Category: AKTUALE

  • Pezullohet përkohësisht peshkimi i krapit në Kosovë

    Federata e Peshkatarëve ka njoftuar pezullimin e përkohshëm të peshkimit të krapit në të gjitha ujërat e Kosovë.

    Vendimi ka hyrë në fuqi më 15 prill dhe do të zgjasë deri më 31 maj, periudhë gjatë së cilës lejohet vetëm forma “Peshko dhe Lësho”, pa mbajtjen e peshkut.

    Autoritetet paralajmërojnë masa ndaj shkelësve, ndërsa rojet do të monitorojnë zbatimin. Ky hap synon mbrojtjen dhe rigjenerimin e krapit gjatë sezonit të shumimit.

  • “Dardanet” drejt historisë, ky është formacioni zyrtar ndaj Bullgarisë

    “Dardanet” drejt historisë, ky është formacioni zyrtar ndaj Bullgarisë

    Përfaqësuesja e Kosovës në futbollin e femrave do të luajë ndeshjen e radhës.

    Ato do të përballen përsëri me Bullgarinë në Prishtinë, e vlefshme për kualifikueset për Botërorin 2027.

    Nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim, pasi që trajneri Sami Sermaxhaj vendosi të luajë me të njëjtin formacion sikurse në ndeshjen e kaluar ndaj Bullgarisë, në Sofje.

    Kujtojmë se ndeshja luhet në orën 18:00.

  • 13 vjetori i Marrëveshjes së Brukselit, Vuçiq: Shqiptarët s’deshën paqe – duan vetëm që ta njohim Kosovën

    Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, deklaroi sot, me rastin e 13-vjetorit të Marrëveshjes së Brukselit, se kjo periudhë është shënuar me “gënjeshtra” dhe vlerësoi se Kosova nuk do ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që parashihet me atë marrëveshje.

    Në një intervistë për “Kosovo Online”, siç ka raportuar ky portal, Vuçiq tha se edhe në kohën e nënshkrimit të marrëveshjes, sikurse edhe sot, ishte i përqendruar kah e ardhmja, dëshironte marrëdhënie të mira me shqiptarët dhe besonte se qëllimi i tyre i vetëm “nuk ishte vetëm t’i dëbojnë serbët, por se dëshironin paqe dhe stabilitet”.

    Ai shtoi se ishte mashtruar, duke thënë se këtë “nuk e dëshironin as ata, e aq më pak ata që e detyronin Beogradin për gjithçka”.

    Vuçiq tha gjithashtu se e ka “turp” që gjashtë nga dhjetë pikat e Marrëveshjes së Brukselit, që kanë të bëjnë me themelimin e AKS-së, nuk janë përmbushur, duke shtuar se mendon se turpi nuk është i tij, “por i atyre që e garantuan këtë – Bashkimit Evropian”, duke konstatuar se kanë kaluar 13 vjet gënjeshtrash.

    “Mbajtëm, nuk do ta besoni, 245 takime në procesin e dialogut, 38 në nivelin më të lartë, Zoti e di sa ditë e net gjithsej, Zoti e di sa takime shumëpalëshe në margjinat e Bashkësisë Politike Evropiane dhe shumë organizatave e institucioneve të tjera. Dhe gjithmonë ka ekzistuar vetëm një dëshirë – si, dhe në çfarë mënyre t’i detyrojnë serbët ta pranojnë pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq.

    Presidenti serb vlerësoi se të gjitha këto janë “lojëra dhe lojëra të vogla”, ndërsa qëllimi është vetëm një – që Serbia “de jure”, e në fund edhe “de fakto”, ta njohë pavarësinë e Kosovës.

    Shtoi se është i bindur se Kosova nuk do ta themelojë AKS-në, duke pretenduar se tani pret që disa “gjysmëmiq” ta thërrasin në takime të përbashkëta me propozimin që të mos jetë AKS, por diçka e ngjashme, dhe përsëri brenda sistemit të Kosovës.

    “Kjo është ideja e tyre e radhës. Thelbi është se ata e kanë shterur pusin dhe rezervuarin e gënjeshtrave të tyre dhe kjo nuk kalon më askund. E vetmja mënyrë si mund të bisedojnë tani është – ‘duhet ta bëni këtë, përndryshe sanksionet do të jenë të tilla’”, tha Vuçiq.

    Ai porositi se pavarësisht presioneve, Serbia nuk do ta pranojë dhe njohë pavarësinë e Kosovës dhe se “nuk ka qeveri që mund ta bëjë këtë në të ardhmen”.

    “Ai 19 prill i vitit 2013 nuk ishte ditë e lehtë për ne. Ishte ditë e mbushur me kompromise në kushte pothuajse të pamundura. Lehtë është të bëhesh gjeneral pas betejës, por arritëm diçka që garantonte të drejtat elementare të popullit tonë në Kosovë e Metohi, mbijetesën në Kosovë e Metohi, e nuk e pranonte pavarësinë apo shtetësinë e Kosovës”, tha ai.

    Vuçiqi shtoi se personalisht nuk e kishte nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, por se e dinte që ajo ishte “e keqja më e vogël që në atë moment mund ta merrnim”.

    Më 19 prill, 2013, u arrit marrëveshja e parë e parimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel. Hashim Thaçi, në atë kohë kryeministër i Kosovës dhe Ivica Daçiq firmosën ujdinë 15 pikëshe, që synonte normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

  • Rivarroset Sinan Dauti, 9-vjeçari që u plagos dhe u zhduk në Mitrovicë gjatë luftës

    Në fshatin Prekaz i Epërm të Skenderajt, të shtunën në orën 13:30 është bërë rivarrimi i Sinan Dautit, 9-vjeçarit i cili më 12 prill 1999 u plagos rëndë nga forcat serbe dhe dy ditë më pas vdiq në Mitrovicë, si pasojë e plagëve, ndërsa gjatë këtyre viteve familja nuk kishte asnjë informacion për fatin dhe vendndodhjen e eshtrave të tij.

    Pas një procesi të gjatë kërkimi dhe përpjekjeve të pandërprera ndër vite, të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin Krimeve të Luftës-Sektorit për Persona të Zhdukur, si dhe me përkrahjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, mbetjet mortore të Dautit janë gjetur në varrezat e Suhodollit në Mitrovicë, ndërsa identifikimi është realizuar së fundmi nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, raporton Klankosova.tv.

    Në ceremoninë e rivarrimit morën pjesë familjarë, qytetarë të shumtë e përfaqësues institucionesh.

    Mes tyre ishte edhe U.D. e Presidentes, Albulena Haxhiu, zyrtarë të Komunës së Skenderajt dhe nga OVL-UÇK.

    Ceremonia e rivarrimit u organizua sipas kërkesës së familjes, me përkrahje të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Komunës së Skenderajt.

  • Dy anije tregtare qëllohen me armë zjarri në Ngushticën e Hormuzit

    Të paktën dy anije tregtare kanë raportuar se janë qëlluar me armë zjarri ndërsa përpiqeshin të kalonin Ngushticën e Hormuzit të shtunën, kanë thënë tre burime të sigurisë detare dhe të anijeve, raporton Reuters.

    Ndikimi i incidentit nuk dihet menjëherë, thotë ky medium.

    Sot Irani ka njoftuar se ka kthyer kontrollin siç ishte më parë në Ngushticën e Hormuzit, pas lajmërimit të djeshëm për hapje të plotë.

    Irani tha se këtë e ka bërë si përgjigje ndaj bllokadës së SHBA-së për anijet iraniane që shkojnë ose nisen nga portet iraniane.

  • Detaje ekskluzive nga aksioni në Pejë: Një person përfundon në pranga, gjenden rreth 70 bimë narkotike

    Detaje ekskluzive nga aksioni në Pejë: Një person përfundon në pranga, gjenden rreth 70 bimë narkotike

    aksionin e sotëm në Jabllanicë të Vogël të Pejës që është duke u zhvilluar, deri më tani është arrestuar një person.

    Nga ky aksion, Sinjali merr vesh se janë sekuestruar rreth 70 bimë narkotike, pajisje të sofistikuara për kultivimin e tyre si dhe një armë automatike – “skorpion”.

    Burimet e Sinjalit thonë se i arrestuari është nga familja Rexha.

    Ndërsa, në vendin e ngjarjes është prokurorja e rastit Sahide Gashi.

    Edhe ekipi i KEDS-it është në vend të ngjarjes të cilët kanë konstatuar kyqjen ilegale të laboratorit në rrjetin elektrik.

  • Zjarri në Tiranë, Rama: Banorët e prekur do mbështeten me bonus qiraje

    Kryeministri shqiptar Edi Rama ka garantuar se banorët e prekur nga zjarri që shkrumboi pallatin pranë QSUT-së në Tiranë do të mbështeten me bonus qiraje.

    Në një postim në Facebook, Rama shkruan se kjo mbështetje do të vijojë deri sa banorët të mund të rikthehen në banesat e tyre, teksa thekson edhe një herë se pallati do të riparohet po nga vetë ndërtuesi.

    “Po, banorët e prekur nga zjarri në banesat e tyre do të mbështeten me bonuse qiraje, deri kur të rikthehen së shpejti në pallatin e riparuar 100% nga ndërtuesi”, shkruan Rama.

    Pallati u përfshi nga flakët pasditen e 14 prillit, duke shkaktuar dëme të mëdha. Fatmirësisht, nuk u raportuan viktima, ndërsa 11 persona morën lëndime për shkak të flakëve dhe asfiksisë nga tymi, mes të cilëve edhe zjarrfikës.

    Sipas hetimeve të deritanishme, zjarri ka nisur në pjesën e pasme të ambienteve të një marketi, ndërsa dyshohet se flakët mund të jenë shkaktuar nga disa fëmijë që luanin pranë godinës.

  • Nga 72 vende pune të inspektuara, në 34 ndalohen punimet

    Inspektorati Qendror i Punës ka kryer 72 inspektime në 48 orët e fundit në vende pune, kryesisht në sektorë me rrezikshmëri të lartë.

    Inspektorati ka njoftuar se nga inspektimet janë shqiptuar 34 ndalime të punimeve, dy leje për punim dhe janë evidentuar 22 vërejtje, si dhe 16 raste pa vërejtje.

    Sipas raportit, inspektime janë kryer në 13 lokacione në Ferizaj e Mitrovicë, në 12 në Prishtinë, Gjilan e Lipjan, si dhe 10 në Fushë-Kosovë.

    Ministria e Punës, së bashku me Inspektoratin, të enjten kanë nisur aksionin e inspektimeve në vendpunishte të ndryshme, me qëllim të kontrollit të nivelit të sigurisë dhe shëndetit në vendet e punës. Aksioni i inspektorëve ka nisur pas rastit të së mërkurës, ku ka vdekur edhe një punëtor, duke e çuar numrin në tetë vdekje në vendin e punës.

    Ministria ka bërë të ditur se inspektimet do të fokusohen kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë. Ministri Andin Hoti ka deklaruar se inspektimet do të zhvillohen në dy ndërrime, me orare të zgjatura dhe edhe gjatë festave. Sipas vendimit të tij, aksioni i inspektimeve do të zgjasë për 15 ditë.

  • Shpërthim i fuqishëm në një nënkalim në Gjermani, vdes një person – lëndohen disa të tjerë

    Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në mesnatë në një nënkalim në qytetin jugperëndimor gjerman të Volklingen, ku si pasojë ka humbur jetën një person dhe janë plagosur disa të tjerë.

    Shpërthimi ka ndodhur pak pas mesnatës. Policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe ka rrethuar zonën për siguri, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave.

    Shkaku i shpërthimit mbetet ende i paqartë, por autoritetet nuk e përjashtojnë mundësinë e një aktiviteti kriminal.

    Një zëdhënës i policisë ka deklaruar se aktualisht nuk ka më rrezik për sigurinë publike.

    Volklingen është një qytet me rreth 40,000 banorë, i cili ndodhet afër kufirit me Francën.

  • Aeroplanmbajtësja më e madhe në botë kthehet në Lindjen e Mesme

    Aeroplanmbajtësja më e madhe në botë është rikthyer në Lindjen e Mesme pas më shumë se një muaji në Mesdhe.

    Agjencia e lajmeve AP raportoi se anija lufte USS Gerald R Ford, e cila këtë javë theu rekordin për vendosjen më të gjatë të aeroplanmbajtëses që nga Lufta e Vietnamit, kishte kaluar nëpër Kanalin e Suezit.

    Anija u detyrua të ankorohej për riparime pas një zjarri të madh në një hapësirë ​​lavanderie në bord. 

    Mbërritja e anijes Ford e bën atë aeroplanmbajtësen e dytë në rajon, përveç USS Abraham Lincoln në Detin Arabik.