Blog

  • Nis seanca për presidentin, veç VV në sallë

    Ka nisur seanca për zgjedhjen e presidentit të vendit.

    Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu e ka thirrur seancën, të cilës i është referuar si “diskutim” lidhur me këtë temë.

    Opozita e ka bojkotuar këtë seancë, ndaj në sallë është veç Lëvizja Vetëvendosje.

    Sipas vendimit të Kushtetueses, ka afat vetëm deri nesër që të zgjidhet presidentit i ri, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje të reja.

  • “Çfarë kulture gjuha sllave?” – Plas keq debati mes Mozës dhe Adit

    “Çfarë kulture gjuha sllave?” – Plas keq debati mes Mozës dhe Adit

    Një debat i tensionuar ka shpërthyer mes Mozës dhe Adit brenda “Ferma VIP”, ku shkak është bërë përdorimi i një fjale sllave në fjalorin e përditshëm.

    Gjithçka nisi pasi Moza i kujtoi Adit një diskutim të mëparshëm, duke supozuar se ai mund ta dinte kuptimin e një fjale për shkak të afërsisë gjeografike dhe faktit që shumë shqiptarë të asaj gjenerate, përfshirë prindërit e tyre, i kanë njohur këto gjuhë.

    Megjithatë, Adi u shfaq dukshëm i nervozuar, duke e lidhur menjëherë temën me serbishten dhe duke refuzuar kategorikisht idenë se ai duhet të ketë njohuri në atë gjuhë, me argumentin se ai është “komshi vetëm me Shqipërinë”.

    Gjatë përplasjes, Moza u përpoq të sqaronte se bëhej fjalë për një çështje thjesht linguistike dhe se fjala në diskutim do të thoshte “dreq”, por Adi vazhdoi të insistonte në qëndrimin e tij.

     

     

     

     

    Edhe kur Moza përmendi faktin se babai i saj dhe ai i Adit e kanë ditur serbokroatishten për shkak të kohës kur kanë jetuar, Adi u kundërpërgjigj me pyetjen:

    “Çfarë kulture gjuha sllave, çfarë kulture ta di unë gjuhën sllave?”.

    Pavarësisht përpjekjeve të Mozës për të shpjeguar se gjuhët janë pasuri dhe se popujt e kulturat kanë vlerë përtej politikës, Adi e zhvendosi bisedën në një terren më të ashpër, duke u shprehur se dëshironte t’i debatonte këto gjëra “në sy të shqiptarëve”.

    Ky shpërthim i Adit ka ngjallur dyshime nëse ka qenë i qëllimshëm për të fituar vëmendje brenda formatit, por reagimi i publikut ka qenë i menjëhershëm.

    Në faqet zyrtare të “Ferma VIP”, Adi ka marrë një numër të madh komentesh negative, ku shikuesit e kanë cilësuar si një person që kërkon me ngulm konfliktin dhe që nuk po e kuptonte qartë argumentin e tjetrit.

    Nga ana tjetër, Moza ka dalë fituese në sytë e ndjekësve, të cilët e kanë vlerësuar lart si një personazh intelektual dhe të kulturuar, duke treguar qetësi në një debat që lindi nga një keqkuptim i thjeshtë gjuhësor.

  • “Game Over” për Militaon, humbet Kupën e Botës

    “Game Over” për Militaon, humbet Kupën e Botës

    Mbrojtësi i Real Madridit, Eder Militao është lënduar përsëri.

    Lëndimi ndaj Real Betisit, ia vështirësoi punët edhe më shumë brazilianit, me sezonin që ka përfunduar për të.

    Ai do të mungojë rreth 5 muaj ku do të humbas edhe Kampionatin Botëror këtë verë, duke i dhënë një goditje tjetër “Seleçaos” dhe Carlo Ancelottit.

    Militao, e përfundon kështu sezonin me 21 paraqitje dhe shënoi 2 gola dhe 1 asistim.

  • Google bllokon 8.3 miliardë reklama mashtruese në vitin 2025

    Google bllokon 8.3 miliardë reklama mashtruese në vitin 2025

    Në vitin 2025, Google bllokoi ose hoqi 8,3 miliardë reklama dhe pezulloi 24,9 milionë llogari, duke përfshirë 602 milionë reklama dhe 4,1 milionë llogari të lidhura me mashtrime.

    Këto gjetje përfshihen në ”Raportin vjetor të sigurisë së reklamave 2025”, i cili nxjerr në pah se si mjetet e bazuara në Gemini kanë përmirësuar ndjeshëm aftësinë tonë për të zbuluar dhe bllokuar reklamat keqdashëse, duke i mbrojtur njerëzit para se një mashtrim t’i arrijë ata.

    Sipas analizës, sistemet e gjigantit të teknologjisë kapën mbi 99% të reklamave që shkelnin politikat para se të shfaqeshin.

    ”Ndryshe nga sistemet e mëparshme të bazuara në fjalë kyçe, modelet më të reja e kuptojnë më mirë qëllimin e njerëzve, duke na ndihmuar të identifikojmë dhe bllokojmë përmbajtjen e dëmshme, gjë që i ndihmoi ekipet respektive të vepronin me katër herë më shumë raporte përdoruesish në vitin 2025 krahasuar me vitin e kaluar”, tha ”Google”.

    Duke analizuar përtej imazheve dhe modeleve të tekstit, ”Google” arrin në përfundimin se “Gemini është më i aftë të dallojë midis një oferte të besueshme dhe një karremi të sofistikuar, një nivel saktësie që na ndihmoi të zvogëlojmë pezullimet e gabuara të reklamuesve me 80% vitin e kaluar. Kjo saktësi na lejon të përqendrohemi në dy gjëra njëherësh, duke i dhënë përparësi heqjes së përmbajtjes së dëmshme dhe duke i ndihmuar bizneset e ndershme të mbajnë reklamat e tyre aktive”, theksoi kompania.

  • Komuna e Gjilanit mbështet me nga 100 euro nënat lehona për vitin 2026

    Komuna e Gjilanit ka vendosur të mbështesë financiarisht nënat lehona për fëmijët e lindur gjatë vitit 2026 me nga 100 euro.

    Me këtë rast Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, me vendim të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka hapur thirrjen publike për subvencionimin e lehonave për vitin 2026, thuhet në njoftimin e komunës.

    Drejtoresha për Shëndetësi, Mimoza Kadriu Qerimi ka ftuar të gjitha lehonat që plotësojnë kriteret e përcaktuara të aplikojnë duke dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm sipas kushteve të shpallura në thirrje.

    “Aplikimi bëhet në Qendrën për Shërbim me Qytetarë, ndërsa dokumentacioni i nevojshëm është përcaktuar në vendimin sipas shpalljes publike. Kjo po bëhet me qëllim të mbështetjes së nënave lehona me nga 100 euro për çdo lindje të fëmijëve për vitin 2026”, ka thënë Kadriu.

    Sipas saj, mbështetja vlen për të gjithë fëmijët e lindur nga data 1 janar deri më 31 dhjetor 2026 e tutje, ndërsa nuk përfshihen fëmijët e lindur jashtë Kosovës.

  • “Shpikje e re”, “sillni emrat”, Haxhiu përplaset me opozitën rreth seancës që e thirri VV

    Në seancën plenare të Kuvendit pati replika mes kryeparlamentares Albulena Haxhiu dhe disa deputetëve në lidhje me thirrjen e një seance të jashtëzakonshme nga partia në pushtet për të “diskutuar” për zgjedhjen e Presidentit.

    Për seancën e thirrur për në orën 17:00, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, pyeti se “si është e mundur” të thirret një seancë e tillë.

    “Kryetare e Kuvendit, asnjëherë – i shtati mandat – s’më ka ndodh që me u thirrë një seancë për me u diskutu për Presidentin. Si është e mundur? Thirret një seancë në orën 17:00, dhe cila është pika e rendit të ditës? Të diskutohet në Parlamentin e Kosovës për Presidentin. Jo kryetare, nuk diskutohet në Parlament për Presidentin. Në Parlament sillen emrat dhe aty votohet, por që të diskutohet, keni shpikë edhe një ngjarje të re, që s’ka qenë praktikë e s’ka qenë kurrkund”, tha ajo.

    Kryetarja e Kuvendit, duke i replikuar deputetes, përsëriti ftesën për të marrë pjesë në atë seancë.

    “Unë nuk di ku tjetër duhet me diskutu për çështjen e Presidentit, nëse jo në Kuvendin e Kosovës. S’ka zanzi bar-a më, m’falni. Prandaj, deputete e nderuar, lejojuani deputetë që ta ushtrojnë mandatin e tyre. Dëshirojnë që të flasin për çështjen e Presidentit dhe në këtë drejtim është e rëndësishme që të jeni të pranishëm në seancën e orës 17:00, deri atëherë duke shpresuar që kemi emra kandidatësh konsensualë për President”, tha Haxhiu.

    Më pas fjala iu dha shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, i cili tha se për herë të parë vendi po shkon në zgjedhje për shkak të moszgjedhjes së Presidentit.

    “Unë nuk e di zanzi bar-in, por e di që krizë për me zgjedhë President ky vend nuk ka pasë kurrë. Hera e parë që vendi po shkon në zgjedhje si rezultat i mungesës së mbërritjes së konsensusit është tash, në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje i ka 51.1% të votave. Nuk ka zanzi bar, por tash ka Dejonë. E Dejona me Albin Kurti po krijojnë në vazhdimësi kriza politike”, tha ai.

    Haxhiu tha se këtë debat mund ta vazhdojnë “në orën 17:00”, atëherë kur është thirrur seanca e jashtëzakonshme për të diskutuar për zgjedhjen e Presidentit.

    “E vazhdojmë këtë debat në orën 17:00. E natyrisht që tash është më e vështirë se s’ka më pazare, e tenderë, e ambasada, e… Ju e dini më mirë se unë. Mos më shtini me i përmend, se të gjithë e dinë”, tha ajo.

    LVV-ja ka kërkuar nga PDK-ja dhe LDK-ja tre emra për President, si propozim “konkret dhe përbashkues” për zgjidhjen e kësaj çështjeje që po rrezikon ta çojë vendin sërish në zgjedhje.

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ia paraqiti në fundjavë Albin Kurtit emrin e Vjosa Osmanit dhe i kërkoi kryeministrit garanci se 66 deputetë të mazhorancës do ta votonin atë.

    Kurti nuk është deklaruar ende për këtë, ndërsa jemi në fund të afatit për zgjedhjen e Presidentit.

    Nëse nuk zgjidhet Presidenti i ri, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.

  • Alarm për mungesat e nxënësve, Prishtina nis aksion në shkolla

    Alarm për mungesat e nxënësve, Prishtina nis aksion në shkolla

    Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka nisur një aksion të gjerë në shkollat fillore dhe të mesme pas evidentimit të rreth 4 milionë mungesave gjatë një gjysmëvjetori.

    Drejtoria ka bërë të ditur se stafi është angazhuar për të verifikuar mungesat dhe masat që po ndërmarrin shkollat, duke i cilësuar shifrat si shqetësuese.

    Sipas saj, mungesat e paarsyeshme nuk përfaqësojnë vetëm orë të humbura mësimi, por një sinjal për probleme më të thella që rrezikojnë zhvillimin e nxënësve.

    Autoritetet paralajmërojnë se në ditët në vijim do të intensifikohet bashkëpunimi me prindërit dhe do të ndërmerren masa konkrete për të adresuar këtë fenomen.

  • Rovena Stefa prek me dedikimin: Sot festoj me lot, jo me buzëqeshje

    Rovena Stefa prek me dedikimin: Sot festoj me lot, jo me buzëqeshje

    Këngëtarja shqiptare Rovena Stefa ka ndarë një postim shumë prekës në ditëlindjen e saj, ku shpreh dhimbjen për humbjen e babait.

    Ajo tregon se kjo është hera e parë që feston pa të, duke e përshkruar mungesën e tij si diçka ende të pabesueshme, shkruan Indeksonline.

    Në vend të një feste të zakonshme, kjo ditë për të është kthyer në reflektim dhe kujtime, ku ndjen më fort se kurrë boshllëkun që ai ka lënë.

    Përmes një videoje që e quan “copëz zemre”, Rovena nderon figurën e babait, duke theksuar se gjithçka që është sot, forca, ëndrrat dhe mënyra si e sheh jetën, janë frymëzuar nga dashuria e tij.

    Edhe pse ai nuk është fizikisht pranë, ajo beson se e ndjen në çdo hap, në çdo frymëzim dhe në çdo notë të muzikës së saj.

    Në fund, artistja falënderon ndjekësit për mbështetjen dhe premton se do të vazhdojë përpara duke mbajtur gjithmonë me vete kujtimin e babait të saj./Indeksonline/

    View this post on Instagram

    A post shared by ROVENA STEFA (@rovenastefa)

  • Konfirmohet: Sot seanca për presidentin në orën 17:00

    Seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, është caktuar të mbahet sot.

    Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se diskutimi lidhur me zgjedhjen e të parit të shtetit do të nis nga ora 17:00.

    Bazuar në afatin e Gjykatës Kushtetuese, deputetët vetëm deri nesër kanë kohë të zgjedhin presidentin e ri, sepse në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje.

    Akoma nuk dihet nëse janë mbledhur nënshkrimet për ndonjë kandidat për president.

    LVV ka kërkuar tre emra, ndërsa deri më tash LDK e ka propozuar Vjosa Osmanin.

    No description available.

  • Përplasja kokë më kokë me Locatellin, Modric e humb sezonin!

    Përplasja kokë më kokë me Locatellin, Modric e humb sezonin!

    Lajme shqetësuese vijnë nga Milano për mesfushorin kroat Luka Modric, i cili ka pësuar një dëmtim të rëndë në ndeshjen e fundit.

    Sipas raportimeve fillestare nga mediat italiane, kapiteni kroat ka pësuar një frakturë të dyfishtë në zonën e mollëzës, çka pritet ta lërë jashtë fushave për pjesën e mbetur të sezonit.

    Modric u detyrua të largohej nga loja për shkak të dhimbjeve të forta pas përplasjes me Locatellin, ndërsa aktualisht po i nënshtrohet ekzaminimeve të detajuara për të përcaktuar shkallën e plotë të dëmtimit dhe mënyrën e trajtimit, që mund të përfshijë ndërhyrje kirurgjikale ose trajtim konservativ.

    Fillimisht kishte shqetësime se ky dëmtim mund ta linte jashtë edhe nga Kupa e Botës, por sipas informacioneve të fundit, pjesëmarrja e tij në turneun veror në Shtetet e Bashkuara nuk vihet në dyshim. Ai pritet të jetë në dispozicion të kombëtares, madje ekziston mundësia që të luajë me një maskë mbrojtëse.