Category: AKTUALE

  • Dhuna në familje – dy raste në Pejë e dy në Istog

    Dy raste të dhunës në familje janë raportuar në Pejë e dy të tjera në Istog.

    Kjo u bë e ditur nga policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ku bëhet e ditur se në tre raste, burrat kanë sulmuar viktimat femra, ndërkohë një tjetër iu kishte shkaktuar dhunë psiqike familjarit të tij dhe fëmijëve të ankuesit.

    Istog  10.03.2025, 10:40.  Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar në vazhdimësi i shkakton dhunë psiqike ankueses femër kosovare. I dyshuari është arrestuar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa viktima me dëshirën e saj është kthyer te familjarët e saj.

    Pejë 10.03.2025, 17:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje e kishte sulmuar fizikisht ankuesen femër kosovare. Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    Pejë  10.03.2025, 18:00. Është ka raportuar se i dyshuari mashkull kosovar iu kishte shkaktuar dhunë psiqike ankuesit mashkull kosovar dhe fëmijëve të tij. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    Istog 10.03.2025, 20:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit i kishte shkaktuar dhunë psiqike viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe e njëjta ka kërkuar urdhër mbrojtës, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje./Rilindja Shqiptare/

  • Rutte: Ajo që ndodhi në BeH dhe Kosovë, nuk duhet të ndodhë më kurrë

    Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Mark Rutte, i cili sot pritet të qëndrojë për vizitë në Kosovë, ka thënë se janë në komunikime të vazhdueshme me krerët e shtetit në Kosovë dhe ata në Bosnjë e Hercegovinë, por edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq që tensionet në rajon të ulen.

    Ai në një intervistë për për Al Jazeera Balkans, tha se Kosova është një shtet shumë i rëndësishëm, ku prania e NATO-s është e fortë, përmes trupave të KFOR-it.

    “Kosova është vend shumë i rëndësishëm, ku NATO ka prezentë të fortë përmes KFOR-it. Është e rëndësishme të angazhohemi të gjithë që ky shtet të jetë në situatën më të mirë të mundshme. Atje ka pasur zgjedhje dhe do të shohim si do të formohet Qeveria e re. Gjithë kjo është pjesë e një procesi normal demokratik, gjë që është e mirë. Por në të gjithë rajonin situata po ndryshon. Jam në komunikime intensive, jo vetëm me krerët e Kosovës dhe ata të Bosnjë e Hercegovinës, por javën e kaluar kam biseduar edhe me Vuçiqin, që javën tjetër pritet të jetë së shpejti në Bruksel. Pra, komunikimet janë intensive që tensionet në rajon të ulen”.

    Duke folur për rritjen e tensioneve në rajon, Rutte tha se ajo çka ka ndodhur në Bosnjë dhe Herecegovinë nga viti 1992 deri në vitin 1995, dhe në Kosovë deri në vitin 1999, nuk guxon të përsëritet kurrë më.

    “Ajo çka ka ndodhur në këtë rajon, në Bosnjë dhe Herecegovinë nga viti 1992 deri në vitin 1995, dhe në Kosovë deri në vitin 1999, nuk duhet të përsëritet kurrë më. Ky rajon ka potencial të madh. Dëshirojmë që të rinjtë që jetojnë këtu, të qëndrojnë këtu, të jenë të suksesshëm, të hapin biznese, të inkuadrohen në rrethet politike dhe akademike, të bëhen artistë të mëdhenj dhe ta zhvillojnë këtë vend”, tha Rutte  për Al Jazeera Balkans.

    Rutte sot pritet të qëndrojë në Kosovë, ku do të ketë takime me krerët e shtetit, presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti.

    Kjo është vizita e tij e parë në Kosovë që kur mori drejtimin e NATO-s në tetor të vitit të kaluar. Ai do të jetë i shoqëruar nga ambasadorët e Këshillit të Atlantikut të Veriut.

  • Osmani edhe një mandat si presidente?, Hamza: Krejt varet prej forcave politike

    Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, thotë se presidentja Vjosa Osmani nuk do t’ia mbajë krahun Lëvizjes Vetëvendosje, pasi sipas tij është e qartë ligji dhe Kushtetuta.

    “Është e detyruar ta ndjek ligjin dhe Kushtetutën”, thotë Hamza në emisionin “Rubikon”.

    “Nuk po paragjykoj se kush do të jetë presidenti apo presidentja mandatin e ardhshëm, mirëpo realisht secili prej neve, kur kalojmë dhe bëhemi pjesë të institucioneve, flamurin politik duhet me e lanë në partitë politike”, tha ai, transmeton Klankosova.tv.

    Sa i përket se a mund të jetë Osmani edhe për një mandat presidente, Hamza thotë se kjo varet krejt prej raportit të forcave politike se si janë në Kuvendin e Kosovës.

  • Studentët bllokojnë hyrjet e dy televizioneve në Beograd dhe Novi Sad

    Në kuadër të protestës masive të studentëve në Serbi, ndërtesa e Radiotelevizionit të Serbisë (RTS) në Beograd është bllokuar, dhe në një moment protestuesit janë përleshur me policinë.

    Protestuesit kanë bërë të ditur se bllokada para ndërtesës së RTS-së do të zgjasë për 22 orë.

    “Sonte jemi përshkruar si bandë nga një moderator i RTS-së. Prandaj jemi duke bllokuar ndërtesën e RTS-së sonte. Nuk do të ketë dhunë dhe asnjë ndërhyrje. Të gjithë punëtorët do të mund të largohen nga ndërtesa, por askush nuk mund të hyjë”, kanë thënë studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Beograd.

    Hyrja e RTS-së ka qenë e bllokuar përgjatë gjithë natës, me rreth 100 persona të mbledhur në hyrje të ndërtesës në Beograd. Pjesëtarët e policisë janë brenda ndërtesës.

    Studentët e kanë bllokuar edhe ndërtesën e Radiotelevizionit të Vojvodinës (RTV) në Novi Sad.

    Drejtori i këtij televizioni, Goran Karagjiq e ka refuzuar kërkesën e studentëve për të raportuar se çfarë është duke ndodhur në hyrje të ndërtesës, prandaj studentët po vazhdojnë bllokadën, është raportuar të ketë thënë student Boris, sipas agjencisë Beta.

    Dhjetëra studentë dhe shtetas tjerë të Serbisë janë mbledhur para hyrjes së Radiotelevizionit të Kragujevcit (RTK) në shenjë solidariteti me studentët që janë duke bllokuar shërbimet publike në Beograd dhe Novi Sad, ka raportuar televizioni N1.

    Përmes bllokadave dhe protestave, studentët po kërkojnë që autoritetet të mbahen përgjegjëse për vdekjen e 15 personave, si pasojë e rrëzimit të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

    Beta ka raportuar se disa studentë kanë shkuar në Koshtunjak, një lagje në Beograd, me synim të bllokimit të studios tjetër të RTS-së, prej së cilës mund të ketë transmetim programesh.

    Policia ka thënë se do të intervenojë vetëm nëse protestuesit përpiqen të hyjnë në ndërtesë me forcë.

  • Erion Veliaj sot në Apel, kërkon zbutjen e masës së “arrestit me burg”

    Erion Veliaj do të dalë sot para trupës gjykuese të Apelit të Gjykatës së Posaçme, për të kërkuar zbutjen e masës së dhënë ndaj tij. Atë të arrestit me burg.

    Kryebashkiaku i Tiranës, që vazhdimisht e ka cilësuar arrestimin e tij si të paligjshëm dhe ndaj prokurorit të çështjes ka hedhur akuza, sot në orën 10:00 do të jetë në seancën që do të drejtohet përballë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, një emër i njohur.

    Ky i fundit është gjyqtari që dënoi me burg ish-ministrin Saimir Tahiri, ndërsa u zgjodh me short për të gjykuar edhe çështjen e Veliajt, pasi gjyqtarja Ilirjana Olldashi ndodhet me raport për shkak të problemeve shëndetësore.

    Masën e kanë ankimuar edhe 4 nga 6 biznesmenët e akuzuar për korrupsion në këtë çështje, Meriman Palushi, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula, aktualisht nën masën “detyrim paraqitje”, ndërsa biznedmeni Elman Abdule, i arrestuar, kërkon një masë më të butë se paraburgimi. Ndërkohë biznesmenët Sokol Kryeziu dhe Fatmir Bektashi nuk e kanë ankimuar vendimin e Gjyktës së Posaçme, “detyrim paraqitje”.

    Veliaj akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masë detyrim paraqitje, edhe për mosdeklarim pasurie.

  • 44 vjet nga demonstratat që tronditën ish-Jugosllavinë

    Sot mbushen 44 vjet nga demonstrata e studentëve të Kosovës më 11 mars e vitit 1981. Kjo demonstratë është vlerësuar njëra ndër to që tronditi ish-Jugosllavinë.

    44 vjet më parë, në mars të vitit 1981, në Prishtinë shpërthyen demonstratat e studentëve me kërkesa sociale.

    Demonstratat që ndodhën në Kosovë, 44 vjet më parë, më 11 mars, nisën si shprehje e pakënaqësisë së studentëve shqiptarë të Universitetit të Prishtinës, të cilët me 4 mars të vitit 1981, në Mensën e Studentëve brenda Qendrës së Studentëve në Prishtinë, protestuan spontanisht ndaj kushteve jo të mira, sipas tyre, në të cilat jetonin dhe studionin në atë kohë.

    Por, më pas, më 11 dhe 27 mars, si dhe më 1 dhe 2 prill të vitit 1981, kërkesat fillimisht me përmbajtje sociale, evoluuan në kërkesa që shpërfaqnin pakënaqësitë politike, shoqërore dhe kombëtare.

  • Ari Rent A Car: Gati për çdo udhëtim nga Prishtina!

    Rrugët po të thërrasin… a je gati? Nëse po kërkon makinën ideale për udhëtimin tënd, Ari Rent A Car në Prishtinë, është zgjedhja e duhur!

    Me një flotë të larmishme të veturave, asistencë rrugore 24/7 dhe mundësi rezervimi përmes Viber & WhatsApp, udhëtimi yt nis pa stres!

    📲 Rezervo tani:
    📱 +383 44 795 795 (Viber & WhatsApp)
    📱 +383 49 991 123

  • Pranvera Hyseni vendos Kosovën në hartën e shkencës planetare

    Pranvera Hyseni vendos Kosovën në hartën e shkencës planetare

    Pranvera Hyseni, astronomja shqiptare nga Kosova, po përfaqëson vendin në njërën nga konferencat më të mëdha të shkencës planetare në Houston, Teksas, ku mbi 2 mijë shkencëtarë dhe studentë nga e gjithë bota ndajnë kërkimet e tyre më të fundit.

    Pas muajsh analizash të familjeve të asteroideve nga të dhënat e mbledhura përmes teleskopit të NASA-s Infrared Telescope Facility, ajo do të prezantojë studimin e saj të enjten në mëngjes me temën:
    “Investigating The Distribution of Soluble Organic Matter Among Hydrated Asteroid Families”.

    Përveç prezantimit të hulumtimit të saj, Hyseni do të ketë një vizitë private në NASA’s Johnson Space Center, duke përjetuar nga afër vendin ku zhvillohen misionet e fluturimeve njerëzore në hapësirë, njofton.

    Si e vetmja përfaqësuese nga Kosova, ajo e konsideron këtë një moment të rëndësishëm për vendin, duke e vendosur Kosovën në hartën e shkencës planetare.

    https://www.facebook.com/pranvera.hyseni.3154/posts/4067297443483851?ref=embed_post

  • Molliqaj: Kurti don me mbajtë pushtetin veç vetë, me mujtë i blen nja 7 deputetë

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka deklaruar në “Pressing” se përçarja brenda opozitës i shkon për shtati vetëm kryeministrit Albin Kurti, duke argumentuar se kreu i Qeverisë synon të mbajë pushtetin vetëm për vete.

    Sipas Molliqajt, nëse partitë opozitare do të garonin së bashku, ekzistonte mundësia e një fitoreje ndaj partisë në pushtet.

    “Kurti e di çfare është, Kurti don me majtë veç vetë, me mujtë Kurti i blenë nja 7 deputetë”, tha Molliqaj në Pressing.

    “Unë po mendoj që sfida ështe tek ne, e kam pa që nuk është stabile në këtë diskurs politik. Kam thanë që është më mirë me garu bashkë krejt partitë opozitare sepse kishim dal fitues ndoshta. Qikjo opozitë e ndarë i konvenon vetëm Albin Kurtit”, shtoi ai.

  • Ngjarjet e ditës, sot 11 mars

    Iniciativa Studentore për Novacion 68 mban aksion protestues si reagim ndaj mungesës së hapësirave të dedikuara për studentët për aktivitete kulturore dhe artistike, si dhe ndaj neglizhencës nga menaxhmenti i Qendrës së Studentëve. (Qendra e Studentëve e Universitetit të Prishtinës, ora 11:00)

    Federata e Hendbollit e Kosovës mbanë konferencë për media. (Zyret e federatës, ora 12:00)
    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pret në takim Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Mediat do të mund të marrin pamje nga pritja dhe fillimi i takimit. Kurse, pas takimit, Osmani dhe Rutte do të mbajnë konferencë për media. (Kabineti i Presidentes, ora 13:45, mediat të jenë në Presidencë, në ora 13:20)

     

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Sekretarin e  NATO-s, Mark Rutte. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 14:50)