Blog

  • Mos i mbillni këto bimë pranë domateve, mund ta ngadalësojnë rritjen e tyre

    Mos i mbillni këto bimë pranë domateve, mund ta ngadalësojnë rritjen e tyre

    Në kopshtari, zgjedhja e bimëve që mbillni së bashku mund të ketë një ndikim të madh në rritjen dhe zhvillimin e tyre. Disa bimë bashkëveprojnë në mënyrë të dobishme me njëra-tjetrën, ndërsa të tjerat mund të kenë një efekt të dëmshëm në shëndetin dhe rritjen e perimeve.

    Domatet janë ndër speciet më të njohura dhe më të kultivuara, por jo çdo bimë është e mirë për t’u mbjellë pranë tyre.

    Më poshtë paraqesim bimët që nuk rekomandohen të mbillen pranë domateve, me qëllim shmangien e problemeve të mundshme dhe sigurimin e kushteve më të mira për rritjen dhe rendimentin e tyre.

    Misër

    Misri tërheq dëmtues të tillë si “krimbat e misrit”, të cilët, përveç sulmit të misrit, mund të dëmtojnë seriozisht domatet. Këta dëmtues mund të zvogëlojnë zhvillimin dhe shëndetin e bimëve.

    Patëllxhan

    Edhe pse shumë njerëz mbjellin domate dhe patëllxhanë së bashku, kjo nuk rekomandohet. Të dyja bimët janë të ndjeshme ndaj njollave kafe, të cilat mund të përhapen lehtësisht nga një bimë në tjetrën, ku mund të shkatërrojnë të gjithë të korrat.

    Patate

    Patatet dhe domatet janë të prirura ndaj të njëjtave sëmundje, siç është plagja e tokës. Mbjellja e këtyre bimëve në afërsi të ngushtë rrit rrezikun e sëmundjeve dhe infeksioneve që mund të shkatërrojnë të dyja bimët.

    Arre

    Edhe pse është e rrallë të mbillen arra pranë domateve, është e rëndësishme të dihet se arrat lëshojnë kimikate në tokë që ndërhyjnë në rritjen e bimëve të tjera. Edhe barërat e këqija kanë vështirësi të rriten pranë arrave, kështu që është mirë që të dy llojet të mbahen larg njëra-tjetrës.

    Lakër, lulelakër, brokoli dhe lakër brukseli

    Lakra është një nga armiqtë më të mëdhenj të domateve, pasi konsumon një sasi të madhe mineralesh nga toka, të cilat mund të ndikojnë në shëndetin e domateve. Të dyja bimët kërkojnë shumë burime për t’u rritur, dhe në “konkurrencë” me lakrën, domatet shpesh mbeten pa lëndët ushqyese të nevojshme.

  • Shpërthim në një lokal në Podujevë, tre persona të lënduar

    Shpërthim në një lokal në Podujevë, tre persona të lënduar

    Tre persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një lokal në rrugën “4 Dëshmorët” në Podujevë, transmeton IndeksOnline.

    Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 08:30, ndërsa bazuar në informacionet e para dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një bombolë gazi.

    “Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e qytetit”, ka thënë për IndeksOnline, zyrtarja për informim në policinë rajonale të Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Policia po vazhdon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

  • Dalja e tij e parë publike pas arrestimit, Meta shfaqet pas kafazit prej xhami, akuza: Proces i turpshëm kundër shtetit shqiptar!

    Kjo është dalja e tij e parë publike që pas arrestimit. Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka nisur direkt me një fjalim pas kafazit prej xhami, ku po mbahet seanca në themel në GJKKO. Ai ka lëshuar akuza në drejtim të sistemit të drejtësisë, duke e cilësuar si proces të turpshëm.

    “Nuk jam unë në pozita të pabarabarta, por ata. Me shpifje dhe gënjeshtra, një proces i turpshëm kundër shtetit shqiptar. Nga sot deri në momentin e fundit, ju ftojë të ndiqni dhe transmetoni seancën”, dëgjohet teksa flet Meta pas kafazit prej xhami. Meta shfaqet për herë të parë publikisht për mediat, që pas arrestimit të tij në tetor të 2024-s, ndërsa dukshëm shfaqet ndryshe në pamje.

    Meta ka kërkuar me këmbëngulje që seancat gjyqësore të transmetohen live, si një kush sipas tij që gjithçka të jetë transparente. Ai iu drejtua me një kërkesë të veçantë edhe Gjykatës së Posaçme në lidhje me këtë çështje vetëm pak ditë më parë.

    “Transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik”, shkruan ai në një postim në rrjetet sociale. Që prej 21 tetorit 2024, Meta nuk është shfaqur në publik dhe nuk ka dhënë asnjë intervistë, ndërsa imazhi i fundit i tij mbetet momenti i arrestimit.

  • Dalin detaje të reja nga atentati në Lezhë ku humbën jetën burrë e grua

    Një ditë pas ngjarjes së rëndë, ku humbën jetën çifti i bashkëshortëve, Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, ende nuk ka persona te shoqëruar si të dyshuar për këtë ngjarje.

    Nga grupi hetimor në këtë ekzekutim kanë marrë pjesë dy makina, një e zezë dhe një gri. Nga ajo çka duket, njëra prej makinave është pa targa dhe ngjyrë e zezë.

    Dyshohet se ka qenë pikërisht ky mjet ai që i ka prerë rrugën mjetit të Mujecit. Më pas dyshohet se një person në të ka qëlluar më shumë se 30 herë, raporton TCH.

    Një pjesë e plumbave kanë kapur edhe ambiente përreth mjetit dhe anës rrugës. Burimet bëjnë me dije se Mujeci është ndjekur për një distancë të konsiderueshme nga autorët, derisa ata kanë gjetur momentin dhe vendin e duhur për të kryer masakrën.

    Burime tregojnë se Mujeci kishte disa vende të sigurta dhe qëndronte gjithmonë i shoqëruar me gruan e tij Gentjanën.

    Familjaret kanë hapur dyert e mortit pranë banesës së tyre në Koljakaj. Çifti kishte katër fëmijë.

  • ​Mbërrin ChatGpt i ri, është më autonom për punë dhe detyra komplekse

    ​Mbërrin ChatGpt i ri, është më autonom për punë dhe detyra komplekse

    OpenAI ka lançuar Gpt-5.5, një përditësim i modelit të saj të inteligjencës artificiale, i projektuar për të kryer detyra të gjata dhe komplekse në mënyrë të pavarur.

    Ndryshe nga versionet e mëparshme, IA nuk përgjigjet vetëm në një pyetje të vetme, por është në gjendje të kuptojë një qëllim përfundimtar dhe të organizojë në mënyrë të pavarur të gjitha hapat e nevojshëm për ta arritur atë.

    Sipas një deklarate nga OpenAI, teknologjia mund të përdorë softuer të jashtëm, të korrigjojë gabimet e veta menjëherë dhe të vazhdojë detyrën edhe nëse udhëzimet fillestare janë të paqarta ose të paplota.

    Një shembull është gjenerimi i një raporti financiar nga arkivat e të dhënave të çorganizuara. Sistemi nxjerr informacion nga mijëra formularë, pajton çdo mospërputhje kontabël dhe gjeneron grafikë statistikorë plotësisht në mënyrë autonome.

    Procesi përfundon me krijimin e një dokumenti të përfunduar dhe të strukturuar, duke eliminuar nevojën për mbikëqyrje njerëzore gjatë fazave individuale të analizës dhe prodhimit.

  • Met Gala po vjen! Gjithçka që dihet për kodin e veshjes

    Met Gala po vjen! Gjithçka që dihet për kodin e veshjes

    E hëna e parë e majit po afron, që do të thotë se “Super Bowl-i” i modës është pothuajse këtu. Është nata më e madhe për njerëzit më të veshur mirë në botë dhe një nga momentet më të preferuara për të komentuar nga larg. Sigurisht, është emocionuese të ecësh në shkallët me tapet të muzeut Metropolitan Museum of Art, por po aq kënaqësi është ta ndjekësh nga divani.

    Dhe megjithëse është e pamundur të bëhen parashikime plotësisht të sakta për atë që do të veshë secili, pasi lista e të ftuarve mbahet sekret deri në mbrëmjen e eventit, është gjithsesi interesante të mendohet se çfarë mund të ndodhë bazuar në informacionin e kufizuar që ekziston.

    Në nëntor të vitit të kaluar, gjatë një prezantimi paraprak në muze, u bë e ditur se tema e ekspozitës së këtij viti do të jetë “Arti i kostumit”. Muaj më vonë, u zbulua se kodi i veshjes do të jetë “Moda është art”.

    Cila është tema e ekspozitës për Met Gala 2026?

    Sipas njoftimit për shtyp të muzeut, ekspozita do të shqyrtojë rolin qendror të trupit të veshur, duke vendosur përkrah njëra-tjetrës veshje dhe vepra arti nga koleksioni i gjerë i muzeut. Qëllimi është të krijohen kombinime që nxjerrin në pah lidhjen e pandashme midis rrobave dhe trupit, si dhe ndërveprimin kompleks midis paraqitjeve artistike të trupit dhe modës si një formë arti e mishëruar. Ekspozita do të jetë e hapur nga 10 maji deri më 10 janar.

    Cili është kodi i veshjes për Met Gala 2026?

    Tema e ekspozitës dhe kodi i veshjes nuk janë kurrë identike, por ky i fundit është menduar të plotësojë atë që paraqitet në muze. Të ftuarve u kërkohet të shprehin marrëdhënien e tyre personale me modën si një formë arti e mishëruar dhe të festojnë mënyrat e panumërta se si trupi i veshur është paraqitur gjatë historisë së artit. Parashikohet që do të ketë shumë referenca nga koleksioni pranverë 1997 “Lumps and bumps” i Comme des Garçons, i cili ishte pjesë e prezantimit paraprak.

  • Hamza për Qosjen: Një mendje që nuk u pajtua kurrë me heshtjen

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar me një postim në rrjete sociale pas seancës solemne të mbajtur në Kuvendin e Kosovës për akademikun Rexhep Qosja.

    Hamza e ka përshkruar Qosjen si një figurë të rëndësishme intelektuale që ka lënë gjurmë të thella në mendimin publik dhe kulturën shqiptare.

    “Sot, Kuvendi i Kosovës, me një seancë solemne, nderoi akademik Rexhep Qosjen, një mendje që nuk u pajtua kurrë me heshtjen. Ai nuk ishte vetëm një njeri i dijes. Ishte një zë që sfidoi kohën, pushtetin dhe ndërgjegjen tonë kolektive. Akademik Rexhep Qosja na mësoi se liria nuk ka kuptim pa të vërtetën dhe se mendimi kritik është detyrë, jo zgjedhje”.

    “Kosova sot është më e varfër në prani, por më e pasur në trashëgimi. Lavdi mendimtarit që nuk u përkul kurrë!”, shkroi i pari i PDK-së.

  • Vjosa Osmani refuzon të komentojë për çështjen e presidentit gjatë homazheve

    sh-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka pranuar të fliste për çështjen e presidentit.

    Ajo, derisa ishte duke shkuar për homazhe pranë Monumentit të Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës, kërkoi që ato të respektoheshin.

  • Shpërthejnë komentet te Nagavci, votuesit e VV-së e kërkojnë Osmanin presidente: Refuzimi i saj gabim!

    Vetëvendosje e Albin Kurtit kërkoi nga dy partitë më të mëdha opozitare 3 propozime për president. Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, ia paraqiti emrin e Vjosa Osmanit. I kërkoi partisë në pushtet edhe garanci se mazhoranca e voton. Këtë propozim subjekti politik i Kurtit siç duket nuk po do ta “shoh” në tavolinë dhe të dielën vonë e përsëriti sërish kërkesën për tre emra.

    Arbërie Nagavci, shefja e grupit parlamentar të VV-së, ishte ajo që shkroi në Facebook, rreth orës 22:00, ku la të kuptohej se nuk i ‘njohin’ propozimet në rrjete sociale.

    Për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afatit, Nagavci tha se janë në pritje për propozimet konkrete dhe i ftoi PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë.

    Në postimin e saj shpërthyen komentet e qytetarëve, që kërkonin llogari për ‘ofertën’ e fundit të VV-së dhe e përmendnin propozimin e LDK-së për ish-presidenten, Vjosa Osmani.

    Madje, dikush u ankua se po fshihen komentet e tyre, teksa ia drejtoi Nagavci një pyetje direkte: “Pse nuk po e votoni Vjosën, por po na dërgoni prapë në zgjedhje?”

    Ndërsa një tjetër mbështetës i Vetëvendosjes shkroi se refuzimi i Osmanit do të ishte një gabim dhe një situatë e tillë, sipas tij, e bën fajtore këtë parti, transmeton Klankosova.tv

    “Refuzimi (eventual) i Vjoses do te ishte gabim. Mendoj se zgjidhja ekziston. VV duhet ta mandatoje edhe me 15 nënshkrimet e saj dhe 15 te LDK-se dhe brenda afatit kushtetues te zgjidhet presidenti/ja dhe vendi te krijoje stabilitetin e nevojshem. Nese e refuzoni kete mundesi, duhet ta dini qe do te bëheni bashkëfajtorë hiç me pak se edhe partitë opozitare.

    E dini shume mire qe situata e tanishme do te perseritet dhe do te humbet kohe pa nevoje dhe do te riktheheni prape diskutimeve per ta zgjedhe presidentin, por me rrezik qe parlamenti mos te jete ne gjendje ta zgjedhe as qeverinë, siç ndodhi pas 9 shkurtit, e Albini te shihet si pengese e zgjidhjes se ngerçit. Shpresoj qe keto fjale te mia t’i lexoni si mbështetës i juaj shumëvjeçar dhe i interesuar qe Kosova te dale nga kjo situate, e qe është me rendësi edhe per pozitën e shqiptareve ne Lugine.”

    Emrin e Vjosa Osmanit e kërkuan edhe votues të tjerë të Vetëvendosjes, të cilët bile i kërkuan kësaj partie njëfar llogarie se pse nuk ka treguan që s’do të ofrojnë përkrahje për ish-presidenten para 28 dhjetorit, kur u mbajtën zgjedhjet”.

    “Ju lutem mos e teproni mo, po zgjidheni Vjosa Osmanin presidente, se ma të mirë se ajo nuk ka.

    …për mua si votues i rregullt i VV-s e kur them për mua kupto edhe nja minimum 200 a 300,000 votues tjerë si unë, ka qenë e vetëkuptueshme se Vjosën do ta nominoni për presidente, për atë edhe ju kemi votu.

    Çka ndodhi masandej është tradhti, ose thikë pas shpine, për një pjesë të madhe të votuesve të binomit Vjosa & Albini.” 

    Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, nëse një president i ri nuk zgjidhet deri të martën e 28 prillit.

  • Komiteti Ushtarak i NATO-s vjen në Kosovë

    Sot dhe nesër, në Kosovë do të qëndrojë për vizitë zyrtare një delegacion i Komitetit Ushtarak të NATO-së.

    Me këtë rast Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.

    Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative.

    “Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”.