është një ndërmjetësuese e shquar dhe aktiviste për të drejtat e njeriut. Si bijë e një minatori dhe rritur në një familje me tetë fëmijë, ajo u frymëzua nga vlerat e solidaritetit dhe përkushtimit ndaj komunitetit.

    Që nga viti 2001, ajo ka udhëhequr OJQ-në “Community Building Mitrovica” (CBM), duke ndërtuar ura midis komuniteteve dhe promovuar bashkëjetesën ndëretnike.

    Valdete ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe grupeve të margjinalizuara. Për guximin dhe përkushtimin e saj, ajo është nderuar me çmimin prestigjioz “International Women of Courage” në 2008.

    Si ish-deputete e Kuvendit të Kosovës në të kaluarën dhe kandidate për kryetare të Mitrovicës, ajo ka dëshmuar përkushtim për ndërtimin e paqes dhe zhvillimin e shoqërisë.

    Në zgjedhjet e 9 shkurtit, ajo garon me numrin 36 nga radhët e PDK-së, duke sjellë përvojë dhe vizion për të ardhmen e Kosovës dhe pritet të jetë zë i fortë i të drejtave dhe kërkesave të qytetarëve.

  • Osmani pas takimit me zyrtarin amerikan: Kosova dhe SHBA do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik

    Osmani pas takimit me zyrtarin amerikan: Kosova dhe SHBA do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard R. Verma.

    Pas takimit, ajo është deklaruar përmes një postimi në Facebook, ku ka bërë të ditur se i është konfirmuar se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.

    “Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zv.Sekretarin amerikan Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”, ka shkruar ajo.

    Osmani ka potencuar se kjo është “një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate”.

    “Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës. Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar presidentja e vendit.

  • Verma arrin në Kosovë, pritet në takim nga presidentja Osmani

    Verma arrin në Kosovë, pritet në takim nga presidentja Osmani

    Zëvendëssekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard Verma, ka ardhur në Prishtinë.

    Ai tashmë ka arritur në Presidencë, ku është është pritur në takim nga e para e vendit, Vjosa Osmani.

    Departamenti i Shtetit ka njoftuar se Verma në Kosovë do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, e po ashtu forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve.

    Para se të vinte në Kosovë, zyrtari amerikan ka vizituar Shqipërinë, ndërsapas Kosovës do ta vizitojë edhe Serbinë.

  • Bizneset në hall për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike

    Bizneset në hall për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike

    Me produkte të shkatërruara, pajisje të dëmtuara dhe kosto të shtuara, shumë biznese në Kosovë – nga furrat e bukës e deri te fabrikat e mëdha – janë dëmtuar nga ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike së voni. Probleme me rrymë, Kosova ka prej vitesh, kryesisht për shkak të vjetërsisë së termocentraleve.

    Ende pa lindur dielli, furrtari Vllaznim Likaj kuptoi se në ditën e 30 dhjetorit të vitit të kaluar do ta kishte të pamundur ta mbushte furrën e tij me bukë, kifle, byrekë e pica.

    Gjatë fundit të dhjetorit, në fshatin Davidoc të Shtimes – ku Likaj është shpërngulur nga Prizreni që katër vjet për të hapur furrën e tij – kishte ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.

    Ndërprerjet nganjëherë zgjasnin deri në pesë a gjashtë orë. Edhe kur kishte rrymë, Likaj thotë se tensioni jostabil ia dëmtonte pajisjet me të cilat punon.

    “Dy siguresa të furrës i dogji krejt. Edhe një tjetër e dogji më vonë për shkak se herë vinte rrymë shumë e fortë, herë ndalej krejt”, tregon Likaj për Radion Evropa e Lirë.

    Likaj, bashkëshortja dhe vajza e tij punojnë së bashku që ta bëjnë brumin, ta lënë atë të vijë për një kohë të caktuar, pastaj ta pjekin në temperaturë e kohë të caktuar, për t’iu shitur klientëve prodhime të nxehta në mëngjes, drekë e darkë.

    Në zanatin që e ka trashëguar familja e tij që tre breza, çdo gjë duhet të jetë e planifikuar me orar. Por, planet shpeshherë u kanë dështuar.

    “E kemi ditur që do të ketë probleme me rrymë, por jo bash kështu. Ka ndikuar shumë në cilësinë e prodhimit. Na mbeste brumi i ardhur, detyroheshim ta gjuanim. Shkurt e shqip, jemi dëmtuar”, thotë Likaj.

    Por, nuk është vetëm furra “Te Rrethi” e Likajt që është përballur me këto probleme.

    Lulzim Rafuna nga Oda Ekonomike e Kosovës tregon për REL-in se pothuajse të gjitha bizneset janë dëmtuar në një formë apo tjetër nga ndërprerjet e energjisë elektrike në vend.

    Nevoja që bizneset të pajisen me gjeneratorë i bën prodhimet e tyre më pak konkurruese në treg, paralajmëron Rafuna.

    “Sidomos kur je prodhues jo shumë i madh, kjo e rrit koston e prodhimit dhe menjëherë e bën produktin jonkonkurrent me produkte të tjera ose produkte të importuara”, thotë Rafuna.

    Sipas tij, problemet po vazhdojnë ende – edhe tani kur ndërprerjet e energjisë elektrike nuk janë të shpeshta si në dhjetor të vitit të kaluar – pasi që, siç thotë, tensioni i rrymës nuk është ende stabil.

    “Në momentin që ndalet rryma, i gjithë prodhimi që është në proces, shkon dëm. Në rast se linjat e reja të prodhimit nuk e kanë shumë stabil tensionin, atyre u shkaktohen probleme dhe dëme”, shton Rafuna.

    Pikërisht këtë problem e ka ende Milazim Berisha, pronar i fermës dhe qumështores “Eurolona”.

    Në kompaninë e tij në Fushë Kosovë nuk kishte rrymë as më 8 janar, kur ai tregoi për problemet që i kanë shkaktuar ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike.

    “Ditëve të fundit kemi pasur ndërprerje deri në 12 apo 13 orë brenda 24 orëve. Ju garantoj që secila pajisje në linjat tona të prodhimit është e dëmtuar”, thotë Berisha.

    Ai thotë se investimi në pajisje moderne të teknologjisë së fundit i është kthyer si bumerang. Këto pajisje më moderne janë plotësisht elektronike dhe atyre u duhet energji stabile për të funksionuar.

    “Problemi është që nuk kemi as ekspertë apo mjeshtër të mjaftueshëm në Kosovë që e bëjnë riparimin e tyre. Shumë më lehtë kemi punuar kur kemi pasur modele të vjetra, që kanë qenë gjysmë-automatike”, thotë Berisha.

    Ai thotë se ka investuar edhe në rreth dhjetë gjeneratorë të kapaciteteve të ndryshme, por se pajisjet e reja nuk e durojnë as kalimin e energjisë nga rrjeti energjetik i Kosovës në gjeneratorë.

    Investimet thotë se ishte i detyruar t’i bënte para disa vitesh, shkaku i mungesës së punëtorëve.

    “Këto pajisje që janë të nevojshme edhe për të qenë konkurrentë me [prodhimet e] Evropës, nuk janë të përshtatshme për këtë infrastrukturë në Kosovë. Vetëm një erë e lehtë nëse fryn, këtu ndalet rryma”, thotë ai.

    Berisha ende nuk e di se sa është vlera e dëmeve që ka pësuar, por për një gjë është i sigurt: dëme ka pasur.

    Ai tregon se kur ndërpritet furnizimi me energji në linjat e prodhimit, produkti që është në prodhim e sipër, shkon dëm, pasi që pajisjet ndalojnë menjëherë së punuari.

    Qumështi që ka qenë në shishe mbetet, ta zëmë, pa kapakë dhe prishet shumë më shpejt se kur është i mbyllur siç duhet.

    Rafuna tregon se Oda Ekonomike ka dërguar plot ankesa në Kompaninë Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë (KEDS) dhe në Ministri të Zhvillimit Ekonomik për dëmet e shkaktuara ndaj bizneseve, por thotë se kërkesat kanë hasur në vesh të shurdhër.

    Vetë Lika dhe Berisha nuk kanë tentuar të kërkojnë kompensim në KEDS. Ata thotë se në punën e tyre u duhet të bëjnë zgjidhje shpejt për ta kufizuar dëmin. Për këtë arsye, të dy kanë tentuar të gjejnë mjeshtër për t’i rregulluar pajisjet.

    “S’kemi pasur as kohë të ankohemi”, thotë Lika.

    “Na shkoi jeta duke u ankuar dhe tash po i marrim si normale këto probleme”, shton Berisha.

    KEDS-i nuk është përgjigjur në pyetjet e REL-it se sa kërkesa për kompensime kanë pranuar dhe sa është vlera e dëmeve të shkaktuara gjatë periudhës kur kishte ndërprerje më të shpeshta të rrymës.

    Ngjashëm, as Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ka treguar nëse ka ndonjë plan për t’i mbështetur bizneset që janë dëmtuar.

    Gjatë kohës sa problemet me furnizim me energji elektrike kanë qenë të pranishme kudo nëpër Kosovë, institucionet u kanë bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë atë, për shkak të mbingarkesës së rrjetit.

    Por, pronarët e shumë bizneseve s’funksionojnë dot pa energji elektrike.

    “Një gjë mund t’ju them: unë, personalisht, nëse do të mund ta ktheja kohën prapa, as edhe një cent nuk do ta investoja. Dhe, jam prej atyre që kam qenë jashtë Kosovës dhe jam kthyer”, thotë Berisha.

  • Zyrtari i lartë amerikan sot në Kosovë, do të pritet nga Osmani

    Zyrtari i lartë amerikan sot në Kosovë, do të pritet nga Osmani

    Zëvendëssekretari i Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma, sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Verma do të pritet në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Departamenti i Shtetit ka njoftuar se ai do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve.

    Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme të Ukrainës dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë.

  • Qytetarit i thyhet vetura në pikë të ditës në Mazgit (PAMJE)

    Qytetarit i thyhet vetura në pikë të ditës në Mazgit (PAMJE)

    Dy persona janë kapur nga syri i kamerës së sigurisë së një objekti duke thyer një veturë në pikë të ditës në magjistralen Prishtinë-Vushtrri, saktësisht në fshatin Mazgit të Obiliqit.

    Një lexues, i cili thotë të ketë qenë cak i këtyre hajnave, në redaksinë e Klankosova ka dërguar një video ku shihet qartë akti i tyre.

    Fillimisht ata u parkuan, e më pas njëri prej tyre doli për të kontrolluar veturën se a ka diçka brenda saj.

    Shumë shpejt u kthye në makinën e tij, mori diçka dhe me të theu xhamin e automjetit të cilit ia kishin vënë syrin që ta vidhnin.

    Pasi morën atë që deshën, ata u larguan nga vendi i ngjarjes qetësisht.

    Kujtojmë se ditëve të fundit, raportimet për vjedhje nëpër makina janë shpeshtuar.

    Vetëm të martën e kësaj jave, dy persona me një makinë të njëjtë me këtë që shihet në videon më poshtë, kanë bërë kërdi në Lipjan e Kaçanik.

  • Certifikimi i Listës Serbe, PZAP merr vendim për ankesën e VV-së

    Certifikimi i Listës Serbe, PZAP merr vendim për ankesën e VV-së

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka hudhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ta certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, shkruan Reporteri.net.

    Vendimi është marrë sot dhe në të thuhet se ankesa është e palejuar.

    “Hudhet poshtë e palejuar ankesa Anr. 16./2025, e datës 08.01.2025, e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje, me seli në Prishtinë, paraqitur kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, me të cilën ka kërkuar që të anulohet Vendimi i KQZ’së Nr.01/2328-2024, i datës 31.12.2024 dhe të urdhërohet KQZ, të nxjerr vendim”, thuhet në vendim.

    Kundër këtij vendimi, VV ka të drejtë ankese në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga pranimi i këtij vendimi.

    Një nga arsyet e kundërshtimit të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje nga Vetëvendosja qeverisëse është fakti që Lista Serbe nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra një polic kosovar.