Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë sonte atë që po konsiderohet si ndeshja kryesore dhe më e rëndësishme në fazën eliminatore të Kampionatit Evropian.
“Dardanët” do të jenë sonte “brenda ose jashtë” në përballjen që do ta kenë me Rumaninë.
Verdhekaltrit e kanë të domosdoshme fitoren në Bukuresht për t’i mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim eventual në Euro 2024.
Kjo pasi një barazim eventual do t’ia zbehte dukshëm gjasat, ndërsa humbja do t’ua shuante ato përfundimisht.
Aktualisht, Rumania është e dyta në Grupin I me 9 pikë, 5 më shumë se Kosova.
Për këtë, Vedat Muriqi me shokë kanë nevojë më shumë se kurrë më parë për tri pikë.
Kjo njëherësh do të ishte edhe fitorja e parë për Kosovën në këto eliminatore pasi deri tash i ka 4 barazime e 1 humbje në 5 ndeshje të luajtura.
Sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani, i cili e ka nisur furishëm edicionin te Rapidi i Bukureshtit, ka folur për mediumet rumune në prag të ndeshjes me Rumaninë. Në dy ndeshje të luajtura deri më tani në kampionatin rumun, Rrahmani ka shënuar katër gola, ndërsa te Rapidi u transferua këtë verë nga Ballkani i Suharekës.
Sulmuesi 23-vjeçar është ftuar te Kosova edhe për ndeshjet e këtij muaji në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024” por ende nuk e ka bërë debutimin zyrtar me fanellën e “Dardanëve”. Në një intervistë për “DigiSport”, Rrahmani ka thënë se shpreson të debutoj dhe të shënoj gol kundër Rumanisë, në ndeshjen e Grupit I kualifikues, e cila luhet të martën prej orës 20:45 në Bukuresht. Madje, ai ka thënë se dëshira e tij është t’i shënoj gol portierit të Rumanisë, Horatiu Moldovan, të cilin e ka bashkëlojtar te Rapidi.
Kosova arriti një barazim në sekondat e fundit ndaj me Zvicrës, duke e barazuar rezultatin në 2-2, duke marr kështu barazimin e katërt në këto eliminatore.
Ndaj helvetëve ishte ndeshje e veçantë, që kaloi mes emocioneve për disa prej futbollistëve të të dyja skuadrave.
Duke marr parasysh momentin që po kalonte Kosova, skuadra bëri një paraqitje mjaft pozitive, duke luajtur si e barabartë me kundërshtarin më të fortë në grupin I dhe një nga kombëtaret më të forta në botë, që asnjëherë në vitet e fundit nuk i ka kontestuar grupet e eventeve të mëdha, duke i kaluar ato.
Gjë pozitive te Kosova, siç e ceku edhe Primoz Gliha, ishte rikthimi i skuadrën edhe pse dy herë ne disavantazh, Dardanët arritën që në dy raste të reagojnë shumë mirë.
Kjo pikë mund të shërbejë për vetëbesimin e skuadrës për ndeshjet e ardhshme, pse jo për të kapur edhe trenin e fundit drejt Euro 2024.
Edhe pse u bë shumë zhurmë kur në krye të Kosovës u caktua, Primoz Gliha, ai menjëherë bëri ndryshimet që ai i mendonte, duke luajtur me sistemin 4-4-2, gjë që Kosova më parë nuk e kishte bërë.
Në sulm ishin Vedat Muriqi dhe Milot Rashica, ndërsa befasi në formacion ishte inkuadrimi nga minuta e parë të Bernard Berishës, i cili për dy vite nuk ishte pjesë e Kosovës.
Gjë që i pëlqeu shumë publikut dhe fansave dardanë ishte edhe paraqitja e sllovenit Gliha dhe komunikimi i vazhdueshëm me lojtarët, gjë që kishte munguar nën drejtimin e pensionistit Alain Giresse.
Debutimi i Meriton Korenicës dhe asistimi i tij në golin e barazimit ishte një tjetër gjë e bukur nga ndeshja e fundit, gjë që tregoi se Gliha beson në të gjithë që i fton.
Rumania, pas barazimit në “Fadil Vokrri” është koha për fitore
Kosova kishte luajtur ndaj Rumanisë ndeshjen e parë në qershor të këtij viti, ku dhe pse ishin në prag vere, shiu për disa ditë nuk u ndal, duke rënduar fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Kosova edhe pse dominoi, madje edhe shënoi një gol me Edon Zhegrovën (u anulua nga VAR), u desh që në fund të pajtohej me një barazim.
Tani pas tre muajsh jemi sërish përballë Rumanisë dhe fitorja në këtë ndeshje është e domosdoshme.
Dardanët kanë zhvilluar 5 ndeshje në grup dhe janë ende pa fitore dhe fitorja në këtë ndeshje do të ngrite edhe më shumë moralin e skuadrës.
Katër barazime dhe një humbje është bilanci aktual dhe fitorja ndaj Rumanisë do ta ngjiste në koutën e 7 pikëve, situatë për të ëndërruar.
Kjo pasi do të ishin edhe 4 ndeshje, apo 12 pikë në lojë, që nëse do të fitoheshin të gjitha, gjasat do të ishin të mëdha për të luajtur në Euro 2019.
Pra ndeshja e ardhshme ndaj Rumanisë është vendimtare në ecurinë e kualifikimeve. Pasi me një fitore eventuale në Bukuresht, Kosova do të mbetej në garë për të shkuar në Euro 2024.
Kjo pasi pas Rumanisë, luajmë mysafirë të Andorrës, ndërsa pastaj presim Izraelin, një rival tjetër direkt për vendin e dytë në grup.
Pastaj në nëntor janë ndeshjet me Zvicrën si mysafir dhe e mbyllim ndaj Bjellorusisë si vendas në “Fadil Vokrri”.
Përzgjedhësi i Kosovës, Primoz Gilha dhe mbrojtësi Mërgim Vojvoda, kanë qenë të pranishëm në konferencë për media para ndeshjes Rumanisë.
Ndeshja zhvillohet të martën nga ora 20:45 dhe Kosova e ka si mundësi të fundit fitoren në këtë ndeshje që të mbetet në hap për kualifikim me Rumaninë dhe Izraelin, që janë rival për pozitën e dytë.
Gliha ka thënë se kanë ardhur për rezultat pozitiv në këtë ndeshje dhe do të japin gjithçka për ta arritur. Ai zbuloi se ka marrë informacione për lojtarët rumunë nga dyshja Ermal Krasniqi (CFR Cluj) dhe Albion RrahmanI (Rapid) që luajnë në elitën e futbollit rumun.
“Pres një rezultat pozitiv. Ne do të japim gjithçka. Ne luajmë kundër një ekipi me shumë lojtarë teknikë. Por kemi edhe lojtarë të mirë, që zhvillohen në klube të mëdha”, ka thënë fillimisht Gliha.
Tutje ai u ndal te ndeshje duke thënë se të dy skuadrat kanë nevojë për pikë dhe se shikueset do të kënaqen me lojë. Gliha e sheh Rumaninë si favorit për pozitën e dytë në grup.
“Ndihemi shumë mirë, jemi përgatitur mirë për mua. Jam i sigurt se loja do të jetë shumë e mirë, sepse ne kemi nevojë për pikë, Rumania ka nevojë për pikë. Jam i sigurt se shikuesit do ta shijojnë ndeshjen”.
“Problemet politike? Ne nuk mendojmë kështu, për ne është e rëndësishme të shijojmë futbollin, të luftojmë, të jemi të disiplinuar, pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë”.
“Po, me siguri (Rumania është favorite për vendin e dytë). Nesër do të shohim ”, ka thënë Primoz Gliha.
I pyetur nëse ka marrë informacion për Rumaninë nga kosovarët që luajnë në elitën e futbollit rumun, Gilha është përgjigjur duke buzëqeshur: “Po, kam folur me ta”.
Rumania është e dyta me 9 pikë deri më tani nga pesë ndeshje, ndërsa Kosova ka 4 pikë në Grupin I.
Barazimi me Zvicrën është festuar nga lojtarët dhe tifozët e Kosovës. Ndërkohë barazimi i Rumanisë me Izraelin, me rezultatin 1:1, ka rritur presionin në Përfaqësuesen rumune.
Presioni te Rumani është rritur dukshëm në prag të ndeshjes me Kosovën. Rumania e pret Kosovën të martën nga ora 20:45 në “Arena Nationala” në Bukuresht. Por Përfaqësuesja e Rumanisë nuk është në momentin më të mirë të saj në prag të ndeshjes me Kosovën. Barazimi 1:1 me Izraelin, sidomos paraqitja në fushë, ka lënë shumë të pakënaqur në komunitetit e futbollit në Rumani. Ka pasur thirrje të shumta për largimin e selektorit Edi Iordanescu.
Rumania ka luajtur në Bukuresht edhe ndaj Izraelit, të shtunën mbrëma. Kaloi në epërsi në minutën e 27-të, ndërsa pranoi gol në minutën e 53-të. Në stadium ishin 50 mijë shikues.
Me barazim, Rumania ka lëshuar rastin që të bashkohet me Zvicrën në krye të tabelës së Grupit I. Pas pesë xhirove renditet e dyta me nëntë pikë. Zvicra udhëheq me 11 pikë, ndërsa Izraeli është i treti me tetë pikë. Bjellorusia dhe Kosova kanë mbetur më prapa, me nga vetëm katër pikë. Ndërkohë Andorra i ka vetëm dy pikë nga pesë ndeshje.
Në Prishtinë, më 16 qershor, Kosova e Rumania kishin luajtur pa gola. Në Bukuresht rumunët kërkojnë pikët e plota. Por edhe Kosova udhëton e motivuar pas barazimit dramatik me Zvicrën.
Selektori rumun, Iordanescu, ka vlerësim pozitiv për Kosovën.
“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Kosova u kthye ndaj Zvicrës, mori pikë. Kosova ka lojtarë me nivel shumë të mirë. Neve na duhet më shumë kurajë. Ndaj Kosovës na duhet një rezultat pozitiv”, ka thënë Iordanescu.
Pritet që Rumania të sulmojë me të gjitha forcat. Presioni te rumunët sa shkon e rritet dhe kjo mund të shkojë edhe në favor të Kosovës.
Milot Rashica analizoi barazimin 2-2 mes Kosovës dhe Zvicrës në emisionin “Dardanët” në SuperSport 3, atje ku theksoi se objektivi tashmë është fitorja në Rumani.
“Të gjithë e dinim rëndësinë e ndeshjes. Besoj se ishte performancë shumë e mirë, kishim mundësi të shënonim edhe në pjesën e parë. Por luajtëm përballë kundërshtarit më të mirë në grup, dhamë maksimumin.
Taktika? U fokusuam pak më shumë në mbrojtje. Provuam kundërsulmet dhe t’u mbyllnim mesfushën. Ia dolëm dhe shënuam gola.
Muriqi? E preferoj të luaj këtë pozicion, sidomos kur ke një sulmues të fuqishëm si Vedati, i cili fiton duelet.
Rumania? E dimë rëndësinë e asaj ndeshjeje. Do të shkojmë për fitore atje. Duhet të fitonim sot, por edhe barazimi ishte shtysë. “, u shpreh sulmuesi i Besiktasit.
Shqipëria do të ballafaqohet me Poloninë në kuadër të kualifikueseve të Kampionatit Evropian.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”, duke filluar nga ora 20:45.
Tashmë kombëtarja shqiptare ka bërë të ditur formacionin, i cili do të jetë thuajse i njëjtë me përballjen me Çekinë.
Ndryshim do të jetë në krahun e majtë të sulmit, ku nuk do të jetë Seferi, por Myrto Uzuni. Dhe në portë nuk është Etrit Berisha, por Thomas Strakosha.
Përveç ndeshjes në fushë, edhe tifozët e Shqipërisë po përgatiten për sonte në mbrëmje, për të zhvilluar edhe ata takimin e tyre në tribunat e “Air Albania”.
Kuqezinjtë do të masin forcat në orën 20.45 me Poloninë, në një sfidë shumë të rëndësishme për kualifikueset e Euro 2024.
Në një intervistë për Supersport, Drejtori i Departamentit të Komunikimit në FSHF, Andi Verçani, pati një thirrje për të gjithë tifozët.
“Interesimi për bileta vijon të jetë i lartë dhe na kontaktojnë në çdo moment tifozë që duan bileta, megjithatë ato kanë ditë që kanë përfunduar të gjitha dhe stadiumi do të jetë plot sonte në mbrëmje. Kam vetëm një kërkesë për tifozët kuqezi që të mbështesin sa më shumë Kombëtaren dhe të dhurojnë spektakël siç duhet” ,tha ai.