Category: AKTUALE

  • Bëhen të ditura datat: Ja kur do të merret vendimi final për ish-krerët e UÇK-së në Hagë

    Zëdhënësi i Dhomave të Specializuar, Michael Doyle, ka bërë të ditur se deklaratat përmbyllëse janë planifikuar të mbahen nga 9 deri më 13 shkurt 2026.

    Pas kësaj, siç bën të ditur ai, Trupi Gjykues do të mbyll çështjen dhe do të hyjë në fazën e shqyrtimit për të arritur një aktgjykim.
    “Aktgjykimi duhet të shpallet brenda 90 ditëve nga mbyllja e çështjes. Kur rrethanat kërkojnë kohë shtesë, është e mundr një zgjatje edhe për 60 ditë të tjera”, tha Doyle.

    Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Hagë nga viti 2020. Ata janë deklaruar të pafajshëm mbi akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar.

    Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniq dhe Selimi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

  • SHBA e bllokon licencën, Vuçiq: Serbia po paguan çmimin

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi pas takimit me ekipet për sigurinë energjetike se Serbia po hyn në periudhën kur “do të përballet me pasojat e vërteta” të situatës me NIS-in, pas moszgjatjes së licencës nga SHBA.

    Ai tha se ishte “i zhgënjyer dhe i befasuar” nga vendimi i Uashingtonit dhe se nuk e kupton arsyen e tij.

    Sipas tij, Rusia nuk pranon shitjen e kompanisë, ndërsa SHBA ndjek interesat e veta gjeopolitike, dhe “aktualisht po dëmtohet vetëm Serbia”, transmeton Indeksonline

    Vuçiq deklaroi se Serbia ka rritur ndjeshëm importet e derivateve të naftës, por se po has probleme me kapacitetet e mbushura të magazinimit.

    Ai akuzoi kompaninë kroate JANAF se nuk ka lejuar dërgesën e naftës për rezervat shtetërore, gjë që sipas tij tregon se “jo vetëm NIS, por e gjithë Serbia trajtohet si e sanksionuar derisa të vendosin amerikanët”.

    Presidenti theksoi se, pavarësisht 54 ditëve të sanksioneve, qytetarët nuk kanë ndier mungesa falë përgatitjeve të shtetit, por paralajmëroi se tani priten sfida të reja për sektorin energjetik.

  • Finlanda rrit kufirin e moshës për rezervistët ushtarakë deri në 65 vjeç

    Finlanda rrit kufirin e moshës për rezervistët ushtarakë deri në 65 vjeç

    Përballë ndryshimit të situatës së sigurisë në Evropë, Finlanda ka vendosur të forcojë ndjeshëm kapacitetet e saj mbrojtëse, duke rritur kufirin e moshës për rezervistët ushtarakë. Ata mund të angazhohen në ushtri deri në moshën 65-vjeçare, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

    Edhe pse me një popullsi prej vetëm 5,5 milionë banorësh, Finlanda ka një nga ushtritë më të mëdha në Evropë, me rreth 280’000 trupa të gatshme për mobilizim të shpejtë dhe një rezervë totale prej 870’000 personash. Sipas planit të ri të qeverisë, kjo shifër pritet të arrijë në rreth një milion deri në vitin 2031.

    Ndryshimi kryesor ligjor parashikon që, duke filluar nga viti i ardhshëm, kufiri i moshës për të qenë pjesë e rezervës do të rritet në 65 vjeç për të gjithë, pavarësisht gradës. Aktualisht, ushtarët e gradave të ulëta qëndrojnë në rezervë deri në moshën 50-vjeçare, ndërsa oficerët deri në 60 vjeç. Për oficerët me grada të larta (si kolonel e më lart), detyrimi do të jetë pa kufi moshe, për sa kohë ata janë fizikisht të aftë për shërbim, shkruan A2.

    Një raport i Komisionit të Mbrojtjes në parlamentin finlandez e ka cilësuar propozimin si “jashtëzakonisht të nevojshëm”. Synimi është shfrytëzimi i aftësive të rezervistëve më të vjetër e me përvojë, veçanërisht në fushat e sigurisë kibernetike, infrastrukturës dhe sigurisë së furnizimit – kompetenca këto që kërkohen më shumë se kurrë në mjedisin aktual të sigurisë.

    Ky vendim reflekton vigjilencën e vazhdueshme të Finlandës ndaj fqinjit të saj lindor, Rusisë. Përvoja e hidhur historike e Luftës së Dimrit (1939-1940) kundër Bashkimit Sovjetik mbetet e rrënjosur në kujtesën kombëtare finlandeze. Presidenti aktual, Alexander Stubb, deklaroi së fundmi për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se “ADN-ja e Rusisë është ekspansioni, ndërsa ajo e Finlandës është mbijetesa”.

    Ndërkohë, ish-presidenti Sauli Niinistö u ka bërë thirrje liderëve evropianë të mbajnë kontakte direkte me Vlladimir Putinin. Sipas tij, nëse evropianët nuk përfshihen në diskutime, ata rrezikojnë që vendimet për arkitekturën e sigurisë së Evropës dhe Ukrainës të merren pa praninë e tyre në tryezën e bisedimeve.

  • Gazeta gjermane FAS zbulon dosje tronditëse: Mbi 100 turistë vrasës në ‘Sarajevo Safari’

    Gazeta gjermane Frankfurter Sonntagszeitung (FAS) ka publikuar një artikull të gjerë me detaje të reja rreth fenomenit “Sarajevo Safari”, që i referohet pjesëmarrjes së të huajve të pasur në vrasje me snajper të civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës.

    Artikulli sjell fragmente nga një dosje që taljiani Ezio Gavazzeni, gazetar dhe shkrimtar, ka dorëzuar në Prokurorinë e Milanos, si dhe deklarata të dëshmitarëve kyç.

    Historia nis me dëshmitë e John Jordan, ish-marins amerikan dhe zjarrfikës, i cili në vitin 2007 para Tribunalit të Hagës tha se kishte parë disa herë burra të huaj të shoqëruar nga persona lokalë, të armatosur me pushkë që nuk i përkisnin arsenalit të luftës, por ngjanin me armët e gjuetisë.

    FAS, siç raporton Vijesti shkruan se atëherë dëshmia u la pas dore dhe fenomeni u konsiderua “legjendë urbane”, megjithë përmendjen e kanadezëve, rusëve, gjermanëve, zviceranëve e italianëve që pretendohet se paguanin shuma të mëdha për të “gjuajtur njerëz”.

    Sipas dosjes së dorëzuar më 28 janar 2025, bëhet fjalë për të paktën 100 pjesëmarrës, të cilët mes vete quheshin “qitës”. Dokumenti pretendon se ata paguanin deri në 300.000 euro, ndërsa viktimat kategorizoheshin me “çmime” makabre: fëmijët – trofeu më i kërkuar dhe më i shtrenjtë, burrat e armatosur, gratë, të moshuarit – “falas”

    Në dokument pretendohet gjithashtu se shërbimi ushtarak italian i inteligjencës kishte pohuar se i kishte ndalur këto ture në vitin 1993, por Gavazzeni thotë se kjo është e pavërtetë, duke theksuar se aktivitetet vazhduan deri në vitet 1994–1995.

    Gavazzeni, autor i librave investigativë mbi mafian dhe atentatin ndaj Papa Gjon Palit II, pritet të publikojë librin e ri “I cecchini del weekend”, i cili tashmë ka zgjuar interesimin e Netflix dhe Amazon për ekranizim.

    Ai thotë se më së shumti e ka tronditur fakti që vrasja e fëmijëve konsiderohej trofe i veçantë.

    Sipas profilit kriminologjik që ka porositur, pjesëmarrësit ishin persona të pasur dhe të arsimuar – mjekë, gjyqtarë, avokatë, noterë, biznesmenë – të pasionuar pas adrenalinës:

    “Ishte ndjesia e fuqisë për të shuar jetën e një njeriu me të cilin nuk të lidhte asgjë.”

    FAS raporton se në mediat italiane janë paraqitur edhe persona të tjerë që konfirmojnë fenomenin.

    Diplomati Michael Giffoni ka deklaruar se në vitin 1994 ishte informuar për “autobusë plot të pasur” që vinin për të qëlluar.

    Një ish-punonjës i Caritas-it tha se kishte parë autobusë nga të cilët zbrisnin të huaj të armatosur dhe me veshje luksoze.

    Gazetari kroat Domagoj Margetiq madje pretendon se edhe presidenti aktual i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në vitet 1992–1993 si vullnetar në milicinë serbo-boshnjake, kishte lidhje me këta turistë – pretendime që zëdhënësja e Vuçiqit i ka mohuar në mënyrë kategorike.

    Prokuroria e Milanos tashmë ka nisur kontrollimin e dëshmive dhe dokumenteve. Deputetë të Lëvizjes italiane “Pesë Yjet” kërkojnë publikimin e të gjitha dokumenteve që inteligjenca italiane mund të ketë për “Sarajevo Safarit”.

    Gavazzeni i ka dorëzuar prokurorit Alessandro Gobbi listën me emrat e personave që ai i identifikon si pjesëmarrës, por thotë se në librin e tij nuk do t’i publikojë.

    Nëse drejtësia do të arrijë të vërtetojë akuzat dhe të identifikojë qoftë edhe një snajperist të huaj pjesëmarrës, FAS vlerëson se mund të hapet “një nga gjyqet më të mëdha të shekullit”.

    “Indikacionet kanë qenë gjithmonë aty – duhej vetëm t’i lidhte dikush”.

  • Spiropali shkruan për Rugovën: Nuk udhëhiqej nga turmat, i udhëhiqte ato nga errësira drejt dritës

    Spiropali shkruan për Rugovën: Nuk udhëhiqej nga turmat, i udhëhiqte ato nga errësira drejt dritës

    Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë Elisa Spiropali, ka shkruar për ish presidentin Ibrahim Rugova në ditën e lindjes së tij.

    Ajo ka thënë se në fëmijëri Rugova “i fanepsej si profet” por më vonë konstatoi se ai nuk ngjante me askënd.

    “Ndoshta për shkak të emrit Ibrahim/Abraham, në fëmijëri Ibrahim Rugova më fanepsej si profet. Më vonë konstatova se ky politikan nuk ngjante me askënd. Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundështarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme.”

    Spiropali shton se Rugova nuk udhëhiqej nga turma, por i udhëhiqte ato nga errësira drejt dritës.

    “Rugova evokonte Dardaninë, rrënjët e identitetit tonë, atë që kemi qenë, atë që duhet të jemi. Ibrahim Rugova ishte një Prijës politik e shpirtëror misionar. Butësia e Tij ishte Forcë e papërballueshme vendosmërie dhe pandryshueshmërie. Rugova nuk udhëhiqej nga turmat. Rugova turmat i udhëhiqte nëpër shtigje të panjohura, nga errësira drejt dritës. Kosova dhe Rugova, Rugova dhe Kosova, janë të pandarë në sytë e botës së qytetëruar”.

    “Në traditën më të ndritur të Rilindjes, për Rugovën dielli i shqiptarëve lind nga perëndon. Në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë, Ibrahim Rugova priu me urtësi dhe vetëdijë atdhetare të palëkundur. Lindi më 2 Dhjetor, 81 vite më parë. Dhe do kujtohet gjithmonë”.

  • 41 vetura të reja për policët patrullues

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka ndarë 41 vetura të reja, prej tyre 35 limuzina, përfshirë ato Hybride dhe gjashtë SUV-a për mbulimin e zonave patrulluese, në të gjitha drejtoritë rajonale.

    Pas ndarjes së këtyre automjeteve, Policia thotë se përmbushja e objektivave të Planit Zhvillimor Strategjik dhe forcimi i qasjes proaktive ndaj kërkesave të qytetarëve, tashmë mundësohet më lehtë dhe më shpejt, transmeton Rilindjashqiptare.

    “Kjo edhe një herë dëshmon përkushtimin e menaxhmentit të Policisë për një qasje gjithnjë e më proaktive ndaj qytetarëve, për forcimin e bashkëpunimit, komunikimit dhe reagimit me kohë ndaj kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, si dhe për rritjen e mëtejme të besueshmërisë dhe transparencës institucionale”, thuhet në njoftimin e PK-së.

  • Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani shpallet “Mbrojtësi i Vitit 2025” në Serie A!

    Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani shpallet “Mbrojtësi i Vitit 2025” në Serie A!

    Kapiteni i Kosovës dhe muri i mbrojtjes dardane, Amir Rrahmani është shpallur “Mbrojtësi i Vitit 2025” në Serie A.

    Si kurorëzim i një sezoni fantastik, ai është përfshirë edhe në formacionin më të mirë të kampionatit.

    Pas një sezoni të jashtëzakonshëm me Napolin kampion, lidershipi, qetësia dhe dominimi i tij në prapavijë e udhëhoqën skuadrën drejt majës së futbollit italian.

    Pos tjerash, urime për Rrahmanin ka ndarë Federata e Futbollit të Kosovës.

    “Krenari pa kufij për Amirin!”, ka shkruar FFK në Facebook.

  • Aksident zinxhir në SHBA, përfshihen 45 makina, shkak stuhia e borës

    Një aksident zinxhir që përfshinte 45 automjete ndodhi në një autostradë ndërshtetërore në Indiana, SHBA.

    Aksidenti ndodhi në korsitë perëndimore të autostradës I-70 pranë Terre Haute-s, shkaku i reshjeve të borës.

    Zyrtari i marrëdhënieve me publikun i Policisë Shtetërore të Indianës, Matt Ames, tha se askush nuk u lëndua rëndë.

    Më pas, Ames raportoi se të gjitha automjetet e përfshira në aksident ishin hequr nga rruga.

    “Njerëz, nëse mund të qëndroni në shtëpi, qëndroni në shtëpi. Duhet të ngisni me zgjuarsi kur të fillon të bjerë borë, të ngadalësoheni, të siguroheni që keni lidhur rripat e sigurimit”, tha ai.

  • Me fustan të çarë, Rita duket e paparë

    Me fustan të çarë, Rita duket e paparë

    Rita Ora dukej mahnitëse në tapetin blu të mbushur me personazhe të famshëm në ndarjen e çmimeve të modës të hënën në mbrëmje.

    Këngëtarja u sigurua që të binte në sy mes një grumbulli yjesh elegantë, me një fustan argjendi, të çarë deri tek pjesa intime.

    Ajo e kombinoi fustanin ultramodern me një model flokësh të kapura dhe grim të veçantë nga Charlotte Tilbury për të pozuar gjatë tapetit blu të Royal Albert Hall.

    Këtë vit, ceremonia do të prezantohet nga aktori Colman Domingo. E konsideruar si një nga netët më të mëdha në kalendarin e modës, ceremonia nderon disa nga emrat dhe fytyrat më të shkëlqyera në industrinë globale të modës, duke festuar emra të njohur dhe stilistë të rinj.

  • ‘Andrra Invest’ siguron lejen e ndërtimit për projektin ekskluziv ‘ANDRRA’ në Prishtinë

    “Andrra Invest LLC” është pajisur me leje ndërtimi nga Komuna e Prishtinës pas plotësimit të kushteve të kërkuara nga aplikuesi për ndërtimin e projektit të radhës “ANDRRA”.

    Leje e ndërtimit është aprovuar me datën 27.10.2025 dhe numri i lejes: 05 NR. 351/02-91421/25.

     

     

    Objekti “ANDRRA” ndodhet në zonën Prishtina e Re, Zona Qendër, me një sipërfaqe prej 12,000 m².

    Punimet në terren kanë filluar dhe objekti planifikohet të përfundojë brenda 18 muajve.

     

    Objeti “ANDRRA” karakterizohet nga arkitekturë moderne, materiale ekskluzive dhe planimetri funksionale, me lokale afariste dhe njësi banesore të përshtatshme për çdo familje.

    Për detajet e projektit mund t’i vizitoni zyrat e ‘Andrra’ ose të kontaktoni: +38344602365