Category: LAJME

  • Kurti e nis ditën në takim me shefen e BE-së, i theksohet nevoja për depolitizimin e KQZ-së

    Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, u takua këtë mëngjes me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Në takim u prezantua raporti i gjetjes së Misionit të Ekspertëve të Zgjedhjeve të BE-së mbi zgjedhjet e fundit lokale dhe parlamentare.

    Në komunikatë thuhet se u theksua nevoja për depolitizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke pasur parasysh rolin e tij si garantues i integritetit zgjedhor.

  • Kaluan ilegalisht kufirin, arrestohen dy serbë në Leposaviq

    Kaluan ilegalisht kufirin, arrestohen dy serbë në Leposaviq

    Të hënën, dy shtetas serbë kanë hyrë në Kosovës, përmes rrugëve ilegale.

    Kalimin kufitar ata e kanë bërë në fshatin Vracevo të Leposaviqit.

    Por, me të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, ata janë arrestuar nga zyrtarët policorë.

    Nën dyshimnin se kanë kryer veprën penale të kalimit të paautorizuar të kufirit, dy serbët janë dërguar në mbajtje.

    “Fsh.Vracevo-Leposaviq,20.04.2026-17:30. Janë arrestuar dy te dyshuar meshkuj  shtetas të Serbisë të cilët në Kosovë kishin hyrë nëpër mjet rrugëve ilegale. Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit kujdestar, të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes.”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

  • Ndarja e madhe në LDK: Abdixhiku dhe Rama ndajnë rrugët – Termokosi ndez konfliktin

    Një përplasje e thellë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë ka dalë në sipërfaqe, duke vënë përballë kryetarin e partisë, Lumir Abdixhikun dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Ramën.

    Ngjarja ka marrë përmasa serioze ditët e fundit, kur raportet mes tyre, sipas burimeve të sigurta, kanë kaluar në një fazë të tensionuar, deri në ndërprerje të bashkërendimit politik.

    Deri vonë, Rama konsiderohej si një nga projektet kryesore politike të Abdixhikut në kryeqytet dhe u rizgjodh me mbështetjen e plotë të strukturave të LDK-së. Megjithatë, zhvillimet e fundit tregojnë një ndryshim të theksuar në këtë raport.

    Sipas burimeve të sigurta, përplasja lidhet drejtpërdrejt me ndërmarrjen publike Termokos, ku thuhet se Abdixhiku ka insistuar për ndikim në drejtimin e saj.

    Në këtë kontekst, përmenden edhe emrat Arton Ratkoceri dhe Shkumbin Gashi, të cilët, sipas burimeve dhe vlerësimeve brenda rrethit të Ramës, konsiderohen si persona që po tentojnë të ndikojnë në vendimmarrjen për ndërmarrjet komunale, në veçanti për Termokosin.

    Nga ana tjetër, sipas të njëjtave burime, Përparim Rama e ka kundërshtuar këtë qasje, duke kërkuar që ndërmarrjet e Prishtinës të menaxhohen pa ndikime nga jashtë Komunës dhe pa njerëz jashtë Komunës.

    Kjo situatë, gjithnjë sipas burimeve, ka çuar në një përplasje të ashpër mes dy palëve dhe në përkeqësim të komunikimit.

    Në ndërkohë, brenda strukturave të LDK-së në Prishtinë po qarkullon mesazhi se “rrugët janë ndarë”.

    Burime brenda partisë bëjnë të ditur se Abdixhiku ua ka komunikuar disa kryetarëve të degëve në Prishtinë dhe bashkëpunëtorve të tij se nuk ka më bashkërendim me Ramën, ndërsa një qëndrim i ngjashëm është përcjellë edhe nga Rama te bashkëpunëtorët e tij në Komunë.

    Zhvillimet nuk pritet të ndalen me kaq.

    Sipas burimeve të Sinjalit, në ditët në vijim priten ndryshime në drejtoritë komunale, largime ose rotacione të zyrtarëve të afërt me Abdixhikun, si dhe rishikimi i pozitës së nënkryetarit.

    Në fokus mbetet edhe Drejtoria e Investimeve Kapitale, për të cilën thuhet se Rama nuk pritet ta lejojë më nën ndikim politik të jashtëm, e as të qeveriset nga njerëz të afërt me Abdixhikun.

    Këto zhvillime vijnë në një moment të ndjeshëm politik, kur vendi mund të hyjë në një cikël të ri zgjedhor.

    Një përplasje e tillë brenda partisë rrezikon të ketë pasoja të drejtpërdrejta në pozicionin e LDK-së në kryeqytet dhe më gjerë.

    Ndonëse ky konsiderohet konflikti më serioz deri më tani mes Abdixhikut dhe Ramës, sipas burimeve, tensione të ngjashme kanë ekzistuar edhe më herët.

    Në një prej rasteve, si pikë përplasjeje ishte përmendur edhe një billboard i vendosur në hyrje të Veternikut, që dyshohet se lidhej me rrethin familjar të Abdixhikut. Sipas burimeve, ai ishte larguar për një periudhë me vendim të Ramës, çka kishte shkaktuar pakënaqësi dhe përplasje të re mes tyre.

    Nëse këto ndasi do të tejkalohen përmes një marrëveshjeje të mundshme, apo do të thellohen edhe më tej, mbetet të shihet në ditët në vijim.

  • Ambasadori amerikan në NATO viziton Kosovën

    Ambasadori amerikan  në NATO, Mathew Whitaker do të qëndrojë për vizitë në Kosovë sot dhe nesër.

    Policia e Kosovës ka  dalë me një njoftim sa i përket lëvizjes së eskortës së diplomatit amerikan.

    “Me këtë rast Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë”.

    “Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në një njoftim të Policisë.

  • Çfarë thuhet në raportin e Amnesty International për Kosovën?

    (Radio Evropa e Lirë) Dhuna me bazë gjinore, thirrjet raciste, sulmet ndaj gazetarëve dhe mungesa e ligjit për bashkësi civil mes personave të gjinisë të njëjtë vlerësohen si ngecjet për Kosovën në raportin mbi gjendjen e të drejtave të njeriut të organizatës Amnesty International të publikuar më 21 prill. Ndërkaq, zhvillim pozitiv është vlerësuar shfuqizimin i një ligji për rregullatorin e mediave.

    Në raportin vjetor, kjo organizatë për të drejtat e njeriut tha se bota është në prag të një epoke të re të rrezikshme, e nxitur nga sulmet e shteteve të fuqishme dhe lëvizjeve kundër të drejtave të njeriut, ndaj multilateralizmit, ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut.

    Shtetet, institucionet ndërkombëtare dhe shoqëria civile “duhet të refuzojnë politikën e pajtimit dhe të rezistojnë kolektivisht ndaj këtyre sulmeve për të parandaluar që ky rend i ri të zërë vend”, tha organizata në raportin e saj mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në 144 vende.

    Sa i përket dhunës me bazë gjinore në Kosovë, Amnesty përmend një raport të Komisionit Evropian të publikuar në nëntor ku thuhet se dhuna me bazë gjinore është në nivel të lartë, veçmas dhuna në familje.

    “Aty pranohet se janë bërë përpjekje për të rritur vetëdijen për këtë çështje dhe për të adresuar ngecjet sa i përket mbrojtjes institucionale dhe ligjore për gratë. Megjithatë, raporti gjeti se këto përpjekje nuk ishin të mjaftueshme për të luftuar në mënyrë efektive dhunën me bazë gjinore”, tha Amnesty International.

    Shumica e viktimave të dhunës në familje janë gra, sipas autoriteteve.

    Po ashtu, nga viti 2010 e deri më tani afër 60 gra janë vrarë në Kosovë.

    Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

    Në seksionin për të drejtat e grave dhe diskriminimin po ashtu përmendet edhe vendimi i Gjykatës Supreme për të mbajtur në fuqi e një udhëzim administrativ të vitit 2014 që ndalon veshjet fetare në shkolla, që sipas Amnesty International, “kufizon qasjen e vajzave që mbajnë shami në edukim”.

    Tetorin e vitit të kaluar, Supremja hodhi poshtë padinë e ngritur nga Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional “Arrita”, që kërkonte lejimin e bartjes së shamisë islame. Ky rrjet kishte kërkuar që të shpallej i paligjshëm një udhëzim i Ministrisë së Arsimit, lidhur me rregullat e veshjes së nxënësve në shkolla, duke argumentuar se ndalimi i shamisë cenon të drejtat kushtetuese për lirinë e besimit.

    Si zhvillim pozitiv, Amnesty International vlerëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese të majit të vitit 2025 që shfuqizoi ligjin për të zgjeruar fuqitë e Komisionit të Pavarur të Mediave.

    “Organizatat e shoqërisë civile e vlerësuan ligjin si jokushtetues, duke thënë se kërcënon lirinë e medias dhe pavarësinë”, u tha në raport.

    Sa i përket mediave, Amnesty tha se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës gjatë vitit 2025 – deri në nëntor – raportoi për 63 raste të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve.

    Të drejtat e komunitetit LGBTI+ dhe të komuniteteve joshumicë

    Sikurse edhe në raportin e kaluar, edhe në raportin e ri, Amnesty International përmend mosmiratimin e një ligji që do të mundësonte regjistrimin e bashkësive civile mes personave të gjinisë së njëjtë. Në raport u tha se në këtë drejtim “nuk është bërë përparim” dhe legjislacioni nuk është çuar përpara gjatë krizës politike.

    Organizata po ashtu përsëriti se për pjesëtarët e komunitetit LBTI+ (lesbikë, gej, biseksual, transgjinorë, ndërgjinorë, etj) ende nuk është hapur një strehimore e specializuar, ku do të qëndronin anëtarët e komunitetit që përballen me dhunë.

    Ndërkaq, në seksionin e të drejtave për komunitetin rom dhe ashkali, Amnesty tha se familjet rome përballen me frikë nga dëbimi nga vendbanimet joformale, për shkak se nuk kanë dokumente zyrtare. Mungesa e dokumenteve, sipas raportit, është për shkak të kostos dhe pengesave burokratike.

    Po ashtu, përmendet rasti i futbollistit nga komunitetit ashkali, Belgin Jashari, 15 vjeç, i cili u përball me dhunë fizike gjatë një ndeshjeje.

    “Ai më pas tha se ishte përballur shpesh me ofendime raciste, drejt tij janë hedhur shishe dhe është përballur me dhunë gjatë ndeshjeve”, duke shtuar se Policia e Kosovës e arrestoi të dyshuarin dhe ndaj tij është ngritur akuzë për sulm.

    Dënimet për përdhunimet gjatë luftës

    Raporti i organizatës për të drejtat e njeriut, Amnesty International po ashtu adreson edhe çështjen e dhunës seksuale gjatë luftës. Këtu përmendet rasti i Ramadan Nishorit, i cili në prill të vitit të kaluar u bë burri i parë që publikisht pranoi se është i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës dhe foli publikisht për përvojën e tij.

    Sa i përket veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës, raporti kujton se në qershor, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Zhivojin Neshiqin, ish-pjesëtar i policisë serbe dhe forcave ushtarake, me 15 vjet burgim për krime të luftës të kryera më 1999, përfshirë përdhunim.

    Amnesty International kujton po ashtu se në korrik, në një gjykim të mbajtur në mungesë, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Dragan Deniqin dhe Ivica Rajkoviqin me nga 15 vjet burgim për përdhunimin e një gruaje shqiptare gjatë luftës më 1998-1999.

    Raporti po ashtu përmend ngritjen e aktakuzës në gusht nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj 21 personave në mungesë për dëbimin e 800.000 shqiptarëve civilë gjatë luftës.

    Kur flitet për akuza për krime lufte, Amnesty përmend edhe proceset gjyqësore që janë zhvilluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë.

    “Në maj, Qeveria [e Kosovës] u patua që të pranonte pretendime për kompensim nga viktimat e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që u gjetën fajtorë në Dhomat e Specializuara në Hagë”, u tha në raport.

    Ish-komandanti i UÇK-së, Sali Mustafa, është dënuar për krime lufte dhe gjykata ka urdhëruar që ai të paguajë 207 mijë euro në emër të kompensimit të dëmeve për tetë viktimat në procesin ndaj tij. Megjithatë, Mustafa ka deklaruar se nuk ka mjete që të paguajë zhdëmtimin.

    Amnesty po ashtu përmend edhe njoftimin nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur se në mars të vitit të kaluar u identifikuan edhe 11 persona të zhdukur, teksa shtoi se që nga lufta janë afër 1.600 persona që vazhdojnë të jenë të zhdukur.

    Në raportin vjetor vihet në pah edhe kriza politike, pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025, kur deputetët dështuan të konstituonin Kuvendin dhe Kosova mbajti sërish zgjedhje të reja parlamentare më 28 dhjetor. Po ashtu, theksohet se Kosova ka pranuar migrantë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, teksa vendi ka njoftuar për negociata me Mbretërinë e Bashkuar për ndërtimin e një qendre për ndalimin e azilkërkuesve, aplikimet e të cilëve refuzohen nga Britania.

  • Nafta më lirë sot në Kosovë, benzina dhe gazi mbeten njëjtë

    Nafta më lirë sot në Kosovë, benzina dhe gazi mbeten njëjtë

    Çmimet e derivateve sot kanë pësuar një rënie të lehtë të çmimeve.

    Nafta sot është 1.68 euro për litër, benzina 1.41 euro për litër dhe gazi 0.88 euro për litër.

  • Ngjarjet e datës 21 prill

    Mbledhje e Komisionit për Administratë Publike (Kuvendi i Kosovës, N-225, ora 9:00)

    Mbledhje e Komisionit për Legjislacion: formohet grupi punues për Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme (Kuvendi i Kosovës, N-204, ora 9:00)

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Inovacionit dhe Kreativitetit, organizon ngjarjen me moton “Inovacioni dhe kreativiteti nxitës për një të ardhme të qëndrueshme”. (Hotel Emerald, Prishtinë, ora 9:30)

     

    Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD),  në bashkëpunim me National Endowment for Democracy (NED) edhe European Endowment for Democracy (EED), publikojnë raportin me titull “Drejtësia civile në Kosovë 2025”. (Zyrat e IKD-së, Prishtinë, ora 10:00)

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike mban diskutim me Auditoren e Përgjithshme, Vlora Spanca (Kuvendi i Kosovës, salla N-303, ora 10:30)

     

    Mbledhje e Komisionit për Integrime Evropiane. Në rend dite 13 pika (Kuvendi i Kosovës, N-10, ora 11:00)

    Kuvendi i Kosovës mban seancë të jashtëzakonshme plenare për çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët. (Salla e Kuvendit, ora 11:00)

    Kinemaja italiane nga 21 deri më 23 prill në Prishtinë: tre filma, tri histori që nuk duhen humbur, organizuar nga Ambasada e Italisë në Prishtinë, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë.  Sonte shfaqet La Grazia nga Paolo Sorrentino (Kino Armata Prishtinë, ora 19:00)

  • Imami Shefqet Krasniqi jep detaje për gjendjen shëndetësore të inspektorit policor, Arsim Beqirit

    Imami nga Prishtina, Shefqet Krasniqi, ka dhënë detaje lidhur me gjendjen shëndetësore të inspektorit të Policisë së Kosovës, Arsim Beqiri, i cili u plagos disa ditë më parë gjatë kryerjes së detyrës.

    Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka bërë të ditur se e ka vizituar Beqirin në spital në Prishtinë ku ai po trajtohet pas plagosjes me armë zjarri.

    Sipas tij, inspektori është jashtë rrezikut për jetë dhe ka kaluar me sukses ndërhyrjet kirurgjikale në këmbë.

    “Falë Allahut, Arsimi është jashtë rrezikut për jetë dhe i ka kaluar me sukses operimet në këmbë. Ai ishte në mbrojtje të ligjit dhe të vlerave njerëzore”, ka deklaruar Krasniqi.

    Në reagimin e tij, Krasniqi ka dënuar ashpër sulmin ndaj policit, duke e cilësuar atë si sulm ndaj shtetit dhe rendit shoqëror.

  • AAK: Mungesa e rezultateve qeverisëse po e çon vendin drejt zgjedhjeve

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e kryesisë, ku ndër të tjerash është diskutuar edhe për zhvillimet politike në vend.

    Ky subjekt politik është shprehur se mungesa e rezultateve për zgjedhjen e presidentit të vendit dhe për mungesën e një agjende të qartë zhvillimore dhe bashkëpunuese, sipas saj, po e çon vendin drejt zgjedhjeve.

    “Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet aktuale politike në vend. Mungesa e rezultateve në qeverisje, në mungesë të një agjende të qartë zhvillimore dhe bashkëpunuese, fatkeqësisht po e shtyn vendin prapë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.”, thuhet në një njoftim për media të AAK-së.

    Aty thuhet se në mbledhjen e kryesisë është diskutuar edhe për procesin e brendshëm zgjedhor, i cili është në zhvillim e sipër.

    “U vlerësua se ky proces po ecën sipas planifikimit dhe me një përfshirje të gjerë të strukturave të partisë”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit, procesi zgjedhor në nivel dege pritet të përfundojë më 10 maj, ndërsa do të përmbyllet më 24 maj me mbajtjen e Kuvendit të Përgjithshëm Zgjedhor, ku do të zgjidhen kryetari dhe strukturat e reja drejtuese të AAK-së.

  • Bajrami: Kurti s’dëshiron të jetë kryeministër, por të sundojë

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, pas dështimit të bisedimeve për çështjen e presidentit.

    Bajrami ka thënë se Kosova nuk është në krizë vetëm tani për presidentin, por sipas saj, shteti është në krizë që gjashtë vjet për shkak të, siç e ka cilësuar ajo, keqqeverisjes së Albin Kurtit.

    “Albin Kurti nuk dëshiron të jetë Kryeministër, ai dëshiron të jetë UD.Kyeminister, ai dëshiron të sundoj jo të udhëheqë, të jetë i pari i shtetit por jo të marrë përgjegjësi për këtë vend e për qytetarët që jetojnë nga kriza në kirzë. Sot, ai tentoi një tjetër lojë politike: katër ministri dhe një zëvendëskryeministër për LDK-në, por me një kusht që presidenti të mbetet në duart e tij. Kjo nuk është ofertë – është presion.”, ka shkruar Bajrami.

    Ajo ka thënë se një gjë e tillë nuk është zgjidhje, por është një tjetër përpjekje për të imponuar vullnetin e një njeriu mbi atë të qytetarëve.

    “Ajo që ju ofrua sot LDK-së nuk ishte kompromis – ishte shantazh i paketuar si zgjidhje. Ta themi qartë: oferta e Albinit nuk ishtë për të dalë nga nga kriza, por për ta kontrolluar atë.”, ka thënë Bajrami.

    Deputeja Bajrami ka numëruar krizat që sipas saj po përballet vendi, duke kritikuar Kurtin se po merret me skenarë e pazare, si dhe fajtorin.

    “Mos u befasoni, nëse në minutat e fundit të afatit kushtetues të na paraqitet një tjetër ‘zgjidhje’, e ashtuquajtur ‘konsensuale’, sepse modeli është i njëjtë: krijo krizën, pastaj ofro zgjidhjen që të shërben ty. Kjo nuk është qeverisje – kjo është mënyrë për të sunduar, por nuk duhet të jetë befasi sepse Albin Kurti, që nga dita e parë, ka funksionuar përmes mashtrimit, gënjeshtrës dhe manipulimit që nga xhipat e zinj e të bardhë, te flamuri lara-lara, te bashkimi kombëtar që nuk ndodhi kurrë, e deri te premtimet për heqjen e TVSH-së për miell, sheqer e vaj. Qytetarët duhet përfundimisht të kërkojnë llogari për këtë që po ndodhë.”, ka shkruar Bajrami.