Agjencia e Menaxhimit Emergjent e Ministrisë së Punëve të Brendshme do të mbajë një punëtori mbi rrezikun nga fatkeqësitë dhe avancimin e gatishmërisë nacionale për menaxhimin e rrezikshmërisë për kriza dhe zjarre malore në Kosovë. Merr pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. (Hotel “Emerald”, Prishtinë, ora 09:00)
Mbahet mbledhja inauguruese e Kuvendit Komunal Fushë-Kosovë. (Salla e mbledhjeve e Kuvendit Komunal Fushë-Kosovë, ora 10:00)
Sekretari i EFJ i kërkon Kurtit reagim për sulmet e Kurteshit ndaj AGK e mediave: Praktika të ngjashme me mafien, jepni fund
Ricardo Gutiérrez, Sekretar i Përgjithshëm në Federata Evropiane e Gazetarëve, ka reaguar pasi anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i ka quajtur kriminelë gazetarët, duke përmendur emra mediash dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK) për mbrojtjen e tyre.
Gutiérrez i është drejtuar kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke i thënë t’i jepet fund fushatës së shpifjeve kundër gazetarëve.
Ai ka thënë se Kurti duke toleruar shpërthime të tilla po dëmton gazetarët.
Postimi i plotë:
Kryeministër në detyrë Kurti,
Ju bëj thirrje që menjëherë t’i jepni fund fushatës së shpifjes që po zhvillohet nga një anëtar i partisë suaj kundër gazetarëve.
Sami Kurteshi e ka përshkruar degën tonë, Shoqatën e Gazetarëve të Kosovës (AGK), si një “aleancë grupesh kriminale”.
Ky krahasim i një organizate shumë të respektuar evropiane të gazetarëve me një grup kriminal është njëkohësisht i pandershëm dhe i padenjë. AGK është një organizatë e respektuar që thjesht po bën punën e saj, që është të mbrojë gazetarët dhe gazetarinë.
Z. Kurti, duke toleruar shpërthime të tilla, ju po dëmtoni gazetarët, besueshmërinë e tyre dhe vendin tuaj duke lejuar që partia juaj, VV, të denigrojë këdo që guxon t’ju mbajë ju dhe politikëbërës të tjerë përgjegjës.
Turp për partinë tuaj! Ju bëj thirrje që t’i jepni fund këtij kërcënimi para se të jetë tepër vonë.
Kam parë shumë gazetarë të vuajnë nga abuzimi dhe sulmi fizik, shumë shpesh pasi denigrohen publikisht. Ju keni përgjegjësinë t’i jepni fund këtyre praktikave mafioze.
Deda: Që 26 vjet të lirë, ende një popull i tërë merret me Serbinë e Listën Serbe
Opinionisti Ilir Deda sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova tha se që 26 vjet jemi të lirë dhe siç u shpreh, ende një popull i tërë merret me Serbinë e Listën Serbe.
Ai u shpreh se gjithë çka ka të bëj me serbët, ka qenë qendra e debatit politik gjatë gjithë vitit 2025.
“A e dini çka mua më ka shoku, është viti 2025, ne jetojmë të lirë që 26 vjet, qysh është e mundur një skenë politike dhe një popull i tërë të merret me Serbinë, me Listën Serbe dhe krejt çka ka të bëj me serbë të jetë qendra e debatit politik gjatë gjithë vitit 2025”, u shpreh ai./Klankosova.tv
Haliti: Në qeverisje ka qenë një parti e papërgjegjshme dhe një kryeministër që duhet të trajtohet, ka liderë shtetesh që janë të sëmurë
Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur të papërgjegjshme qeverisjen nën kryesimin e Albin Kurtit.
Ai ka thënë se strategjia e Kurtit është që ta vë opozitën sa më keq në opinion, dhe që t’u tregojë ndërkombëtarëve se ai i merr vendimet.
Sipas Halitit, Kosova është nën sanksione të Bashkimit Evropian për shkak të politikave të gabueshme dhe narrativës së paqartë politike që ka krijuar Qeveria Kurti.
“Në qeverisje ka qenë, është një parti e papërgjegjshme dhe një kryeministër që duhet të trajtohet në një variant tjetër, qoftë ai edhe psikologjik. Nuk e kuptoj ndryshe. Ka liderë shteti që janë të sëmurë. Ai të shkojë te doktori, të bëjë kontroll te mjeku, njerëz jemi, kemi probleme me shëndetin, burgu e ka bë të veten, njerëzit e bëjnë të vetën…”, ka thënë Haliti në “Konfront”.
50-vjeçarja shqiptare gjendet e vdekur në banesë, dyshohet se u vra nga bashkëshorti
Një grua 50-vjeçare me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut është gjetur e vdekur në banesën e saj në provincën e Ankonës, Itali.
Dyshohet se ajo është dhunuar për vdekje nga bashkëshorti, i cili aktualisht është në kërkim nga autoritetet.
Sipas informacioneve paraprake, i dyshuari nuk është paraqitur në punë që prej mëngjesit të sotëm.Kurti shihet si pengues në DASH, përkrahja për FSK-në dhe anëtarësimi në NATO si rrugë përpara – çfarë u tha…
Viktima është identifikuar si Sadjide Muslija. Gjatë vitit të fundit ajo kishte raportuar disa herë raste dhune nga bashkëshorti i saj, Nazif Muslija, 50 vjeç, po ashtu me origjinë nga Maqedonia e Veriut.
Alarmi u dha nga punëdhënësi i saj, pasi ajo nuk ishte paraqitur në punë. Policia ndërhyri në banesë, ku e gjeti të shtrirë në shtrat, me shenja dhune.
50-vjeçari ishte arrestuar edhe në prill pas një episodi tjetër të rëndë dhune.
Në atë rast, duke e akuzuar për një tradhti të supozuar, ai kishte thyer derën e dhomës së gjumit me sëpatë, ndërsa gruaja ishte detyruar të strehohej te fqinjët. Sadjidja kishte treguar se prej dy vitesh ishte viktimë e dhunës fizike nga bashkëshorti.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka marr vendim për certifikimin e Nismës Socialdemokrate.
Besnik Buzhala, Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, tha se NISMA SOCIALDEMOKRATE – NISMA, brenda afatit ka dorëzuar listën e përmirësuar me nënshkrimet e mbështetësve.
“ periudha e certifikimeve politike ka përfunduar me 30 nëntor. Subjekti politik Nisma ka përmbushur kriteret për certifikim duke dorëzuar listën e nënshkrimeve dhe mbështetësve dhe ja paguar taksën për certifikim. Lidhur me këtë zyra rekomandon që të certifikoj nismën socialdemokrate”, tha ai.
Tre adoleshentë kanë humbur jetën kur vetura e tyre rrëshqiti nga rruga në Francën jugore, kaloi nëpër një mur dhe u përmbys në një pishinë private, kësisoj duke i bllokuar ata brenda.
Automjeti ishte i ngjashëm me madhësinë e pishinës dhe adoleshentët – të moshës 14, 15 dhe 19 vjeç – nuk mundën të hapnin dyert dhe u mbytën.
Aksidenti i çuditshëm ndodhi në qytetin Alès në orët e para të së mërkurës, raporton BBC.
“Është vërtet kulmi i tmerrit,” tha prokurori publik Abdelkrim Grini. “Nuk ishte ndikimi i aksidentit që i vrau ata. Ata e gjetën veten përmbys në ujin e akullt, të paaftë për të dalë. Ata nuk kishin asnjë shans.”
Raporte të pakonfirmuara sugjerojnë se më i riu nga tre viktimat ishte në timon të makinës në atë kohë.
Vetëm disa orë u dha alarmi dhe zjarrfikësit u thirrën për të zbrazur pishinën dhe për të larguar automjetin. BFMTV raportoi se pishina ishte rreth 1.5 metra e thellë.
Një hetim është hapur për shkakun e vdekjes. Trupat e tre viktimave janë dërguar në institutin mjeko-ligjor në Nîmes për ekzaminime pas vdekjes, tha AFP.
Qeveria e Kosovës ka shpenzuar më shumë gjatë tre mujorit të tretë të vitit 2025 sesa në tremujorin e tretë 2024. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në TM3 2025 kanë arritur në 826.6 milionë euro, krahasuar me 774.8 milionë euro sa ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Gjithsej shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në TM3 2025 ishin 826.6 milionë ruro, derisa shpenzimet në TM3 2024 ishin 774.8 milionë euro. Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: Kompensimi i punëtorëve (28,2%); Kontributet sociale dhe përfitimet (25,9%); Formimi i kapitalit bruto (13,7%); Konsumi i ndërmjetëm (13,6%). Ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve.”, thuhet në raport.
Po ashtu sipas të dhënave Qeveria po ashtu ka realizuar të hyra të përgjithshme në TM3 2025 arritën në 927.2 milionë euro, ndërsa në TM3 2024 ishin 818.7 milionë euro. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë, tatime në produkte, tatimet rrjedhse.
“Gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në TM3 2025 ishin 927.2milionë euro, derisa të hyrat në TM3 2024 ishin 818.7 milionë euro. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë: Tatimet në produkte (73,6%); Tatimet rrjedhëse në të ardhura (14,1%); Pagesat për prodhimin jashtë tregut (shitjet) (3,8%). Ndërsa pjesa e mbetur është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.”, thuhet në raport.
Sërish, gjyqtarët e Dhomave të Specializuara në Hagë që pritet ta marrin vendimin në rastin e krerëve të UÇK-së, kanë refuzuar të gjitha provat që dëshmojnë për krimet serbe të kryera në Kosovë.
Kjo është bërë e ditur me dy vendime të ndara për provat e mbrojtjes së Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit, vendime të cilat i ka parë gazeta Nacionale.
Madje, në vendimin për provat e paraqitura nga Krasniqi, gjyqtarët duken të ‘nervozuar’ pse shumica e dëshmive të mbrojtjes, janë prova të krimeve serbe të kryera në Kosovë.
“Paraprakisht, Paneli vëren se një numër i konsiderueshëm i Provave të Propozuara shkojnë për të vërtetuar kryerjen e krimeve nga forcat serbe. Paneli deklaroi në mënyrë të përsëritur se krime të tilla nuk janë në diskutim dhe gjithashtu nuk janë në vetvete relevante për procedurat aktuale, përveç nëse mund të tregohet se ato lidhen me një fakt ose rrethanë materiale për këtë çështje. Pavarësisht këtyre indikacioneve të përsëritura, Mbrojtja ka vazhduar të kërkojë të ofrojë, ose të nxjerrë, prova të fakteve të tilla. Paneli kujton se barra e vërtetimit të rëndësisë, si me kushtet e tjera për pranim, i takon palës ofertuese. Prandaj është thelbësore që Palët dhe pjesëmarrësit të identifikojnë qartë në parashtrimet e tyre përfundimtare se në çfarë materiali mbështeten në lidhje me çështjen e tyre dhe çfarë vlere provuese dhe rëndësie i japin secilit artikull të tillë”, thuhet në këtë vendim të gjyqtarëve të Speciales, të cilët shprehen të pakënaqur pse avokatët e Krasniqit kanë prezantuar prova të krimeve serbe në Kosovë.
Si rezultat, të gjitha provat të cilat dëshmojë krimet e Ushtrisë e formacioneve tjera serbe në Kosovë, janë rrëzuar, pra nuk janë pranuar në proces.
“Duke iu kthyer Provave të Propozuara 2, 4, 6, 8, 9, 12, 13, 26, 31 dhe 34, Trupi Gjykues vëren pohimin e Mbrojtjes se ato pretendojnë të jenë provuese të krimeve të kryera nga shteti serb dhe formacionet paraushtarake, si dhe ilustrojnë tensionet ndërpersonale midis civilëve, shënjestrimin e shqiptarëve nga serbët dhe armatosjen e popullsisë civile nga shteti serb. Pasi i shqyrtoi këto pika, Trupi Gjykues vëren se ato pretendojnë të jenë relevante për të treguar krimet serbe dhe se Serbia po fabrikonte prova ose po manipulonte hetimet. Megjithatë, Trupi Gjykues kujton se provat e krimeve të dyshuara të kryera nga forcat serbe në përgjithësi janë të parëndësishme për akuzat kundër të Akuzuarit. Mbrojtja nuk ka arritur të vërtetojë se incidentet e përshkruara në këto pika janë të lidhura në ndonjë mënyrë tjetër me ndonjë nga akuzat në Aktakuzë. Në mënyrë të ngjashme, Prova e Propozuar 16, e cila ofron një analizë krahasuese të kapaciteteve ushtarake të forcave serbe dhe të UÇK-së, nuk ka lidhje të dukshme me çështjen”, thuhet në këtë vendim.
Ngjashëm, me të njëjtën arsye, janë refuzuar edhe një pjesë e provave të paraqitura nga mbrojtja e Hashim Thaçit. Me të njëjtin arsyetim. Për gjyqtarët, provat e krimeve serbe, janë të parëndësishme.
“ZPS-ja kundërshton Provat e Propozuara 9-15, 18, 20, 22-24, 26, 34, 35, 37 dhe 39-42 të Shtojcës. Në veçanti, ZPS-ja pohon se Provat e Propozuara 9 dhe 37 të Shtojcës 1 janë tepër të gjata dhe nuk jepet asnjë shpjegim që do të justifikonte pranimin e të gjitha faqeve.44 Lidhur me Provat e Propozuara 12, 13 dhe 17 të Shtojcës 1, ZPS-ja pohon se ato janë paraqitur pa faqe kopertine dhe janë dhënë informacione të paplota burimore. Pasi i shqyrtoi këto pika, Paneli vëren se të gjitha ato lidhen me krime të supozuara të kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve etnikë ose listojnë viktima të krimeve të supozuara të kryera nga forcat serbe. Ndërsa këto pika kanë të bëjnë me vendet e listuara në aktakuzë (“Aktakuzë”), krimet ose faktet e përshkruara në të nuk janë ndryshe relevante për krimet e akuzuara në rastin aktual. Mbrojtja nuk ka arritur të shpjegojë rëndësinë e tyre për ndonjë fakt ose rrethanë të rëndësishme për këtë çështje. Prandaj, Paneli konstaton se Mbrojtja nuk ka arritur të vërtetojë rëndësinë e këtyre Provave të Propozuara.”, thuhet në vendim.
Disa prej provave të cilat gjqytarët i kanë pranuar, ndërlidhen me kontekstin historik në Kosovë, fakt të cilin gjyqtarët e kanë vlerësuar si të rëndësishëm.
“Për më tepër, në lidhje me Shtojcën 1 Provat e Propozuara 1, 3, 19, 21, 23, 24, 26 dhe 29, Paneli konsideron se Mbrojtja e Thaçit nuk e ka artikuluar qartë rëndësinë e këtyre pikave, përveçse ka deklaruar se ato janë relevante për kontekstin historik të konfliktit të armatosur, ekzistencën e një konflikti të armatosur, ose lëvizjen e refugjatëve nga Shqipëria në Kosovë. Megjithatë, Paneli, duke ushtruar diskrecionin e tij, konsideron se sfondi historik mund të jetë paksa i rëndësishëm për çështjen, pasi ofron informacione mbi, ndër të tjera, bashkëveprimin midis figurave të ndryshme politike, përpjekjen e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi, luftimet midis UÇK-së dhe forcave serbe në Drenicë në vitin 1998. Është pritje e Panelit që Mbrojtja e Thaçit do të shpjegojë në detaje më të mëdha rëndësinë e këtyre pikave për çështjen e saj në dosjen e saj përfundimtare të gjyqit, ose në parashtrimet përfundimtare. Paneli është i kënaqur, me paralajmërimin e përmendur më sipër, se Shtojca Provat e Propozuara 1, 3, 17, 19, 21, 24 dhe 29 janë relevante për aspekte të caktuara të akuzave, si dhe për faktet dhe rrethanat materiale për çështjen”, thuhet në vendim.
Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së, tashmë janë në fazën e fundit.
Edhe zyrtarisht, mbrojtjet e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit e kanë njoftuar trupin gjykues në Speciale, se po i mbyllin çështjet e tyre. Pra, nuk ka më dëshmitarë e as prova.
Në parashtresat e publikuara të cilat i ka parë Nacionale specifikohet se më nuk ka asnjë dokument që do të paraqitet.
“Në përputhje me Urdhrin e Trupit Gjykues, Mbrojtja e Z. Hashim Thaçi konfirmon me anë të kësaj se, në këtë fazë, nuk ka më dëshmitarë për t’u thirrur dhe asnjë material tjetër provues për t’u paraqitur si pjesë e çështjes së Mbrojtjes. Rrjedhimisht, në përputhje me Rregullin 131 të Rregullores, Mbrojtja e mbyll çështjen e saj. Megjithatë, ky njoftim nuk cenon asnjë ndihmë të përshtatshme që Mbrojtja mund të kërkojë në lidhje me çështjet e provave që mbeten pezull para Trupit Gjykues”, thuhet në parashtresë.
Ngjashëm, thuhet edhe në parashtresën e mbrojtjes së Jakup Krasniqit.
“Mbrojtja e Jakup Krasniqit nuk ka ndërmend të thërrasë më shumë dëshmitarë ose të paraqesë ndonjë material tjetër provues si pjesë të çështjes së saj. Rrjedhimisht, në përputhje me Rregullin 131 të Rregullores, dhe Urdhrin e Trupit Gjykues, Mbrojtja e Krasniqit me anë të kësaj mbyll çështjen e saj. Ky Njoftim nuk cenon asnjë ndihmë të përshtatshme që Mbrojtja e Krasniqit mund të kërkojë në lidhje me çështjet e provave që mbeten pezull para Trupit Gjykues”, thuhet në parashtresë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk ka komentuar kritikat e Ambasadës Amerikane në Kosovë karshi Lëvizjes Vetëvendosje pas moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Pas pjesëmarrjes së tij në konferencës së 10-të të Mjedrës në Kosovë të organizuar nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës”, kur u pyet nga gazetarët për kritikat karshi vendimit të partisë që ai udhëheqë për moscertifikimit të Listës Serbe, Kurti nuk foli para mediave.
Gjatë ditës së sotme, Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka reaguar ashpër pas moscerifikimit të Listës Serbe nga anëtarët e KQZ-së për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Ambasada e SHBA thotë se përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse, transmeton KosovaPress.
Në reagimin e ambasadës amerikane thuhet se veprimet e tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së përfshirë rinisjen e dialogut strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare.
“Përpjekjet e VV-së për ta bllokuar certifikimin që Lista Srpska të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë shkurtpamëse dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla minojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rinisjen e dialogut tonë strategjik për avancimin e mundësive për bizneset amerikane dhe kosovare”, thuhet në reagim.