Category: AKTUALE

  • Rama betohet këtë ditë në Kuvendin Komunal të Prishtinës

    Përparim Rama zyrtarisht mandatin e ri e nis më 9 dhjetor si kryetar i kryeqyteti.

    Ai do të japë betimin në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal të Prishtinës, e cila do të mbahet të martën me fillim nga ora 10:00.

    Përveç tij, betimin do ta japin edhe anëtarët e tjerë të Kuvendit Komunal.

    Rama fitoi zgjedhjet lokale në kryeqytet duke mundur kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çekun

  • Qëllohet për vdekje boksieri francez

    Qëllohet për vdekje boksieri francez

    Boksi francez ka humbur një luftëtar premtues.

    Sipas Le Parisien, trupi i boksierit 24-vjeçar francez, Ishaq Bentchakal u gjet sot në Drancy të Francës, me katër plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit në qafë dhe gjoks.

    Bentchakal vdiq në vendngjarje nga lëndimet që kishte marrë.

    Ndërkaq, policia ka nisur një hetim, por autori i krimit ende nuk është gjetur.

    Isha ishte dy herë fitues i medaljes së argjendtë në kampionatin francez të boksit dhe gjithashtu luftoi katër herë si profesionist: tre fitore dhe një humbje. Ndeshja e tij e fundit ishte në mars të vitit 2024, ku ai siguroi një fitore ndaj Edisson Budivan.

    Ai u thirr gjithashtu në ekipin kombëtar francez të boksit, por zgjodhi të qëndronte në Nancy me familjen e tij në vend që të transferohej në Paris.

    Karriera e Bentchakal filloi të pësonte një rënie pas fillimit të COVID-it dhe francezi u përfshi vazhdimisht në vepra penale që lidhen me drogën dhe zhvatjen.

  • Abdixhiku kritikon VV-në dhe shpall gatishmërinë për kryeministër

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar ashpër qeverinë në detyrë për refuzimin e ofertës për krijimin e një qeverie uniteti.

    Në fjalimin e tij para mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, ai tha se LDK-ja ofroi mundësi për kapërcimin e krizës dhe për një qeverisje të bashkuar, por kjo u injorua.

    Derisa shtoi se VV mendoi që ‘shumica falet, e nuk fitohet’.

    “Ju ofruam siç e dini edhe unitet, e refuzuan. U tallën me qeverinë e unitetit, jua ofruam edhe kapërcimin e krizës, të ngërçit financiar e buxhetor. Na votoni qeverinë na thoshin, thua se shumica falet e nuk fitohet. Na votoni ministrat, kryeministrat, cilindo, vetëm na leni të qëndrojmë edhe disa ditë në pushtet. Bllokada ka qenë qëllim në vetvete që nga fillimi, bllokada nuk ka qenë aksident”, tha Abdixhiku, transmeton Klankosova.tv

    Ai ndër tjerash u bëri thirrje mërgatës për të votuar në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    “Vota juaj nuk është thjesht një votë e zakonshme, por amanet dhe përgjegjësi për fatin e vendit tonë. Kosova ka nevojë për mërgatën tonë, për juve dhe pjesëmarrjen tuaj masive. Ju e keni ndryshuar rezultatin në zgjedhjet e fundit lokale, vazhdoni të ndryshoni rezultatin edhe në zgjedhjet nacionale”, tha ai.

    Po ashtu, Abdixhiku u shpreh i gatshëm për kandidimin e tij për kryeministër të Kosovës, duke shpresuar që Zoti t’i japë dije dhe maturi për t’i prirë kësaj gare.

    “Ky aprovim para se të jetë privilegj është përgjegjësi e madhe që më vihet mbi supe dhe për të cilën jam gati. I gatshëm të ecim bashkë dhe të mbaj peshën e kësaj detyre në emrin tuaj. Shpresoj që Zoti të më jap forcë, dije e maturi t’ju prijë në këtë garë me dinjitet”.

  • Zelensky dhe Macron diskutojnë në Paris për përfundimin e luftës në Ukrainë

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se ai dhe Emmanuel Macron diskutuan për përfundimin e luftës në Ukrainë gjatë bisedimeve të sotme në Paris.

    Ukrainasi tha në mediat sociale se bisedimet zgjatën “disa orë” dhe të dy udhëheqësit “arritën të vlerësonin shumë detaje”.

    “Vëmendja më e madhe iu kushtua diskutimeve rreth përfundimit të luftës, garancive të sigurisë”, tha ai.

    “Paqja duhet të bëhet vërtet e besueshme. Lufta duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.”

    Zelenskyydhe Macron do të japin deklarata jashtë Pallatit Elize së shpejti, shkruan Skynews.

     

  • Aktakuzë për arrestimin dhe keqtrajtimin e civilëve gjatë luftës në Rahovec e Suharekë

    Aktakuzë për arrestimin dhe keqtrajtimin e civilëve gjatë luftës në Rahovec e Suharekë

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj dy personave, A.Z dhe B.D., për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

    Sipas aktakuzës, A.Z., në cilësinë e inspektorit në Stacionin Policor në Prizren, ndërsa B.D., në cilësinë e policit në të njëjtin stacion, gjatë viteve 1998-1999 individualisht dh në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, kanë ndërmarrë një fushatë arrestimesh ndaj popullsisë civile në komunat e Rahovecit dhe Suharekës.

    “Në mesin e të arrestuarëve ishin R.J., M.K., E.G., S.E., V.V., Q.K., U.K., H.G., S.G., H.Sh dhe A.Z, të cilët gjatë procesit të marrjes në pyetje, sipas aktakuzës, janë rrahur me mjete të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor, ku si pasojë R.J kishte vdekur, ndërsa personat e tjerë kishin pësuar lëndime serioze trupore.” – ka njoftuar Specialja.

    Prokuroria, bazuar në nenet 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës që të mbajë gjykimin në mungesë, pasi të pandehurit A.Z dhe B.D.janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

  • OEK paralajmëron kallëzim penal ndaj ZRRE-së: Vendimi i Gjykatës Supreme po keqinterpretohet

    Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) shpreh shqetësimin e thellë për mënyrën se si Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka keqinterpretuar publikisht Aktgjykimin e Gjykatës Supreme në lëndën P.A.nr.18/2025, duke tentuar të zbehë efektin e tij juridik. Ky vendim është i formës së prerë, i pakontestueshëm dhe i detyrueshëm për zbatim të menjëhershëm.

    Gjykata Supreme ka konkluduar qartë se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është zbatuar në kundërshtim me ligjin, pa një analizë konkurrence, pa konsultime publike dhe jashtë kompetencave ligjore të ZRRE-së. Vendimi shfuqizon dispozitat kyçe të udhëzuesve për liberalizim dhe e shpall aktin njoftues të pavlefshëm.

    Megjithatë, komunikata e ZRRE-së e datës 18.11.2025 tenton ta relativizojë këtë vendim, duke krijuar pasiguri të re ligjore dhe duke rrezikuar ekspozimin e bizneseve ndaj dëmeve ekonomike dhe pasojave të tjera.

    OEK ka theksuar se: vendimi i Gjykatës Supreme është i detyrueshëm për zbatim nga çdo institucion publik; asnjë organ administrativ nuk ka të drejtë ta interpretojë ose ta zbehë efektin juridik të këtij vendimi. Çdo veprim që bazohet në aktet e shfuqizuara është në kundërshtim me rendin juridik të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, OEK thekson se bizneset janë dëmtuar rëndë nga një proces liberalizimi që tashmë është konfirmuar si i paligjshëm.

    Rritja e çmimit të energjisë, kontratat e imponuara, depozitat e pajustifikuara dhe rënia e konkurrueshmërisë ekonomike janë pasoja direkte të këtij shkeljeje ligjore.

  • Vrasja e biznesmenit, automjeti i autorëve ishte në emër të kompanisë së viktimës

    Detaje të reja janë mësuar mbi vrasjen e biznesmenit 43-vjeçar Edmond Mëhalla në Elbasan.

    Dyshohet se makina e autorëve të dyshuar ka qenë në pronësi të kompanisë së tij, shkruan euronews.al.

    Edmond Mëhalla u ekzekutua mbrëmjen e së dielës, pranë karburantit në pronësi të tij.

    Një prej autorëve e ka qëlluar biznesmenin me pesë plumba, dy prej të cilëve në kokë dhe një në trup.

    Pas vrasjes, autorët e dyshuar janë larguar drejt aksit Elbasan-Librazhd ndërkohë, këtë të hënë u gjet një makinë e djegur në fshatin Mirakë.

  • Dragone: NATO mund të bëhet më agresive ndaj sulmeve hibride ruse

    NATO po shqyrton një ndryshim drejt një përgjigjeje më të vendosur ndaj operacioneve kibernetike, sabotimit dhe shkeljeve të hapësirës ajrore të Rusisë, tha zyrtari i lartë ushtarak i aleancës për ”Financial Times”, admirali Giuseppe Cavo Dragone, i cili kryeson Komitetin Ushtarak të NATO-s.

    Ai shtoi se aleanca po rivlerëson mënyrën se si përballet me kërcënimet hibride që janë intensifikuar në të gjithë Evropën.

    “Ne po studiojmë gjithçka… Në lidhje me kibernetikën ne jemi duke reaguar shpejt. Të qenit më agresivë… është diçka për të cilën po mendojmë”, tha Dragone për FT.

    Ai gjithashtu sugjeroi që një “sulm parandalues”, në disa rrethana, mund të shihet si “veprim mbrojtës”, ndërsa vuri në dukje se një qasje e tillë është “më larg mënyrës sonë normale të të menduarit dhe sjelljes”.

    Vendet evropiane janë përballur me një sërë incidentesh hibride vitet e fundit – duke përfshirë sulme kibernetike, sabotim të dyshuar të lidhur me Rusinë dhe raste të përsëritura të dëmtimit të infrastrukturës nënujore në detin Baltik.

    Ndërsa disa anëtarë të NATO-s, veçanërisht në Evropën Lindore, kanë kërkuar një qëndrim më të ashpër, Dragone tha se çdo ndryshim kërkon shqyrtim të kujdesshëm të kufijve ligjorë dhe juridiksionalë.

    “Të qenit më agresiv krahasuar me agresivitetin e homologut tonë mund të jetë një mundësi. Çështjet janë korniza ligjore, korniza juridiksionale, kush do ta bëjë këtë?” tha ai.

    Dragone theksoi misionin ”Baltic Sentry” të NATO-s si një shembull të parandalimit të suksesshëm.

    Operacioni vendosi anije, avionë dhe dronë detarë aleatë për të monitoruar infrastrukturën kritike në detin Baltik pas incidenteve të shumta të prerjes së kabllove në 2023 dhe 2024.

    “Që nga fillimi i ‘Baltic Sentry’, asgjë nuk ka ndodhur. Pra, kjo do të thotë që ky parandalim po funksionon”, i tha ai FT.

    Shqetësimet mbeten, megjithatë, pasi një gjykatë finlandeze rrëzoi një çështje që përfshinte ”Eagle S” – një anije e lidhur me Rusinë e dyshuar për dëmtimin e disa kabllove nënujore të energjisë elektrike dhe të dhënave – sepse incidenti ndodhi në ujëra ndërkombëtare.

    Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, pranoi për FT se kjo në fakt u jep anijeve ruse liri veprimi në ujëra të tilla.

    Ajo shtoi se të bëhesh më i vendosur është duke u shqyrtuar, por paralajmëroi se aleatët “nuk duhet të jenë histerikë” dhe duhet t’u “besojnë” kornizave ekzistuese të reagimit.

    Dragone tha se sfida qendrore për NATO-n është përcaktimi se si të parandalojë sulmet hibride në të ardhmen.

  • Mblidhet sot Këshilli i përgjithshëm i LDK-së

    Do të mblidhet Këshilli i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Nga LDK-ja njoftojnë se mbledhja do të mbahet në orën 17:00, teksa thonë se mediat do të lejojnë të marrin pamje në fillim të takimit ku kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku mban fjalën e më pas këshilli vazhdon punimet.

    “Sot (e hënë), në orën 17:00 mbahet mbledhja e radhës së Këshillit të përgjithshëm të LDK-së. Mbledhja mbahet në hoteglin “Venus” (magjistralja Prishtinë-Ferizaj). Mediet mund të marrin pamje në fillim të takimit ku kryetari Abdixhiku mban fjalën e tij, pastaj Këshilli i përgjithshëm vazhdon punimet”, thuhet në një komunikatë për media.
  • Varroset sot nëna e kryetarit të OVL-UÇK’së, Hysni Gucatit

    Mbrëmë ka ndërruar jetë nëna e kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hysni Gucati, varrim i të cilës do të bëhet sot në ora 15:00, e pamja do të mbahet në shtëpinë e Hysni Gucatit.

    Nga OVL-UÇK kanë njoftuar se nëna e Gucatit, Hata Gucati do të varroset në fshatin Marinë në Skenderajt, afër kompleksit memorial të Dëshmorëve.

    “Të nderuar veteranë, invalidë, familjarë të Dëshmorëve dhe qytetarë. Ju njoftojmë se nëna e kryetarit, z. Hysni Gucati, zonja Hata Gucati, ka ndërruar jetë. Varrimi do të mbahet nesër, më 01.12.2025, në ora 15:00, në varrezat e fshatit Marinë të Skenderajt, afër kompleksit memorial të Dëshmorëve”, njoftoi mbrëmë OVL-UÇK.