Category: AKTUALE

  • Sot jepen fjalët përfundimtare për vrasjen e Liridona Ademajt

    Fjalët përfundimtare ndaj të akuzuarve, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla për vrasjen e Liridona Ademajt, pritet të jepen sot, më 17 prill.

    Ndërkaq, në seancën e kaluar, Kushtrim Kokalla kishte ndarë detaje tronditëse nga nata kritike kur mbeti e vrarë Liridona.

    Vetë Naim Murseli ka vazhduar të mbrojë versionin e tij para gjykatës, duke pretenduar se ngjarja ishte një grabitje që kishte për synim vetëm paratë dhe telefonat, pavarësisht përballjes me prova nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, të cilat hedhin dyshime mbi këtë pretendim.

    Ndërkohë, i akuzuari tjetër, Granit Plava, e ka ndryshuar deklaratën e tij gjatë seancës gjyqësore, duke thënë se vrasja është kryer në bashkëpunim me Naim Murselin.

  • Humbja tragjike e dy nxënësve, shkolla në Malishevë pezullon mësimin dhe shpall ditë zie

    Shkolla “Ibrahim Mazreku” në Malishevë e ka shpallur të premten ditë zie, pas rastit tragjik të humbjes së jetës së dy fëmijëve dhe babait të tyre.

    Të dy fëmijët ndiqnin mësimin në këtë shkollë, ndërsa institucioni ka njoftuar për vendimin e marrë pas vdekjes tragjike të tyre. Po ashtu, për ditën e premte është pezulluar edhe procesi mësimor.

    “Në koordinim me Drejtorinë e Arsimit, Këshillin e Prindërve dhe Këshillin e Mësimdhënësve, njoftojmë të gjithë nxënësit, prindërit dhe stafin e SHFMU “Ibrahim Mazreku” – Malishevë, se në shenjë solidarizimi dhe respekti për ndarjen tragjike nga jeta të nxënësve tanë të klasës së tretë: Naile dhe Kujtim Berisha, si dhe të prindit të tyre, Ilir Berisha, dita e premte, më 17.04.2026, shpallet: Ditë Zie në shkollën tonë. Gjatë kësaj dite pezullohet procesi mësimor.”, thuhet në njoftimin e kësaj shkolle.

  • Hoti kritikon përjashtimin e figurave me përvojë: Jashtë kryesisë mbetën kryetarë degësh e personalitete të LDK-së

    Deputeti i LDK-së, Avdullha Hoti, e ka kritikuar kryetarin e kësaj partie për emërimin kryesisë së re.

    Ai ka bërë me dije se Lumir Abdixhiku nuk e ka respektuar statutin e partisë në këtë rast.

    Hoti ka thënë se Kryesia e LDK-së emërohet nga Këshilli i Përgjithshëm me propozim të Kryetarit.

    “LDK-ja e ka ndërtuar identitetin e vet politik mbi rregulla statutare dhe respekt për kontributin e secilit. Çdo vendim në LDK kërkon respektim të statutit dhe meritave. Në këtë fazë, kur vendi përballet me rrënim të institucioneve e me qeverisje autokrate e abuzive, LDK-ja duhet të jetë alternativa politike që i bën bashkë të gjithë. Shpallja në këtë mënyrë e përbërjes së re të Kryesisë së LDK-së bie ndesh me statutin e partisë, i cili specifikon se Kryesia e LDK-së emërohet nga Këshilli i Përgjithshëm me propozim të Kryetarit”, ka thënë Hoti.

    Ai ka bërë me dije se Këshilli i Përgjithshëm e ka të drejtën të propozojë edhe emra shtesë për anëtarë të Kryesisë.

    “Për më tepër, Këshilli i Përgjithshëm ka të drejtë të propozojë emra shtesë deri në një të tretën e anëtarëve të Kryesisë, të cilët pastaj votohen. Deklaratat politike të miratuara në Kuvendin e Punës të datës 31 janar 2026 nuk e zëvendësojnë statutin e LDK-së. Ato deklarata vetëm e hapin rrugën për emërimin e Kryesisë së re, gjithmonë në përputhje me statutin”, ka thënë Hoti në një intervistë për gazetën Nacionale.

    Ish-kryeministri i Kosovës e ka kritikuar të parin e LDK-së edhe për largimin nga kryesia të disa figurave të njohura të partisë.

    Ai ka vlerësuar se jashtë përbërjes së re të Kryesisë kanë mbetur figura me përvojë dhe peshë politike.

    “LDK-ja forcohet duke përfshirë njerëzit që kanë dhënë kontribut në momente të vështira dhe që kanë potencial për betejat politike që na presin. Sigurisht se secili anëtar i LDK-së e ka peshën e vet dhe meriton respektin e plotë timin dhe të gjithëve. Por jashtë përbërjes së re të Kryesisë kanë mbetur figura me përvojë dhe peshë politike, që mund të cenojë balancat e nevojshme brenda partisë dhe kufizojnë potencialit e LDK-së”, ka deklaruar Hoti, duke shtuar se shumë kryetar të degëve të mëdha të LDK-së nuk janë përfshirë në kryesinë e re.

    “Jashtë liste janë kryetarë të degëve të mëdha. Jashtë liste janë personalitete aktive në politikë, të cilët kanë bartur funksione të larta shtetërore në Qeveri dhe në Kuvendin e Kosovës, personalitete që kanë udhëhequr procese të rëndësishme në LDK. Jashtë përbërjes së Kryesisë së re është Kryetari i Kryeqytetit, Kryetari i Komunës dhe i degës së Lipjanit, Kryetari i Degës në Prizren, ish Kryetari i Grupit Parlamentar, Profesori Valon Murtezaj, Profesori Muhamet Hamiti, Kryetari i Degës së Dytë në Prishtinë dhe nënkryetari i Kryeqytetit, e personalitete të tjera si ish deputetë e deputete që kanë marrë besim të konsiderueshëm qytetarë. Unë kam rezervat e mija edhe për përfshirjen e shumë pak grave në Kryesi”, ka theksuar Hoti.

    Më pas, deputeti i LDK-së ka bërë me dije se çdo devijim nga statuti partiak dëmton besimin e brendshëm dhe kredibilitetin publik.

    “Pa dyshim se po. Por nuk mund të anashkalohet fakti se emërimi i Kryesisë është në kundërshtim me statutin e LDK-së. Bërja publike e Kryesisë dhe zgjerimi me anëtarë shtesë përtej numrit të paraparë në statut pa një miratim nga Këshilli i Përgjithshëm nuk janë thjesht çështje teknike. LDK-ja duhet të mbetet shembull i ligjshmërisë. Çdo devijim nga ky standard e dëmton besimin e brendshëm dhe kredibilitetin publik. Unifikimi në dallime dhe respekti për rregullat statutare janë thelbësore për të ndërtuar një LDK të fortë dhe të besueshme”, është shprehur ai, duke treguar se për çka ka nevojë LDK-ja në këto momente.

    Sipas tij, përbërja e re e kryesisë duhet të propozohet para Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

    “Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për unitet dhe për gjithëpërfshirje. Unë i mbetem besnik elektoratit dhe vlerave të LDK-së dhe do të angazhohem me të gjithë kolegët në funksion të ndërtimit të unitetit dhe forcimit të LDK-së. Është e domosdoshme që të thirret Këshilli i Përgjithshëm dhe aty të propozohet përbërja e Kryesisë së re. Nuk e kuptoj pse është vonuar kaq gjatë me gjithë këto zhvillime politike nëpër të cilat po kalojmë. Është e domosdoshme që përbërja e re e Kryesisë të jetë gjithëpërfshirëse. Unë pres që kjo të ndodh së shpejti”, ka vlerësuar Hoti.

  • Ekstradohet nga Zvicra në Kosovë i dyshuari për falsifikim parash

    Një shtetas kosovar i kërkuar ndërkombëtarisht është ekstraduar nga Zvicra në Kosovë për veprën penale “falsifikim i parave”.

    Sipas Policisë së Kosovës, ai ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane pas një urdhër-arresti të lëshuar përmes INTERPOL-it.

    Pas ekstradimit, i dyshuari është dorëzuar tek organet kompetente në Kosovë për vazhdimin e procedurave ligjore.

  • Haxhiu takon ministrin belg flasin për anëtarësimin në BE, KiE dhe NATO

    Ushtruesja e Detyrës së Presidentes të Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Maxime Prevot.

    Në komunikatën për media thuhet se Haxhiu e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Belgjika i ka dhënë Kosovës ndër vite.

    Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, si dhe kontributi i rëndësishëm i mërgatës në Belgjikë në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.

    “Bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, me theks të veçantë në avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për investim dhe partneritet ndërmjet dy shteteve”, thuhet në komunikatë.

    Haxhiu gjithashtu ka theksuar rëndësinë e avancimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO.

  • Zjarr në një punëtori në Ferizaj, lëndohet një person

    Zjarr në një punëtori në Ferizaj, lëndohet një person

    Një person 44-vjeçar është lënduar gjatë një zjarri që ka shpërthyer në një punëtori në rrugën “Selman Kadria” në Ferizaj, teksa dyshohet se po tentonte ta shuante zjarrin.

    Zjarrfikësit kanë intervenuar me kohë dhe e kanë shuar zjarrin, ndërsa i lënduari po trajtohet në emergjencë dhe gjendja e tij raportohet stabile.

    Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

    “Sot rreth orës 15:40, është pranuar një informatë për një zjarr në një punëtori në rrugën “Selman Kadria” në Ferizaj . Njësia e zjarrfikësve ka intervenuar dhe ka arritur ta shuajë zjarrin para arritjes së patrullës policore.

    “Si pasojë e zjarrit, një person, B. Sh(44 vjeç ), ka pësuar lëndime derisa dyshohet se po tentonte të shuante zjarrin, i cili është duke u trajtuar në emergjencën e Ferizajt dhe gjendja e tij është stabile. Në vendngjarje kanë dalë njësitë hetimore dhe forenzika, ndërsa janë njoftuar edhe institucionet përkatëse për veprime të mëtejme”, tha Veseli

     

  • NASA: Asteroidi “Zoti i kaosit” do të kalojë pranë Tokës pas 3 vjetësh

    NASA: Asteroidi “Zoti i kaosit” do të kalojë pranë Tokës pas 3 vjetësh

    Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA) ka bërë të ditur se shkencëtarët presin që një asteroid me madhësinë e tri fushave të futbollit të kalojë pranë Tokës pas tre vjetësh, duke u dhënë mundësi studiuesve ta analizojnë nga afër këtë trup gjigant hapësinor.

    Asteroidi Apophis, i emërtuar sipas perëndisë së lashtë egjiptiane të njohur si “Zoti i kaosit”, do të kalojë pranë planetit më 13 prill të vitit 2029. Agjencia hapësinore tha se asteroidi do të kalojë rreth 20 mijë milje mbi sipërfaqen e Tokës, duke qenë më afër se shumë satelitë që orbitojnë planetin.

    Satelitët më të lartë orbitojnë në një lartësi rreth 22 mijë milje nga ekuatori. Edhe pse shkencëtarët e konsiderojnë “Zotin e kaosit” si “një asteroid potencialisht të rrezikshëm”, NASA siguroi publikun se ai nuk do të paraqesë kërcënim për Tokën gjatë kalimit të tij në vitin 2029.

    Pas viteve të monitorimit të vazhdueshëm, shkencëtarët thonë se janë të sigurt se objekti nuk paraqet rrezik për Tokën për të paktën 100 vjetët e ardhshëm.

    “Nuk ka asnjë rrezik për Tokën, për askënd apo asgjë që jeton në të apo për astronautët dhe satelitët në hapësirë. Por, ky është një rast i jashtëzakonshëm dhe krejtësisht i paprecedentë për të mësuar shumë më tepër rreth Apophis dhe asteroidëve të ngjashëm pranë Tokës”, tha agjencia.

    Sipas NASA-s, njerëzit që jetojnë në hemisferën lindore do të kenë mundësi ta shohin asteroidin me sy të lirë, në varësi të kushteve të motit.

  • Zyrtare: Lionel Messi bëhet pronar i klubit të famshëm

    Zyrtare: Lionel Messi bëhet pronar i klubit të famshëm

    Futbollisti argjentinas dhe fituesi i tetëfishtë i “Topit të Artë”, Lionel Messi, ka njoftuar zyrtarisht se ka blerë klubin katalanas UE Cornellà, i cili aktualisht garon në Tercera RFEF.

    Me këtë lëvizje, Messi bëhet pronari i ri i klubit nga rajoni Baix Llobregat, duke forcuar edhe më shumë lidhjen e tij të hershme me Barcelonën dhe futbollin katalanas.

     

    Ky investim shihet si një hap i rëndësishëm në përkushtimin e tij për zhvillimin e sportit dhe promovimin e talenteve të reja në këtë zonë.

    Lidhja e Messit me Katalonjën daton që nga periudha kur ai ishte pjesë e FC Barcelona, një raport që ka mbetur i fortë ndër vite edhe pas largimit të tij nga klubi.

    UE Cornellà, i themeluar në vitin 1951, konsiderohet një nga klubet me traditë në futbollin katalanas dhe spanjoll. Klubi është i njohur për punën e tij të shkëlqyer me akademinë dhe zhvillimin e futbollistëve të rinj, duke u shndërruar në një pikë referimi në futbollin gjysmë-profesional në Spanjë.

  • Konjufca për çështjen e presidentit: Nëse është jo-partiak, unë jap dorëheqje prej kandidaturës

    Glauk Konjufca, ka deklaruar se deri tani nuk është diskutuar konkretisht për emra kandidatësh për president në takimet me opozitën.

    Ai theksoi se bisedimet kanë qenë në dy drejtime, një për kandidatë politikë dhe një tjetër për president jo-partiak, por sipas tij opsioni për një marrëveshje politike për president partiak ende nuk është hapur.

    Konjufca shtoi se, nëse arrihet një konsensus për një president jo-partiak, ai është i gatshëm të tërhiqet nga kandidatura, duke theksuar rëndësinë e gjetjes së një figure unifikuese për vendin dhe nevojën që procesi të ecë përpara me marrëveshje mes të gjitha subjekteve politike.

    “Nëse është jo-partiak, unë jap dorëheqje prej kandidaturës. Kush jam unë me mbyllë rrugë.. Edhe e thashë edhe një herë: është shumë e rëndësishme me ia dhënë Kosovës një president. Shumë e rëndësishme me i hapë këto rrugë presidenti. Tash, jo-partiak i bie me u ulë të gjitha subjektet e me gjetë një person. E gjen një person, mos po them një person i cili kurrë nuk është marrë me politikë. Nuk jam duke thënë ashtu. E nuk jam duke thënë një person që kurrë nuk e ka votuar asnjë parti në botë. Në fund të fundit secili prej jush e keni të drejtën e fshehtë të votës. Jeni me një parti politike, po pse nuk e shprehni votën. Por, ky është dallimi”, ka shtuar ai.

  • I vazhdohet paraburgimi edhe dy muaj prindërve të 5 vjeçarit në Lipjan që dyshohet se e keqtrajtuan atë

    I vazhdohet paraburgimi edhe dy muaj prindërve të 5 vjeçarit në Lipjan që dyshohet se e keqtrajtuan atë

    Një rast i rëndë ka ndodhur më 17 mars 2026 në Gadime të Lipjanit.

    Një fëmijë i moshës pesë vjeçare ishte dërguar në Emergjencën Qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) me plagë të rënda në të dy shputat e këmbëve dhe ndryshime gangrenoze.

    Sipas njoftimit të Klinikës së Pediatrisë, fëmija në momentin e pranimit ishte në gjendje të rënduar, me dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim. Menjëherë pas pranimit thuhet se janë realizuar konsultat nga kirurgu plastik dhe pediatri, të cilët kanë rekomanduar hospitalizimin urgjent në Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik për trajtim të mëtejshëm.

    Ai më pas i ishte nënshtruar një operacioni, ndërsa dje pas përmirësimit të gjendjes së tij shëndetësore është liruar dhe është marrë në trajtim nga QPS në Gjakovë.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, i kishte caktuar masën e paraburgimit prindërve të tij që dyshohen ta kenë keqtrajtuar më 18 mars 2026.

    Kjo Gjykatë i ka vazhduar masën e paraburgimit prindërve të tij me inicialet A.K dhe V.P edhe për dy muaj, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “shkelja e detyrimeve familjare” dhe “lëndim i rëndë trupor”.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve A.K. dhe V.P., të dyshuar për veprat penale Shkelja e detyrimeve familjare dhe Lëndim i lëndë trupor, gjyqtarja e procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, përmes Aktvendimit të datës 15.04.2026 ka aprovuar kërkesën e Prokuroisë, ashtu që të njëjtëve iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj për secilin, e cila masë do të llogaritet deri me datë 14.06.2026″, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

    Në lidhje me këtë rast, janë nisur dyshime për dështim të kryerjes së detyrës së tyre nga institucionet, saktësisht QPS në Lipjan. Në momentin kur ka ndodhur rasti, ministri për Familje Andin Hoti ka urdhëruar Inspektoratin që të kryej kontroll të dokumenteve dhe gjithçka tjetër në QPS në Lipjan, për të parë nëse të njëjtit kanë kryer detyrën e tyre.

    E këtë raport, Hoti e ka pranuar sot, i cili ka thënë se QPS ka dështuar të kryej detyrën e tyre.

    “Raportin çuditërisht e kam pranuar sot. Njëra prej të gjeturave të raportit thotë që në vendimin e Gjykatës të vitit 2023 i ka obliguar Qendrën për Punë Sociale për monitorimin e familjes në raport me fëmijët. Pra, e ka obliguar Qendrën për Punë Sociale në raport edhe me prindërit për shëndetin mendor të tyre, që QPS-të nuk merren me shëndetin mendor, janë Qendrat për Shëndetin Mendor që merren me shëndetin mendor, jo QPS-të. Sidoqoftë, është nën hetim prej Prokurorisë. Çka mund të ndërmarrim tjetër ne është një propozim ndaj kryetarit të komunës së Lipjanit që me i qit në masa disiplinore të gjithë stafin e Qendrës për Punë Sociale që është në Lipjan dhe këtë do ta bëjmë nesër, sepse sot është jashtë afatit të punës dhe të shqyrtohen nëse ata vërtetë i kanë ndjekur masat”, ka thënë Hoti.

    E në lidhje me këtë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka intervistuar zyrtarët e QPS-së pas raportit.

    “Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim Policisë, me qëllim të mbledhjes dhe grumbullimit së provave dhe intervisitimin e palëve, të përfshirë në këtë rast.
    Aktualisht, ende nuk është pranuar raporti nga Policia. Për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë çështje, do të njoftoheni me kohë”, kanë thënë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.